top of page

Viron KONA: Një  buqetë poetike për dashurinë


 

    

     

             Rreth librit “Magjia e syve” të poetit Delo Isufi

       

   Libri “Magjia e syve” u shtyp nga ARTVIZUAL T2, viti 1998. Redaktor Llazar Vero, recensent Viron Kona, grafikat dhe ilustrimet nga Bujar Kapexhiu.

   Libri nis me një kushtim dashurisë nga La Fonteni:

    ”As ari, as madhështia, s`na bëjnë të lumtur”.

“Poezia e Delos përcjellë shumë vlera, por veçanërisht në poezinë erotike është një zë tepër i veçantë.” (Perikli Jorgoni).

       Kam përpara librin e parë poetik “Magjia e syve” të poetit Delo Isufi për të cilin po shkruaj pas kaq shumë vitesh. Mbaj mend që miku im, Llazar Vero, ish - gazetar i njohur i gazetës “Bashkimi”, tashmë me banim në SHBA, kur, një mbrëmje të vitit 1998 e takova rastësisht pranë një dyqani të vogël kinkalerie, mes të tjerash më tha:

          -Besoj ti njihesh me Delo Isufin, pilot, avokat dhe poet, e ke edhe  nga Vlora?

          -Njihem fare pak, - iu përgjigja, - më shumë e kam të dëgjuar si emër, kam dëgjuar të flitet për të më shumë si pilot i aeroplanëve supersonik, por edhe si avokat.

           -Ke dëshirë ta takosh?

           -Po, me shumë kënaqësi! Ku ndodhet?

      Llazari u kënaq me gatishmërinë time dhe më tha:

           -Zyrën e ka këtu afër, hajde shkojmë ta takojmë?   

       Shkuam të dy në zyrën e Delos, ku ai ndodhej me tre kolegë të tjerë avokatë.

 

                                      Zemërbukuri Delo Isufi


       Deloja na priti buzagaz, si të njiheshim prej shumë kohësh dhe nisi të fliste...për poezinë.

          -Kujtoja se do më flisje për ligjet, kurse ti po më flet për poezinë! - i thashë duke dashur të bëj pak humor.

          -Nuk të pëlqen?

          -Më duket shumë bukur, që në një zyrë  “të ftohtë” ligjesh, të flitet për poezinë dhe, akoma më interesant më duket fakti se ti Delo po më flet për poezi dashurie.

        Delos i erdhi mirë nga befasia ime dhe, duke folur rrjedhshëm, bukur dhe  duke më parë në sy, nisi të më tregonte një dorëshkrim me poezi, që ai mendonte ta botonte në libër të veçantë, të titulluar “Magjia e syve”. Ndërkaq ai nis të më fliste për dy-tri poezi, si të donte të më tërhiqte më shumë vëmendjen.

           -Shkojmë te kafja, - tha Llazar Veroja.

           -Me shumë kënaqësi, - thashë edhe unë.

           -Po, - tha Deloja, - kemi një lokal këtu afër, do të pimë kafe dhe do të bashkëbisedojmë  për poezinë dhe për librin tim të parë. Je dakord të jesh ti recensent? - më pyeti.

           -Po, jam shumë dakord dhe të falënderoj, por le t`i shohim  njëherë poezitë. Ki parasysh edhe diçka se, unë jam i fushës së prozës, e njoh pak poezinë. Gjithsesi, si letrar që jam, mund ta shfaq edhe ndonjë mendim.

             -Unë  e di kush je, - tha ai, - ndaj kam menduar dhe kam besim tek ty. Më ka folur gjer e gjatë Llazari dhe, unë i besoj shumë këtij, edhe si njeri i letrave dhe si gazetar i njohur.

        Shkuam te kafja dhe Deloja hapi dorëshkrimin.

           -Nise ti leximin, - më tha.

           -Po, me shumë kënaqësi, - iu përgjigja dhe nisa të lexoj poezinë e parë të titulluar “Gjyqi i syve”, e cila çuditërisht niste me fjalë të gjuhës jurisprudencës:

 

“Sytë e mi pse janë kusarë!?

Se kanë vjedhur një palë sy!

Por dhe ti nuk je pa faj,

Që ke hyrë në sytë e mi?”

 

          Eh, more Delo, e paske nisur me një poezi që krijon harmoni midis jurisprudencës dhe letërsisë! Ke shkruar thjesht, me emocion, me fjalë të figurshme dhe tërheqëse. Lexuesi përfytyron sallën e “gjyqit” të dashurisë, ku i akuzuari “gjykon” vetveten  si “kusarë” me akuzën se  “sytë e tij kanë vjedhur një palë sy”. Po aq e fuqishme është edhe mbrojtja e “të pandehurit”, kur thotë: ”Por dhe ti nuk je pa faj, /që ke hyrë në sytë e mi!” Bukur, Delo, bukur! - i thashë. - Po më pëlqen ky “gjyq” dashurie, ku shfaqen ndjenja të sinqerta, por dhe vargje që shprehin “fuqinë” e pa diskutueshme të dashurisë. Kështu vazhdojnë, edhe poezitë e tjera? - e pyeta duke  e parë në sy.

        Ai bëri buzën në gaz. E vura re se i erdhi mirë nga fjalët e mia. Kurse unë vazhdova të lexoj poezinë tjetër, “Kur binte shi”:

 

 “Sa herë shiu mbi ne binte,

Ai s`na njomte, si për çudi,

Ajo me vete zjarrin sillte,

Dhe e thante çdo pikë shi!”

 

           -Edhe kjo e bukur! Poezi e begatë, metafora që ke gjetur është tërheqëse, të mbetet në mendje. Ja, po shoh se në këtë rrjedhë janë edhe vargjet e poezive në vazhdim: ”Ti dhe hëna”, ”Cicërimat”, ”Galaktika”. Po shoh se i ka ardhur radha edhe poetit pilot, ja, me poezinë “Me ty në qiell”, duket se po shfaqesh me aeroplanin supersonik, kur, përmes qiellit të paanë, mbi hapësirën ajrore shqiptare, vrojton hapësirën lart dhe anash, teksa mediton për jetën njerëzore poshtë, për njerëzit e dashur dhe, sidomos për vajzën që dashuron, ja, po nis ta lexoj:

 

”Dhe kështu me Ty në mendje,

Nis udhëtimin larg e lart,

Mijëra herë të puth me ëndje,

Përmbi re, në qiell të artë”.

 

“Ti nuk e di që dhe në qiell,

Të marrë me vete sa herë shkoj,

Puth me Ty çdo rreze diell,

Dhe nëpër yje Ty të çoj.”

 

           Duket se, sa më të vështira të jenë punët dhe detyrat që kryejmë, aq më të mëdha janë edhe ndjenjat e dashurisë për njerëzit e afërt. Në rastin e poetit, ndihen më afër tij edhe shokët, kolegët, miqtë e, veçanërisht njerëzit e familjes dhe vajza që ai dashuron. Ajo i ka rrëmbyer atij zemrën, teksa, ai, duke rrëfyer poetikisht fuqinë e madhe të dashurisë, është i gatshëm të bëj të pamundurën për vajzën që dashuron, ai e ka atë gjithnjë në zemër, kudo dhe në çdo kohë, madje edhe gjatë fluturimeve, teksa në mënyrë figurative poeti mund ta çojë atë “dhe nëpër yje”.

 

                                         Puthja

 

          Deloja, poet i ndjenjave të bukura,  poeti pa paragjykime me një natyrshmëri e sinqeritet, që shumëkush do t`ia kishte zili, shkruan edhe për puthjen, e cila në kohën kur ai fluturonte me supersonikun krahë hekurt ishte e ndaluar! Pse? Sigurisht një absurditet i kohës që kaloi, kurse bota, jo, nuk e kishte absolutisht një dukuri të tillë.

           Më rastisi këto ditë, të shoqëroja një mikeshë suedeze, Britt - Marie, kryetare e Këshillit të Bibliotekave të Suedisë. Gjatë vizitës në Durrës, ajo midis të tjerash, tha: ”Kam qenë këtu në Shqipëri, pikërisht në Durrës, në vitin 1974, me një delegacion të rinisë suedeze. Mbaj mend që vendi ishte shumë i varfër, por mua, - vijoi ajo, - më tërhoqi vëmendjen besimi dhe entuziazmi i njerëzve që takonim për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Kurse, ajo që mbaj mend për keq nga ajo vizitë ishte se, të rinjtë që ishin me ne dhe i kishin flokët të gjatë, i detyruan t`i shkurtonin, por, edhe u çuditëm më shumë kur dëgjuam se, “dikush(një djalë shqiptar) ishte përgojuar keq në hotelin ku ne ndodheshim, sepse ishte puthur në publik me të dashurën e tij”.  Fjalët e suedezes më kujtuan vargjet e një poezie të shkruar nga poeti i talentuar shqiptar, njëherazi miku im i çmuar, Ndoc Gjetja,  i cili në poezinë e tij “Puthja” shkruante:

 

 “Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja,

ndodhin në mesin e rrugës së madhe,

por ajo më njerëzorja, më e madhërishmja, më hyjnorja puthja,

ka mbetur ilegale!”

 

       Kurse, poeti Delo Isufi, te poezia e tij “Çdo puthje”, shkruan:

 

 “Çdo puthje e jona një epope,

E zemrave që rrahin valë gëzimi,

E ku mund të gjesh në botë si ne,

Që dashurinë e ngremë në vargje himni!”

 

                                   Emira, perla e artë,

                        dhe burimi i frymëzimit për poetin

 

        Me një fuqi magjike Deloja qëndis vargjet te poezia “Zogjtë pushuan këngën”.  Kam dëshirë t`i citoj këtu të dy strofat e kësaj poezie:

 

“Një luledele këputi ajo,

Petalet nisi t`i numëronte,

Tërë ankth: ”më do, s’më do”,

Më kot veten e mundonte.

 

Befas i kapa dorën e bardhë,

Skuqur pak nga rrezja e diellit,

Lulja ra mbi prehrin e saj,

Pushuan këngën zogjtë e qiellit.”

 

        Vazhdon libri metaforik “Magjia e syve “ me poezitë: ”Vitet do të ikin”, ”Bares”, “Gjer në varr”, ”Shpresa”, ”Braktisje”, ”Tri pyetje”, ”Qielli”.. Ndalem disi te poezia “Vetmi e dyzuar”, të cilën, nga sa kuptoj, Deloja ia kushton plot mall, ndjenjë dhe dashuri ish-bashkëshortes së tij Emirës, e cila fatkeqësisht u nda shpejt nga jeta, teksa ai “vajton” me vargje, ikjen dhe dashurinë e thellë dhe të papërsëritshme për atë grua,  që ai e donte aq shumë dhe që nuk e ka harruar kurrë, ajo mbeti e vetmja në jetën e tij, ai nuk zgjodhi një tjetër, por e mbajti dhe  e mban Emirën në kopshtin e zemrës së tij, siç mban guaska  perlën e artë brenda saj. Ajo shfaqet në vargjet e Delo Isufit  përherë e më e ndritshme, duke shpërndarë rreze të ngrohta jete, bukurie, dhembshurie  dhe dashurie; shpërndan çaste dhe kujtime të paharruara, që vezullojnë zemrën plot mall të poetit:

 

 “E humba atë që doja aq shumë,

Atë që s`rrija dot pa e parë,

Erdhën prapë netët pa gjumë,

Dhe malli erdhi më i marrë.

 

E ç ‘nuk u shtuan për një vit,

Me moshë, me borë përmbi flokë,

Kurrë s`e prisja që një ditë,

Të rrija vetëm siç rri sot.

 

Unë të pres i përmalluar,

Megjithëse Ti s`do të vish kurrë,

Të pres në vetmi i dyzuar,

Ashtu siç të prisja dikur.”

 

        Kurse në poezinë “Kurrë lot!”, duke përkujtuar me shumë dashuri Emirën e tij, Deloja shkruan:

 

”Emira ime, më e mira në botë,

Dy vajza më dha, dy yje perri,

Ah, perëndi, mos derdh kurrë lot,

Në sytë e Saj, në sytë e mi”.

Delo Isufi dhe Viron Kona

      Mbaj mend kur përuronim librin poetik “Lulet e zemrës”. Deloja punonte në Avokaturën e  Shtetit. Merrnin pjesë atje avokatë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të dikastereve dhe institucioneve ligjore të shtetit, pra shumica ishin njerëz të ligjeve. Ndodhej dhe shkrimtari i talentuar shqiptar, që ka krijuar kryesisht në gjininë e dramës, por edhe skenarist i njohur, Ruzhdi Pulaha, si dhe aktori i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Reshat Arbana, i cili lexoi atje poezinë “Unë, Emira dhe zogjtë”, që Deloja ia kushtonte Emirës së tij të dashur dhe të paharruar.

       Drejtoresha e Avokaturës së Shtetit çeli përurimin dhe ma dha fjalën mua. Mbaj mend që isha i emocionuar, sidomos në prani të aq shumë njerëzve të ligjit. Doja të thosha diçka ndryshe dhe u përpoqa të shpjegoj se, përgjithësisht poetët kanë pasur apo kanë si frymëzim njerëz të veçantë, sidomos ata që janë në zemrat e  tyre, e që bëhen burim frymëzimi për të shkruar bukur dhe me ndjenjë, duke prekur zemrat e lexuesve. Përmenda se, edhe poetët e mëdhenj, secili kishte të dashurën, të preferuarën apo personazhin e tij, së cilës i kushtonte vargje. Homeri kishte në qendër të Iliadës  Elenën e Spartës (Trojës); Dante Aligieri i këndoi dashurisë së tij për Beatriçen, e cila paraqitet me tërë  bukurinë e saj shpirtërore, por që vdiq shumë e re, duke i shkaktuar Dantes një tronditje të thellë; Shekspiri, tek tragjedia “Hamlet”, nëpërmjet Hamletit  iu përkushtua Ofelisë me vargje poetike, jeta e së cilës përfundoi me vdekjen e saj. Gëteja, në kryeveprën e tij “Fausti” i kushton vargje të ndjera poetike Margaritës, ndërkohë që kaloi një krizë të thellë  morale nga humbja e saj... Kështu mund të përmendim edhe shumë e shumë poetë të tjerë, të kohëve të shkuara apo dhe të kohës sonë, kurse, burim  frymëzimi për vargjet poetike të Delo Isufit, ishte dhe mbetet përjetësisht  Emira e tij e bukur, Emira e tij e paharruar. Mjafton që të lexosh disa strofa të kësaj poezie brilante, aq më tepër, t`i dëgjosh ato të recituara nga aktori i madh Reshat Arbana, dhe, sigurisht që mbushesh me emocion dhe ledhatohesh nga fllade humanizmi, përjeton ndjenja të thella, që duket se i ke fituar aty, kur dëgjon me emocion vargjet:

 

 “Më fal Mirushe, nuk të erdha,

Këtë javë ku prehesh Ti,

Zogjtë pyete: Ç`u bë Deloja,

S`rri pa ardhur kurrë ai!”

 

       Dhe, strofa e fundit:

 

”Erdha, pra Emira ime,

Ti më prite si dikur,

Sa dëgjove kollën time,

Çele buzën mbi boxhur”.

 

       Emira, gjithnjë perla e artë, por dhe burimi i frymëzimit për poetin Delo Isufi. Dashurinë e madhe për Emirën, Deloja e shpreh edhe te poezia “Një vjetori”, ku ai nënvizon artistikisht  faktin se, dashuria e vërtetë nuk ka as kufij, as kohë, ajo është gjithmonë  te njeriu:

 

“Kemi një mijë e një vjet që dashurohemi,

Por dhe një mijë e një vjet pa u parë,

Kushedi sa mijëra vite do të kalojnë,

Unë do të mbetem po ai i ditës së parë”.

 

                             Dhurata shpirti dhe zemre

 

       Po ndalem paksa edhe te poezia e ndjerë ”Më fal nënoke!”, ku Deloja përjeton nëpërmjet vargjeve fëmijërinë e tij në fshatin Brataj të Vlorës, e ku nëna e tij e dashur, si të gjithë nënat, kujdesej për birin e saj të shtrenjtë me dashurinë e saj të madhe, teksa ai, duke u rritur dhe duke përjetuar kujtimet brenda vetes, e sjell nënoken në vargjet e tij të ndjerë, si të dojë ta ketë gjithnjë pranë, të mos e braktisë kurrë, madje ajo të jetë pranë tij në jetë, në gëzime e dhembje, por edhe kur ai me aeroplanin e tij luftarak supersonik kryen detyrat e vështira atje lart mbi re, në qiellin  dhe hapësirën e pafund...

 

 Dhe unë larg, shumë larg nga Ty,

Tashti pi kafe dhe konjak,

Sa mirë do të ishte që dhe Ti,

Me mua kafenë ta pinim bashkë.

 

 ...“Pale në qiell të të çoja,

 Një ditë me shi, me re e shqotë,

 E me të qeshur të ngacmoja,

 “Ku është i fshehur i madhi zot”? 

 

      Interesante dhe tërheqëse janë edhe poezitë ”Dhurata” dhe “Dhurata e Shën Valentinos”, ku poeti duke “jetuar” shumë orë në qiell, mendon artistikisht se dhuratat më të bukura për njeriun e tij të dashur janë “dhuratat”, sa tokësore edhe qiellore.

 

       Te poezia “Dhurata” ai shkruan:

 

”Sillem rrotull te dyqani,

Çfarë të blej në këtë ditë,

Një shami me lule jargavani,

Apo me mendje të puth sytë?”

 

       Kurse te poezia “Dhurata e Shën Valentinos”, ai shkruan:

       

”E ç`të sjell për Shën Valentinin,

Këtë ditë dimri ngarkuar me shi,

A të të lë të paktën vështrimin,

Ta ruash për gjithë jetën në sy.

 

A mos vallë do vetëm një puthje,

Ashtu vjedhurazi e me rrëmbim,

Si çdo puthje kur jepet me ngutje,

Por zjarrin e ka përvëlim?” 

 

         Të mbeten në mendje edhe poezitë  ”Mos harro!”, “Rreth tryezës”, “Vështrimet”, “Zemërimi i mimozave”, “Telepatia”, ”Dashuria e fundit”, ”Mosha”, ku poeti shkruan edhe vargjet:

    

”Pse vallë moshën e llogarisim,

Me pranverat që na shkojnë?

E pse jetën të mos e nisim,

Me atë vit kur dashurojmë?”

 

         Kurse te poezia “Ardhja e pranverës”, poeti do të na thotë përmes vargjeve se, ndodh shpesh që njerëz të ndryshëm ngurojnë apo druajnë të shfaqin ndjenjat e tyre të dashurisë, ato ndjenja që i lënë pa gjumë, që i kanë gjithnjë në buzë e s`munden t`i shprehin. Por, ja, këtë privilegj e paskan poetët me vargjet e tyre:

 

”Kur vargjet unë ia tregova,

Faqet iu skuqën si bozhur,

Tek sytë e Saj unë i lexova,

Mendimet që s`i thoshte kurrë.”

 

                           Buqeta me emrin dashuri

 

     Vijojnë poezitë e librit si një buqetë e bukur me emrin “Dashuri”, një buqetë kaq poetike dhe e ndierë, saqë ke dëshirë të mos e shkëputësh nga dora, por ta kundrosh atë me gaz e dëshirë, t`i ndjesh aromat aq tërheqëse, të cilat do që t`i kesh gjithmonë pranë vetes, do që të marrësh frymë në atë atmosferë, në atë ajër të ëmbël e të ngrohtë dashurie. Mendoj se poeti Delo Isufi i përket atij grupi poetësh të vërtetë, të cilët i vënë vetes synime serioze për veprat e tyre artistike dhe, kur e arrijnë synimin, ata nuk ndalen, nuk vetëkënaqen, por vijojnë rrugën e artit dhe të poezisë, sepse vet poezia dhe dashuria, nuk kanë fund.

      Kujtoj kur zhvilluam përurimin e këtij  libri tek ish-shtëpia e oficerëve, me një pjesëmarrje të gjerë: poetë, miq, kolegë e shokë të shumtë të Delo Isufit. Atu ndodheshin dhe poeti dhe kritiku i njohur i letërsisë, i paharruari  Perikli Jorgoni, ndodhej dhe vjehrri i poetit, zyrtari i njohur i ministrisë së jashtme, Jovan Andoni dhe shumë të tjerë që e nderonin, si dhe sot, poezinë e Delos. Të gjithë folën me dashuri e patos për poezitë e tij, disa edhe recituan disa poezi që i vlerësonin më shumë. Fola edhe unë, fola thjesht dhe shpreha ato fjalë që ndieja më shumë: “Na ke hapur punë me këto poezi, o Delo Isufi!” Libri që ti më dhurove, po kalon dorë më dorë, sa nga familja ime, bashkëshortja, vajza dhe djali, pastaj  te shoqet e vajzës, që ia japin njëra – tjetrës, kurse unë e kërkoj dhe nuk e gjej, madje nuk e di, nëse ai libër do të më vijë një ditë në dorë, apo jo? Jo vetëm se dua të krenohem se, jam recensent i tij, por edhe sepse në faqen e parë të atij libri, kam autografin e autorit. Eh, jo vetëm për kaq, jo! Por edhe sepse edhe unë dua t`i lexoj dhe t`i rilexoj ato poezi, sepse ato janë fjalë magjike, që rrjedhin natyrshëm nga zemrat e dashuruara, janë më shumë se të vërteta, janë më shumë se artistike, janë jeta vetë.

          Më në fund libri më erdhi, ca i zhubravitur, por s`ka gjë, se librat e zhubravitur, janë ata që janë lexuar më shumë. Ajo që ndodhi me mua si lexues,  duket se ndodhi edhe me të tjerë lexues. Libri “Magjia e syve”, kalonte dorë më dorë, një fat i madh ky për çdo poet dhe shkrimtar.

Urime dhe përgëzime Delo!

Qofsh gjithnjë me zemër të artë dhe të bukur!

Qofsh kurdoherë i frymëzuar!  

 

 

 


97 views1 comment

1 Comment


Guest
Dec 01

Urime Viron, shkrimtar dhe poet! Një shkrim analizë e nghrohtë dhe plot jetë. Mbase është frymëzimi që vjen nga vetë poezitë plot dashuri, që vijnë aq natyrshëm.

Një urim të veçantë meriton Delo Isufi, "poeti I dashurisë", siç e thërras unë. Vrgje plot të papritura dashurie, mbuluar me të gjitha ngjyrat e ylberit, pranverës dhe sidomos të vjeshtës. Urime dhe suksese.

Miqësisht!

Kadri Tarelli

Durrës

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page