top of page

Viktor Bruçeti; Ca të vërteta kundër regjimit i kam thënë atëherë




Viktor Bruçeti; Ca të vërteta kundër regjimit i kam thënë atëherë

29 Apr 2009

Intervistoi : Aleko Likaj

 


Viktor Bruçeti jeton ende me ëndrrën e madhe të skenës. I moshuar nga pesha e viteve, por veten e konsideron ende të ri. Larg Atdheut që prej një dekade, së bashku me Miriamin, gruan e tij, edhe kjo aktore e Teatrit te Shkodrës, bëjnë një jetë të qetë, larg skenës dhe teatrit që e konsiderojnë shtëpia e aktorëve, në Angoulemë, qytet piktoresk e historik afër qendrës së Francës. Ndajnë gjithçka në hapësirën e ditës midis shtëpisë dhe shëtitjeve nëpër parqe të periferisë. Jetojnë me kujtimet e veprën artistike që lanë pas. I diplomuar në shkollën rumune të artit si aktor kthehet në skenën shqiptare ku për disa dekada do ti duhet që të luante në mbi 130 role në teatër dhe 14 të tillë nëpër filma artistik. Aktor i roleve negative, por ai kujton me nostalgji Migjenin, Palin e Markun, role të cilat i ka luajtur nga seria e personazheve pozitivë. Bajraktarët e priftërinjtë kanë qenë krijesat që ka ngjitur në skenën shkodrane por edhe në ekran në një karrierë tepër të gjatë si aktor. Por ai thotë se nëpërmjet këtyre roleve: «  Ca të vërteta kundër regjimit i kam thënë atëhere. Kam patur mundësinë që të bëja njeriun kundër. Këtë që është sot dhe që ne mundëm ta bëjmë pas vitit 9O-të. Jam ndjerë komod brenda rolit tim. Serafin Fanko ka qenë rregjizori që i ka lënë më tepër mbresa gjatë jetës në skenën teatrore, të cilin e kishte pasur njëkohësisht edhe koleg. I ardhur nga shkolla e teatrit rumun kujton me nostalgji vitet studentore. Aktori Fanke Jordake, një nga yjet e artit rumun që ka shkëlqyer për disa dekada në atë vend ka qenë ish kolegu i tij me i mirë në bangat e shkollës. Në këtë intervistë ai rrëfen me pasion gjithçkah ka bërë në skenë ku përkunden ëndërat dhe që e konsideron si shtëpia e vërtetë e aktorëve, por edhe për ato që nuk ka mundur të realizoj dot.

- Si lindi ëndëra e aktorit tek Viktor Bruçeti ?

Nuk e kam menduar asnjëherë se jeta ime do të merrte këtë rrjedhë që mori. Nji i ri që kish pasion poezinë e deklamimin e saj pa ndroje në mjedise të hapura apo aktivitete që organizoheshin atëherë në fillim të viteve 50 të. Pastaj shkolla e diplomimi im ne një nga vëndet që atëhere konsiderohej socialiste, të një kampi, siç ishte Rumania, dhe më vonë kthimi ku jam ngjitur në skenën shqiptare. Kam patur fatin që kam qenë midis korifejve të kësaj skenës.

- Ç’farë ka qenë skena e Teatrit për ju ?

Teatri një djep i mrekullueshëm për aktorin ku ai përkund ëndërat e jetës së tij. Jeton në skenë. Sikur që një shpend të mos fluturoj e të mos prekë qiejt. A mundesh që ta ndalosh ?. A mund që të jetë zog kjo krijesë e mrekullueshme e hapsirave qiellore ?. Kjo vlen edhe për ne aktorët. Jo vetëm kariera por edhe jeta e tij kalon e mbetet veçse në ato 8 metro pod që ne i thërrasim skenë, me shqetësime e gëzimet që të fal ajo magji që quhet teatër.Ai bën që të ndryshojë jetë njerëzish që e ndjekin në sallë. Ka e jep mesazhe të fuqishme, që nga antikiteti i hershëm kur u ngjitën kryeveprat e Eskilit Sofokliut me shokë

Të vijmë tani tek rolet tuaja.

Shumë nga kolegët e mij thonë se rolet janë si fëmijtë tanë. Unë do të thoja diçka më ndryshe se kaq. Mbase më shumë nga një pikpamje, ato realisht janë një tjetërsim, pavarsisht nga zemra që ne aktorët i japim personazhit. Kjo do të thotë që të futesh nën lëkurën e dikujt tjetër që ti as e njeh por as edhe e ke njohur kurë. Madje nuk do të kesh mundësi kurrë. Kupto këtu se sa të ndryshëm janë nga njëri tjetri këto figura që të duhet të krijosh në skenë për të tjerët, ata që të ndjekin në sallë, dhe që presin të edukohen, nga shkalla e besueshmërisë që ti i jep atij roli. Unë personalisht nuk do ti klasifikoja rolet në tradicionalen që jemi mësuar ti emërtojmë, në role pozitiv dhe në role negativ. Kjo nuk është e rëndësishme për një aktor të formuar. Sepse pa asnjë përjashtim kërkojnë të njëjtin përkushtim për ti krijuar, të njëjtin mundim e pasion prej aktori. Por realisht, si për statistikë jeta dhe karriera e një aktori kalon nëpër qerthullin e tre etapave. tek rolet me herojtë, rolet me negativet e rolet komike. Ky ne te vertete eshte edhe cikli ku kalon karriera e nje aktori përgjatë skenës Unë kam patur Pak më shumë se 130 role në skenë dhe 14 të tjera në filmat artistikë. Që të gjithë të dashur për mua.

- Nuk e di pse Viktor, por për mua që të kam ndjekur në shumë prej roleve të tua në skenë dhe në kinematografi, kam përshtypjen se ke qenë i prerë për role negativ, edhe pse ti nuk e pranon këtë si koncept.

Jo, jo, nuk është kështu komplet. Bie fjala, unë edhe sot kam për zemër rolin e Migjenit tek pjesa e Tom Shoshit, Pali « Përkolgjinajt » tek Kol Jakova, por dhe Marku tek « Ftese per darke » e Çapalikut, që konsiderohen si pozitivë. Në jetën time të gjatë në skenë që shkon përtej të dyzetvjetyëve më është dashur që të luaj edhe role nga ato që ne i themi negative, por që edhe qëndrojnë si koncept për shoqërinë në etapa të ndryshme të zhvillimit të saj. Arapi i Shkodrës tek drama « Baca i Gjetajve » është konsideruar si një nga rolet më interesante të krijimtarisë sime si aktor, i arrirë, por edhe prifti tek filmi televiziv, «  Ditët që sollën pranverën » . Madje me këtë të fundit unë luaja rolin e një prifti me të cilin kam edhe një ndodhi që është në zhanrin e barcaletës shkodrane. Nga ato me thumb që dinë veçse shkodranët të qëndisnin at’her’, por që edhe fshihte realisht një disidencë që ballazi na mungonte për të vërtetën e hidhur. Dikush paska thanë ; Me bà me u hap sërrish kishat, priftin-Viktor e kena gati. Ka rreziku qyqari asaj kohe vehten por edhe mua. E tillë ishte koha, diktatura…

- Cilin rregjizor te teatrit do të veçoje pas këtyre viteve karriere.

Natyrisht pas studimeve ne Rumani u instalova në qytetin tim të lindjes, Shkodër. Vërtetë që unë gjeta aty një ambjent teper të ngrihtë por edhe njerëz të mirë e të talentuar. Thonë që teatri tek ne kanë lindur në Shkodër, kjo për shkak të traditës së hesrshme që ka pasur ky komunitet njerzish që banojnë aty. Ato vite kur mbrita atje jeta teatrore ishte në lulzim të plotë. Nga kjo skenë kanë dalë shumë aktorë të mëdhej që unë nuk mund ti rendis që të gjithë se ndruhem mos harroj ndokën e pastaj më mban mërri edhe ndonjë miku i em. Ka qene një plejadë e mrekullueshëm, që fatkeqsisht mungojnë shumë sot. Por Shkodra përveç aktorëve, krijoi edhe dramaturg të një niveli të lartë e që e kanë përfaqsuar denjësisht skenën shqiptare me veprat e tyre. E kësisoj do të thosha, duke u kthyer tek thelbi i pyetjes suaj, regjizori. Për mua personalisht Serafin Fankua, ish kolegu im e që tash nuk jeton më është dhe mbetet një prej rregjizorëve më vizionerë e të fuqishëm të asaj kohe.

- Mos po të duket vetja Viktor, pak lokalist, në këtë cep të Francës ku po jeton sot ?

Ah ! Më falni. Kjo ndodh se unë jo vetëm e njoh mirë atë komunitet artistik të asaj trupe në të gjithë koomponentët e saj, por edhe se realisht kemi bërë një jetë intensive. Trupa e Shkodrës në ato vite ka qenë nga më të mirat në krejt vendin. Ndërsa sot ka ndryshuar gjithçkah. Sa herë më çon rruga tek ish shtëpia ime aty në Shkodër, jo vetëm që mbush sytë me lot për shkak të gjëndjes aktuale të atij institucioni me aq emër, por edhe ndjehem keq kur mësoj se ish kolegët e mij, janë tashmë pa krah, pa jetë artistike, pa skenën që i rriti dhe i bëri artistë të vërtetë. Ndoshta me ndonjë përkushtim pak më të madh të pushtetit, gjërat nuk do të jenë më kështu për teatrin, këtë pasuri të rrallë artistike që kena trashëgu. Këtu nuk është fjala për të bërë tashmë diferenca kohësh. Sepse edhe në atë që lamë pas, të vinte vërtetë keq që disa breza aktorësh të talentuar u dërmuan duke luajtur role partizanësh e gjermanësh sikur të ishte lojë kalamajsh ndër rrugica. Mbetën aty. Edhe unë vetë. Kam rrespekt në rradhë të parë për vetë aktorin dhe artistin që nuk po gjen ende vendin në shoqëri.

- Një çast më parë bëra një shaka të vogël me ju, kur u përmënda lokalizmin shkodran. Le të vijmë tani tek pasioni i Viktor Bruçetit.

Thashë pak më sipër për një nga dashuritë e mija që ende nuk është haruar si recitimi. Në një farë mënyre i a kam parë hajrin. Ja bie fjala, më zbuloi dhe më dha shoqen e jetës, Miriamin. Aktori i ri në atë kohë. Shkoj e marr grupin e recituesve te shkollës pedagogjike të Shkodrës. Detyra ime ishte që të zbuloja talente për këtë shkollë. E në fakt bëra dy punë me vlerë. Gjeta një recituese « exelance » siç thonë francezët për të përfaqsuar shkollën, por edhe një shoqe për jetën time. Më vonë Miriami u shkollua në dramaturgji e punoi me mua në të njëjtin kolektiv teatror. «  Çifti i lumtur «  na thoshin në kolegët artistë. Kemi qenë shumë herë partnerë në teatër dhe në film. Bashkë po i ngrysim këto ditë edhe këtu larg atdheut. Ndërsa për pasionin, ose më saktë «  pengun » tim do të thosha pa asnjë mëdyshje, rrikthimi në skenë. Të më jepëj mundësia që të ngjitesha përsëri, ndonëse i shkuar në moshë dhe jo fort mirë nga gjëndja shëndetsore . Të luajja në atë hapsirë skene prej 8 metro përpara një salle gjysëm të ndriçuar dhe që më ndjek në të gjitha detajet e lëvizjet e interpretimit tim. Por në fakt është një ëndër që me sa duket nuk do të realizohet më kurrë. Kam qenë një aktor i emocioneve të mëdha, pasi unë i kam jetuar ato.

- Kjo do të thotë, që Viktori ka qenë edhe i vlerësuar maksimalisht ?

Shiko. Shteti i asaj kohe, nuk e di pse, ndonëse më ka propozuar deri në pranimin tim në rradhët e partisë, pastaj edhe duke më ofruar edhe ndonjë pozitë nëpunësi që kishte të bënte me artin e teatrin në veçanti, dhe që unë me modesti e mençuri i kam kundërshtuar, nuk kam qenë asnjëherë në listën e preferencave të tij, sa herë që bëhej fjalë për artin. Por për këtë nuk më vjen keq e nuk kam ndonjë lloj pishmanllëku. Madje ndjehem krenar në shumë raste. Ca të vërteta kundër regjimit i kam thënë a’there. Kam patur mundësinë që të bëja njeriun kundër. Atë që na mungonte. Këtë që është sot, dhe që ne mundem ta bëjmë pas vitit 9O. Jam ndjere komod brenda rolit tim si « personazh negativ ». Ky është një lloj privilegji për atë kohë që lamë pas dhe nuk ka se si të mos më ketë bërë të lumtur tash që na ka ardhë liria e vërtetë. Sot të vjen keq vërtetë. Duhen shembur ende disa idhuj të asaj kohe. Ka pak të vërteta. Historinë e teatrit e bëjnë në shumicën e rasteve persekutorët, ata që ushtruan në një farë mënyre persekucion ndaj këtyre njerëzve të skenës.

- Ndonjë nostalgji ?

Kujtimet e jetës studentore. Studimet e larta në Rumani. Vlerësoj artin rumun. Shumicën e artistëve që bënë emër deri dy dekada më parë në këtë vend por që edhe i dhanë jetë kinematografisë rumune në hapsirat botërore kanë qenë të njohurit e mij, studentë. Një prej aktorëve më në zë të këtyre dekadave të fundit në Rumani është edhe Fanke Jordake, ish kolegu e im me i mirë në bangat e shkollës. Kur më ka rënë rasti që të takoj këndej intelektualë rumunë emigrantë, mrekullohen e çuditen njëkohësisht kur u flas aq mirë në gjuhën e tyre e kur u tregoj se Jordake ka qenë shoku im i bangës studentore.

- Jeta midis Francës dhe Shqipërisë për Viktorin dhe bashkshorten e kolegen e tij Miriam

Bëj një jetë të qetë. Pa probleme që kanë aktualisht shumica e shqiptarëve në atdhe. Erdhëm fillimisht këtu në Agoulemë për të takuar djalin tim Benin që kishte emigruar prej kohësh në këtë vend. Kështu na u coptua jeta dhe familja pas 90 tës. Vajza është tashmë në Amerikë, por edhe Beni, im bir shkoi më pas në Kanada ku jeton edhe sot në një komunitet francezësh. Unë vazhdoj që të qëndroj këtu. Ndjehem mirë së bashku me Miriamin. Por nuk e harrojmë Shqipërinë. Atje ku thotë Çajupi, « na ka rënur koka ». Pas javës së parë të Majit mezi pres që të jem për një muaj në Shkodrën time. Të shmallem me vendin, shokët por edhe të rrikujtoj dashurinë time të vjetër, teatrin, pa të cilin nuk jetoj dot. Ndërsa jeta këtu është krejt ndryshe. Ka tjetër rritëm. Shumicën e kohës e kaloj nëpër parqe që janë gjithmonë të gjelbëruara. Herë vetëm e herë me Miriamin. Kur shëtis nëpër park recitoj për veten time. Shumicën e rasteve, « Tringën » e Mjedës. Më duket se jam afër me skenen, mbi të. Jetoj me të dikurshmen dhe me të ardhmen time në ato momente. Dhe vazhdoj që të ëndëroj si një njëzetvjeçar.


27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page