top of page

Veçori të rrëfimit në romanin “Një grusht fat”


Prof Dr Resmi Osmani

Prof Dr Resmi Osmani

Veçori të rrëfimit në romanin “Një grusht fat”

të shkrimtarit Istref Haxhillari


Romani “Një grusht fat”, ne stendën e Shtëpisë Botuese Uegen,në panairin e librit,pati ecuri të kënaqëshme. E takova shkrimtarin, e urova dhe i mora autografin për librin. Me tha se për romanin kishte punuar kater vjet: në Pogradec,Amerikë dhe itali.Në fillim titulli ishte “Fshati buzë lumit”, më pas u ndryshua në “Paralele që priten” dhe përfundimisht në “Një grusht fat”. E lexova me vëmëndjen që kërkon krijimtaria e një miku dhe kolegu të letrave që ka bërë emër me krijimtarinë e tij.

Romani,është saga e fshatit Dunajet në malësitë juglindore shqiptare, që nis e mbyllet me fatin e një familjeje, por që me bashkjetesën dhe lidhjet e saj, përfshin në ngjarje tërë bashkësinë.Fati i këtij fshati, sido që i veçuar dhe i largët, përfaqeson atë hapësirë gjeografike të fshatrave malore të gjithe vendit. Në aspektin kompozicional është i ndarë në katër pjesë dhe i shtrirë në tri kohë: para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës. Të katra janë pjesë të një tablloje të së tërës, që të pikturuara me penelata të imtësishme, herë me dritë e herë me hije , herë të qeta e herë të rrëmbyera, herë epike herë lirike, me mendimin, mendësinë dhe filozofinë e urtë fshatareske, përbëjnë indin që është endur rrëfimi romanor.

Hapësira e zhvillimit dhe vendit të ngjarjeve është relativisht e kufizuar. Fshati Dunajet, diku në malësitë e thella të Mokrës, buzë lumit, i veçuar, larg e si i harruar nga bota, me toka të pakta, që banorët punojnë e sfiliten për të siguruar jetesën, bën jetën e tij patriarkale , si qëmoti, i zhytur në bestytni dhe misticizëm, që na kujton fshatin e tregimeve kuteliane. Kur nis lufta, Dunajetasit mendojnë se aq larg e në vend të humbur sa rrojnë ata, lufta s’ka për të shkuar deri aty . Gabohen. Lufta, me gjëmat dhe bëmat e saj, dhe jo vetëm ajo, i gjen aty tek janë dhe ata, si të ishin viktima të fatalitetit, përfshihen në vorbullën e ngjarjeve, me apo pa dëshirën e tyre, pa i shpëtuar së thënës.Në zgrip të jetës, në ndeshje me prapësitë e të papriturat, duke punuar, robtuar , pa arritur të shmangin ngushticën dhe varfërinë, luten dhe shpresojnë për një grusht fat, për të parë ditë më të bardha.

Nuk do të shtjelloj në këtë shkrim permbajtjen dhe rrjedhjen e ngjarjeve të romanit, këtë këndonjësi do ta mësojë nga leximi i romanit, por disa veçori të qënësishme të stilit dhe teknikave tregimtare të romancierit Haxhillari, që ngërthehen në stisjen e këtij romani, veçori shkrimore stilistike, që e bëjnë të dallueshëm.

Istref Haxhillari

Mënyra e të rrëfyerit, e qetë, e shtruar, me shtrirje horizontale e vertikale, gati me natyralizëm, vërtetësi e ngjyresa të gjalla ,ku natyra dhe peizazhi shërben si sfond, ku jetojnë, punojnë e lëvizin personazhet, bën që lexuesi ta ndjejë veten pjesmarrës në ngjarje, dhe virtualisht ta ndjejë veten si pjestar të asaj bashkësie, të marrë pjesë në të mira e gëzime, të hidhërohet e gëzohet bashkë me ta, në hallet dhe fatkeqësitë e tyre, nga fillimi deri në mbyllje të romanit.

Autori, si bir i atyre anëve dhe mësues për shumë vite, e njeh mirë fshatin dhe banorët e krahinës malore të vendlindjes së tij. Jetën, zakonet,psikologjinë, traditat, mardhëniet, të shkuarën, aq sa ai hyn në “lëkurën” e personazheve.Galeria e shumtë e personazheve, qofshin burra e gra, vajza e djem, apo të moshuar, janë gdhendur si skulptura, të vërtetë, me veçoritë e tyre, jo vetëm fizike por edhe mendësitë, urtësinë apo marrëzinë, janë fshatarë deri në palcë: nga kësula e lyrshme mbi kokë, shajkët që veshin e deri te opingat. Ata flasin me atë gjuhë që flet cilido fshatar i atyre anëve, e veçantë për secilin, e ngjashme për të gjithë në ato kohë, që ata jetonin të veçuar e të mënjanuar, është gjuhë e pasur, me figura dhe frazeologji tipike, disi e kursyer në ligjërim, por e pasur në mendime, urtësi dhe filozofinë e jetës, e zhdërvjellët, me humor të hollë e shpotitës, sa kur i lexon dialogët e tyre, me fjali të shkurtëra, hidh e prit, të vinë ndërmend biseda të harruara, nga një kohë e largët, që ti i ke dëgjuar dikur – diku në fëmijërinë apo pararininë tënde dhe ata njerëz të duken të afërt, ke dëshirë të rrish e të rrëkëllesh një gotë me ta, apo të këmbesh një cigare duhan.Të mbeten gjatë në mendje e kujtesë.

Dhe kjo nuk është pak.

Autori është i kujdesshëm, nuk u ndërhyn personazheve, nuk i drejton apo imponon sesi të sillen apo të veprojnë. I le të veprojnë dhe të sillen, apo të vendosin, ashtu si ata e mendojne dhe ua kërkon zhvillimi i ngjarjeve dhe rrethanat në të cilat ndodhen. Ashtu si ata e dinë vetë, si ua diktojnë ngjarjet ku përfshihen me dashje apo pa dashje, sillen si ajo rrëkeja e ujit që e çan vetë vijën për tu derdhur në lumë. Kjo i bën jo vetëm të veçantë, por edhe të vërtetë e të besueshëm dhe jo si kukulla të stisura.

Duhet vënë në dukje sesi autori, me paanësi dhe mençurisht,duke u nisur nga qëndrimet e ndryshme politike të ditëve tona, që mbahen ndaj luftës, përfshi këtu edhe historianët, ai nuk bëhet palë, nuk çfaq opinione, ato i shfaqin personazhet, veç përcjell ngjarjet me episodet e luftës, të egra e të përgjakshme, me viktima të rastësishme e të pafajshme, me vërtetësi, ashtu siç kanë ndodhur. Ndryshe nga se e mendojnë Dunajetasit, lufta I gjen edhe atje në humbëtirën e tyre. Nuk janë as gjermanë as italianë por shqiptarë, të ndarë në dy kampe. Dramën e saj ata e përjetojnë si një tragjedi me tre akte: i pari; në fshat ja beh një battalion nacionalist, bashibozukët e tij shpërndahen nëpër shtëpitë e fshatit, me forcën e armëve e teprojnë zullumin me sjellje të papranueshme, grykësi e lapërdhi që arrijnë deri në përdhunime. Banorët terrorizohen, por s’kanë forcë të vetmbrohen apo kundërshtojnë. Akti i dytë; vjen njësiti partizan, çliron fshatin, ze rob nacionalistët, pushkaton gjashtëmbëdhjet prej tyre. Akti i tretë,në verë(ndoshta në operacionin e qershorit 1944) në fshat mbrrin njësiti ndëshkimor hakmarrës nacionalist që pushkaton aq banorë të fshatit sa qenë nacionalistët që u pushkatuan. Ngjarjet përshkruhen me imtësi, si në një film bardh e zi. Lexuesi, duke gjykuar veprimet dhe zhvillimin e ngjarjeve nxjerr përfundimet e veta, për fajësinë apo pafajësinë e palëve, porse mesazhi i autorit jepet fare i qartë: se lufta është një mallkim, e paligjshme dhe e pamoralshme, që sjell e mbjell zi e vdekje, shkatrrim e mjerim.

Paslufta. Pushteti i ri. Jepet me një simbol; në qendër të fshatit në sheshin e xhamisë hidhen themelet dhe ngrihet ndërtesa e re administrative, ku do të zerë vend administrate e pushtetit të ri. Edhe Dunajeti nuk i shpëton dot politikave dhe zhvillimeve të kohës: kooperativizmit. Me hir e pahir,ja behin të deleguarit, agjitatorët premtojnë begati, lumturi, lugën e florinjtë! Gjoja me vullnetarizëm, por me masa shtrënguese. Kundërshtimet nuk pranohen. Kooperativa ngrihet. Ata që e kundërshtojnë shpallen kulakë, ose u vihet damka e individit dhe lihen jashtë jetës shoqërore, pa triska fronti, pa të drejta studimi për fëmijët. Biografia, del e para. Stiset artificialisht lufta e klasave…. Por ka edhe ndonjë kokëkrisur, qëndrestar, që duke tundur flamurin e vullnetarizmit, mbetet individ. Mirë apo keq? Autori ua lë personazheve ta thonë, dhe nuk janë të pakët ata që e kundërshtojnë kooperativën. Sa për të ardhmen, vlen një fjalë e “individit” Murat Kajaçka, që në një bisedë me Lisienin, djalin e shkolluar të fshatit, profetizon fundin e sistemit.

Jeta dhe brezat, paraqiten si në një stafetë, secili, në fund të rrugës së vet jetësore, si produkt i formuar nga tërësia e kushteve shoqërore, historike e zakonore e mbyll jetën, duke marrë me vete edhe një periudhë historike, duke ja lënë vendin brezit pasardhës i cili ka evoluar, është arsimuar dhe ka tjetër këndvështrim për jetën dhe botën.Jeta dhe koha ecin.Njerëzit ndryshojnë. Ky aspekt trajtohet me ikjen nga jeta të së moshuarës Dasara Sofi dhe hyrjen në jetë të nipit të saj Lisienit, si vazhdimësi e jetës.

Romani mbyllet me kurorëzimin e dashurisë së Lisien Dunicës, djalit të Uranit, me Vesa Çerën, vajzë po nga ai fshat . Një fund , që për të dy të rinjtë mund të quhet i lumtur, simbolizon vazhdimësinë e jetës, vitalitetin, si një grusht fat për Dunajetin, dhe dunajetasit, që i kanë qëndruar furtunave të kohës dhe i paraprijnë së ardhmes.

Në fund të këtij shkrimi, ja lejoj vetes që të them me bindje se me këtë roman të ri,”Një grusht fat”, shkrimtari Istref Haxhillari e vë veten në radhën e prozatorëve cilsorë të ditëve tona.

Tiranë, më 26.11.2019

83 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page