top of page

Vepra e Petrotës – në krye të studimeve historiko-letrare


Myrvete Dreshaj - Baliu


Edhe në pjesën e dytë të studimit, ku trajton gjendjen social-kulturore të vendit, problem ky me të cilin pati filluar të merret edhe vetë autori, Namik Resuli vazhdon të vlerësojë veprën e Petrottës, si të vetëm mbi të cilën mund të mbështetej. Autori e nxjerr këtë vepër përballë asaj të Justin Rrotës “Letratyra Shqype për shkolla të mesme” (1925), të cilën e quan “libër fort të thatë (44) dhe asaj të Eqrem Çabejt “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe” (1936), të cilën e quan “libër fort i thjeshtë, vërtetë, po në të cilën dukej që atëherë dora e mjeshtrit”.

Në rrjedhë të kësaj bibliografie historiografike Namik Resuli përmend një shkrim të tij, të botuar më 1937 në revistën “Mësuesi shqiptar”, me të cilin, thotë ai, “kërkoja të periodizoja këtë prodhim tërthorazi studimit të vetë historisë, nën influencën e së cilës ai prodhim kishte lindur”(45).

Pra, te ky studiues ekzistonte vetëdija që atëherë, se zhvillimi i letërsisë nuk dilte jashtë realitetit historik. Faktori ‘histori’ dhe faktori ‘fe’ qenë faktorët kryesorë që kishin përcaktuar gjenezën e letërsisë sonë dhe kishin qenë bazë e periodizimit të saj. “Në qoftë se duam ta studiojmë historinë e një literature si histori, -thekson Resuli, -atëherë jemi të shtrënguar të bëjmë historikun e të gjithë atyre elementëve të jashtëm, të cilat sigurisht nuk i përkasin aq fort personalitetit artistik, origjinalitetit krijues të poetëve” (45).


Namik Resuli duke u bazuar në kriteret e studimit të Lumo Skendos dhe të periodizimit të propozuar nga Maksimilian Lamberci, më 1922, në vija të përgjithshme, nxjerr dy konstatimet kryesore mbi zhvillimin e letërsisë shqiptare:

- së pari, se kjo letërsi që nga lindja e gjerë te Lidhja e Prizrenit është e përbërë prej veprash fetare e mësimore dhe në pjesën më të madhe të përkthyera, joorigjinale dhe pa karakter kombëtar. Këtu e arsyeton edhe vendin e kufirit fillestar të letërsisë shqiptare;

- së dyti, vetëm pas Lidhjes së Prizrenit filloi të mëkëmbet në Shqipëri një letërsi kombëtare, në të cilën marrin pjesë, pa dallim, të gjithë shqiptarët.

Idenë mbi ndarjen e letërsisë shqipe në qarqe, të propozuar nga Lamberci dhe të mbështetur më pas nga Eqrem Çabej, në studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939), Namik Resuli e kundërshton duke theksuar se “dallimi i vendit nuk është një dallim themelor”(48), dhe propozon për pjesën e parë të prodhimit letrar shqiptar, ndarjen në nëngrupe e jo në qarqe, ashtu që secilit nëngrup duhet t’i jepen karakteristikat e veta që e dallojnë nga nëngrupet e tjera.

Parimet e shprehura më parë mbi historinë e letërsisë shqipe nga Namik Resuli e gjetën vendin në dy vëllime me titull “Shkrimtarët shqiptarë” (1941), pavarësisht prej vërejtjeve që ka sidomos për vëllimin e dytë, përpilues i të cilëve është edhe autori.

Kjo histori e letërsisë shqipe është gërshetim i historisë së letërsisë dhe antologjisë së letërsisë, ku zënë vend shënimet dhe vështrimet për autorët, si dhe pjesët e zgjedhura nga opusi letrar i tyre. Resuli vlerëson me bindje të plotë se “ajo jo vetëm qe tentativi më i gjerë, më i urtë shqip për zhvillimin e një historie të literaturës shqipe, por qe edhe puna më e dlirë e atyre kohëve të pështjelluara”.(51)


Në pjesën e tretë të këtij studimi autori trajton shkurt librin e Stuart Mann-it “Albanian Literature” (1955) dhe e vlerëson si një përmbledhje të shkurtër të letërsisë shqipe paraqitur anglezëve, duke thënë se “disa autorë shqiptarë Mann-i di t’i gjykojë drejt dhe u jep vendin që u përket” (51). Me “Historinë e letërsisë shqipe” të botuar nga Dhimitër S. Shuteriqi dhe me “Historinë e letërsisë shqipe” të botuar më 1959 nga një grup autorësh, Namik Resuli merret më gjatë, si me metodologjinë dhe konceptet mbi të cilat ndërtohet kjo histori e letërsisë ashtu edhe me terminologjinë e përdorur në të. Resuli sjell përfundimin “se hartuesit e “Letërsisë“ së Tiranës, nuk janë udhëhequr nga asnjë parim e metodologji thjesht letrare. Krejt përkundër, ata kanë qenë udhëhequr e frymëzuar nga parime, metodologji e kritere që s’kanë të bëjnë aspak me artin dhe me literatyrën”. (560. Ata, sipas Resulit, -janë udhëhequr vetëm nga parime politike!

Në këtë aspekt autori tërheq vërejtjen për përjashtimin nga historia e letërsisë të Gjergj Fishtës, Faik Konicës e Lumo Skendos dhe para se gjithash për mospër­rfshi­rjen e “Lahutës së malcis“, e cila u përgjigjet këtyre kritereve vlerësuese. Duke i shfrytëzuar kriteret e kësaj “Historie të letërsisë“, mbi rëndësinë e personaliteteve letrare, ai bënë ballafaqimin mes Naimit e Konicës dhe përfundon se “nga një krahasim i imtë i të dyve ata mund të shpjegohen e të ndriçohen më mirë dhe mund të kuptohet me kthjellët puna e njërit dhe tjetrit”. (60)

Ndonëse kjo sintezë nuk mund të thuhet se ka trajtuar plotësisht të gjitha mungesat dhe përparësitë, të cilat i kanë përcjellë botimet e gjertashme të historive letrare, si e tillë është me interes për kërkimet e mëtejshme në fushë të historisë së letërsisë shqipe.

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page