VIJON APO VAZHDON
Nga Sami Islami
Në gazetat dhe revistat tona, edhe pas botimit të Drejtshkrimit hasim , aty-këtu disa gabime , të cilat e dëmtojnë gjuhën tonë. Kësaj radhe le të ndalem pak për ta shqyrtuar një problem, jo të vogël. Çështja është se kur duhet përdorur fjala “vijon”, e kur “vazhdon”? Duke u përdorur herë njëra , e herë tjetra fjalë për të njëjtin kuptim, fitoj përshtypjen se disa gazetarë, por edhe krijues të tjerë letrarë këto dy fjalë i marrin si sinonime, po që në të vërtetë nuk janë të tilla. Në këtë aspekt më dendur përdoret “vijon” për “vazhdon” se anasjelltas. Sa për ilustrim le t’i citojmë disa shembuj të marrë nga gazetat e revistat tona! Në të përditshmen tonë “Rilindja” , zakonisht në faqen e parë vërehet kjo dukuri gjuhësore (artikujt fillojnë deri diku, por ata vazhdojnë pastaj në faqet vijuese, duke u përdorë fjala “vijon”). Ose tek rubrikat “Romani i “Rilindjes”, “Zgjodhëm për ju”, “Fejtoni i Rilindjes”, apo edhe diku tjetër e hasim pothuaj gjithmonë trajtën “vijon”e jo “vazhdon”. Nuk e shoh të arsyeshme të theksoj këtu shembuj të tjerë konkretë, sepse kjo dukuri, besoj i ka rënë në sy çdo lexuesi, se shembuj të tillë ka shumë. Në revistën “Fjala”, p.sh. të datës 12.02.1976, në faqen 7, për të njëjtin qëllim përdoret, një herë fjala “vazhdon”, ndërsa më vonë, në faqen 12 përdoret fjala “vijon”! Edhe më datën 1.05.1976 (në “Fjala”, në faqen 4 e gjejmë “vazhdon”, kujrse në faqen 10 “vijon”!
Përdorim më të konsoliduar mund ta hasim në revistën “Jehona” dhe gazetën “Flaka e vëllazërimit”( kjo e fundit botohet në Shkup). Në të dyja këto publikime më shumë përdoret “vazhdon” se sa “vijon”. P.sh. në revistën “Jehona” numër 1-2, 1976, f.16, 20, 74 e kemi “vazhdon”. Por kjo nuk ndodh me revistën “Jeta e re”, numnër 2, 1976, f. 310! Këtu haset më shpesh trajta “vijon”, ashtu sikur edhe në revistën “Fjala. Këtu madje fjalën “vijon” e hasim edhe nga disa herë në numrat 3,4,9, 13, të vitit 1976, por edhe në numrat 5,6,7, 16-17, të vitit 1975.
Nga shembujt qëi theksuam më lart shihet kjo larmi e madhe e përdorimit të këtyre dy fjalëve. Duke e pasur parasysh këtë mosstabilitet lindë pyetja: Ku ndryshojnë këto dy fjalë (kuptimisht) dhe kur duhet të përdoret njëra, e kur tjetra? Dihet fare qartë se fjala “vijon” mund të përdoret në një vend të caktuar, ( p.sh.rubrikë, faqe,etj.), kur në një vend ka hapësirë të mjaftueshëm për t’u botuar i tëri.Për shembull në një rubrikë është botuar në vazhdime një roman dhe i cili ka përfunduar krejtësisht. Dhe pasi që romani ka përfunduar , në fund të romanit e themi: në numrin tjetër në këtë rubricë VIJON fejtoni për Ali Pashë Tepelenën.… Pra “vijon” diçka tjetër, që nuk ka lidhje me atë çfarë është botuar deri tash.. Kështu mund të “vijojë”p.sh. filmi pas filmit (shfaqen në një kinema, por nuk janë të njejtë dhe shfaqen në intervale të ndryshme kohore), ose, siç thamë romani pas romanit (kur një roman përfundon dhe në të njejtën rubrikë vjen një roman tjetër). Fjala “vazhdon” përdoret në rastet kur një material gjuhësor, gazetaresk, letrar, si tregim, roman, fejton, botohet në një faqe gazete, por për shkak të hapësirës së kufizuar në gazetë nuk mund të botohet aty krejtsisht. Ky material duhet të “vazhdohet” (jo “vijohet”) në faqen tjetër, a në numrin tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për serialet që transmetohen në television! Për këto materiale , që botohen në vazhdime, nuk shoh arsyen që të përdoret fjala “vijon”, kur e kemi fjalën “vazhdon”. Prandaj , mendoj, se duhet të mos ngatërrohen njëra me tjetrën, sigurisht mu për shkak të funksionit që kryejnë. Për këto dy nocione edhe në gjuhë të tjera ekzistojnë fjalë të caktuara, (si në gjuhën shqipe), por në këto gjuhë nuk ngatërrohen asnjëherë njëra me tjetrën. Në anglisht kemi “next” për “vijon” , kurse “ continue” për “vazhdon”; në italisht kemi “prossimo”, për “vijon”, kurse “continuare” , për “vazhdon”; në serbokroatisht kemi , “sledeći” për “vijon”, kurse “nastaviče se”, për “vazhdon”. Prandaj kur është fjala për artikuj, fetone, romane, seriale etj. në këto gjuhë, nuk ngatërrohen kuptimet. Mund të përfundojmë se trajtat “vijon” dhe “vazhdon”, duhet të përdoren në vende të caktuara, në mënyrë që , gjuhën tonë ta shkruajmë pa gabime, e jo të kalojmë mbi këto, duke i “kosideruar” si “cikërrime” dhe përfundimisht mos të na dalin gabime të tilla në mediat tona të shkruara.
Botuar në “Flaka e vëllazërimit”, , 1976
Comments