Nga Viktor Mërkuri
Kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë sinjalizon një periudhë komplekse dhe transformuese për Amerikën, Europën, si dhe Ballkanin Perëndimor. Kjo presidencë ka gjasa të riformojë dinamikat rajonale, të tensionojë aleancat e kahershme dhe të shtyjë vendet Europiane në rishikimin e rolit të tyre në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Gjatë fushatës së tij, retorika për politikën e jashtme të Trump-it e theksonte “Amerika e Para”, duke nënkuptuar mundësinë e një angazhimi të reduktuar të SHBA-së ndaj NATO-s dhe aleancave të tjera. Udhëheqësit Europianë po përballen me gjasat që administrata e Trump-it të shtojë presion mbi aleatët që ata të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake dhe të përkrahin një qasje më transaksionale ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, një marrëdhënie të bazuar në shkëmbime të drejtpërdrejta, ku secila palë përfiton diçka specifike dhe konkrete, pa angazhime të thella apo afatgjata. Ky ndryshim ka nxitur thirrje të reja për autonomi strategjike Europiane, me Presidentin francez Emmanuel Macron të nxis Europën të jetë "zot i fatit të saj" dhe të mos mbështetet përgjithmonë te mbrojtja e SHBA-së.
Udhëheqësit Europian duket të jenë veçanërisht të shqetësuar për qëndrimin e Trump-it ndaj Ukrainës, ku ai ka sugjeruar mundësinë e negocimit të një “fundi të shpejtë të luftës”, edhe nëse kjo përfshin “tërheqje” të caktuara nga ana e Ukrainës. Një lëvizje e tillë do të rrezikonte interesat e sigurisë së Europës, duke mundësuar një Rusi më të guximshme, dhe duke destabilizuar Europën Lindore. Për të zbutur këto rreziqe, vendet Europiane duket se po lëvizin për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe për të rritur mbështetjen për Ukrainën, specifikisht, me Nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe përgjegjës i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell në Kiev në datën 11 Nëntor të premtoj mbështetje "të palëkundur" për Ukrainën, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të Brukselit në Ukrainë pas fitores së Trump-it në zgjedhje.
Për Ballkanin Perëndimor, presidenca e Trump-it paraqet si sfida ashtu edhe mundësi. BE-ja ka hasur vështirësi në ushtrimin e ndikimit të saj efektiv në rajon, duke “degarduar” shpesh në një model të “teatrit të zgjerimit”, një qasje burokratike që ka dobësuar fuqinë transformuese të procesit të anëtarësimit në BE. Kjo ka minuar përpjekjet për reforma dhe ka lejuar që agjendat ndarëse etno-nacionaliste të fitojnë terren.
Nevoja për të balancuar qasjen e paparashikueshme të Trump-it në marrëdhëniet ndërkombëtare duket se ka nxitur politikëbërësit Europianë të fokusohen në Ballkanin Perëndimor. Udhëheqësit në Bruksel po promovjnë idenë e një qasje proaktive, veçanërisht duke forcuar praninë e EUFOR-it në Bosnje Hercegovinë dhe KFOR-it në Kosovë. Prania e këtyre forcave shihet si thelbësore për të dekurajuar ambicie irredentiste në rajon, veçanërisht ato të lidhura me nismën “Bota Serbe” të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, e cila përçon elemente të ngjashme me “Botën Ruse” të Putinit. Kjo kornizë ideologjike kërkon të konsolidojë ndikimin mbi komunitetet etnikisht serbe në të gjithë Ballkanin, të cilat paraqesin një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Duket se planet e BE-së përfshijnë gjithashtu shpërndarjen e më shumë burimeve, me masa që synojnë të pengojnë liderët lokalë të Ballkanit Perëndimorë të përqafojnë qasje autoritariste dhe të kundërshtojnë narrativat nacionaliste, si dhe për të kufizuar ndikimin e Moskës.
Në Europën Juglindore dhe Qëndrore, fitorja e Trump-it duket se ka inkurajuar liderat nacionalistë dhe populistë, të cilë e shohin presidencën e tij si një mundësi për të avancuar agjendat e tyre. Kryeministri hungarez Viktor Orban, një nga mbështetësit më të madhë të Trump-it në arenën Europiane, si dhe lidera të tjerë të Ballkanit, përfshirë Presidentin Serb Vuçiç dhe Presidentin i njësisë Boshnjake Republika Sërbska në Bosnje Hercegovinë Milorad Dodik, të cilët kanë shprehur entuziazmin e tyre ndaj fitores. Për Dodik, një presidencë pro-Trump paraqet një "situatë më të mirë gjeopolitike" që mund të mbështesë ambiciet e tij separatiste në Republika Sërbska, një entitet me shumicë serbe brenda Bosnje Hercegovinës.
Rritja e nacionalizmit populist në të gjithë Ballkanin mund të tendosë përpjekjet e BE-së për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin. Megjithatë, qasja transaksionale e Trump-it gjithashtu i bën presion këtyre liderave që të tregojnë besnikëri ndaj agjendës së SHBA-së, veçanërisht nëse përfshin largimin nga ndikimi rus. Kjo krijon një dinamikë të komplikuar ku liderat Ballkanas mund të përpiqen të balancojnë besnikëritë e tyre midis SHBA-së, Rusisë dhe BE-së.
Me SHBA-në të sinjalizoj mundësinë e një reduktimi të përfshirjes së NATO-s, BE-ja përballet me perspektivën e mbushjes së vakumit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Komisioni Europian ka advokuar për një qëndrim më të fortë gjeopolitik, duke theksuar nevojën për të mbështetur vlerat e BE-së në procesin e anëtarësimit dhe për t’u larguar nga angazhimet sipërfaqësore të bazuara vetëm në ekonomi. Ky rikalibrim kërkon hapa konkretë. Zëvendësimi i trupave amerikan me një prani të forcuar të BE-së në KFOR, për shembull, mund të ndihmojë në uljen e ndikimit amerikan në konfliktet etno-politike të rajonit, veçanërisht në Kosovë. Dërgimi i forcave shtesë në zonën e Brçkos në Bosnje, që lidh dy gjysmat e entitetit e Republika Sërbska, mund të veprojë si një pengesë ndaj lëvizjeve separatiste. Kjo iniciativë do të ndalonte ndikimin e liderëve si Dodik dhe do të kundërshtonte presionet e jashtme nga Rusia.
Duket se udhëheqësit Europianë tani përballen me sfidën e rishfaqjes së rolit të tyre në sigurinë rajonale dhe adresimin e përçarjeve të brendshme që pengojnë një veprim të bashkuar. Ndërsa presidenca e Trump-it mund të testojë qëndrueshmërinë e BE-së, ajo gjithashtu ofron një mundësi që Europa të rishikojë përparësitë e saj strategjike, të riafirmojë angazhimin e saj ndaj vlerave demokratike dhe të sigurojë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përmes politikave të vendosura dhe të bazuara në vlera.
Ndërsa Europa hyn në këtë peizazh të ndërlikuar gjeopolitik, Ballkani Perëndimor ka gjasa të shërbejë si një provë e kapacitetit të BE-së për të udhëhequr në një epokë Pas-Atlantike. Përmes një angazhimi të forcuar për sigurinë rajonale dhe një proces të zgjerimit të bazuar në vlera, BE-ja mund të promovojë një të ardhme të qëndrueshme dhe demokratike në Ballkan, ndërkohë që përgatitet për sfidat e një bote ku SHBA-ja mund të mos jetë më garantuesi kryesor i paqes.
Comments