top of page

Viron KONA: Emine S. HOTI dhe libri i saj “Mos hidhni “gurë” mbi femrat!”



 

      Emine S. Hoti, shqiptare nga Drenica, me banim që nga viti 1989 në Norvegji, tashmë është bërë e njohur në letërsinë shqipe. Krahas librave në prozë, ajo ka botuar edhe shumë vëllime poetike, për të cilat janë shkruar dhjetëra artikuj letrarë e studimorë. Janë vlerësuar nga kritika veçanërisht vëllimet poetike: “Hija e heshtjes”, “Poezitë e nënës”, “Lulet e vendit tim”, ”Pyesni zemrën!” “Feniks”, “Simfonitë e jetës”, “Të gjithë fëmijët janë engjëj”, ”Të parin kemi atdheun”, “Ecë dhe mos ndalo!” Kohët e fundit Emine S. Hoti del përpara lexuesit me vëllimin më të ri poetik “Mos hidhni “gurë” mbi femrat!”, i cili pasuron më tej krijimtarinë e saj poetike.

 

                           Tema aktuale dhe tërheqëse

 

      Libri është i ndarë në disa pjesë dhe përcjell te lexuesi llojshmëri temash aktuale dhe tërheqëse. Janë tema  që kanë në qendër atdhedashurinë, një motiv ky i lëvruar disa herë nga poetesha Hoti, ndërkohë që vijnë radhë tema që trajtojnë artistikisht emancipimin e mëtejshëm të femrës shqiptare, mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit të saj; tema që kanë të bëjnë me natyrën dhe mirërritjen e fëmijëve; tema që rrokin marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve; tema që kanë në qendër humanizmin apo që portretizojnë njerëz të thjeshtë, dëshmorë, heronj dhe personalitete të fushave të artit, kulturës, arsimit, humanizmit... Në shumë nga poezitë e këtij vëllimi mbizotëron tema  e lirisë, e pavarësisë dhe e mbrojtjes së atdheut, veçanërisht Dardanisë sonë heroike. Emine S. Hoti shkruan kurdoherë thjesht, me sinqeritet e pasion, duke shprehur ndjenja, ide, mendime që i burojnë nga shpirti dhe nga zemra e saj e madhe e humane. Nëpërmjet poezive, Emineja shpreh ndjenjat e saj të zjarrta që vlojnë në shpirtin e saj si një mërgimtare zemër copëtuar, që u detyrua të lërë atdheun në vitin 1989 për shkak të përndjekjeve serbe. Ajo vuan shpirtërisht nga malli për atdheun, për vendlindjen e saj, Drenicën heroike, të cilën poetesha e ka larg fizikisht, por të njësuar me shpirtin dhe  me zemrën, me gjakun, ëndrrat, shpresat dhe besimin për një të ardhme më të ndritur.

Thuajse të gjitha poezitë e pjesës së parë të këtij vëllimi përcjellin te lexuesi emocione dhe ndjenja të zjarrta atdhedashurie, ku atdheu, flamuri dhe shqipja janë të pandarë, siç ndodh edhe te  poezia  “Shqipja në flamur pareshtur na thërret!”. Poetesha shkruan: “Në orët e vona të natës s`kam gjumë,/për atdheun tim Arbërinë rri e mendoj,/ s`gjej dot qetësi shpirtërore asnjë çast,/derisa Arbëria trojet e saj të bashkojë.”  

       I mirënjohuri Fatmir Terziu (Mjeshtër i Madh), duke studiuar poezitë e Emine S. Hotit midis  të tjerash, ka shkruar: “Emineja me poezinë e saj, me përkushtimin e saj dhe me artin e kulturën e veçantë jep një botë paralele, e cila është më simpatike dhe joshëse se bota reale në të cilën jetojmë...” Në këtë  kontekst lexuesit i tërheqin vëmendjen poezi të tilla si “Asgjë s` më hynë më shumë në sy”, “Si Evropa edhe ne!”, “Atje ndihem shqiptare”, “Toka jonë arbërore s`ka heshtur”, “Nuk i harroj dot”, “S`kemi qetësi!”, “Ura”, “Diellin e kanë zënë retë e zeza”, “Martirët, bijtë e mi!”, “Kombi ynë i shtrenjtë” etj. Në poezinë e titulluar “Popull shqiponjash”, poetesha shkruan me patos atdhetar: “Jemi popull shqiponjash,/një “fis” kemi qenë qyshkur,/shqiponjat fluturojnë në male,/zemrat tona në flamur”, kurse në vijim: “Malet janë jeta dhe foleja e tyre,/atje lindin e vigjilojnë si trimëresha,/i përshkojnë pareshtur majat e maleve,/nga Tomori, Korabi, Sharri dhe Jezerca...” Emine S. Hoti unifikon artistikisht shqiponjat me atdheun tonë të shtrenjtë, duke identifikuar e shkrirë në artin e saj vlerat morale atdhetare me vlerat fizike të atdheut, e më  së shumti me ndjenjat që vlojnë te zemra e shqiptarit, i cili për atë atdhe e flamur ka sakrifikuar në shekuj dhe vijon edhe sot të sakrifikojë, sepse është një popull që e do lirinë më shumë se çdo gjë tjetër dhe se tek kjo liri, ky popull shikon jetën dhe të ardhmen, liria projekton udhën e vlerave të tija më të mira, më të bukura dhe më humane. Kurse në poezinë “Asgjë s` më hynë më shumë në sy”, me daltën e një poeteshe të sprovuar,  Emineja përfytyron e krahason nga njëra anë vlerat e mëdha shpirtërore karakteristike për popullin e shumëvuajtur shqiptar dhe, nga ana tjetër zhvillimet që ajo ka parë në vendet ku ka shkuar. Emineja ka kulturë dhe qytetarinë  e nevojshme që  t`i vlerësoj arritjet e popujve të botës, ajo respekton vlerat e tyre intelektuale e shkencore, teknikat dhe dijet e tyre, por, gjithsesi ajo e ka bërë me kohë zgjedhjen e saj, që atëherë kur hapi sytë dhe shqiptoi fjalët e para nënë, baba, atdhe, flamur...Ja ç farë shkruan ajo: “Kam mbresa për vendet që kam parë,/për zhvillimet e historinë e njerëzimit,/s`kam ndjerë askund qetësi shpirtërore,/si në Dardaninë time e të Is` Buletinit”, kurse në strofën e fundit të poezisë ajo shkruan: “E di që bota është shumë e zhvilluar,/kudo e kam parë me sy këtë zhvillim,/por s` më ka hyrë më shumë në sy,/se sa vendlindja ime, e atdheu im!”  Ka një theks dhe stili interesant e tërheqës që të mbetet në mendje poezia  ”Shkruaj dhe meditoj”. Në strofën e dytë dhe të tretë, Hoti, duke shkruar për ndjenjat poetike që i burojnë nga zemra shkruan: “Ato burojnë nga shpirti/vijnë pa kuptuar tek ti,/vijoj e vijoj të shkruaj,/ato s`ndalin, kush e di?/Dhe kur s`dua të shkruaj,/ zemra më thotë, vazhdo!/ Do që të hedh në letër,/ato që ajo do!” Nëpërmjet kësaj poezie poetesha sikur do që të na thotë se, janë poezi të vërteta vetëm ato që kanë burim zemrën, sepse  poezitë e zemrës janë të ndjeshme dhe të besueshme, ato shprehin të vërtetat humane, që nisin nga zemra e njeriut dhe duke u shkrirë artistikisht, përhapen në të gjithë qenien e tij. Në  vazhdim, duke shprehur  pakënaqësinë dhe urrejtjen ndaj armiqve grabitqarë, që e copëtuan kombin tonë, poetja shkruan: “Na ndanë dikur, siç ata vetë deshën,/me thika të mprehta kasapësh na ndanë,/fqinjët grabitqarë lehnin dhëmbë jashtë,/donin copën e “tyre” kush e kush më parë”. Dhe siç ka ndodhur historikisht, të huajt pushtues që të na sundonin më lehtë, kanë ndarë jo vetëm “copat” e mëmëdheut tonë, por e deri edhe familjet i kanë ndarë, kanë ndarë nënat nga fëmijët, motrat nga vëllezërit, vëllezërit nga njëri-tjetri. Por populli shqiptar as gjunjëzohet dhe as përulet përpara të huajve që kanë qëllime dashakeqe,  ai nuk e ka duruar robërinë,  ndaj në strofën e  fundit të kësaj poezie, poetesha shkruan: “Thirrje çlirimtare jehojnë sot nëpër atdhe,/Arbërinë vet zoti ynë na e ka lënë amanet,/ jemi bij edhe gjak i tokës sonë të shenjtë,/shqipja në flamur pareshtur na thërret!”


Shpirti i bukur i poeteshës njësohet artistikisht me bukuritë e natyrës


        Në pjesën e dytë të libri Emineja na befason me dashurinë e saj për bimët dhe lulet, për kopshtin  e  saj të begatë, që me dorën dhe mendjen e saj si një grua e emancipuar, i ka mbjellë me shumë dashuri e kujdes me duart e saj, sepse ato janë lule që mbillen dhe mbijnë edhe në Drenicë. Autorja ka marrë farat e tyre në vendlindje dhe i ka sjellë për t`i mbjellë aty në qytezën Ski të Norvegjisë, ku ndonëse koha është e ftohtë akull dhe bie shumë dëborë, përsëri disa nga lulet dhe bimët e Drenicës, nën kujdesin e Eminesë rriten dhe lulëzojnë, duke përhapur nëpër ajër aromat e tyre tërheqëse e, siç i quan në mënyrë poetike autorja, lule me aromë Drenice. Nisur nga dashuria për  lulet dhe, si për të vlerësuar sesa e shtrenjtë është dashuria, poetesha Hoti shkruan poezi të tilla, si “Dashurinë dhe lulet mos i dëmtoni?”, “Lulja arbërore”, “Kopshti i shtëpisë sime”, “Peizazh”, Meditoj”, “Merr shembull prej tyre dhe ti, o njeri!” Janë poezi që dallohen për ndjenja të holla lirike, ku natyra ka vendin e  saj me begatinë, me klimën, me rrezet e diellit, me ajrin e pastër e të freskët, me aromat e luleve... Poetesha Hoti shkruan:” Lulet janë pjesë reale e jetës sonë,/ kanë ngjyrat e bukura të gjithësisë,/përhapin në ajër aromat më t’ mira,/të jetës, t ‘lirisë, paqes e dashurisë./Lulet i kultivoj këtu  dhe ku mundem,/nxjerr një gur nga gropa e lule mbjell,/më qetësohet shpirti kur ajo zë e çel,/ngjyrën dhe bukurinë tek unë përcjell./ I dua të gjitha llojet e luleve pa dallim,/lulet që rriten kudo në çdo cep të globit,/ato janë simbol i paqes, dashuria, jeta,/ lutem, dashurinë e lulet mos i dëmtoni?” Dhe, më tej, te poezia e titulluar: “Kopshti i shtëpisë sime”, duke krijuar përfytyrime që e çojnë në vendlindjen e saj, në Drenicë, ajo shkruan: ”Kopshtin e shtëpisë e stolis,/mbjell atje pemë dhe lule,/ndihej aromat, shoh ngjyrat,/kujtoj Drenicën time”. Dhe këtë poezi e ajo e mbyll me strofën: “Kopshti ngjason me Drenicën,/Drenicën e fëmijërisë e rinisë,/Drenicën e bijve edhe bijave,/Drenicën time të Dardanisë”. 

 

Poetesha Hoti ngre zërin e saj poetik kundër shtypjes dhe nënshtrimit të femrës shqiptare

 

        Pjesa e tretë e librit “Mos hidhni “gurë” mbi femrat!” është edhe boshti kryesor poetik i këtij  libri të ri të poeteshës Hoti. Poezitë kanë fuqinë e erërave të fuqishme pranverore, por ato edhe e ngrenë moralin  e lartë të femrës shqiptare, sikurse duket se i japin zjarr të ri protestave të femrave për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre të shkelura e nëpërkëmbura nga disa  burra fanatikë, me koncepte feudale e  mesjetare, që kërkojnë ta mbajnë femrën gjithnjë të shtypur e të nënshtruar. Poezitë rrjedhin varg njëra pas tjetrës, njëra më mbresëlënëse se tjetra dhe na vënë ne si lexues në mendime të thella, përcjellin tek ne mesazhe plot vlera humane, por edhe na çelin horizonte, duke na kujtuar se të mbrosh lirinë e femrës shqiptare, është si të mbrosh lirinë dhe të drejtën e nënës tënde, të bashkëshortes tënde, të vajzës  dhe të mbesës tënde.

       Teksa zgjedh si ilustrim një fotografi nga protestat e grave në Prishtinë për mbrojtjen e femrave, poetesha Hoti mes të tjerash shkruan: Mos hidhni “gurin” mbi femrat,/mbani fort mendjen dhe dorën,/mos goditni vajzat dhe motrat,/ gratë e nënat që ju bën kokën!”  Dhe vijon: “Janë ato luftëtare të lirisë,/besnike që ju mbrojnë me jetë,/janë ato që për hir t ‘dashurisë,/në rrezik flijohen të parat vetë”. Në përfundim, autorja dëshiron që t`i kujtojë cilitdo që lexon poezinë e saj, se janë femrat ato që sigurojnë vazhdimësinë e jetës, se vlerat e tyre përcillen në shekuj, se janë ato që gjithë botën njerëzore gjallërojnë. Vargjet e fundit të kësaj poezie jehojnë si një kambanë e fuqishme, që zbon errësirën dhe prapambetjen mendore të burrave fanatikë, por dhe lartësojnë figurën e femrave: “Mos hidhni ju gurë mbi femrat,/që vazhdimin e jetës sigurojnë,/vlerat e tyre përcillen n’ shekuj,/janë ato që botën gjallërojnë!” 

       Në vazhdim të drithëron poezia “Pse?”, e cila është një akuzë e drejtpërdrejtë poetike e autores kundër kriminelëve që ngritën dorën dhe i morën jetën një gruaja shqiptare, një nëne dhe një vajze të emancipuar e me dhunti të rralla femërore e njerëzore. Ndaj një krimi të atillë të dhunshëm, zonja Hoti demaskon me forcën  e  zjarrit të saj të brendshëm, mentalitetin e atij burri thellësisht të prapambetur e kriminel, që arrin deri atje, sa të vrasë edhe nënën e fëmijës së tij, vret një bijë të shenjtë të një familje të shenjtë, teksa mbi vrasësin doemos duhet të bjerë ndëshkimi më i rëndë. Kush ngre dorën mbi femrën, ka ngritur dorën mbi të ardhmen e shoqërisë njerëzore. Poetesha Hoti, shkruan: Pse ajo dorë kriminale,/e vrau atë grua të ngratë,/pse ajo vetëtimë djallëzore,/goditi të pafajshmen atë natë?/Pse ai bashkëshort mizor,/vrau nënën e fëmijëve,/pse s`u tha ajo dorë,/dorë e pabesive?” 

      Kurse në strofën e fundit të kësaj poezie demaskuese zonja Hoti, duke iu drejtuar shoqërisë njerëzore, shkruan: “Pse, o njerëz bëni sehir,/dhe lejoni këto ligësi,/pse shpirti i disa burrave,/është brenda kaq i zi?“ Teksa u drejtohet, po me atë emocion edhe vet femrave, që ato të mbrohen nga njerëzit e poshtër dhe ligësitë që mund të bëjnë ata: “Ngrihuni, o gra, ngrihuni,/    mos duroni këto  poshtërsi,/mos u përulni para barbarëve,/mbrohuni me fakte e dituri!/Mos lejoni t`ju nëpërkëmbin,/mos lejoni që  t`ju shkelin,/zboni errësirën nga vetja,/që në jetë veç diell të keni!” 

        Vijojnë më pas poezitë e librit: “Dëgjo zemrën! ”Yjet e shtëpisë”, “Mos lakmo!”, “Mbaj veten! ”Plagë e pashëruar”, ”Lëndim”, “Sekretet e zemrës”, “Brenda meje gjithmonë”...Po ndalem te poezia “Po fole, fol sot, o burrneshë!”, një poezi kjo e shoqëruar me një pankartë, ku shkruhet “Siguri për gratë!” dhe ku autorja ndërmjet të tjerash, shkruan: ”Po fole, fol sot, o burrneshë,/thuaje atë që ke në mendje,/koha ikën e s`kthehet pas,/ndaj tregoje veten tënde!/Qëndro ndaj mentaliteteve,/që jetën tënde shkatërrojnë,/lufto për të drejtën me kurajë,/mos lejo të të poshtërojnë!/Jetën tënde duhet ta mbrosh,/armë ke guximin për drejtësi,/jo të përulesh kur të godasin,/por të ngrihemi, unë dhe ti.”. 

      Përcjellin mesazhe të tilla edhe poezitë: “Jeta është sfidë”, “Mos i humb shpresat!”, “Vonë”, “Jeta më mësoi”, “Dashuria e vërtetë”, “Jeta duhet përballuar”, “Rinia dhe Dashuria”. Po aq interesante është edhe poezia “Të mbrojmë njëra-tjetrën!” ku autorja, pasi i drejtohet shoqërisë, shtetit, ligjeve të drejtësisë, opinionit të gjerë shoqëror etj. kërkon që për jetën dhe interesat e grave të ngrihen edhe vetë gratë, ato të mos qëndrojnë indiferente ndaj fatit dhe fatkeqësisë së tjetrës, por të jenë pjesëmarrëse dhe aktive për t`i sjellë vajzat dhe gratë në kurse, në shkolla, në universitete, në shoqatat humane, kudo ku mund të bëhet i mundur dëgjimi i zërit të femrave, që mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre të çmuara. Dëshiroj ta mbyll këtë kapitull kushtuar mbrojtjes së femrave, me disa vargje nga poezia “Ndal, dhunës barbare!”, poezi, e cila shoqërohet me një fotografi ku tregohen Azemi dhe Shote Galica, e ku duket se ata duan të vënë në dukje harmoninë dhe dashurinë mes tyre, një dashuri që lindi dhe u zhvillua në luftë e në male, por edhe trashëgimin e pati në male, pasi, pas rënies në betejë të Azem Galicës, drejtimin e çetës së tij për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga fqinjët grabitqarë, e mori bashkëshortja e tij, heroina e popullit, Shota Galica. Ja disa nga vargjet e kësaj poezie: Historia na sjell shembuj të panumërt, /për Dora d`Istrën e Shotën legjendare, /tregon për Teutën ilire e Shën Terezën, / për Bubulinën edhe Tringën luftëtare. /Në trojet shqiptare ato janë me dhjetëra, /janë të famshme në shumë fusha të nderit, /janë të mençura, arsimdashëse, trimëresha, /si Xheva, Miro, Ganimet e Nora e Kelmendit... Pasi evokon vlerat e femrave shqiptare në shekuj, pasi shprehet me fakte për aktet e tyre të trimërisë, të dashurisë dhe të besnikërisë, poetesha Hoti duke qenë rezidente prej afro 40 vitesh në Norvegji, ndër shtetet më demokratike të botës e ku femrat gëzojnë liri e  të drejta të plota, zonja Hoti, shkruan: “Femrat janë të afta, po aq sa edhe burrat,/kudo shquhen për shkathtësi dhe mençuri,/t`i duam, t`i respektojmë e t`i nderojmë,/t`i mbrojmë kudo nga çdo shpifje e mizori.” Dhe, në fund poetesha u drejtohet njerëzve të civilizuar e të qytetëruar, shoqërisë  moderne të kohës, me thirrjen poetike: Të urtët, të mirët, duhet ta thonë fjalën e tyre,/të ndalin në viset tona poshtërimin e femrave,/ të ndalin dhunën barbare,  që vijon t`u bëhet,/disa nënave, grave, vajzave apo mbesave!” 

 

              Shenjtëria e dy prindërve të poeteshës Hoti

      


Po aq tërheqëse janë edhe poezitë e pjesës së librit, që Emineja u kushton dy prindërve të saj, nënës dhe babait, dy prindër model të atdhetarisë, të lidhur me vatanin dhe që mendjen dhe zemrën e kishin atje, te shtëpia në Drenicë, te kopshti dhe te gjëja e gjallë, te njerëzit dhe historia luftarake  e asaj  treve aq atdhetare dhe me ndjeshmëri të lartë kombëtare. Këtu do të veçoja sidomos poezitë “Nëna ime ishte e bukur”, “Me lulet e bardha të mollës mbuluar”, ”Babai im”, “Mendja më shkon”, “Aroma e luleve të Drenicës”. Te poezia “Nëna ime ishte e bukur”, poetesha i thur himn dashurisë për nënën dhe shkruan vargjet që na prekin thellësisht, duke na kujtuar edhe ne si lexues, nënat tona të dashura, të dhembshura, që na kanë lindur, rritur,  edukuar e që kanë ndikuar të bëhemi njerëz të mirë dhe të vlefshëm në jetë. Po citoj strofën e fundit të poezisë: “Nëna ime ishte trime dhe guximtare,/trime e guximtare, por edhe plot nur,/ nëna ime ishte më e bukura në botë,/ ishte si çdo nënë që s`harrohet kurrë!” Shumë prekëse dhe emocionuese ajo poezi ku autorja shkruan për ndarjen nga jeta të nënës së saj të shtrenjtë, një ndarje krejt e papritur, që la dhembje të madhe në zemrën e poeteshës Hoti. Kjo poezi është e ndjerë e plot figuracion artistik: “Shiheshim në sy edhe buzëqeshnim,/unë e nëna ime e mirë, plot dashuri,/ca lule të bardha molle binin mbi ne,/molla lidhte qetësisht frutë të ri./...Gjithnjë e mbaj përpara syve nënën,/ashtu të qeshur edhe duke biseduar,/e shenjta nënë, tashmë e paharruar,/me lulet e bardha të mollës mbuluar...”  Kurse babanë, zonja Hoti e përshkruan artistikisht dhe realisht një burrë Drenice me karakter të fortë, atdhetar dhe të vendosur: “S`e harroj kurrë babanë tim,/babanë tim të mençur e krenar,/fisnikëria ndriti gjithë jetën e tij,/mbi të gjitha ishte mëmëdhetar./Babai më edukoi si burrneshë,/të mbroj flamurin, pavarësinë,/ të mos i nënshtrohem robërisë,/më la trashëgim jetën e lirinë.”.

 

                  Vazhdimësia na mbush me krenari

  

        Në pjesën e pestë të librit renditen një sërë poezish që autorja ua kushton mbesës dhe nipave të saj të dashur dhe të shtrenjtë. Ajo thuajse në çdo libër të saj me poezi u kushton atyre vargje të bukur, të ndjerë dhe të freskët, duke shprehur kështu edhe dashurinë ndaj tyre. Dallojnë poezitë: “Unë me mbesën dhe nipat”, “Mirësia e fëmijës”, “Kur shkruan për fëmijët”,Thesari më i çmuar”, “Fëmijët dhe natyra”, “Gjuhën shqipe t`ua mësojmë”, “Prindër shqiptarë”, “Stinët”.

 

    Shkolla që vëllazëron dhe u jep dije fëmijëve shqiptarë

 

       Në pjesën e gjashtë që e titullon “Përvojë”, zonja Hoti na befason me disa poezi që përcjellin mesazhe poetike e që shprehin emocione dhe vlera rreth miqësisë, që portretizojnë artistikisht tipa dhe karaktere, apo dhe poezi ku Hoti shprehet për mendimin e  lirë. Në këtë pjesë tërheqin vëmendjen e lexuesit  poezitë: ”Dëgjo fjalët, shiko veprimet!”, ”Merita Prenga”, “Gjithkush në vendin e tij”, “Debat i lirë”, por në këtë artikull do të ndalesha më shumë te poezia, që zonja Hoti i kushton drejtoreshës Merita Prenga,  e cila drejton prej shumë vitesh me sukses shkollën 9-vjeçare “Vëllazërimi” në Tiranë. Hoti mban miqësi të veçantë me këtë shkollë, që kur shkoi përpara disa viteve me një grup shkrimtaresh suedeze dhe zhvilluan atje një bisedë letrare me mësues e nxënës të asaj shkolle. Ndërkaq,  Emine Hoti i ka dhuruar kësaj shkolle mbi dhjetë kostume tradicionale shqiptare, të stiluara e qepura nga ajo vetë, që nxënësit e shkollës të kërcejnë veshur me ato kostume në koncerte, shfaqje kulturore dhe artistike që zhvillojnë në shkollë. Poetesha jonë shkruan se ndihet e gëzuar dhe mirënjohëse kur shikon në video nxënësit e talentuar të shkollës “Vëllazërimi”, që kërcejnë e hedhin valle  të veshur me ato kostume, ndërkohë që ata lexojnë me dëshirë edhe shumë libra të dhuruara prej saj. Nga poezia kushtuar drejtoreshës Merita Prenga, zgjodha vargjet: “Një drejtoreshë dhe grua fisnike, /me shpirt e me zemër si askush, /një nënë që i do shumë fëmijët, /që e nderojnë prindër e mësues. /Një shqiptare e mençur, e dashur, /që i do aq shumë librat edhe lulet, /grua moderne edhe e emancipuar, /që mbron të vërtetat e s’përkulet. /Nëse e viziton pak çaste shkollën, /me një bibliotekë do ta krahasosh, /librat nëpër rafte të radhitur bukur, /të bëjnë të ndalësh e t`i shfletosh. /Të mbeten sytë te lulet e llojllojshme, /që pranë dritareve harlisen, lulëzojnë, /nxënësit bubërrojnë rreth e qark tyre, /duket se botanistin Linne` kërkojnë.” 

 

                             Vargje poetike

          për disa figura të shquara të kombit shqiptar

 

           Autorja i bën këtij vëllimi një mbyllje origjinale. Ajo ka përzgjedhur disa nga figurat më të mëdha të kombit tonë dhe u kushton secilit prej tyre vargje të bukura dhe mbresëlënëse. Vargje ajo i kushton Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës dhe Ismail Kadaresë. Për Gjergj Kastriotin ajo shkruan edhe vargjet: Sa ishte gjallë s`u mposht Skënderbeu,/triumfues mbi sulltanët uzurpatorë,/ i shërbeu kurdoherë lirisë e mëmëdheut,/sot i lavdishëm dhe madhështor”. Ismail Qemalin, Hoti e portretizon kështu: “Ismail Qemali, Ismail bej Vlora,/udhëheqës i pavarësisë e lirisë,/më 28 nëntor të vitit 1912-tës,/ngriti flamurin e Shqipërisë”. Nënë Terezës, i kushton edhe vargjet: ”Sot një emër i shenjtë,/ me bukuri shpirtërore,/Nënë Tereza shqiptare,/Nënë Tereza shenjtore!”  Ibrahim Rugovës, i dedikon edhe vargjet: ”Sot në panteonin e nderit të shqiptarëve,/Rugova prehet i qetë, i nderuar, i ndritur,/për betejat e tij dhe të heronjve dardanë,/gjithnjë i duartrokitur dhe i brohoritur”. Kurse për heroin, Adem Jashari, Emine Hoti shkruan: Brezat do thërrasim, prina flamurtar,/eja Adem Jashari, eja o legjendar!” Në poezinë kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare, shkruan: “Me Kadarenë kujtojmë Barletin, / Budin, Naimin, De Radën, Nolin, /Migjenin, Fishtën dhe Poradecin, /Podrimjen, Arapin edhe Agollin”. 

     Librin e saj ”Mos hidhni “gurë” mbi femrat!”, poetesha Hoti e mbyll me poezinë “Atdheu po na thërret”, ku tërheqin vëmendjen e lexuesit edhe vargjet: ”Në Norvegji jetoj prej vitesh,/ bëj jetë normale, jetoj mirë,/ edhe respektin këtu e kam,/ndihem mirë, ndihem e lirë./Por ama  jam mërgimtare,/ky është atdheu im i dytë,/të parën kam Dardaninë,/për atë mendoj çdo ditë./Një peng më sëmbon,/ në shpirt e në zemër e kam,/e dashura ime, Dardania ime,/na thërret t`i shkojmë pranë..”

        Emine S. Hoti, kjo grua e emancipuar dhe e talentuar, me formim social - kulturor bashkëkohor, i shërben me përkushtim të plotë kombit duke shkruar vepra me vlera të dukshme letrare. Ajo dhe krijimtaria e saj e begatë janë kurdoherë të përfshira në valët e atdhedashurisë dhe në vlerat e historiografisë shqiptare, duke u udhëhequr nga motivi i lirisë dhe i demokracisë. Shumë nga veprat e saj letrare tashmë janë bërë dhe po bëhen të njohura jo vetëm në Shqipëri, Dardani e trojet shqiptare, por edhe në mërgatë, veçanërisht  në mërgatën shqiptare në Norvegji e Suedi. Mesazhet e saj poetike e atdhetare, ashtu si dhe te ky libër që kemi në dorë, i drejtohen jo vetëm bashkëkombësve të saj kudo ku janë, por edhe popujve të tjerë, sepse vlerat e këtyre mesazheve kanë në qendër lirinë, paqen dhe demokracinë. Do dëshiroja që këtë artikull kushtuar poeteshës Emine S. Hoti ta mbyllja me fjalët e Nënës Terezë, shenjtores së famshme shqiptare, e cila, si për të shprehur energjitë e pashterura të krijuesve atdhetarë shqiptarë, ka shkruar: “E djeshmja iku. E nesërmja ende nuk ka ardhur. Kemi vetëm të sotmen. Mos ta lëmë të ikë!”

 

78 views1 comment

1 comentário


Convidado:
11 de nov.

Urime dhe suksese z. Viron! Një shkrim i plotë mbi librin e fundit të poetes nga Drenica Dardane, Emine Hoti. E kam ndjekur prej kohësh krijimtartinë e saj poetike, ku zien gjaku dardan për atdhe e liri, tashmë edhe në problemet shoqërore, sidomos të grave.

Një urim shkon edhe për poeten e nderuar znj. Emine Hoti, që nuk reshtet të shkruajë dhe botojë poezi. Suksese dhe plot mirësi edhe në libra të tjerë.

Miqësisht!

Kadri Tarelli

Durrës

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page