top of page

Vaso Papaj: Kronikë kryeqytetase



Një zile e çmendur ore e tremb herët mëngjes,

Tirana ende e përgjumur, makinat tërë vesë.

Kafeja më e hidhur është kur vetëm pihet,

Ndërkohë tymi i cigares në mushkëri i fshihet.

E merr me ngutje xhinsat të hedhur mbi karrike,

Dy grushta ujë syve, përze çdo lloj dremitje.

E kthen një gotë me qumësht, të lënë atje tek rafti.

Mbi flokë kalon ca gishta, gjithçka tani është gati

Ndryshon jeta çdo ditë, më shumë i ngjan betejës.

E ka shumë më të lehtë, se gjer tani është njejës,

Por për betejë është gati, ngjason me ushtarak,

Mes turmës pret urbanin,”o burra për Laprakë”.

E të mos mbetet vetëm, si n’ëndërr kujton seksin,

Një prekje e lehtë dore, pandjerë i shton oreksin.

Shoferi shfrenon radion. “…njëzetepes’ gërshetat…”

Përpinë ai pranë vajzën, nga koka gjer te thembrat.

E zbret te kioska e shtypit, një sy... lajmet e mbrëmjes

I ftohtë ësht’ përsëri, indiferent edhe ndaj dhëmbjes.

Kronikë e zezë dhe rozë jepen emër për emër,

Për fat të tij të mirë, e ka ende një zemër.

Luftohet n‘Ukrahinë, fëmijë për jetë cunguar,

Nga mediat vijnë orteqe peizazhesh të shkrumbuar.

Po edhe pse kështu, i ftohtë nuk është ndaj dhëmbjes,

Një rresht më s’u lexon kronikave të mbrëmjes.

Ministra të përfolur, të mbrojtur nga drejtësia

Dhe britma opozitare: t’ ikë, t’ ikë qeveria!

Kudo kronikë betejash. E hedh vështrimin shtrembër,

Për fat të tij të mirë, e paska prapë një zemër.

Dhe dielli, edhe hëna i vijnë nga prapa Dajtit,

Kur kthehet në shtëpi, i thotë “shpejtohu” hapit.

E le të vijnë, të ikin, ai s’beson se ndreqet,

N’ urbanin e mëngjesit pas kthesës do të tretet.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page