top of page

Vdekja e palaços


Petraq Risto


Petraq Risto


Vdekja e palaços


Palaçoja nuk ishte as i ri, as i vjetër. Vdiq papritmas, mu në mes të sallës së madhe, pak para se të fillonte balloja. U shtri sa gjatë gjerë në dyshemenë e mermertë, dhe gratë, pasi e kuptuan që kjo nuk ishte ndonjë lojë e tij, ia dhanë ulërimës. Burrat iu afruan grave të tyre dhe i qetësuan. Mbreti hijerëndë tha vetëm dy fjalë:

- Hiqeni nga salla!

Katër shërbëtorë vrapuan drejt palaços së shtrirë, i cili vazhdonte të qeshte si një fëmijë.

- Çudi, si vdiq kaq shpejt, papandehur, - tha njëri nga shërbëtorët.

- Ai s' ka qenë ndonjëherë i sëmurë, - ia ktheu tjetri.

- Këtë nuk e dimë, - tha i treti.

I katërti nuk e pa të arsyeshme të fliste.

Kufomën e veshur me rrobën ngjyra - ngjyra, me fytyrën të lyer me grim të fortë, me hundën prej llastiku mbi hundën e mishtë, e vendosën mbi shtrat në një dhomë të zakonshme. Nga salla u dëgjuan tingujt e një muzike të njohur. Balloja kish filluar.

- Ti rri këtu, - i tha shërbëtori i parë, shërbëtorit të katërt.

I katërti nuk e pa të arsyeshme të fliste. Mbase ngaqë ishte më i riu. Tre të tjerët dolën dhe ai mbeti vetëm me të vdekurin.

- I gjori ti, - i tha me zë. Ata kërcejnë, edhe pse ti ke vdekur. Pale, edhe më qesh.

Mirëpo ndonjëherë të vdekurit dëgjojnë, veçanërisht atëhere kur i prek në gjërat thelbësore, kështu që palaçoja, ashtu i qeshur, u ngrit nga shtrati, i hodhi shërbëtorit dorën në sup dhe qetë i tha:

- Unë nuk kam vdekur.

Shërbëtori e pa të arsyeshme të mos i kthente përgjigje, sepse në çast iu duk një lajthitje palaçoje. Mirëpo, papritmas u kujtua që ai kishte vdekur dhe ia dha ulërimës.

- Mos bërtit kështu, - i tha palaçoja, - ky është numri im i fundit, e kupton? Për ty unë jam i vdekur.

- Po a jeni vërtet i gjallë? - foli për të parën herë shërbëtori i ri.

- Natyrisht. Palaçot asnjëherë nuk vdesin. Madjee as atëhere kur u pushon zemra.

Shërbëtori s'e përballoi shakanë dhe ra pa ndienja. Atëhere palaçoja i shkathët shpejt e shpejt ndërroi rrobat me shërbëtorin, i bëri një grim të lehtë, hoqi nga hunda e tij maskën e llastikut dhe ia vendosi tjetrit, veshi rrobat e shërbëtorit, e pastaj e shtriu në shtratin ku pak më parë qëndronte vetë "i vdekur".

Ngadalë e me sukses hapi derën e dhomës dhe u drejtua nga banja aty pranë për të larë fytyrën dhe për të veshur një palë rroba të tjera, të modës së fundit, të cilat i kish fshehur para fillimit të lojës.

Zemra i rrihte me një ritëm tjetër. Kishte emocione, megjithëse plani po zbatohej për mrekulli.

Balloja vazhdonte, kur palaçoja, tepër serioz, hyri në sallën plot dritë dhe zuri vend pranë një grupi të ftuarish. Kishte dëshirë të dëgjonte se çfarë thoshin për të pas vdekjes. Mirëpo, sikur ta dinin që ai s' kishte vdekur, ata as që e përmendnin ndodhinë tragjike e atë vetë. Dhe s' kish veçse pesëmbëdhjetë minuta që ai kishte mbyllur sytë! I shkoi në mendje që të provokonte një bisedë rreth të porsavdekurit, mirëpo kjo do të ishte me rrezik. Përballë, në fronin e lartë, qëndronte lartmadhëria e tij, mbreti, disi i trishtuar. "Po afron koha kur unë duhej të dilja dhe me numrat e mi, lartmadhëria bashkë me të tjerët do të shqyheshin së qeshuri. Mirëpo për mua tanimë nuk ka kohë; unë isha, nuk jam", mendoi palaçoja dhe qeshi me zë. Dy - tre të ftuar rrotull e panë me çudi, por ai fare shpejt u bë serioz dhe nuk e tërhoqi më vëmendjen e tyre. Rrëshqiti ngadalë dhe u afrua pranë një grupi tjetër, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë të dëgjonte diçka për vdekjen e tij.

Në këto çaste mbreti vërtet e çoi mendjen te vdekja e palaços. Historikisht mbretërit janë argëtuar me palaço, madje më tepër sesa luks, ata kanë qenë domosdoshmëri. Edhe Cezari kish pasur miminë, gaztorin e tij. Pallati mbretëror nuk mund të përfytyrohej pa palaço. Kështu që patjetër duhej të gjenin një palaço të ri, madje më të mirë se të parin. Këtë lartmadhëria e tij ia tha pikërisht atë çast sekretarit, i cili ndodhej fare pranë. Kjo porosi e mbretit i dha mundësi palaços "së vdekur" të dëgjonte këto biseda:

- Më mirë kështu. I vjetri ishte tepër i konsumuar.

- E po u bënë kaq vjet! Edhe yjet në qiell konsumohen.

- Shikojeni mbretin, duket i trishtuar.

- Për palaçon?!

- Mbase dhe për të. Thonë se e donte më shumë se qenin.

Plasi e qeshura. Palaçoja, i mbështetur në një shtyllë aty pranë, u tkurr; ishte kjo një lëvizje tipike prej palaçoje, gjë që do ta tradhtonte para syve të një vëzhguesi të hollë. Donte t' u thoshte atyre zotërinjve se nuk ishte e vërteta kjo, po nuk duhej ta prishte lojën. Ai kish vendosur ta çonte planin deri në fund, falë edhe faktit se fytyrën e vërtetë të palaços, atë seriozen, askush nuk e njihte. Ai kishte njëzet vjet në pallat, gjithnjë me atë veshje, me atë grim shumëngjyrësh, me atë hundëmaskë e me atë zë aspak të natyrshëm.

Po planin e tij padashur e ndihmoi dhe i dha një bukuri të veçantë ringjallja e palaços, pra e shërbëtorit të katërt, i cili, me t' u përmendur, kërceu nga shtrati dhe vrapoi drejt sallonit, gjithnjë duke ulërirë. Salla e pa dhe shtangu e habitur. Shikimet u drejtuan nga mbreti, i cili, i befasuar nga kjo ringjallje, vetëm për disa sekonda, zuri të duartrokiste lojën e mençur të palaços. "Bukur, bukur!" tha dhe ia plasi të qeshurit si asnjëherë tjetër. E gjithë salla shpërtheu në të qeshura dhe zuri të lavdëronte palaçon, i cili, sipas mendimit të ri, jo vetëm nuk ishte konsumuar, po përkundrazi, ishte rinuar së tepërmi, ishte bërë më me fantazi... Mirëpo palaçoja, ose më saktë, shërbëtori me veshjen e palaços, kishte ngrirë në vend si trung. Vetëm ai e kuptonte pozitën e tij të vështirë. Nuk dinte si të justifikohej para atyre qindra njerëzve të zgjedhur në ajkën e shoqërisë e aq më tepër përpara lartmadhërisë së tij, i cili ishte ngritur nga froni dhe vazhdonte të qeshte me zë gurgullues. Si t' u thoshte?! Si ta shpjegonte shfaqjen e tij me atë veshje?! Papritmas, salla heshti. Prisnin që palaçoja i frymëzuar të zbrazte numrat e rinj. Mes asaj heshtjeje u dëgjua zëri i hollë i shërbëtorit - palaço:

- Unë nuk jam palaçoja...

Mirëpo, e tha me një zë kaq të sforcuar dhe me gjestikulacione kaq qesharake, saqë shkaktoi të qeshura të tjera, që nga lartmadhëria e deri te shërbëtorët.

Vetëm shërbëtori i parë u kujtua se palaçon e vdekur e kish lënë me një shërbëtor të ri, dhe kish mundësi, ngaqë qe tepër i ri, të kish lajthitur dhe të kish zhveshur kufomën, ose... U çorodit dhe u frikësua aq sa ndjeu të dridhura. Nxitoi hapat drejt dhomës ku kish lënë palaçon e vdekur me shërbëtorin e ri dhe, kur nuk gjeti as kufomën e as shërbëtorin, vrapoi përsëri në sallë dhe u bind se ai, palaçoja, që po rrinte si guhak në mes të gjithë të ftuarve, ishte shërbëtori i ri.

- Lartmadhëri! - u dëgjua zëri i shërbëtorit të parë, - ai nuk është palaçoja i vërtetë!

- Ashtu!! - u habit mbreti dhe pas tij të gjithë të pranishmit në sallë e prenë të qeshurën.

- Domethënë paska vdekur vërtet.

- Po, po, s' është as kufoma!

- Paskan vjedhur palaçon!

Në këtë kohë sekretari i mbretit dhe dy agjentë iu afruan palaços së ri dhe, pasi i bënë disa pyetje, sqaruan gjithçka. Njëri nga agjentët iu afrua shërbëtorit - palaço, duke i ulërirë:

- Shko zhvishu, idiot!

Salla zhurmonte si asnjëherë tjetër, disa qeshnin, ca prisnin sqarime, të tjerë habiteshin, ndonjëri priste që nga çasti në çast të shfaqej palaçoja i vërtetë. Sekretari vazhdonte të fliste me lartmadhërinë e tij, i cili tashmë ishte ngrysur keqas.

- Zonja dhe zotërinj, - nisi t' i sqaronte pas pak sekretari i mbretit, - ka ndodhur diçka e papëlqyeshme. Palaçoja i pallatit nuk gjendet.

- Duhet të jetë fshehur.

- Mbase është zhdukur.

- Ta kërkojmë!

- Zonja dhe zotërinj, askush nuk ka dalë nga pallati. Rojat nuk kanë vënë re asnjë lëvizje të dyshimtë. Palaçoja i vërtetë fshihet këtu, mes nesh, - mbaroi sqarimin sekretari i mbretit.

- Po gjejeni atëherë, pse nuk e kapni, - u hodh një zonjë e kolme, e cila qëndronte diku pranë fronit mbretëror.

- Jam i detyruar t' ju sqaroj se asnjëri nga ne, as shërbëtorët vetë, nuk e njohin fytyrën e tij të vërtetë. Ai gjithë jetën ka qenë veshur dhe maskuar si palaço.

Ky sqarim ndezi diskutime të tjera.

- Kjo qenka me të vërtetë e bukur!

- Ua ka punuar paq!

- Mos ka qenë ndonjë agjent i huaj.

- Shshsht, mbylle gojën!

- Dhe qenka fshehur këtu mes nesh.

Papritmas filloi një lojë e re argëtuese: secili kthente kokën sa majtas-djathtas dhe pyeste:

- Më falni, mos jeni ju palaçoja?

Gratë gajaseshin së qeshuri nga kjo lojë e re, e paparashikuar, që e shpik veç një rast i rrallë si ky. Hyri në lojë edhe palaçoja i vërtetë që, duke qeshur, i tha një ushtaraku përkrah tij: "Mos jeni ju palaçoja, zotëri?"

Vetëm lartmadhëria e tij rrinte i menduar, mbase duke zhbiruar domethënien e lojës së palaços. Kish mbetur vetëm që sekretari, apo Ministri i Brendshëm, apo ndonjë ministër tjetër t' i afrohej atij, mbretit, e t' i pëshpëriste në vesh, me intimitet: "Mos jeni ju palaçoja, madhëri!"

Mirëpo loja u mbyll shpejt, sapo agjentët u kthyen nga kontrolli i imët në pallat dhe i raportuan Ministrit të Brendshëm, si dhe sekretarit të mbretit, se në banjën e katit të parë qenë gjetur sapuni dhe peshqiri me të cilët kishte pastruar fytyrën palaçoja, si edhe rrobat e shërbëtorit. Dritarja e banjës ishte e hapur dhe që andej duhej të ish hedhur palaçoja i vërtetë. Sekretari i mbretit përsëri i sqaroi të ftuarit në ballo, të cilët, të përfshirë në ethet e lojës së re, vazhdonin të pyesnin njëri-tjetrin:

- Më falni zotëri, mos jeni ju?

Mbreti, i zemëruar, doli nga salla. Kish nuhatur jo vetëm rebelimin e palaços, por edhe qëllimin e tij. Do të jepte urdhër që ish-palaçoja të gjendej patjetër dhe të ekzekutohej me varje në mes të sheshit të madh.

Edhe balloja u mbyll. Bashkë me të ftuarit doli nga salla edhe palaçoja i vërtetë, gjithnjë dukeqeshur e duke pyetur njerëzit në krah:

- Më falni, zotëri, mos jeni ju palaçoja?


17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page