top of page

VIII - Perëndim apo...?!


Vilhelme Vrana Haxhiraj


Perëndim apo...?!


Pjesa tetë-VIII

Kujtoj se Aja kishte vetëm veshjet e trupit dhe nuk kishte me se të ndërrohej. Kur ikja në punë ajo i lante rrobat, i thante tek një furnelë e vogël elektrike dhe i vishte. Deri sa thaheshin veshjet, ajo e mblidhte trupin me një çarçaf. Duheshin disa ditë të merrja pagën mujore. Parat e muajit të fundit që të dy i kishim dorëzuar në familjet tona.Shkova dhe ia qava hallin drejtorit të Shtëpisë së Kulturës, Behar Leskovikut, i cili më dha borxh shumën e duhur. Mes sendeve të nevojshme, i bleva edhe 2 metra terital të hollë ngjyrë gri. Aja u lumturua kur e pa, por menjëherë i ra një hije trishtimi dhe pyeti se ku i kisha gjetur lekët. Ndërkohë u qetësua pasi e sqarova. Pastaj më kërkoi të blija një gjilpër, gërshërë, një vizore, një metër për rrobaqepësi dhe një rrotë penjë. Ishte e para punë që ajo filloi të përdorte zanatin. Me teritalin preu një kostum veror, fund e xhaketinë dhe e ildisi duke e bërë gati për makinë. Fundin e bëri me pala të vogla nga një centimetër gjerësi. Pasi i qepi palat me dorë, i ngriu me hekur, mbasdite unë ia çova vajzës së tezes sime, Merushe Bejkosalës, që ishte rrobqepëse për t’i qepur në makinën qepëse. Tani e veshur me kostumin me pala korenti dhe me një palë këpucë të bardha verore, Aja dukej ndryshe shumë më e plotësuar, tamam një e sapomartuar. Edhe disa veshje të tjera, si fustane, funde, bluza, madje dhe një pardesy për vete, Aja i bënte gati dhe ia kalonte në makinë, Merushja e papërtuar.

Nuk kishim lekë që ajo të blinte copën për pardesy. Unë kisha një pardesy dy faqshe që e kisha blerë në dyqanin me komision, ku tregtoheshin rrobat dhe sendet që vinin nga jashtë dhe shteti komunist nuk ua jepte familjeve që u ishin dërguar, por i sekuestronte dhe i nxirte në treg. Aja vuri në përdorim mendjen. I ndau të dy pjesët. Asaj që ishte ngjyrë gri i vuri astar e përgatiti për mua. Kurse atë që ishte blu e shqepi fare, e preu si të re, e bëri gati për vete dhe ia qepi ime kushërirë në makinë. Pastaj e çuam për ngjyrosje te Xhon Koheni që e ndryshoi në ngjyrë të zezë. Aja porositi një palë këpucë dimërore me lëkurë të zezë. Me grep ajo punoi një

palë dorashka të zeza dhe kur dilte shndriste. Me atë veshje të sajuar dukej shumë elegante.

Askush nuk besonte se veshjet ishin punë e duarëve të saj.

Më pas na dhanë një kabinë plazhi. Pasi kaluam një muaj, na nxorën në rërë. Ishim 7 familje të pastreha, ndaj me shumë vështirësi qëndruam aty për një vit. Për ne kishte rëndësi të madhe që gjatë kohës që unë mungoja, Aja nuk ishte vetëm fillikat në plazh. Ditët, javët dhe muajt zvarritehin të lodhura, të zbehta dhe të trishta mes dritëhijeve të një regjimi absurd. Nga shtatë familjet e plazhit, ne dhe një tjetër ishim të padëshiruara. Gjithsesi të gjithë papërjashtim që ishim të një halli, strehimin, kishim të njëjtin fat. Në mëngjes vinin punonjësit e ndërmarrjes komunale të shoqëruar nga policë, na nxirrnin nga kabinat dhe na prisnin energjinë elektrike. Sa errësohej pak, të gjitha familjet futeshim brenda dhe lidhnim energjinë elektrike, vepronim kundër ligjit.Të nesërmen dhe kështu për 12 muaj radhë u përsërit historia e bujtinës. Erdhi vjeshta e ngjyrave dhe mes cicërrimave, dallëndyshet filluan të lënë foletë. Bashkë me gjethet e pemëve që binin, largoheshin drejt vendeve të ngrohta gjithë zogjtë e tjerë shtegtarë.

Tek ndiqja një gjethe të rënë që gjeti strehë mbi këmbët e mia, më gëloi mendimi:

Kështu si kjo gjethe që dëshmon largimin e stinës së artë, të vjeshtës, edhe për ne të dy zhdukej një shpresë e humbur. Unë pa punë, kurse Timi pas pune, vitesh xhaketën e bardhë dhe punonte kamerrier. Një lodhje e jashtëzakonshme për të. Kur vinte në mesnatë bintee në një gjumë të thellë. Pa u ngopur mirë me gjumë dhe pa u shlodhur, në orën 5 e 30 të mëngjesit ngrihej, se në orën 6 fillonte turnin në Kombinatin e konservave. Më sëmbonte shpirti e më dhembte zemrai, kur më shihte ngultas me trishtim, më dukej sikur kërkonte falje që nuk i ngelej kohë për mua...” Për këtë mangësi, ne kuptoheshim pa fjalë, në heshtje, vetëm mes shikimesh dhembshurie dhe përbetimi besnikërie.

Jeta rridhte ngadalë, e plagosur, e zymët e plot tallaze. Dimri po trokiste rëndë. Ai bënte ciklin e tij, por për ne të paveshurit e të pangopurit, erërat e ftohta dhe dallgët e mëdha të detit që përplaseshin furishëm mbi kabinat tona, ishin një vuajtje më vete. Ne flimin të dy në një minder tek me dërrasa gjë që na ndimonte të mos kishim ftohtë. Mbuloheshim me dy batanie treçerekshe prej leshi nga ato të ushtrisë që bashkëshorti im i kishte sjellë nga dhoma e beqarëve, ku flinte me shokun e tij Rait Beqirin, i cili tashmë studionte në Universitet. Kur e zuri reforma e burokracisë dhe atë e çuan në fshat, kishte çuar tek e ëma mjaft sende, si enë kuzhine, perde,kuverta, dy shtretër druri etj që tani në kushtet tona ishin të domosdoshme. Por e ëma e zemëruar që i biri nuk e dëgjoi dhe e vendosi vet fatin e tij, na dërgoi vetëm 6 pjata porcelani, nga 6 lugë, pirunjë e thika, nga 36 copë për secilin që kishte çuar Timi, kur e çuan në fshat në lëvizjen burokratike të vitit 1964.

Unë vajza kanakare e familjes sime nuk dija as të gatuaja, as të laja çarçafë dhe as dija të hapja petë për byrek, sepse, kur kisha mashën, pse do ta kapja zjarrin me duar? Në kabinë shpërvesha mëngët dhe vendosa të bëhem amvisë. Doja t’i dilja jetës përballë. Vërtet s’kisha punuar në vajzëri, por kisha parë gjyshet, nënën, motrën që ishin duararta. Mamaja ime e mençur, e bukur dhe shumë punëtore, gjithçka që i shihte syri ia bënte dora. Prej saj mësova të qepja veshjet e mia, punoja trike me shtiza dhe qëndisja shumë bukur. Kjo trashëgimi artizanale që do ta quaja virtyt të familjeve me taban kombëtar, më hyri në punë. Ajo që më ndihmoi më tepër ishte, se unë kisha kryer dhe isha diplomuar në kursin e ekonomisë shtëpijake i organizuar nga Ministria e Arsimit. Qysh aty, në plazh, fillova të qëndisja pajat e vajzave që martoheshin. Nxirrja sadopak të ardhura për familjen. Ndërkohë Timi punonte mekanik turni në Kombinatin e Konservave “E.Telman” Ai kundrejt çmimeve të lira, sillte kocka mishi, peshkë, kuti konservash dhe vazo reçeli e kompostoje që kalonin në kontroll të laboratorit. Me këto siguronim një pjesë të ushqimit. Veç kësaj ai ishte kërcimtar shumë i mirë dhe një koreograf premtues sepse e kishte pasion dhe të trashëguar artin e kërcimit. Si të veçantë ai kishte kryer një vit akademik, kursin e koreografisë pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, Tiranë me koreografët më të mirë të vendit. Punonte prej vitesh si diletant në Estradën e Vlorës. Kërcimin e kishte nisur qysh në vitin 1948, në Shtëpinë e Pionierit, më pas në Shtëpinë e Kulturës. Kur u formua Estrada si institucion, ai u inkuadrua aty. Paguhej si kërcimtar i jashtëm, dmth jo profesionist, kurse nëpër turnetë e Estradës, jashtë qytetit merrte edhe dietat. Ka qenë njeri pa vese si të duhanpirjes, alkholit apo të prishte para pa shkak, nuk merrej me lojërat skllavëruese të bixhozit. Në kuptimin e vërtetë të fjalës ishte një njeri i mirë që i njihte detyrat dhe përgjegjësitë familjare.

Ushqimet me çmim të lirë në Kombinat dhe të ardhurat e Estradës ishin një ndihmë e madhe që na krijoi mundësinë për të blerë disa nga sendet më të nevojshme për të nisur jetën.

Erdhi vera dhe kabinat duhet të bëheshin gati për sezonin veror të plazhit. Komiteti Ekzekutiv duhej të na nxirrte në rrugën e madhe. Atë kohë Kryetar i Komitetit të qytetit ishte Shyqyri Dogani, një njeri i mirë, i arsyeshëm dhe dikur shok pune meTimin në Fabrikën e Çimentos. Me orientimin e tij u strehuan të shtata familjet. Sipas numërit të familjarëve futën edhe dy familje në një apartament. Edhe ne të dyve na ndihmoi Kryetari dhe u strehuam në një apartament dy dhoma e kuzhinë me një familje tjetër. Do të jetonim në një hyrje për 17 vjet me familjen e kërcimtares Parashqevi Gjergji, partnere e Timit në vallet. Familja e saj, fillimisht me nënën dhe vëllanë, kishte dhomën më të madhe, kuzhinën dhe ballkonin, të gjitha me diell, kurse ne dhomën më të vogël, vetëm 9 metra katror që shikonte nga veriu dhe pa diell. Gjithsesi i ishim mirënjohës Shyqyri Doganit, se ndryshe do të kishim ngelur me lecka në krah si hamenjtë e kohëve.

Për fat të keq këtë njeri të mirë, Shyqyriun, për një fjalë, pushteti i tij e burgosi, e dënoi me 15 vite humbje lirie. Thonë se i miri nuk ka fat. Për fatin e keq të tij dhe të familjes, Shyqyriu vdiq në burg, duke e shtuar varrezën gjigande të të vdekurve të gjallë edhe me një varr pa emër.

Gëzimi ynë për shtëpinë nuk kishte kufi. I hodha Timit në qafë e përlotur, duke i thënë...

-E di si më duket sikur na kanë rikthyer shtëpitë e gjyshit dhe të babait që na i kanë sekuestruar që para 24 vitesh.

-Ah, zemra ime! Ashtu të duket sot se ishim në rrugën e madhe, kurse tani kemi një strehë ku po fusim kokën. Nuk do të na zerë më as shiu, as era, as i ftohti apo dielli përvëlues...Së paku tani do të kemi një adresë ku të na kërkojnë.

-Po të kisha një makinë qepëse, do ta kisha bërë shtëpinë lule, por...

Timi pasi qëndroi paksa i menduar foli, gati me vete sesa m’u drejtua mua.

-Nuk di nëse do na e japë apo jo, por do ia kërkojë nënës makinën qepëse për pak kohë.

Me ato pak të ardhura blemë një shtrat dopio, një dollap kuzhine nga ata prej kompesatoje. Timi sajoi një tavolinë, riparoi 4 karrige dhesajoi një dru të lëmuar për të varur veshjet tona.

Së paku filluam të jetojmë dhe të hanim si njerëz. Si fillim nuk ishte keq. Dukej se kishte nisur të hynte mbarësia. Nuk vonoi dhe me apo pa dëshirë, e ëma e dërgoi makinën. Ishte makinë e markës “Singer”që përdorej me dorë. Ajo më ndihmoi shumë. Qepa perde të shkurtra me dantellë, sajova një kuvertë krevati, veshjen e minderit. Minderin e plazhit Timi e shndërroi në një divan të rehatshëm me mbështetëse të mbushur me lëpushka misri.

Me kurajo, me ngadalë dhe me maturi filluam ta mobilojmë ditë pas dite shtëpizën tonë sipas mundësisë. Për të provuar kënaqësinë e mundit tonë, qëndroja në pragun e derës dhe i gëzohesha faktit që ne ishim të aftë dhe do ta ndërtonim familjen tonë si jo më mirë. Do të bëjmë faj nëse humbasim shpresën apo besimin në vetvete. Ndaj s’duhet të ankohemi se na e kanë fajin të tjerët.

Sa keq që ua hedhim fajin të tjerëve, kur fajtorë të vërtetë të vetvetes,jemi ne dhe vetëm ne.

20 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page