Eduart Hoxholli, ky burrë fisnik me zemër të madhe, më nderoi duke më ngarkuar si recensent të rrëfimit të tij të titulluar “Gremina e vetmisë”, nëpërmjet të cilit ai shpreh dhembjen e jashtëzakonshme për ndarjen nga jeta të bijës së tij të shtrenjtë, Blerinës, më 14 nëntor të vitit 2021. Vdekja e rrëmbeu atë vajzë në pranverën e jetës, në moshën 41 vjeçare, duke i krijuar familjarëve dhe të njohurve të saj, e veçanërisht babait Eduart, një goditje të rëndë, një boshllëk të pazëvendësueshëm, ndodhi kjo, kur vetëm pak vite më parë, ai kishte humbur dhe bashkëshorten e tij, që e deshi aq shumë.
Duke i qëndruar pranë kolegut dhe mikut tim të nderuar në këtë dhembje, i shpreh atij, krahas dëshpërimin dhe ngushëllimit tim, edhe dëshirën që ai t`i qëndroj me kurajë kësaj stuhie, kësaj fatkeqësie e dhembjeje që jeta ia dha padrejtësisht...
Mësues, drejtues dhe qytetar mendjendritur
E njoha Eduartin në muajin maj të vitit 2009, kur ai më ftoi në shkollën 9-vjeçare “Europa” të Katundit të Ri, Elbasan si një shkrimtar, që aso kohe, kisha përjetuar suksesin e parë në letërsinë për fëmijë me librin “Eh, more Bubulino!” Më priti ky njeri zemërmadh në shkollën model që drejtonte së bashku me stafin e mësuesve, shumë të nderuar e të respektuar për atë dhe për mua, më pritën si një koleg të tyre, por dhe si shkrimtar njëherazi, duke më dhuruar gëzimin e shumëfishtë, që ngjall dashuria për librin. Eduarti dhe kolektivi i shkollës “Europa”, si dhe të gjithë nxënësit, ma bën të paharruar atë takim. Lexuesit e vegjël flisnin dhe sytë u ndrisnin nga dëshirat, sinqeriteti dhe nga ëndrrat e bukura përfytyruese për jetën dhe të ardhmen sa më të bukur dhe sa më interesante...Shumë libra, shumë veprimtari, ekspozita të thjeshta pikture, konkurse letrare, shkencore, koncerte, teatër, madje, nxënësit kishin krijuar bashkërisht, të mbështetur nga mësuesit edhe një libër të titulluar “Bota jonë poetike” e ku pranë tyre lartësohej drejtor Eduarti, ose Arti, siç njihet në Elbasan, i cili në dedikimin e atij libri shkruante: “Le të jetë ky libër një pëllumb lajmëtar i realizimit të ëndrrave tuaja. Ju meritoni më të mirën e më të bukurën, sepse jeni vet bukuria e shpirtit njerëzor!”
Tek ai njeri vura re shpirtin e një poeti dhe prozatori të frymëzuar, shpirtin e madh të një pedagogu dhe drejtuesi; vura re mbi të gjitha njeriun me zemër të madhe, njeriun që di të respektoj kolegun dhe shokun, mikun dhe të ftuarin, duke më dhuruar valë flladesh pranverore, valë buzëqeshjes dhe falënderimesh, teksa unë me gjithë shpirt kam dëshiruar gjithnjë që, respektin që ata treguan ndaj meje, t`ua ktheja shumëfish e pa fund. Atje ndjeva nga afër bukurinë e shpirtit të njeriut me emrin Eduart, aftësitë dhe talentin e tij të drejtimit, përkujdesjen e tij të veçantë për mësuesit, kolegët e tij më të afërt dhe më të dashur, përkujdesjen e tij të veçantë për zemrat e vogla dhe të bukura të vogëlushëve të shkollës, por konstatova dhe nivelin e lartë të profesionalizmit të tij arsimor dhe pedagogjik.
Të njëjtat ndjenja dhe konsiderata përjetova edhe në shkollën tjetër 9-vjeçare me emrin e dëshmorit “Qamil Guranjaku”, vite më pas, e ku, më gëzoi përsëri e njëjtën dashuri për librin, teksa, si dhe herën e parë, pashë sesi lartësohej përpara meje mësuesi dhe drejtori, Eduart Hoxholli. Edhe atëherë, por veçanërisht kohët e fundit, duke shfletuar më gjerësisht jetën dhe veprimtarinë e tij arsimore, mësova se Eduart Hoxholli, për 44 vite, punoi si mësues e drejtues në 13 shkolla të qytetit e të fshatrave të Elbasanit, në shkollat 8 – vjeçare: Lugaxhi të Shmilit, në Fushë-Buall, në Polis të Vogël, në Shelcan, në Mëlizë, në Labinot-Katund, në Labinot-Fushë, në shkollat 9-vjeçare “Xhaferr Kongoli”, “Jorgji Dilo”, “Qemal Haxhihasani”, Vidhas, “Europa” (Katund i Ri), “Qamil Guranjaku” Elbasan, deri në nëntorin e vitit 2014, kur doli në pension.
Eduart Hoxholli është autor i shumë shkrimeve didaktikë e artistikë, si dhe ka shkruar e botuar librat: “Mall dhe brengë”, “Trokitje në kujtesë”, “Recitimi”, “Diktime” (në ndihmë të mësuesve, prindërve dhe nxënësve të shkollës 9 - vjeçare), “Gjëegjëza 37”, “Unë dhe Emi” (kushtuar mbesës së tij). Ka shkruar e botuar monografitë letrare: “Shpirti i dashuruar”, “Këngët e një zemre” (Jeta dhe këngët e L. Vinit dhe M. Bodinit), librin “Përtej këngëve” (Jeta, këngët popullore qytetare të I. Myzyrit), monografinë letrare “Abdyl Kajanaku, intelektuali i qytetarisë elbasanase.”...Sot, në pension, Eduart Hoxholli është një tjetër simbol i mësuesit të nderuar elbasanas.
Qytetar i përkushtuar elbasanas
Nga takimet e atëhershme me Eduartin, por edhe më pas, thellova më shumë dijet për Elbasanin dhe vlerat e tij të shumanshme, për Elbasanin, jo vetëm si qendër e arsimit shqiptar, si qyteti i së famshmes shkollë Normale (1909), që ka nxjerrë aq shumë emra të nderuar mësuesish, pishtar të dijes dhe të arsimit, dritëpërhapës në të gjithë Shqipërinë, por edhe për vendbanimet e hershme ilire,
për kalanë Skampis (emri i vjetër i qytetit), e cila është ndërtuar në kohën e perandorit romak Diklecian në v. 284-305 e. s., më pas Skampis u shndërrua në qytet dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike...
Mbaj mend që me Eduartin pamë nga afër gjurmët e dukshme qartësisht të Via Egnatia, që lidhte dikur Romën me Kostandinopojën, ajo ishte vazhdim i rrugës Apia me dy pikënisje, njëra nga Durrësi dhe tjetra nga Apolonia, kurse në Elbasan kjo rrugë kalon mes përmes qytetit. Vizituam muzeun etnografik, me një pasuri të rrallë të trevës së Elbasanit, ku vizitori mëson për numrin e zejeve, për shajakpunuesit, qeleshepunuesit, kazazët, punimet e opingarëve, e saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve, mullinjtë primitivë të vajit...
Vizituam kalanë e Elbasanit, të rindërtuar nga osmanët (1466), Namazgjanë (shesh i rrethuar me 60 selvi të larta). Bashkëbiseduam për Elbasanin, si qendër kulturore, për “anonimin” e Elbasanit, për Dhaskal Todrin, përhapës i gjuhës dhe i shkrimit shqip, folëm për periudhën e Rilindjes dhe për të famshmin Kostandin Kristoforidhi, autor i abetares shqipe dhe i shumë veprave të tjera, i cili konsiderohet “babai” i gjuhës shqipe. Biseduam për baladat dhe legjendat, për folklorin e pasur elbasanas, llojshmërinë e kostumeve popullore, Folëm për rrapin 500 vjeçar të Bezistanit (dikur qendër tregtare, shek. XVII), për bazilikën pranë rrapit të Bezistanit dhe bazilikat e tjera, vizituam Byshekun e mbushur me burime të ftohta ujore dhe me rrape, teksa folëm edhe për historinë e mbjelljes së tyre, folëm dhe për rrapin 700 vjeçar të Vojvodës, për “Ullirin e qejfit”, që konsiderohet tempull i dashurisë, për Kullën e Sahatit, për Krastën e madhe, për fshatin Shijon dhe manastirin, për “Pusin që lahej vet”, i cili çdo dy javë (ditë të premte) shpërthente ujë dhe nxirrte jashtë papastërtitë, folëm për ndërtesat e kultit: kisha, xhami, bazilika, manastire, hamame... Eduarti më tregoi me krenari për Elbasanin si vend i bekuar i Ditës pagane të Verës, për Belshin, “kryeqytetin” e ëndërruar të Sami Frashërit, me afro 84 liqene, ku ndër më të përmendurit është liqeni i Merhoit e, veçanërisht ai i Seferanit, apo siç njihet ndryshe liqeni i Afërditës, (Afërdita, perëndeshë e dashurisë, bijë e Zeusit dhe e Dianës, e cila, sipas legjendës, zbriste çdo ditë në liqen dhe zgjidhte djalin më të bukur të zonës). Folëm për Bradasheshin dhe banjat... Folëm për Elbasanin, si një nga vatrat më të rëndësishme të luftës për liri dhe çlirim kombëtar, për Elbasanin si qendër industriale, si dhe për smogun (tymin dhe mjegullën që mbulonte qytetin), por folëm edhe për Onufrin dhe Kostandin Shpatarakun, për afresket e tyre në kishën e Shelçanit, folëm për Ethem Haxhiademin, për Qemal Haxhihasanin (edhe pedagogu im), për universitetin ”Aleksandër Xhuvani” dhe muzeun me emrin e tij, për Bibliotekën e madhe ”Qemal Baholli”, e dhuruar nga familja Baholli me mbi 200 mijë libra, për Teatrin “Skampa”(1938), për Pallatin e sportit (1982), më pas edhe për Stadiumin “Elbasan Arena”, (2014).
Nga bisedat me Eduartin thellova edhe më shumë dijet për Elbasanin, si vend i bekuar i mikpritjes, i bujarisë dhe i traditave kombëtare, i bukurisë dhe dëlirësisë, Sa shumë, por edhe shumë të tjera ka për të thënë për Elbasanin, i cili me popullin e tij të ditur e luftëtar, me atdhetarin e shquar Aqif Pasha Elbasanin (Biçaku), mbështeti fuqishëm themeluesin e shtetit shqiptar, Ismail Qemalin dhe pavarësinë shqiptare, më 28 Nëntor 1912...
Jeta me të papriturat e saj
Sa shumë mund të flas dhe kam folur edhe më parë për Eduartin, madje dhe kam shkruar për shkollat që ai ka drejtuar dhe për librat e tij, por kësaj radhe jam disi i ngurtësuar, sepse ndihem bashkëshoqërues në dhembjen e tij, në rrëfimet e ndjera të Eduartit në librin “Gremina e vetmisë”, ndërkohë që dua edhe t`ia lehtësoi sadopak dhimbjen...Jeta dhe vërshimi i saj nuk na pyet, ajo e përfshiu dhe Eduartin tonë të mirë dhe të dashur, duke i shkaktuar fillimisht largimin nga jeta të bashkëshortes së tij, së cilës ai i shërbeu me përkushtim të plotë deri ditën e fundit, por kjo jetë e përfshiu edhe në një dëshpërim dhe hidhërim tjetër, shumë, shumë të madh, i rrëmbeu vajzën e tij të vetme dhe të shtrenjtë, Blerinën e tij, e cila aso kohe ishte bashkëshorte, nënë, mësuese ëndërrimtare, që i donte fëmijët aq shumë, që i mësonte dhe i edukonte me shumë ngrohtësi e dashuri, siç bënte me bijën e saj të shtrenjtë, Emi, gjithnjë siç e kishin edukuar prindërit e saj të dashur.
Eh, more Eduart, njeriu në të tilla raste e ka të vështirë të të ngushëllojë. Shoku dhe miku ndihen gojëkyçur, sepse ndonjëherë jeta të godet atje ku të dhemb më shumë, ajo vjen si një shtrëngatë e papritur në qiellin pa re, ajo vjen dhe askush s`mundet ta ndalë. Sa keq ndihemi për këtë fat të keq tëndin, sa dhimbje ndjejmë ne, shokët, kolegët, të gjithë ata që të kanë njohur, të gjitha ata që e kanë dëgjuar vajin e dhembjes tënde.. Sa më dhemb shpirti dhe zemra kur shkruaj këto radhë, mbushem me dashuri për kolegun tim mësues dhe shkrimtarin Art Hoxholli, sa shumë dëshirë kam të flas pareshtur për të, teksa fjalët më vijnë si një përrua në vërshim, si një përrua pranveror me të cilin dëshiroj të flladit shpirtin e Eduartit, të ledhatoj zemrën e tij të bukur, ta përqafojë këtë njeri me shumë mall dhe dashuri dhe ta ngushëllojë sa mundem, t`i lehtësojë sado pak plagën e rëndë dhe të hapur, që e mundon aq shumë...
Eduart, miku im, shoku dhe kolegu im! Edhe unë, edhe miqtë e tu, jemi pranë teje, jo vetëm elbasanasit, por dhe ne të tjerët nga Tirana, nga Vlora, nga Durrësi, nga qytete dhe krahina të Shqipërisë, të Kosovës, nga trojet e tjera shqiptare, nga njerëz e miq të tjerë në mërgatë që ty të njohin, të gjithë, bashkë, të duam shumë, të përqafojmë fort shoku ynë i dashur, fisniku ynë...
Një prozë poetike e shkëlqyer nga forma, stili dhe realizimi,
e dhimbshme, shumë e dhimbshme për nga ndjenjat që përcjell...
“Gremina e vetmisë”. Një prozë poetike e shkruar në mënyrën më të shkëlqyer në formë, stil dhe realizim, një ese që do ta lakmonte çdo lëvrues i gjuhës dhe i letërsisë, një prozë poetike, që mund ta shkruante një shkrimtar i vërtetë. E ka shkruar shkrimtari Art Hoxholli, e ka shoqëruar me vargje të rralla, krejt të rralla, me vargje që kanë burim zemrën e vrarë të fisnikut tonë, vargje që do t`i krahasoja me ato të Çajupit kur humbi birin e tij... Libri është fund e krye një dhembje, një dhembje e mësuesit dhe kolegut tonë fisnik e zemër bukur, Eduartit, Art Hoxhollit.
Një shkrim i përkryer, një fjalor që vetëm zemra mund ta nxjerrë e ta prodhojë, një fjalor i pasur fjalësh të rralla dhe pak ose fare pak të dëgjuara, por shumë mbresëlënëse, fjalë që, doemos shërbejnë edhe për pasurimin e fjalorit të sotëm të gjuhës shqipe. Një libër që gjithkush e admiron me dhembje dhe me emocion, një libër me metafora, me krahasime, epitete, përshkrime, libër i shkruar me stilin dhe nervin e një njohësi me nivel të gjuhës shqipe, të një shkrimtari të rrallë, sepse çdo fjalë, çdo fjali e shprehje, çdo fragment dhe çdo faqe e kapitull ka vetëm një burim, zemrën, zemrën diellore të Art Hoxhollit.
Shënime dhe opinione
me fjalë zemre, por të dhimbshme
Eduarti sjellë në këtë libër dhe ato çfarë kanë në shpirt dhe në zemër kolegët e bijës së tij. I sjellë ato ashtu, fare thjeshtë, të nxjerra nga një fletore shënimesh vendosur në shkollë, ku secili me dëshirën e tij dhe me fjalë zemre shprehen për kolegen e tyre, të mirën, të urtën, të dashurën, fisniken mendjendritur, Blerinën e përkushtuar pas shkollës dhe nxënësve, Blerinën e përkushtuar pas Emit, bijës së saj që e donte aq shumë... Janë mendime plotë drithërima dhe emocione për Blerinën, konsiderata të larta, mall, respekt për jetën e saj... Teksa, po me aq dashuri dhe respekt ata shprehen për babanë e Blerinës, mësuesin e tyre, kolegun e tyre, drejtorin e tyre, poetin dhe studiuesin Art Hoxholli.
Në fillim mendova t`i citojë në këtë recension disa nga fjalët më pikante, por më pas ndryshova mendje, sepse ato, të gjitha, nga fjalët e para gjer te fjalët e fundit, shprehin ndjenja dhe mendime që, as mund të shkurtohen dhe as mund të redaktohen. Lutem i lexoni ato dhe do të më besoni, me sa ndjenjë dhe mençuri shkruajnë: Suela Marku, Ema Vinçani, Kozeda Jolldashi, Lorena Boçi, Stela Hoxha, Nertila Xhika, Irma Bella, Elida Kërçyku, Rozeta Biçoku, Alketa Saliu, Mihal Mullisi, Emil Baxhaku, Arlind Zyko, Eva Hoxholli, Lutfije Ballkoçi, Iva Cungu Xhelo, Genta Gjoci, Valbona Kana...
Fjalë dhe shprehje të Eduart Hoxhollit,
sinonime të bukurisë së fjalës elbasanase
Bisedat e me Eduartin gjithnjë të pasura, me shumë dashuri dhe bukuri fjale, për shkollën dhe merakun e tij, që gjithçka të shkoj sa më mirë, për folklorin dhe muzikën popullore elbasanase, për historinë e Elbasanit dhe Normalen e famshme të saj, për arsimtarët dhe pedagogët e shquar elbasanas...
Lexoni ju lutem librin dhe do të jeni në një mendje me mua për sa shkruaj e shpreh. Mjafton të lexosh vargjet e ndjera që ai i kushton bashkëshortes së tij të shtrenjtë, së cilës Eduarti i shërbeu deri në fund me përkushtimin e njeriut më të dashur. Mbaj mend që sa herë e takoja, në Tiranë apo në Elbasan ai ishte i gjithë shqetësuar për bashkëshorten, e cila pati probleme serioze shëndetësore, teksa fati i keq ishte, që ajo nuk e kaloi dot gjendjen e rëndë shëndetësore. Ja, në këtë libër Eduarti i kushton asaj vargje të ndjera, por dhe të lidhura ngushtësisht me dhembjen e tij, akoma më të madhe, me ndarjen nga jeta të bijës së tyre të dashur. Duke iu drejtuar me vargje bashkëshortes së ndjerë, Eduarti shkruan: “Në detin e jetës lundruam të dy,/ askund breg lumturie nuk gjetëm./ Bashkë, derte, halle kalova me ty,/ sot me pleqërinë rropatem i vetëm./Të më përcillje, s’qe e mundur,/ askund s’do shihemi përgjithmonë./ Të kujtoj siç jam zemërgoditur,/ me lotët e nxehtë për bijën tonë./Hëna dhe yjet sonte s’paskan dritë, acar, vetmi, bornajë, suferinë./Greminës me mall, shpirtzhuritë,/ lotoj për ty e për të lartën Blerinë”.
Transparent dhe i lexueshëm
Mjafton të hapësh internetin dhe të klikosh tek emri i Eduart Hoxhollit do të shohësh jo vetëm portretin e njeriut të mirë, zemërgjerë dhe të dashur, por dhe aftësitë e tij në fushën e mësuesisë, si një mësues tërësisht i përgatitur, si një mësues i kujdesshëm dhe i vëmendshëm për nxënësit në radhë të parë, për dëshirën dhe përkushtimin e tij, që ata nxënës të etur dhe kureshtarë të mësojnë dhe të marrin sa më shumë dije nga shkolla, nga librat dhe nga mësuesit e tyre. Do të shihni me sa dashuri ai realizon një diktim dhe një hartim, sesa i kujdesshëm është ai që ata të mësojnë e përvetësojnë me themel gjuhën e bukur shqipe, do të shihni sesi ai zgjeron horizontin e nxënësve dhe të lexuesve elbasanas me kulturën e tij të lartë muzikore. Shpejt mëson sesi ai respekton personalitetet e shquara të arsimit, të letërsisë, të artit dhe të kulturës në Elbasan, teksa ai shpreh dëshirën që ata të njihen sa më mirë nga elbasanasit dhe nga të gjithë shqiptarët. Lexoni po deshët se me sa mençuri shkruan Eduarti për mësuesin e mirënjohur dhe të paharruar elbasanas Abdyl Kajanakun, për të cilin ai ka botuar një libër model, e ku e ka portretizuar në mënyrën më të plotë atë dijetar të urtë të arsimit elbasanas dhe shqiptar. Kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin të shkruaja hyrjen e atij libri mbresëlënës, ndërsa edhe vet e kam ndjerë kulturën e Eduartit edhe në bashkëbisedat me të për muzikën elbasanase, për moshën, tematikën, tekstet, muzikalitetin, bukurinë dhe vlerat e saj, për Usta Isuf Myzyrin dhe Leksi Vinin, për Mustafa Bodinin, për ato veçori që i karakterizojnë ata dhe që ne shqiptarët i kemi dëgjuar të kënduara nga këngëtar të mëdhenj elbasanas.. Lexoni po deshët librin e tij të titulluar “Bodini: Këngët e një zemre”, libër të cilin e vlerësojnë lexuesit dhe shprehen shumë nga njohësit më të mirë të muzikës dhe të publicistikës. Lexoni po deshët sikur, edhe vetëm dy artikuj të shkruar te “Fjala e lirë”, Londër nga i mirënjohuri elbasanas, Fatmir Terziu, poet, shkrimtar, studiues, personalitet plotë vlera dhe aftësi të shquara (“Mjeshtër i madh”) artikujt: “Sa mas dore më ke lanë...” dhe artikullin tjetër "Meneksheja... e këngëve të Bodinit në sitën e Hoxhollit” dhe do të shihni me sa respekt flet ky njeri i madh i letrave shqipe për Eduart Hoxhollin. Mjeshtri, Fatmir Terziu shkruan ndër të tjera: “Kopshti poetik i Bodinit dhe melodia që ai krijoi, na vjen si një gurgullimë e kthjellët, por me këtë studim të autorit Hoxholli na sjell një kopsht që premton të jetojë gjatë e të përjetësohet ndër breza”.
Njeri me shpirt të madh
Kudo e ka treguar shpirtin e tij të madh Eduarti. Kurdoherë, po ai Eduart i dashur, fisnik, i sjellshëm, mendjehapur... Mbaj mend, kur ai më kishte zgjedhur mua për të më sjellë në Tiranë nga Elbasani ballokumen e parë, të shoqëruar me lule jasemini dhe lule të tjera. M`i sillte ato, i uronim njëri-tjetrit Ditën e verës duke pirë kafe te rruga e Elbasanit dhe, shpejt, me detyrën e kryer sipas zakonit tradicional, Eduarti ngrihej dhe kthehej në Elbasan, si një erë e mbarë e Elbasanit e shoqëruar me fllade pranverore, teksa unë duke u kthyer për në shtëpi, përjetoja me emocion lashtësinë pagane elbasanase, kur të parët tanë të lashtë festonin me shpirt e zemër dhe me urime Ditën e bekuar të verës...
Vetëm një autor i talentuar mund të ofrojë në letërsinë e tij figura stilistike me fuqi emocionale dhe mendim të ngjeshur poetik, sa ofron Eduarti në librin e tij “Gremina e vetmisë”. Gjen aty me bollëk: metafora, krahasime, simbole, eufemizma, epitete, të gjitha të vendosura në vendin e duhur. Kanë bukuri tronditëse dhe të dhimbshme figura të tilla stilistike: “qielli klithi”, “m`u dogj shpirti”, “era më pëshpërit”, “Hëna më thotë të pres”, “zemra m’u thye”, “jeta m’ u shua”... Janë plot figuracion dhe të paharrueshëm vargjet: ”Më mjaftojnë yjet e ndezur maraz,/hënën kërkojnë, bijën kërkoj unë”. Ose vargje të tillë: “I flas detit, s’më dëgjon,/E mbi shkëmb valët përplas./I lutem bregut, nis e rënkon,/Sikur un’, mbushur maraz”. Të tillë vargje dhe shprehje plot figuracion artistik këtu i gjen të shumta, madje do të thosha se në këtë libër, prozë-poetike, Eduart Hoxhollin do ta cilësoja “poet të metaforave dhe të dhembjes”.
Tek lexoj librin “Gremina e vetmisë”, përfytyroj mbesën e vogël të Eduartit, Emin, së cilës, Eduarti, kur ajo ishte fare e vogël, mitake, i kushtoi librin “Unë dhe Emi”, nga ai libër po veçoj poezinë me titullin “Për Ty!” Me këto vargje poetike, po mbyll edhe këtë recension të dhimbshëm, por plot respekt, nderim dhe dashuri vëllazërore për të diturin dhe të mirin tonë, Art Hoxholli: “Midis gjethesh laureshë,/po të përkund me mallëngjim./ Ti si dielli në mes resh,/ m’i jep dritë shpirtit tim./Sot, unë Zotit i përgjëruar,/ për ty i lutem, dritë e jetë!/Dhe në qofsha i harruar,/ kaltërsive fluturo vetë!”
Lexova me vemendje recensen qe miku im shume i mire Viron Kona ka botuar dhe ndihem krenar dhe i gezuar qe eshte aktiv dhe krijues dhe qe perdite e me shume e shton krijimtarine e tij te pasur letrare. Suksese,shendet e lumturi te kesh miku im i shtrenjte dhe i paharruar Viron Kona dhe te perqafoj me mall dhe me respekt.