top of page

Vaso papaj: Jepi zemër!...


Jepi zemër!...

 

 Jepi zemër, si gjithmonë, si të ishe vajzë e re

Në këtë botë, o mikja ime, s’ka njeri të të vër fre

Mbahu fort! Jemi bashkë. Kemi rrugë endé të gjatë

Jepi zemër, jepi xhan! Të fitojmë mbi çdo shtrëngatë.

 Atdheut, sot

 

 Sado që të përpiqem, përbrenda dhe të digjem,

Qoftë dhe një ditë pa ty, s’do t’mundem të jetoj.

Mënyrë për të shpëtuar, veç veshë e sy të shuar,

Me ty do jem dhe nëse shtrenjtë këtë do ta pagoj.

 

 Vazhdon të jesh “i keqi”, askush një herë s’të ndreqi

Dhe prapë nga gjiri yt, të iki gjallë, nuk do t’pranoj.

Se këtë “të keqe”, si të këqiat e gjithë kësaj bote,

Një ditë, do të desha, pa një mëdyshtje ta gjunjëzoj.

 

Në shpirt kam vetëm paqe, në ballë, në sy, në faqe

E brenda meje s’gjej caqe, ku mos t’më duhesh ti.

Pa ty, njeri i trembur, një qenie e kalamendur

Dhe s’bëhet ndryshe, e di?... Mos pyet përse dhe si.

 

Më rrjedh, shekuj ndër deje, e kuqja dhe e zeza

E shlodhem sa herë kokën mbi dheun tënd mbështes.

I lutem Zotit, mos të vij një ditë dhe më zë fshesa:

Vetëm një herë të t’ shoh të qeshësh, dhe le të vdes.

 

 Ah, demokraci!…


Ka kaq kohë, edhe hëna më s’ kalon këtej nga ne,

E prapë zemra fërgëllon, kur kujtoj atë dhjetor, 

Kur pranvera fort trokëlliti pragun e dimrit me re,

Ndaj përsëris prapë emrin tënd, si i yti shërbëtor.


Ah, e dashura demokraci, pse u ktheve në acar?...

E kujtoj mirë festën tënde, si arriti me aq mund…

Sa do t’doja, ai dhjetor mos të zhytej kurrë në varr

Dhe një ditë, e jotja festë, t’ishte shekull i pafund.


 Prapë mbi male suferina, prapë ka dimra pa liri,

Mos u bëj më lojë fëmijësh, një dhuratë burri prej bore.

Ndaj provoje dhe një herë, s’je një kukull për stoli:

Je shqiponja krahëfortë përmbi tokën arbërore.

 

Mikja ime, as në ëndrra, tërë natën nuk m’u ndave. 

Morën rrugën dallëndyshet, të kërkonin botë të mbara. 

Për triumfe e dështime folëm gjatë dhe ti m’u qave.

-Ktheu në atë dhjetor,- më the. - Prapë t’ia nisim nga e para.


 S’të premtova      

 

S’të premtova mëngjese me diell

Në një dimër pa fund.

As net të purpurta,


Që atëherë s’gjendeshin kërkund.

S’të premtova as agime të përgjumur 


Në kështjella përmbi retë.

As dashuri të gurta,


Me pabesi ushqyer, nga besa vet.

S’të premtova parajsë tokësore


Rrethuar me ferr, pa purgator.


As lumturi false me ngjyra.


Ku dhjetori të ngjante qershor.

S’të premtova plazhe, yje hotelesh


Mbrëmje rrethuar me gota.


As vila, kopshte kotelesh,


Që askush s’u trokiste tek porta.

Ti e di: vetëm një gjë të premtova,


Sido të ishte: dimër, pranverë, 


Edhe në mbrëmjet e pagoja,


Në zemrën tënde të strukesha përherë.

Kur heshtja troket...     

 (Brezit tim dhe jo vetëm)

 

Një shtëpizë atje në kodër ka pesë vjet që po ju pret.

Sa djersijnë muret e saj kur në portë një çel’s kërcet.

Mezi pret t’u ndjejë aromën dhe pse jeni të dy pleq.

Djersë a lot, muret e vjetër, s’di ç’të kenë, s’e di vërtet.

 

Nga kuzhina gjer në dhomë, as që jeni ndarë një jetë.

Ndien ajo ca tinguj hapash, më në fund të shkelin lehtë.

Trëndafilat, tharë të gjitha, s’u ka mbetur gjemb as fletë.

Ora, ngjan fytyrë njeriu, në mur ndalur, tash pesë vjet.

 

I ngjan djalit më të vogël, burrë tani, është në kurbet.

Dhe akrepat, gojë e mbyllur, cepa buzësh varur krejt.

Ngrirë te pesa dhe te teta: si atëherë, fiks: pesë pa njëzet.

Sa trishtim, netëve pa gjumë, kur heshtja si lugat troket.

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page