
8 Mars, 2025-Vlorë
Auditorit të mrekullueshëm i uroj Gëzuar Ditën Botërore të 8 Marsit, pas çdo
Viti me kërkesa të realizuara!
Zonja të nderuara, çdo ditë e juaja duhet të jetë e bukur dhe e bekuar si çdo 8 mars.
Për Ju, Gjyshe, Nëna, Bashkëshorte, Motra, Bija dhe djem të dhunuar, romani,
“Ai dhe Ajo..., E çmendura”,
një libër për veshët që dëgjojnë dhe mendjet që i bëjnë apel ndërgjegjes!
Është pivilegj, kënaqësi dhe lumturi për mua që po e përuroj me ju zonjat më të bukura në botë, demokratet, këtë libër që kërkon rritjen e prestigjit të nëpërkëmbur të Gruas. Ndaj ky 8 Mars është tejet i veçantë për vet nivelin jetik dhe moral të temës që trajtohet, kundër dhunës në familje apo ndaj Gruas.
Jo vetëm 8 Marsi, por 365 ditët e vitit duhet të jenë të bekuara për çdo Grua! Çdo 8 Mars, gruaja duhet të rrisi kërkesat ndaj vetes, familjes, shoqërisë dhe shtetit për të qenë vetvetvetja. Që të arrish këtë duhet të kesh vullnet për të fituar LIRINË VETJAKE.
Të nderuara Zonja qytetare të Vlorës!Jemi mbledhur sot me rastin e ditës botërore të gruas, për të drejtat dhe lirinë tonë të munguar dhe të mohuar!
Me këtë libër që po përurojmë, u drejtohem Juve:
Të mirat gjyshe, nëna, bashkëshorte,motra, bija dhe djem të dhunuar !
Ju kujtoj se,
Ky roman është një thirrje për veshët që dëgjojnë dhe mendjet që i bëjnë apel ndërgjegjes!
Këtë roman që lexuesi e ka në duar sot, duke filluar nga të rejat deri tek gjyshet, e nis me këtë postulat për Gratë: “ Nuk besoj të ketë në botë si në Shqipëri, obelisk natyral, ku është gdhendur jeta, vuajtjet, dinjiteti dhe vetmohimi i gruas shqiptare!”
Kurse bashkëbisedimin me ju, zonja të nderuara, motra dhe bija të dashura, po e nis me fjalët e arta të një dijtari indian, Osho Rainesh ( një mistik indian dhe mjeshtër e mësues shpirtëror), i cili për femrën ka shkruar:
"Gjithë historia e burrave është histori dënimi grash nga gjithë shoqëritë, kulturat, relixhionet. Mes gjithë qenieve më të mëdha njerëzore që ecën mbi tokë nuk ka, asnjë që respektoi gruan!”
Dhe unë, paçka se Ai dijetar i mençur, nuk më dëgjon, i përgjigjem për vlerat e gruas, mjeshtrit shpirtëror, Osho:
“Mjerë njerëzimi, që e ka veçuar si të pavlerë këtë segment të pazëvendësueshëm të shoqërisë! “Nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore, drejtësia dhe fatet e kombeve të mëdhenj apo të vegjël. Më thoni, ju lutem, çfarë do të bënin burrat pa gratë?A do të krijonin familje, a do të bëheshin baballarë, a do ta përballonin dot jetën vetëm pa dashurinë dhe fjalën e mençur të gruas? Jeta është një rrugëtim i gjatë me të përpjeta dhe të tatëpjeta, që ka plot pengesa dhe të papritura. Mendja e një mashkulli apo dhe femra e vetme nuk bën dot asgjë për familjen. Dy mendje ndihmojnë njëra- tjetrën. Një fjalë e artë thotë: “Një dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën”Femrat janë arkitektet e shoqërisë, ndaj është mëkat që i nënvlerësojnë padrejtësisht aftsitë e tyre intelektuale, tek të cilat qëndron forca dhe vullneti i paepur i këtij segmenti vital, me një emër të veçantë “GRUA”
Që çdo grua të jetë zonjë e vetes që të ballafaqohet me burrat i duhet, arsimim, profesionalizëm, intelektualitet i nivelit të lartë, vullnet dhe palodhshmëri që të fitojë pavarësinë ekonomike.Këto janë kushte dhe me një moral të lartë që tlë sfidosh meshkujt dhe kohën. Ishin këto hamendësime që më kanë munduar gjithë jetën, për t’i parë me lente fatet e femrave, marrëdhënjet e tyre në çift, në familje, në shoqëri, në punësim, në problemet sociale apo pjesëmarrja e tyre në politikë. Qysh në novelën, tregimin apo romanin tim të parë e në vazhdim, në qendër të vëmendjes ka qenë dhe është gjithmonë, femra e parë në këndvështrime të ndryshme si në moshë, profesion apo karakter.
Romani“Ai dhe Ajo..., ‘E Çmendura’është një botim i bukur mjaft elegant i Shtëpisë Botuese ‘Europrint” Vlorë, së cilës i shpreh mirënjohjen së bashku me redaktoren. Znj.Lejla Gorishti, dizenjatoren,znj.Blend dhe z. Fitim Haxhiraj( menaxher, kordinator dhe fotograf! Falenderoj mediat dhe lexuesin si kritik i paanshëm! Mirënjohje të veçantë shpreh për kritikun e shquar, poetin, shkrimtarin, shumëplansh, kineastin dhe botuesin, Prof.dr.Fatmir Terziu, “Mjeshtër i Madh” (pedagog në Universitet-katedra -Filozofi-Sociologji, Londër, i cili ka shkruar parathënien e romanit.
Ai dhe Ajo..., ‘E Çmendura’është një roman i dhembshëm, prej të cilit jo vetëm dalin shumë pikëpyetje enigmash dhe detyra për çdo qytetar, por prej tij duhet të mësojë çdo njeri që nuk e kontrollon dot temperamentin e tij të shthurur! Mes dy a tri personazheve femra të nderuara në roman, viktima të kohës së vrazhdët, që dhunohen si vazhdimësi e injorancës së mentalitetit mesjetar, u bëj thirrje gjithë atyre individëve apo strukturave shtetërore që në një formë apo në një tjetër, përdorin dhunën ndaj segmentit më vital, Gruas! Kurrë mos harroni se çdo grua, është një gjyshe, një nënë, një bashkëshorte, motër apo vajzë, si dhe bashkëndërtuese e jetës së familjes dhe kombit, ndaj si e tillë duhet respektuar, sepse në trupin e saj ngjizet embrioni i jetës! Gruaja është zanafilla e jetës mbi tokë.
Prolog... Asaj ose atij që do t’i bjerë në dorë ky libër!
Ky roman u kompozua si shkak i problemeve sociale të rënda për jetën e cilitdo dhe veçanërisht dhunës në tërësi, ndaj gjinisë femërore apo fëmijëve, e cila shkatërron jetën e të dhunuarës apo të dhunuarit, të familjes dhe brezit aktual (fëmijëve) që e përjetojnë atë si një kërcënim i së ardhmes së tyre! Dhuna që lind si pasojë e ndryshimeve të çdo rendi shoqëror, ka disa ngjyra, politike, raciste, sociale dhe individuale. Secila prej këtyre kategorive të sjelljes shtazarake, shkallëzohet nga kamxhiku i kohës dhe i atij që e përdor. Përdorimi i dhunës është ves i njerëzve pa kulturë, pa dhembshuri, pa njohuri qytetarie, tek të cilët sundon egërsia shtazarake si trashëgimi gjenetike, mungesë kulture, xhelozi prej ambicjes, smirës,hakmarrjes ose si pasojë e kohës së errët dhe mendja paranojake, ku logjika ose arsyeja nuk ka vend në koshiencën e tyre, së cilës i kundërvihet subkoshienca. Ky dyluftim mes trurit dhe ndërgjegjjes shkatërrohet nga veprimi i nën/ndërgjegjjes. Nuk duhen harruar format dhe trajtat antinjerzore të dhunës që shpesh e kalojnë çmendurinë, pasi tek ata mbizotëron pavetëdija dhe vepron e keqja mbi të mirën. Duke u nisur nga ky fenomen ekstrem dhe shkatërrimtar i njeriut, familjes dhe shoqërisë dhe nga fakte të përjetuara në ekran apo përditësinë jetike,gjithashtu duke qenë Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas në qytetin tim në tri legjislatura, njoha shumë fate zonjash të dhunuara. Kjo më shtyu që punova një novelë me titull “Ai dhe Ajo”qysh në pranverën e vitit 2013. Një mikja ime nga ShBA, pasi e lexoi në internet, më sugjeroi që të mos e lija me një fakt të ekranit në TV, por duke shtuar raste të tjera dhune, ta bëja roman.Në këtë mënyrë e përpunova dhe e përgjithësova me titullin “Ai dhe Ajo...‘E Çmendura”
Lexim të këndshëm e ndoshta nëpër paragrafe e rreshta do të gjeni diku veten tuaj si dhunues apo i dhunuar, të strukur nëpër faqet e këtij romani të vogël po me peshë të rëndë psiko-morale dhe sociale, i cili i bën apel kohës dhe njeriut që i mungon logjika, arsyeja, si dhe humanizmi!
Pasi lexon edhe fjalën e fundit, cilido arrin në këtë përfundim:
“Çdo njeri duhet të mësojë nga gabimet dhe fajet e tij apo të të tjerëve. Atëherë kupton se përvoja e së shkuarës është një shkollë autodidakte, pa u ulur në bangat e shkollës, pa mësues dhe pa libra. Kjo është shkolla e jetës, para së cilës, deri në frymën e fundit, përherë i detyrohemi me respekt përvojës së kohës, ku çdo individ është nxënës,”
Të dashura zonja! Jo vetëm 8 Marsi, por 365 ditë në vit duhet të jenë të njëjta, po aq domethënëse për çdo grua!
Ju faleminderit! Vivra.
Comments