top of page

Vaso Papaj: Një çantë shpine dhe dy puthje


Një çantë shpine dhe dy puthje

                    (Kronikë e ditës)   

 

Një çantë shpine dhe dy puthje,

Në heshtje më kaluan tutje.         

Ish mëngjes me diell të zbuar,           

Zërat n’atë rrugicë s’qenë zgjuar.

 

 Një çantë shpine dhe dy puthje,

S’ishte kjo një skenë për’puthje.            

Shtynin një karrocë të vjetër,

Një beb brenda, asgjë tjetër.

 

 E, një çast ndalën te kthesa,

Një puthje, i bekoi besa.

Tjetrën në karrocë fshehur,

Në mes, çanta, ëndrramprehur…

 

 Një çantë shpine pa dy puthjet.

Ato mbetën në kthesë, me lutjet.

Rrotat ndryshkur, rak - rak - rak.

Çanta e shpinës rrugëve, larg. 

 

 Ishe një zambak      

 

Shoh mbi qytet një kupë me yje, si lule maji, prush,

Varur mbi pullazet e lagjes tënde të vjetër,

Se zgjuar jam tërë natën, brenda syve të tu, Lasgush.

 

Fishkur janë kopshteve zambakët, nga era e marrë.

E brenda grisë së syve të tu provoj të pyes:

Përse kanë humbur buzëqeshjet përreth? Ç’ka ngjarë?

 

Miku im i largët, kurrë s’e dhe një varg kapar

Dhe drita e poetit kurrë s’të bëri plak.

Ndaj edhe kur qafa të përkundej si një kërcell i tharë,

Vura bast me veten, që ishe një zambak.

 

Dridhen n’agoni kallinjtë, misër arave s’ka më.

Seç përtypin “Ik të ikim” dhëmbëve të rinjtë,

Por edhe pse gojëhapur, prapëseprapë, s’u dilka zë.

 

Bosh qenkan stolat në park: heshtje që dua ta vras.

Si gjethe vjeshte bien vargjet e tua mbi ta.

Kur shkopi s’troket e Cuci s’të nget, jam unë që këlthas.

 

Miliona yje shoh, po ai i yti më ka mbetur në sy.

Cepin e palltos tënde s’ka erë ta tundë.

Ndaj pyes prapë e prapë: i meriton kjo botë poetë si ty?

 

Shoku im i brishtë, një mendje me ty unë ndaj:

Në këtë gjolin tënd kurrë s’do të humbas

E në qëllofsha deteve të egër, prapë ty do të të ngjaj.

Velë e bardhë do t’jem: t’ia dal në çdo tallaz.

 

 Atje ku mbaron deti

 

 Atje ku mbaron deti

E nisa jetën time

Edhe pse gjallë u ktheva,

Më rridhnin plagë pas shpine.

Se, si një dallgë qe jeta.

M’u desh veç të përshtatem.

Të numëroj frymëmarrjet

Dhe në çdo hap të matem.

 

Atje ku mbaron deti,

Një poezi të shkrova,

Më thërriste amaneti,

Me emrin  tënd e kova.

Kjo jetë nuk qe kohë flirti,

M’u desh veç të përshtatem

E pa gulçima shpirti,

Dhe në çdo hap të matem.

 

Atje ku mbaron deti,

Askund unë nuk të gjeta.

Rinia atje më mbeti,

Nëpër ca udhë të shkreta.

 

 Të zgjohesh një mëngjes

 

Të zgjohesh një mëngjes i zënë dorë për dore,

Nga lehje qensh në kor, rrugeçë në serenatë,

Kur fare pranë një frymë të ngroh si një shenjtore,

Fituar ia ke bastin Zotit, që t’solli këtë dhuratë.

 

Se dashurinë gjithnjë ke vënë në rresht të parë,

Po histori e saj është dramë me thikë e me farmak,

Ku një Romeo me Zhuljetë, pa shkuar në altar,

Fituan përjetësinë në një Veronë mbuluar gjak.

 

E koha qe një provë, e prova, plagë e thellë.

E plaga, kore nëse zuri, s’di ç’humbëtirë la pas.

Ajo që mund të them: vetminë kemi përcjellë,

Se bashkë në kohë të egra kaluam çdo tallaz.

 

Kërkuar kam gjithmonë, të them veç të vërteta.

Vërtet, e para histori e dashurisë ishte një dramë.

E unë që e besova, gjithmonë më t’mirën gjeta:

Veronë e humbëtirë i munda, e k’tu prapë, ja ku jam.

2 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page