Trëndafili, simbol i dashurisë,
i lakmueshëm e plot aromë,
po zgjate dorën ta këputësh,
befas me gjemb ai të shpon.
Hithra, një bimë barishtore,
kjo “mbretëreshë” kuruese,
kur i prek pushin e kërcellin,
të jep dhembje përvëluese.
Ngacmove zgjuan e bletëve,
me thumba ato t ‘sulmojnë,
ngordhin ato pas thumbimit,
ama zgjoin e tyre e mbrojnë.
Macja ledhatare qime butë,
ëmbël të lakohet në gushë,
nëse ndjen rrezik prej teje,
thonjtë t`i ngulë në trup.
Qenin besnik dhe të dashur,
mos e provoko se të sulmon,
me dhëmbët e tij t ‘mprehtë,
instinktivisht veten mbron.
Gjarpri në fole dhe n ‘territor,
është zot, me t ‘vegjlit jeton,
kur dikush vërtitet pranë tij,
ai i vërsulet dhe e kafshon.
Kur klloçkës zogjtë ia trazon,
ajo shqetësohet e trimërohet,
t ‘hidhet në fytyrë e t ‘pickon,
për zogjtë e saj sakrifikohet.
Njeriun e urtë kur e sulmon,
ndryshon e reagon në çast,
vetëmbrohet dhe egërsohet,
kur i fut thonjtë në gurmaz.
Gjallesat n ‘natyrë e njerëzit,
jeta me instinkt i ka ndërtuar,
nëse ti i ngacmon e i sulmon,
s`të lënë pa të ndëshkuar!
Comments