-Novelë
Pjesa - 3-
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj- Vivra
Mbaruan pushimet verore. U riktheva në qytet, por mendjen e kisha te babai. E pashë dhe e ndjeva që ishte i shkërrmoqur trup dhe shpirt. Më dhimbsej im Atë, pasi e lashë në kulmin e dëshpërimit. Vonë, pas pak vitesh, kur familja ime ngeli pa pronë, në shtëpinë tonë të gjithë ishin si peshku pa ujë. Vetëm atëherë i dhashë të drejtë tim Etit. Gjithësesi filluam mësimet. Ndarja për më se dy muaj me shokët dhe shoqet krijoi emocione të përmallshme. Gjatë kohës së shkollës, ditën e kisha të zënë me detyra dhe me studim. Gjithashtu rritja e vështirësive dhe e kërkesave të reja shkencore, nuk më linin kohë të mendoja për hallet që e mundonin babanë. Nuk duhet harruar se isha shumë i ri për t’u thelluar në problemet sociale dhe politike që shqetësonin jo vetëm, tim Atë, por gjithë kryefamiljarët e çdo familjeje në vend.
Duke u rritur, (pas një viti), më bënin përshtypje vajzat e qytetit për atë thjeshtësinë e femrës së pashtirur, për edukatën dhe sjelljen e tyre tejet të natyrshme që i karakterizonte. Tek ato në tërësi më habiste çiltërsia, zhdërvjelltësia dhe afërsia që krijonin edhe me ne, konviktorët. Natyrisht ne vinim nga zonat rurale, disi larg qytetërimit. Ndaj unë dhe shokët e mi përshëndeteshim ftohtë me ato. Të them të drejtën, unë nguroja, pasi kisha parasysh porositë e prindërve në lidhje me vajzat e fshatit. Shpesh herë dëgjoja prej tyre: -Bir, kujdes me vajzat, sillu mirë me to, dilu në mbrojtje, se ato kanë nevojë për mbështetjen e çunave të lagjes apo edhe të fshatit. Konsideroji shoqet sikur secila prej tyre të jetë motra jote. Isha në vitin e dytë të gjimnazit. Gjatë këtyre dy vjetëve ishim njohur të gjithë me njëri-tjetrin. Po kështu edhe me vajzat. Thuajse të gjithë çunat, ose secili simpatizonte një vajzë, madje sipas shijeve kishte bërë zgjedhjen e tij. Një mëngjes, nuk di pse u vonova dhe po vrapoja që të mos shkoja vonë në orën e parë të mësimit. Në rrugë ndesha një nga vajzat e shkollës, e cila më dukej e sjellshme dhe të them të vërtetën më pëlqente. U habita, kur ajo më thirri në emër. -Agron, pse me kaq ngut? -U vonova pak dhe dua të jem korrekt me orarin e mësimit. -E kam vënë re se je shumë rigoroz me oraret, rregullat e shkollës, madje si në klasë, në rrugë dhe... -Flora, nuk e kisha marrë me mend se më paske vërejtur me kujdes. -Fshati që duket s’do kallauz. -Gjithësesi, ky jam unë. Nuk ka mundësi se si të bëhem ndryshe. Kam ardhur në shkollë të mësoj, të marrë dije dhe nesër të studioj për një profesion që do të më shërbejë në jetë. -Me rezultatet që ke ti, jam e sigurt se do të fitosh të drejtën e studimit të asaj dege që të pëlqen ty. -Eh, sikur vërtetë të zbatoheshin kriteret e vetzgjedhjes së profesionit, ne do të ishim krejt ndryshe, por... -Ty Agron, po, mund të të plotësohen dëshirat dhe ëndrrat, kurse unë e kam të ndaluar të shpresoj apo të ëndërroj. Eh, arsimi i lartë për mua është mollë e ndaluar. Dëshira ime e ethshme për t’u kompletuar me arsim dhe kulturën e duhur, do të ngelet veç një ëndërr e pa realizuar, - u përgjigj ajo përmes një psherëtime të gjatë dhe e treti vështrimin tej në horizont. E ndiqja me sy dhe më dukej sikur ajo donte të gjente përgjigjen e ngërçit shpirtëror që e mundonte për diçka që i dukej e pamundur. -Nga se nisesh që del në këtë përfundim? -I zoti e di se ku i pikon çatia. Sa për të ardhmen tënde, kam parasysh fjalët e mësuesit të matematikës në takimin që organizoi drejtoria me maturantët. -Flora, mos shiko, se jeta, regjimi studimor më ka mësuar të jem fjalëpak dhe ndoshta kam fituar një farë pjekurie të parakohëshme, po fatit kurrë nuk i dihet. -Atëherë për të të mbushur mendjen, po përsëris fjalët e mësuesit tonë: “Të dashur maturantë! Kam vënë re se edhe kolegët, mësuesit e shkencave ekzakte e kanë spikatur maturinë dhe talentin e Agronit në matematikë, por përherë ngurojnë ta pyesin. Si fitues i sa e sa olimpiadave, duke i dhënë vendin e parë në Republikë shkollës sonë, Agroni me njohuritë dhe dijet shkencore që zotëron e shndërroi veten në një etalon, sepse është i veçantë. Të gjithë moshatarët e klasës marrin të njëjtat njohuri, kurse ai shkëlqen me përvojat e reja shkencore në botë dhe i nxit shokët për të arritur edhe ata nivelin shkencor të tij. Ndaj këtij djali i duhet dhënë dora...” -Po, më kujtohet fjalë për fjalë. Flora, veçse jo të gjitha dëshirat e një të riu apo ëndrrat e gjithë të rinjve realizohen. Po të kujtoj, se e drejta e studimit jepet sipas kërkesave dhe nevojave që ka vendi për specialist. Jo vetëm profesioni, por dhe jeta e cilitdo i përket planifikimit të Partisë-shtet. Mirë unë që e paskam të sigurt bursën e studimit, po ty, nuk të kuptoj dot. Pse je kaq pesimiste, madje e bindur?! Gjithë fatet e gjithë të rinjve në një kazan ziejnë, ndaj kurrë mos i humb shpresat. Vetëm shpresa vdes e fundit, moj bukuroshja ime.
-Jemi vonë për mësim. Ndoshta na bije rasti të flasim një herë tjetër,- nxitoi të përgjigjej Flora e turpëruar. Pas kësaj bisede të shkurtër, më pas përshëndeteshim, këmbenim buzëqeshje dhe takoheshim herë pas here, vetëm ne të dy. Mes nesh u krijua një lidhje më e afërt dhe e drejtpërdrejtë. Njohja jonë e thjeshtë si shokë shkolle gradualisht po shkonte drejt një shoqërie më të afërt. Daljet tona për një shëtitje, për një akullore apo pije freskuese, bisedat rreth jetës dhe shkencave në tërësi bën që njohja jonë t’i kaloi caqet e shoqërisë së shkollës së mesme. Tashmë miqësia mes ne të dyve ishte bërë më intime. Ne filluam ta njihnim më mirë njëri-tjetrin. Asaj i pëlqenin shkencat ekzakte. Ishte nxënëse shumë e mirë në matematikë. Kurse unë isha i dashuruar me gjuhësinë, veçanërisht doja të mësoja rrënjët e gjuhës mëmë, gjuhës së bukur shqipe. E adhuroja gjuhën time, Gjuhën e Perëndive që kanë folur paraardhësit tanë, paçka se çfarë fati do të kisha për arsimin e lartë. Askush nuk e di dhe as që mund ta imagjinojë të nesërmen dilemë. Në pasdite, pasi kreva të gjitha detyrat për ditën e nesërme, e kishim lënë të takoheshim me Florën. Duke ecur ngadalë drejt perëndimit të diellit, papritur mbërritëm në bregdet. U ulëm në rërë dhe sodisnim në heshtje gjithë admirim sipërfaqen e pamatë të ujit. Secili në mendimet e veta. Rrinim pa folur. Ndiqnim lojën e dallgëve të lehta e lozonjare, shkuma e të cilave mbi sipërfaqe, ngjasonte si qindra mijëra balerina që vallëzonin si shtojzovalle apo si mjellmat e bardha, në skenën e baletit klasik, e cila dukej sikur vinte nga universi. Ajo që e bënte më misterioze atë lojë të shkaktuar nga tërheqja tektonike e tokës ose forca e gravitetit, e cila krijon rrymat detare, ishte një melodi jashtëtokësore që dukej si ninullat e gjyshes sime. Kjo na nxiste të koteshim dhe të merrnim një sy gjumi të ëmbël aty në mes të rërës. Ishte buzëmbrëmje e freskët që ftonte për të mos e braktisur kënaqësinë që na dhuronte ajo ndajnatë magjike. I ngazëllyer nga bukuria magjepsëse e dallgëve hokatare dhe përkdhelja e flladit detar që na mbushi mushkëritë me oksigjen dhe jod, unë padashur iu afrova Florës pak më shumë se distanca që mbanim zakonisht. Një tufë kaçurelash të saj te pabindur, më gudulisi fytyrën. Atë çast, duke u përpjekur të largoja me frymë flokët e saj, padashje e preka me buzë në faqe. Menjëherë e kuptova që ishte veprim i paqëllimshëm, i gabuar dhe i pafalshëm për mua. Ndaj i kërkova falje. -Flora pa u larguar dhe pa u shqetësuar për sa ndodhi rastësisht, fare e qetë, siç është tipi i saj dhe ashtu si rastësisht, u përgjigj: -S’ka gjë. Asgjë e keqe nuk ndodhi. E falenderova që nuk u keqkuptua dhe fillova t’i flisja për vete dhe familjen time. Kurse ajo pa e pyetur unë, tregoi shkakun pse nuk shpresonte të kryente arsimin e lartë. Më tha, se i ati kishte qenë pedagog në Shkollën Tregtare të qytetit bregdetar, ku reaksioni mes nacionalistëve dhe komunistëve kishte arritur kulmin. Ai, si njeri i arsimuar në Perëndim, vuri re se si vriteshin pa gjyq bijtë e nënave, ndoshta, ndoshta gaboi apo ka folur diçka që Partisë Komuniste Shqiptare nuk i pëlqeu. Për idetë e tij përparimtare, e kishin vënë në shënjestër. Emri i tij ishte vendosur në krye të listës së zezë për ta vrarë apo për ta burgosur. Atëherë babai im u arratis dhe sot ndodhet në Amerikë. Kjo është arsyeja që unë nuk kam asnjë të ardhme. -Mos e vrit mendjen, moj vajzë. Ku i dihet fatit? Vendi ka nevojë për njerëzt të kualifikyuar dhe spwcializuar në fusha të ndryshme. Ti shumë mirë mund të dalësh mësuese matematike. Ndaj përgatiti dokumentet dhe kërkesën.
- Unë do ta zbatoj porosinë e drejtorit, si dhe sugjerimin tënd. Sa mbaroi fjalën e fundit Flora, unë u tulata brenda qenies sime dhe humba në mendime. “Ajo i përket një shtrese tjetër, kurse babai im nuk është komunist, por është propozuar për t’u dekoruar nga Kuvendi Popullor. Partia dhe Pushteti Popullor e ka me sy të mirë familjen dhe fisin tim. A do të më lejojnë vallë që ta vazhdoj lidhjen me këtë vajzë?! Për fat, Flora më ka hyrë në zemër. Kam një ndjenjë të veçantë, që më gudulis shpirtin dhe më mbush zemrën me dashuri. Le të bëjnë çfarë të duan, unë nuk heq dorë prej saj, pasi unë e dua atë vajzë.”*** Ishim në vitin e fundit të gjimnazit. Para Vitit të Ri ne, të gjithë konviktorët shkuam në familjet tona me pushimet e semestrit të parë. Një javë pas Vitit të Ri u kthyem në shkollë. Nënat tona të mira e duararta na dhanë me vete ëmbëlsira nga ato që gatuan për Vitin e Ri, si, revani, pandispanjë, bakllava, kadaif, kabuni, natyrisht, sipas mundësive ekonomike të familjes. Ditën e parë, kur u ulëm për të ngrënë drekë të gjithë vendosëm në tavolinë disa copa ëmbëlsire nga ato që kishte sjellë secili nga ne. Nëna ime kishte bërë bakllava. Zakonisht bënte një sini të madhe, të cilën e kishte sjellë stërgjyshi im nga Stambolli dhe u jepte gjithë atyre që vinin në shtëpi për urimin e ndërrimit të viteve. Nga bakllavaja e gjyshes, ose e nënës sime, provonte i gjithë fshati. Shokët e mi e pëlqyen shumë dhe disa syresh uruan me kënaqësi: “I lumshim duart mamasë tënde, se e paska qarë!”
-E pse të mos bëhet e mirë, mjellin e grurit halëzi, madje tym site e prodhojmë vet, dy rrënjë arra i kemi pas shtëpisë, gjalpin e nxjerrim nga bagëtitë tona, ndaj ajo nuk ka pse të mos shkrijë në gojë. Atë pasdite u takova me Florën, së cilës i kisha ruajtur pjesën e bakllavasë. Kurse ajo më kishte sjellë një kupë me kabuni, e cila më pëlqeu shumë dhe e përgëzova mamanë e saj, se është ëmbëlsirë që gatuhet rrallë në familjet tona, ndërsa në qytet vazhdonin traditën dhe e bënin. Qëndronim në bregdet dhe pasi shijuam ëmbëlsirat e nënave tona, filluam të bisedojmë. - Edhe pak muaj na kanë ngelur nga diplomimi i shkollës së mesme. Pastaj secili nga ne do të marrë një drejtim në jetë, - foli e para Flora. -Po. Unë po përgatit dokumentet e kërkesës për të drejtë studimi. Flora, po ti çfarë do të bësh? -Drejtori i gjimnazit më tha që duhet ta bësh kërkesën, se je nxënëse shumë e mirë. Nuk besoj se mund të mos të ta japin një mundësi arsimimi. Provo njëherë, se nuk humbet asgjë, - më tha. -Edhe unë atë mendim kam. Bëj dokumentet dhe dorëzoji. Fatit nuk i dihet. Të gjithë kemi lindur lakuriq dhe jeta na ka detyrime... Flora e mirëpriti këshillën e drejtorit, natyrisht dhe sugjerimin tim.
-Do ta provoj njëherë. Nuk kam se çfarë të humbas...
Ato tre-katër muaj kaluan pa kuptuar. Në muajt qershor-korrik shlyem gjithë lëndët e provimeve shtetërore. Atë kohë pas provimeve të gjimnazit dhe shkollave profesionale, nuk jepeshin “Dëftesa Pjekurie”, por diploma, të cilat merreshin parasysh edhe për punësim në pamundësi të kryerjes së arsimit të lartë. Më 31 Korrik kishim mbrëmjen e maturës, të cilën drejtoria e shkollës e organizoi tek Turizmi në bregdet, në të dalë të Skelës. Vend mjaft i bukur, me hapësirë, me pistë vallëzimi, e cila shtrihej mbi det, të cilën e rrihnin dallgët e detit. Tavolinat të shtruara bukur dhe të mbushura me gatime të stinës, natyrisht edhe në bazë të shumës që kishim derdhur ne nxënësit. Kishim organizuar mbrëmje edhe gjatë viteve në shkollë, por kjo ishte një mbrëmje lamtumire pas katër vitesh studime, periudhë në të cilën u maturuam, u poqëm si individë dhe deri në një pikë ishim më të përgjegjshëm ndaj jetës dhe kërkesave të saj në rritje.
Në ato vite lindi dhe u forcua shoqëria e gjimnazistëve. Secili nga ne njihej edhe me shokë jashtë shkollës sonë. Zura shoqëri me disa djemë të moshës sime, me të cilët kaloja kohën kur isha i lirë. Dy prej tyre ishin nga Kuçi,një dukatas dhe njëri vlonjat. Këta ishin Timi, Raiti, Bastriu, Hamdiu dhe nga njëherë bashkohej me ne edhe Nuredini. Pas shumë vitesh i kam takuar rastësisht shokët e rinisë,por më tepër marrëdhënie dhe që ende e vazhdoj lidhjen, me Timin.
Nga ajo mbrëmje secili nga ne u nda nga shoqëria me brengë në shpirt, veçse me një synim të caktuar për të ardhmen. Unë u ndava jo vetëm nga shoqëria e paharrueshme e gjimnazit, por dhe me mendimin se çdonjeri do të merrte një drejtim të caktuar në jetë. Gjimnazi do të ngelej një kujtim i bukur që sot, në këtë moshë më mallëngjejnë kujtimet e atyre viteve të papërsëritshme. Atë mbrëmje, teksa kërceva disa herë me Florën, nuk i shqisja dot sytë nga fytyra e saj e ëmbël, nga ai shikim i butë dhe i çiltër. Ajo nuk kishte ndonjë bukuri që të të ngeleshin sytë dhe as mendja, por në gjithë qenien e saj pasqyrohej pastërti, sinqeritet, besnikëri dhe shumë dashuri. Kishte trup të rregullt, me gjatësi nën një metër e shtatëdhjetë centimetra. Isha i lumtur që takova dhe njoha një vajzë të tillë me autoritet dhe dinjitet femëror. Ishte vonë...
Ora shënonte, një pas mesnate, kur u mbyll mbrëmja dhe u pëshëndetëm me njëri-tjetrin, duke i uruar secilit fat dhe suksese në jetë. Njeriu i fundit që u përshëndeta ishte e dashura ime, Flora. Ajo m’u hodh në qafë me lot ndër sy. Ashtu të përqafuar ngelëm disa minuta, ndërsa unë i ndieja gulçimet e ngashërimave të saj të pazëshme. Kraharori i rrihte fort si i zënë në ngërç. Aty kuptova se dashuria e saj ishte një ndjenjë e fortë dhe sublime. -Të lutem Flora, mos u dëshpëro! Do të shihemi, se jemi nga e njëjta krahinë. Edhe nëse do të jem në një shtet tjetër, jam i bindur që do të më presësh. Nëse do të jem larg, unë do të të dërgoj letra herë pas here. Kështu që do t'i mbajmë lidhjet. Pastaj nëse do studioj në Tiranë, ne do të takohemi shpesh dhe dashuria jonë nuk do të ngelet në mesrrugë. -Eh, more Agron, larg syve larg zemrës! -Unë të dua vetëm ty. Ndaj asgjë nuk ka për të na ndarë. U ndamë, por jo duke i lënë lamtumirën njëri -tjetrit. Ndarja jonë ishte me fjalën e shpresës për t’u takuar: “Mirë u pafshim!” Kjo ishte përshëndetja jonë e fundit e dalë nga shpirtrat tanë të pastër, të dëlirë dhe e mbushur plot me ndjenja dashurie të zjarrtë. Nuk ishim vetëm ne të dy që u ndamë atë natë. Kushedi se sa të tjerëve u kishte rrahur zemra fort, nga e dashura apo i dashuri parë. Dashuria e parë nuk harrohet, por koha bastarde që i bën e i zhbën ëndrrat dhe jeta me rrjedhën e saj, flet më shumë se sa miliona premtime.***
Në jetë njeriu përjeton disa periudha apo ngjarje të veçanta. Ndonjë prej tyre është e rëndë, lë vragë të pashlyeshme në shpirtin e tij. Kur na ndodh diçka tjetër më e rëndë, atëherë kujtomë se aty fillojnë problemet serioze për cilindo.
Veçse ndodhitë dhe të papriturat që kam hasur, kur dola në jetë, ishin gjëma të rënda jetike, sepse kërkonin të m’i fusin këmbët në një këpucë. Porse pas një gjykimi të thellë, fillova t’i rendis ngjarjet, shikoja e analizoja me imtësi, se gjatë çdo moshe kam hasur probleme dhe vështirësi, të cilat i kam kaluar shkarazi me moshën e re. Atëherë më është dukur sikur të gjitha sa kishin ndodhur, i kisha lënë pas krahëve si dhuratë të kohës së shkuar. Këto janë pengesa me synime shkatërrimtare të jetës së kujtdo. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me mua. Atëherë kur fillova të analizoj arsyet e ngjarjes që zhvillohet apo, që do ta shohim më poshtë, ngaqë ishte më e rëndë dhe që më godiste direkt mua, hodha sytë në të shkuarën dhe u kujtova se edhe më parë kam pasur shqetësime, por jo të kësaj natyre. Gjithsesi ato kanë ndikuar negativisht në shpirtin dhe ndërgjegjen time ende të paformuar.
Në gusht mora njoftimin nga Ministria e Arsimit se më kishin dhënë të drejtën e studimit për inxhinieri. Ndaj nuk them kurrë se e fitova të drejtën e studimit. Fitore quhet po të kisha marrë pjesë në një konkurs dhe fitoj me forcat e mia të drejtën e studimit, vendin e punës apo një çmim studimor. Këtë të padrejtë ma dhà me detyrim planifikimi socialist. Unë ëndërroja të studioja me rrënjë gjuhën dhe letërsinë shqipe. Por asnjëherë Ministria e Arsimit nuk pyeti se cilat ishin dëshirat e mia apo të të gjithë të rinjve. Unë do të shkoja me studime në një nga vendet e lindjes, në Çekosllovaki, ku ishte instaluar diktatura Komuniste.
Shkova me studime në Çeki dhe u regjistrova në Universitetin “Karli” të Pragës. Pas regjistrimit në katedrën e inxhinierisë dhe sistemimit në konvikt, i shkrova Florës. Nuk vonova dhe ia postova letrën. Prita gjatë se mos më vinte përgjigjja e saj, por më kot. Dhe për sa e sa letra të tjera, përgjigjet ngelën memece. Pas ndonjë viti, nuk i shkruajta më, me mendimin se ajo më kishte harruar ose më kishte ndërruar me një tjetër dashuri. Isha i dëshpëruar pasi nuk kisha asnjë lajm prej saj. Më merrte malli për vajzën që më kishte goditur në shpirt dhe më kishte rrëmbyer zemrën.Nuk dija çfarë bëri ajo për studimet. Apo mos kishte filluar punë apo jo. Nuk kisha kë pyesja se isha në dhè të huaj dhe mijëra kilometra larg.
Kur u bi da se nuk do të merrja asnjë lajm, atëherë fillova të mendoja për aftësimin tim profesional, natyrisht për të ardhmen time. Atje shkëlqeja në matematikë. Shefi i Katedrës, një zotëri me kulturë gjermane, më propozoi që paralel të studioja edhe leksione të ekonomikut. I fillova studimet paralel edhe gjatë mbrëmjes. Isha tejet i ngarkuar. Gjithmonë me mendimin, se duke u arsimuar, gjithçka do të më shkonte vaj. Por jeta qenka e mbushur plot me të papritura ankthi dhe shprese, ndaj dhe quhet e pabesë. Shteteve të kampit socialist të lindjes, nuk i zihej besë. Nganjëherë njeriu zhgënjehet aq shumë, nga përballja e jetës me të keqen, nga shpërfillja, nga përgjimi apo përndjekja, aq sa i gjori mendon dhimbshëm:
“Më mirë të vdesësh në moshë të re, para se jeta të nxjerrë dhëmbët dhe të të tregojë fytyrën e saj të vërtetë.”
Siç mora të drejtën e studimit sipas politikave të zhvillimit të vendit tonë, ashtu shkoi edhe studimi im, i cili ngeli përgjysmë. Si rezultat i prishjeve të marrëdhënieve me Moskën, të gjithë studentëve shqiptar ua ndërprenë të drejtën e studimit të gjitha qeveritë e shtetetve të kampit të lindjes. Çuditërisht profesori i ekonomikut që më ndihmoi, ishte shef katedre dhe më dhà një dëshmi që kisha kryer me sukses në dy vite, tre vite të degës së ekonomikut.
Bashkë me të gjithë studentët shqiptarë që studionin në vendet e lindjes komuniste, u ktheva edhe unë në atdhe dhe vazhdova studimet pranë katedrës së inxhinierisë në universitetin e Tiranës. Na përzunë si pa të keq, si pako postale, duke na i vrarë ëndrrat dhe na helmuan shpirtërat tanë të njomë.
Kjo ishte goditja e parë e një sistemi politik utopik, shkatërrues i jetës së qytetarëve të tij dhe vrastar i të drejtave njerëzore. Vazhdova studimet universitare në Tiranë. Fakultetin e inxhinierisë mekanike e përfundova shkëlqyeshëm, si një nga studentët me rezultate maksimale gjatë tërë viteve studentore. Dekanata meqenëse ushqente besim në profesionalizmin tim i bëri një relacion rektoratit të universitetit që të më emëronin pedagog në katedrën e Inxhinierisë. Rektorati e aprovoi kërkesën dhe në vitin akademik që nisi në shtatorin e ardhshëm, fillova punë pranë katedrës së fakultetit. Menjëherë pas përfundimit të studimeve më 1962, më emëruan pedagog statistike dhe matematike në Universitet. E quaja veten me fat që prej dashamirësisë së dikujt, fillova punë aty ku kreva studimet. Isha i bindur që më priu fati, se shumë studentë të diplomuar hynin dhe dilnin sa nga njëra zyrë tek tjetra, por pa dobi. Një sorollatje burokratike që të vështiroste jetën dhe të bënte ta urreje profesionin për të cilin kishe studiuar vite të tëra. Kur gënjeshtra dhe hipokrizia e zyrtarëve të lartë apo të administratës së mesme arrinte dhe e kalonte cakun e pritjes apo të moralit, dëshpërimi i hallexhiut arrinte kulmin, aq sa kërkonte vdekjen. Në raste të tilla mallkonte veten që kishte kryer arsimin e lartë. “Më mirë një punëtor çfarëdo se sa një diplomë që nuk të hynë në punë.”- shprehej gjithë vrerë dhe trishtim specialisti i një fushe të shkencës, duke matur rrugët apo trotuaret e kryeqytetit me hapa dëshpërimi. Së paku unë kisha pak më shumë fat nga ata...edhe pse i përndjekur në çdo hap.
***
Vazhdon
Comments