Nderime dhe mirënjohje për urimet e përzemërta
të miqve të mi në këtë përvjetor!
Të nderuar miq të letrave, të afërm dhe dashamirës të letërsisë!
Miqt e mi të mirë, Prof.dr Fatmir Terziu “Mjeshtër i Madh” Personalitet i kulturës, elitar i Kombit, Akademik. Prof.dr.Eshref Ymeri, personalitet i shquar, elitar dhe z. Kadri Tarelli, shkrimtar e analist i mirënjohur, atdhetar, ju shpreh konsiderata të veçanta për impenjimin tuaj duke bërë një pasqyrim plot ndjesi humane për 80 vjetorin e lindjes sime! Ju keni thënë e shkruar shumë rreth krijimtarisë sime dhe vazhdoni të thoni, duke plotësuar portretin e një gruaje që e nisi vonë krijimtarinë letrare.
Eh, koha! Koha është ajo që i shkakton plagët e dhembjet dhe është pikërisht është koha, ajo që i mjekon, i lehtëson dhe i shëron lëndimet e tyre.
Të dashur miq, më lejoni që mes emrave tuaj të nderuar, si personalitete të Kulturës Kombëtare, t’u shpreh mirënjohjen dhe falenderimet e ngrohta gjithë personave të panumërt që më kanë uruar në këtë ditë të veçantë për mua dhe familjen time. Për një krijues të çdo fushe të jetës, një përvjetor i tillë është vit jubilar, ditë ku ai bën bilançin e bëmave të këtyre dekadave, se çfarë ka arritur dhe çfarë nuk ka arritur si dhe çfarë ka bërë të mirë dhe çfarë ka bërë keq.
Gjithsesi,si gjithë të tjerët, edhe unë kam bërë, kam thënë dhe shkruar aq sa kam mundur. Të tjerët do të bëjnë më shumë. Askush nuk mund të bëjë tej mundësisë, fuqisë, dijeve dhe njohurive për jetën! Të bësh diçka për jetën është detyrë dhe përgjegjësi,kurse të bësh diçka për integrimin dhe madhështinë e kombit, është nder e lavdi. Janë atdhetarët ata që ia ngrenë prestigjin kombit. Së fundmi secili duhet të bëjë pyetjen:
Kombi më dhuroi vendlindjen, racën, gjuhën dhe emrin e madh “Shqiptar”, po unë ç’bëra për të?!
Me këtë pyetje retorike, Ju shpreh nderime dhe mirënjohje pa fund.
Me konsiderata të veçanta, Vilhelme Vrana Haxhiraj
Vlorë, 9.12.2024
Urime Vivra! Përshëndetjet janë më e vogla detyrë e jona si miq dhe krijues. Penat të ndritura si e juaja, meritojnë më shumë kujdes dhe vëmndje. Urime dhe gëzim në familje paçi përherë.