Visar Zhiti: FAIK KONICA I SHQIPERISË EUROATLANTIKE...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 3 min read

FAIK KONICA I SHQIPERISË EUROATLANTIKE, TË CILIN STUDIUESI FOTAQ ANDREA SËRISH NA E VË PËRBALË…
Një Antologji tjetër Koniciane, e madhe dhe tërheqëse si një risi, me vlera dhe rëndësi të veçantë, “Për një Shqipëri Europiane”, e përgatitur me kulturë nga studiuesi i mirënjohur, Fotaq Andrea, që nuk ka shumë kohë që më ka ardhur, por gëzimi dhe i këtij botimi është i tillë që nuk ikën, sa herë e merr ndër duar dhe e shfleton. Leximi i tij është një pasurim i mëtejshëm i historisë kombëtare dhe i estetikës së saj.
Rreth 900 faqe libër nga “Botimet Jozef”, me mbështetjen e Federatës PanShqiorare “Vatra”, ku duket sikur ringjallet ajo traditë që nisi me themeluesit e saj korifej, Imzot Fan Noli dhe vetë i gjithëdituri Faik Konica.
Antologjia “Faik Konica Për një Shqipëri Europiane” përveç fjalës hyrëse të autorit Fotaq Andrea si qëmtues, përkthyes dhe përmbledhës i Veprës, ka dhe një parathënie të thukët nga Prof. Dr. Thanas Gjika, ku theksohet e mira e kësaj “pune madhore”, që, sipas tij, “deri sot ky kolos i mendimit shqiptar nuk është vleresuar sa e si duhet...”.
Konica duket se është i pa shterrshëm në dije dhe shqetësime, në kumte e befasi dhe gjithmonë shfaq faqendriçime ndryshe, me bukuri rilindase…
Nëse veprimtarët e tjerë së bashku bënë Doktrinën e Rilindjes Kombëtare, Faik Konica vetëm bëri Kritikën e saj.
Krerët e librit me rendin e artikujve të Konicës, me përkthime dhe nga origjinali frengjishtja, edhe me shqipen e tyre shenbullore, ku butësia përzjehet dhe me ashpërsinë, njëherësh dhe delikatesa dhe solemniteti, ironia, humori dhe dëshpërimi, por dhe udhërrëfim dhe shpresa rinore etj, duken sikur janë shfletim i vetë kohës, jo vetëm asaj koniciane, por dhe postkoniciane, e tashmja jonë dhe e ardhmja e Shqipërisë.
Dhe të mendosh që në gjysmëshekullin e sundimit të Realizmit Socialist krijimtaria e Konicës u përjashtua dëmshëm dhe emri i tij u la në harresë, kujtohej vetëm për t’u sharë, këtë të drejtë ia jepte vetes me shumicë diktatori Enver Hoxha dhe atyre që përzgjidhte ai dhe që sakatuan letrat shqipe dhe mendimin rilindas shqiptar.
Por kjo s’mund të vazhdonte përgjithmonë, ishte e panatyrshme.
Konica është dhe natyrë e shqiptarit, karakteri qytetar i buçimës së kulturës perëndimore në të, më europiani.
Thënë shkollarisht, dashuria për Shqipërinë, rimëkëmbja e saj shpirtërisht, si komb, popull e shtet, patjeter me kulturë europiane, e bëri Konicën prijëtar moral, e bashkoi me patriotët, me gjithë prapësitë dhe ndasitë e sherrnajën, etj.
Pikërisht kjo vepër më e re nga Fotaq Andrea këtë shpalos, një Faik Konicë që duhet, aktual, por dhe si kundërvënie e kurrupsionit moral, ku duket se dashuria për atdhe, që bashkonte, ndjehet si arkaike, ka sjellë një si përçarje, se janë bërë më të rëndësishme ideologjitë, nostalgjia kriptoenveriste, politika e ditës dhe pasurimi jo i Shqipërisë, por i vetes.
Konica me shokët e tij të lartë pasuruan Shqipërinë shpirtërore.
Nuk mund të rrija pa përgëzuar autorin, studiuesin skrupuloz dhe pasionant Fotaq Andrea,
Më erdhi Antologjia, - i shkruaja, pati mirësinë dhe ma dërgoi z. Thanas Gjika, - vepër dinjitoze dhe e duhur për të gjithë shqiptarët e sidomos për ata që janë larg atdheut, ka dritën e një Yll Polar që i priu ëndrrës, dëshirës, ndjesive, na tregon një rrugë të madhe, një përpjekje, estetikën e saj dhe shijen e bukur të gjuhës amë. Tani falë Jush! Është dije dhe mbetet frymëzim. Duke e patur Librin dhe me autografin Tuaj, ai bëhet edhe më i çmuar për mua.
Me mirënjohje për punën Tuaj të madhe dhe miresinë, duke ju uruar sërish më të mirën,
me besë! - siç thoshin rilindasit.
Vërtet e çmoj shumë këtë “marrëdhënie ndërlibrore”, - po e quaj tani, përhapjen e librit tonë midis nesh nëpër botë.
Ndërkaq në përgjigjen e tij z. Fotaq Andrea ndër të tjera shkruante se “Konica i madh shkëlqen me fjalën e tij në atë vepër dhe shumë pak kemi bērë për të. Është i paarritshem, i pakapshëm, i gjithëgjendur në tërë fushat e albanologisë e të shoqërisë”.
Po edhe shkëmbimi i letrave, mesazheve, ideve, mendimeve dhe shqetësimeve, edhe me ata që nuk je takuar ndonjëherë, vazhdon një traditë të vyer, sot e lehtësuar mrekullisht nga teknologjitë moderne, kur tani në kohë reale krijon opinione dhe i shkëmben ato, përcjell punë e bashkëpunim, mirëkuptim dhe veçime, etj, ndërkaq bëhet dhe më e qartë, mendoj, vepra madhështore e të parëvé tanë, përpjekjet e tyre parake dhe legjendare për dije dhe dritësim.
“Biblioteka lëvizëse” - siç e ka quajtur Konicën shkrimtari francez Guillaume Apollinaire, - rivjen në kohën tonë kudo ku ka bashkëkombas, falë dhe atyre konicianëve të shquar si Fotaq Andrea, duke përhapur shpirtin rilindas me frymën perëndimore duke na bashkuar gjithnje e më shumë me kulturën moderne euroatlantike, duke bërë realitet ëndrrën, por dhe përkatësinë…
Comments