top of page

VIKAMA E NJË DIBRANI TEJ OQEANIT


Ivzi Çipuri

Ivzi Çipuri në një bashkëbisedim me Atlantikun në mes

Më kishte marrë malli për Ivzi Çipurin, mall që do të më përzihej me dhimbje kur mësova ikjen nga jeta të Alies, nxënëses time të urtë në vitin shkollor 1967-1968 në Shkollën e Mesme Bujqësore të Peshkopisë, bashkëshortes së Ivziut...

Na lidhi një ditë një mik i ri imi, mik i letrave, Vlashi nga Kuçova (tash qytetar amerikan) që i kishte përcjellë adresat elektronike në të “dy krahët”.

Pas disa përshëndetjesh e çmalljeje nga larg, në adresën time elektronike më vjen Ivziu me një surprizë...

I shkrova se po të kishte ardhur dy ditë më parë letra dhe Kënga e tij për Dibrën (kështu do ta quaj sepse këngë e vërtetë është, këngë që i mungojnë “telat e çiftelisë dhe tastat e pianos) do ta bëja pjesë të librit “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”, ato ditë në shtypshkronjë.

Por e përcjell Rrugës së Arbrit, në këmbë, trasesë së hapur dhe asaj ende në projekt. Po e përcjell me vikamën e një njeriu që e do Dibrën, që i dhemb në shpirt mbytja e saj. Ivziu thotë:

Si mund të durojnë Malet e Dibrës

Të ulin kokën mbi fushën e mbytur

T’u fshihet kultura dhe lashtësia

T’u varroset përjetë gjithë historia ?

A. ASHIKU

* * *

I dashur Abdurahim,

Jam dhe uroj të jesh mirë bashkë me Natashën dhe fëmijët.

Po të shkruaj për diçka që kurrë nuk do ta kishe menduar. Pra është një surprizë e mirë me siguri për ty si gazetar, autor e së pari si dibran.

Që para dy vjetësh pata lexuar shkrimet e Ali Hoxhës lidhur me projektin për asgjësimin e pellgut te Dibrës. Tani u ngacmova përsëri kur pashë shkrimin tënd dhe kam shkruar poezinë që do të lexosh këtu më poshtë.

Ti gjykoje në se është diçka me vlerë dhe se është për tu botuar, në radhë të parë në shtypin dibran, me thuaj dhe pastaj vendosim bashkë. Nuk e di në se është aktuale prapë gjendja si më parë apo kanë ndryshuar gjërat e nuk ia vlen. Nuk di dhe në se ke kontakte të mira me përfaqësuesit apo gazetarët dibranë, përfshirë dhe Fatos Dacin në Tiranë, të cilin unë e kam pas dhe nxënës në Peshkopi.

Unë aktualisht kam në dorë dhe një vëllim të ri me poezi që ndoshta mund ta botoj brenda vitit. Për këtë flasim prapë sepse ndoshta mund të zgjedh ndonjë paraprakisht për botim në shtypin shqiptar, aq më mirë në se ti ke kontakte qoftë dhe me shtypin qendror në Tiranë. Nuk po zgjatem sepse do të komunikojmë prapë pasi të lexosh poezinë dhe këtë informacion që të dhashë.

Te fala miqësisht,

Ivzi Çipuri

Mbroje Dibër historinë

Mos e qani Dibrën para se të vdesë

Mos e leni Dibrën ta varrose Drini

Se dhe vetë Drini ujin do të thajë

Që mos të mbulojë fushat e saj.

I trembni satanet nga nëntë malet

Mos leni Korabin këmbët t’i lagen

Mos turpëroni vetë Skenderbenë

Që dridhi turqit, mbrojti mëmëdhenë.

Po t’i lagen rrënjët Korabit të madh

Të vaditur me gjakun e trimave dibranë

Do trazoheshin damarët e malësisë

Do skuqeshin ujërat e lumit Drin.

Ku janë burrat e maleve, trimat dibranë?

Që në lashtësi shkruan historinë

A presin të ngrihen të paret tanë

T’u mësojnë dhe njëherë trimërinë?

Si mund të durojnë Malet e Dibrës

Të ulin kokën mbi fushën e mbytur

T’u fshihet kultura dhe lashtësia

T’u varroset përjetë gjithë historia ?

Fantazma nga varret do dilnin mbi ujë

Eshtrat e të rënëve do bënin rrethojë

T’u prisnin rrugën sataneve të huj

Nëse Dibra s’do dijë veten të mbrojë.

………………………………....

E varrosur do mbetej në përjetësi!

Ivzi Çipuri

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page