top of page

VDEKJA E JANIT




- Tregim -


Nga Shkëlqim HAJNO-


Pleqtë e mbetur në fshatin kufitar të minoritetit grek, nuk mbanin mend të kishte vdekur ndonjë i huaj në fshatin e tyre sic ndodhi me Janin. Së paku, nga koha e Luftës së Parë dhe asaj të Dytë, kur e gjithë krahina, kësaj ane, ishte shesh lufte.

Edhe nga gjyshërit mbanin mend se të huaj nga viset e tjera, kishin ardhur në fshat më tepër si ustallarë shtëpish nga zona e Korçës për shembull, ose kallajxhinj nga të Malëshovës së Përmetit. Por secili, mbaronte punën disa ditë apo disa muaj dhe, ikte për në viset e veta duke kaluar Qafën e Shedenikut ose atë të Dilanit.

Me Janin, ndodhi ndryshe. I ardhur nga fshatrat e thella të Librazhdit, ai, kishte pesë vjet këtu dhe ishte bërë si i shtëpisë me të gjithë. Tek të gjithë bënte punë dhe shërbime të ndryshme. U bënte dru në Galishtë për dimrin e hidhur, bënte krasitje të pemëve, ngrinte mure e ledhe të rrëzuara nga koha e shirat e rrëmbyeshëm në këtë fshat me pesë lagje të shtrira në kodra e lugje mes dy maleve të lartë me këmbë në kufirin me shtetin fqinj.

Merrte aq sa i jepnin. Nuk bëntë kurrë fjalë.

Vonë u mësua që kishte vetëm kokën dhe asnjeri nga familja. U shërbente pak familjeve me pleq të moçëm dhe këta, e shpërblenin jo keq për punën që kryente. Herë me lekët e pensioneve të vogla që ua çonin në fshat çdo muaj nga posta dhe ndonjëherë me euro që ua sillnin fëmijet nga emigracioni në Greqi. E vetmja pasuri e Janit, ishte nje motor i vogel me të cilin lëvizte nëpër lagjet e fshatit ose kur shkonte për ndonjë porosi deri ne qendër të bashkisë. Pinte ndonjë kafe në vatrat e vendasve kur e ftonin, ose nje gotë raki, por ushqimin e gatuante vetë në konakun e braktisur të Cakajve ku e kishte caktuar pleqësia pesë vite më parë.

Si i huaj, bujtës në fshat, askujt nuk i rëndej nga vendasit. Përkundrazi. E kishin si njeriun e tyre të afërt.

Atë çast tragjik kur i ndodhi aksidenti me motor në rrëpirat e shtufës në Bregun e Raqit që mbajnë lagështi çdo mot, Jani ishte nisur me motor të çonte bukën dhe disa ilaçe te Mana Aretia, një 96 vjeçare që jetonte e vetmuar në lagjen Nicat, më e largëta nga pesë lagjet e Lizatit..

Nëntë pleqtë e mbetur në fshat dhe kryeplaku Misto, dhjetë, përfaqësonin të dhjete shtëpitë me oxhaqe që nxirrnin tym nga vjeshta e dytë deri në mars.


* **

Vdekja e Janit në fshatin e largët ra si një gur që rrëzohet papritur nga një mur i vjetër prej shirave të rrëmbyeshëm të vjeshtës.

Tani, kryeplaku dhe dy të tjerë të pleqësisë, ishin një hall. I vdekuri , duhej kallur në dheun e butë të fshatit, shumë-shumë të nesërmen. Sepse puna nuk priste,. .

Kryeplaku Misto, sipas rregullit kish njoftuar inspektorin e policisë në zonë, Bertin po edhe ata të bashkisë.

“Nëse nuk do ta varrosni ju në fshat, njoftoni sot, deri në mbrëmje në orën 18.00 të lajmërojmë ata të bashkisë që të vijnë ta marrin”.-i pat thënë njeriu i policisë.

Kishte ndoshta edhe tri orë deri në fjalpërgjigjen e fshatit nëse do ta mbanin të vdekurin, apo do ta lëshonin për ku te mendonte bashkia me të shumtit e tjerë…

-Ç’ do bëjmë me Janin?-iu drejtua Misto më të mocmit nga të nëntë të moshuarit e fshatit.

-Ti si thua?-iu kthye ky.-Ti je kryeplak dhe fjala jote peshon në pleqësi.

-Nuk e di. Ty te kemi më të madhin këtu. Je, sa gjyshi im.-

-Ma thuaj mendimin tënd, ta them edhe unë timin, hë bir?

-Janin, do ta mbajmë në fshat! Ky është mendimi im … po e do ta dish-tha Misto.

-Nëma dorën! Të lumtë, o bir! Je tamam sikur ke hyrë në mendjen time. Këtu, do ta mbajmë. Jetoi pesë vjet e ca me ne. U bë si djali jonë.

- E shkuar djemve, na shërbeu,- u hodh tjetri. - Nuk la portë e mur e gardh, pa vënë dorën Jani…

Janeli i klubit mbante vesh dhe solli rakitë bashkë me kafetë.

-I paharruar Jani!-iu drejtua ai Mistos, kryeplakut 40 vjecar.

-I paharrurar –ia ktheu ky mendueshëm.

Pastaj vështroi orën në dorë. Ishte 6 e mbrëmjes. Nxori nga xhepi telefonin dhe kërkoi inspektorin e policisë të zonës.

-Aloo?-Me dëgjon?...Kryeplaku i Lizatit jam. …Përgjigja e pleqësisë është se nuk e japim Janin. Janin, do ta mbajmë këtu në fshat. Faleminderit prej teje !.Të jesh mirë!

-Bravo pedhja-tha më i mocmi nga burrat…-Po kemi edhe dy halle të tjera tani.

Të tjerët, panë të habitur nga i mocmi që kish shkelur të 88-tat.

-Halli i parë është: ku do ta varrosim Janin e shkretë?

Të tjerët panë me hapi njeri-tjetrin.

Me i moçmi ia nisi përsëdyti:

-Halli tjetër është: Ku do ta mbajme deri nesër paradite ?

-Si, ku do ta mbajmë?! Atje ku është, në shtëpinë ku jetoi pesë vite e kusur.

?...

-Po, mor po…atje …Po Duhen bërë hazër ca gjera..Do njoftuar bashkia, duhet arkëmorti…

-Këto, i kam bërë .Kam folur,-tha Misto.- Nesër, në tetë, na i sjellin në mëngjes me makinë të bashkisë, bashkë me dy punëtorët e gropës….

…………..

-Po vendi ku do ta varrosim? Ai është myslimam, ne të krishterë…..me varrezat tona….

-Edhe?

-Po varrezat janë për ne, të krishterët…

-Të pyesim për këtë…..

-Kë do pyesim? Zotin?

-Zotin jo, por atë që përcjell fjalën e Tij në anët tona. Papa Dhionisin...

-Celularin!....


***

Në klubin e vogël të fshatit, njerëzit e pakët ishin malluar të piqeshin me njeri-tjetrin.

Ishte ndezur një sobë e vjetër dhe drutë e lisit tek digjeshin, shpërndanin një dritë dhe ndjesi të ëmbël përreth. Te ish Mapoja e dikurshme e adoptuar tani në një dhomëklub, dëgjoheshiun porositë e pak njerëzve:

- Kafe-raki, kafe raki…

Edhe për Papa Dhionisin…raki-kafe…-tha dikush.

Më i moshuari foli si me vete “Eh, more Jani, shtepi më shtëpi, është dora jote, … more kajmenos*)… (i shkretë...)

U vendos një heshtje që e prishi Misto:

-E dini more miq, cfarë kishte në xhepa Jani kur e gjetën pa shpirt bashkë me motorin?

Të tjerët cakërdisën sytë nga habia…

Misto, nxori nga xhepi disa copa letrash ta palosura dhe nisi të lexojë

Ai nisi te lexoje disa letra te palosura.

-“Mana Aretia, paracetamol, 6 pako,…. mana Leftero…..për kyçet, fol me doktorin në Qëndrën shëndetësore D… për një ilacç …

Barba Ndrio…gjilpërat për reumatizëm…,mana Maleko…ilaçe për tensionin…..

Janeli, i moshuari pronar i dyqanklubit, hoqi në shpirt…

-Ishte shpirt njeriu, Jani.! Ç’i duam llafet.. Erdhi si “I huaj” dhe na u bë i shtëpisë. Zoti ta çojë në parajsë…

Pastaj bisedat u vërtitën rreth të ndjerit nga viset e Librazhdit.

Petro: -Jani ose Arjani erdhi nga Librazhdi dhe më tregonte se ishte rritur bonjak nga xhaxhai i tij, pasi i ati e pati lënë të vogël . Më tregonte kur punonte te konakët e mi, se ishte përpjekur disa herë të kalonte sinorin shtetëror me Greqinë andej nga Korca dhe Erseka po edhe nga Përmeti. Nuk i eci. Pa dokumenta, e kishiun rikthyer pas.

Lefteri: - Kujtoj se dikush i pati thënë se kurbeti i tij ishte i vonuar. Le të shkonte andej nga fshatrat e minoritetit grek se janë njërëz të mirë dhe kanë nevojë për punë, se të rinjtë u kanë ikur që të gjithë në Greqi.

Janeli i klubit: -Mbaj mend kur shkeli për herë të parë në fshatin tonë.Hyri në klub i hutuar. I fola në gjuhën tonë: -Ti tha paris, pedhi?*). (….)

Një kafe. Shqeto, ma ktheu.-Nuk di greqisht .Kam ardhur për punë…me tha. Kush ka punë, cdo lloj pune, të më thotë, unë e bëj…Punoi në fillim sipër, në Leskovec . Pak nga pak e njohën të gjithë që ishte miku i punës dhe gojësheqer.

Gligori: -E dini që emrin ia ngjita unë? Po. Unë. Unë do të flas Jani, more Arjan. Të mbetet qejfi?Jo, më tha. Si ta kesh kollaj. Dhe I mbeti Jani. Jani, eja të krastitësh ullinjtë, Jani, më ka rënë muri, Jani, kam dy pika në cati…Kudo, Jani. Kallo pedhi. Flori njeri.

Harrallambi:-Motorin e vogel papaq, ja falën djemtë e Ndrios. I rregulloi baterinë.. I ngjiti një skare nga pas ku shkruante: “Bëjmë dru për dimër. Mbledhim ullinj .Tel………”

-U prehtë në paqe!

-Në parajsë,- u dëgjua si në kor nga njerëzit e klubit të vogël atë mbremjë.


***

Jashtë ishte muzg dhe siluetat e maleve përreth mezi shquheshin. Hena kish nxjerrë bririn e saj te artë përmbi Shedenik. Pak drita publike të zbehta pranë dyqanit të Janelit, luanin me gjethet e fundit të rrepeve të mbetura majave. Zhurmat e erërave që vinin prej maleve të Murganës, zbardhur majash me borë. Tek përplaseshin me degët e rrepeve të lumit dhe telat e shtyllave të pakta të ndricimit, krijonin një muzikë me simfoni vjeshte në fshatin malor.

65 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page