
Ç’është kështu!?
Ç’është kështu, ky qiell i Jonit!
Një qilim mbi detin blu.
Një buqetë me re të bardha,
Si pirat i syve t’ tu.
Ç’është kështu, ky qiell i Jonit!
Myshkun ka përherë ushqim.
Flokë të artë, rrezet e hënës,
Puth tërë yjet gjer n’agim.
Nga Palasa në Ksamil,
Në sekondë ne vemë e vimë.
Më ndjek pas ky qiell i Jonit.
Fle k’tu brenda shpirtit tim.
Ç’është kështu, ky qiell i Jonit!
Pse më ngjan me një valltar?
Pogonishten heq rreth diellit.
Jo mor jo, nuk është i marrë.
Ç’është kështu, ky qiell i Jonit!
Një kapele ding me shi.
Majë më majë nduk qiparisat.
Me ullinjtë bën dashuri.
Nga Ksamili në Palasë
Më mbulon me gjelbërim.
Dhe më zhyt në shtratin blu,
Dehur me polifoninë.
Tjetër – tjetër…
Kalo n’atë rrugicë të vjetër,
Ku ne na fshihte nata.
Ku ne dhuronim puthje - puthje
Pa pyetur nga vapa.
Dikur atje ne ishim gjetur,
Mes mureve të vjetër.
Kujtimi varur kishte mbetur
Veç puthjeve, edhe:
Tjetër - tjetër…
Kalo atje, nën qiellin paanë,
Aty na gjente agimi.
Ku shtrati ynë s’kish mure, tavan,
Po qiell - mbulojë gëzimi.
Ndalo atje ku ishim gjetur.
N’atë rrugicë të vjetër.
Dhe pse kujtimi paska fjetur
Bashkë me refrenin:
Tjetër - tjetër.
Shi i pranverës sime
Shi i pranverës sime,
Sa të duash bjer!
Më kot kërkon t’më pengosh në këtë botë,
Netëve, kur përtej digjen yjet.
Gjurmët e hapave të mia s’m’i fshin dot.
Shi i pranverës sime,
Bjer, gjer n’agim!
S’e fsheh dot me zhuzhitjen tënde
Ecjen time në vite
Drejt zemrave të lënduara të popullit tim.
Shi i pranverës sime!
Piklat e tua, sado litar,
Pranverën, dimër më s’ma kthejnë.
Jam ky që jam.
Për tokë rrëzuar, kurrë s’do të më gjejnë.
Baba Tomorri
Po bie nata mbi trotuare, mbi to edhe dritat LED
E kushdo që të vjen përballë, sjell një fytyrë të zbehtë.
Bri kangjeleve të Portit, çmenden makinat, si në garë.
Mes këmbëve të ulërijnë qentë. Uria i bën guximtarë…
Guximtare edhe kjo natë. Të gjitha mendimet m’i mori
Po, vë re:
Në errësirë ka mbetur ende kokëlartë vetëm Baba Tomorri.
Gjyshërit e gjyshet, pa nipër e mbesa, ngulur në divan.
Ledhatojnë macet. Ndjekin të madhërishmin Sulejman.
Përleshen ushtri. Rrokullisen kuaj. Koka priten varg.
Dhe ata gogësijnë, dremiten, po gjumi u ka ikur larg.
Kujdestare edhe kjo natë. Të gjitha ëndrrat ua mori…
As që vënë re:
Përmes dritares së hapur, i heshtur i qorton Baba Tomorri.
Po Baba Tomorri, ç’bën, atje larg, gjersa ta fshehë nata?...
Më vjen në mendje ai dekor-horror që dje ma solli darka.
Dhëmbë të hekurt në ekran: dinamit, matrapikë dhe qysqi,
I çanin kraharorin. Ia shkulnin babëzisht brinjët-shkëmbinj
E, tek i shkelja ato në trotuare të krisura, m’u ça kraharori…
S’u mbajta e thashë: është si Zoti vetë,
I plagosur dhe prapë në këmbë për jetë, ai, Baba Tomorri...
Një shaká rinore!?
Vite shumë unë të kërkova
Dhe të gjeta më në fund.
Diçka më thirri nga brenda,
Që s’e kisha ndierë kërkund.
E s’t’u ndava. Ti më dhe fletë,
Në t’përpjetë e tatëpjetë.
Jo një ditë po tërë një jetë.
Po ta them: s’e kam sekret.
Të na humbin buzëve, fjalë,
Shpirt më shpirt ngadalë-ngadalë.
Dhe sa herë kështu të të kem,
Një fllad deti do të jem.
Ndaj dhe hijen po ta ndjek,
Të të kem pranë e të të prek.
Të vallzojmë gjer përmbi det.
Zjarr t’i vemë dhe qiellit vet.
Tashmë buzëve kemi flakë.
Se e ke hak, dhe unë, po hak.
Rreze drite ti t’ më jesh,
Erë Miloti do t’më kesh.
Comments