Akademik Vasil S. Tole: DY FJALË PËR PIRRO BREGAJN, BIBLIBILIN E KANINËS
Brenda muzikës dhe fjalëve të këngëve që Pirro këndoi është jeta e shqiptarit, trimëritë, dashuritë, miqësitë, besa, humori, ndodhitë, dasmat e vajet, gjithshka që duhet të mbetet si trashëgimi për brezat
Djem më bëni derman,
të këndoj një këngë tabani.
Aty dua të mbyll syn,
aty të më dalë xhani.
Janë vargjet e fundit që Pirro shkroi në Firenze, Itali më 11 nëntor 2024, ora 06.00 e mëngjesit, dy javë para se të ndahej nga jeta më 27 nëntor, në moshën 62 vjeçare. I solla këto vargje, se aty gjej thelbin e asaj që Pirro ishte, banor i rrënjës e këngëtar i lindur, i lidhur ngushtë me trashëgiminë e madhe muzikore popullore të Labërisë, e njëherazi shqiptar patriot, nga ata që e kanë të shenjtë atdheun. Pirroja ishte djalë i Kaninës, aty ku kishte lindur edhe Ismail Qemali, Ati i Pavarësisë sonë. Jo më kot, në vitin 2015 e emërtoi grupin polifonik ku bënte pjesë, me emrin “Ismail Qemali”.
Pirro u identifikua me Kaninën, fillimisht si banor i saj, e më pas si pjesë e grupit e si drejtues në rolin e marrësit të këngës. Të mos harrojmë se Kanina kishte një traditë epike të këndimit të polifonisë, që lidhet fillimisht me emrin e këngëtarit Adem Mersini, i njohur në muzikë si stili “babademçe”, me më shumë se 90 këngë pleqërisht të kënduara prej tij, e më pas me emrat e Zaçe dhe Maleq Kapllanit. Piro ishte vazhduesi më konseguent i kësaj tradite të madhe të Kaninës duke filluar nga fundi i viteve 1970. Ndër këngët e shumta të kënduara nga Pirro dhe grupi, përmendim: “Ju thërret Kanina”, “Në baçen tënde”, “Nëna ime e dashur”, “Hajde të shkëmbejmë sytë”, “Vito mu bëre në gjumë”, “Ngrihu moj Mamude”, “E vogël e bukur moj Parashqevi”, “Frynte Llogarai”, “Në bedenat e kalasë nënë hijen e ullinjve”, “Plaku me mjekër të bardhë”, “Dallgët buzë Jonit”, “Më dhembi zemra më dhembi”, “Vito m’u bëre në gjumë”, “Vajta në Pazar i mjeri”, “Xhan o moj Alie”, etj.
Brenda muzikës dhe fjalëve të këngëve që Pirro këndoi është jeta e shqiptarit, trimëritë, dashuritë, miqësitë, besa, humori, ndodhitë, dasmat e vajet, gjithshka që duhet të mbetet si trashëgimi për brezat. Ndryshe nga disa grupe polifonike të pas viteve 1990 që kultivuan një tip kënge të re të Labërisë, me subjekte të reja, që buronin nga aktualiteti, Pirro dhe grupi i Kaninës u shquan për vazhdimin e stilit të këndimit tradicional popullor, duke i risjellë këngët më të mira të polifonisë qindra vjeçare labe në një dritë e qasje të re, qasje që buronte nga mënyra e tij e këndimit dhe individualiteti i spikatur artistik i tij.
E njoha Pirron nga afër në fillim të viteve 2000. Siç thotë populli, sebep u bë një nismë e atyre viteve, ku si Drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës synonim të dokumentonim këngët labe të kënduara nga grupet e fshatrave të Labërisë, drejtpërsëdrejti nga ata, të cilët po e mbanin gjallë këtë traditë unike. Ishte koha kur po shteti po rikthente vëmendjen nga trashëgimia jo materiale. Një festival i përvitshëm nisi të organizohej për polifoninë në Vlorë, dhe për herë të parë në vitin 2003 futëm konceptin e “trashëgimisë jo materiale” edhe në ligjin e ri “Për trashëgiminë kulturore”, i cili u hartua dhe aprovua nga Kuvendi i Shqipërisë. Pak kohë më pas, më 25 nëntor 2005, finalizuam edhe praktikën për shpalljen e polifonisë me iso si pjesë e listës përfaqësuese të dukurive jo materiale që mbrohen nga UNESCO.
E kam si tani në kujtesë kur u takova nga afër me Pirron. Pajisjet e regjistrimit i kishim instaluar në skenën e teatrit “Petro Marko”, në Vlorë. Kur i erdhi rradha grupit të Kaninës, shoh në krye të tyre një burrë buzagas, që fliste sikur këndonte, sepse fjalët i kumbonin me një muzikalitet të veçantë. Duhej të ishte dita e dytë e regjistrimeve, të cilat po i kryenim së bashku me ish studentin tim, kompozitorin Edi Balili, tani koleg e mik. Ndërkohë kishim regjistruar grupe të shquara si ato nga Vranishti, Himara, Vezhdanishti, Dukati, Tragjasi, Armeni, Delvina, Brati etj, me këngëtarë të papërsëritshëm si Lesko e Arap Celoleskaj, Katina Bejleri, Rrahman Nuredini, Kalo Bregu, Fatosh Likoj, Vendim Zykaj, Vasil Sera, Ajet Duka, Sinan Gjoleka etj, instrumentistë si Vendim Kapaj.
Isha vërtet kurioz të dëgjoja grupin e Kaninës dhe pritja nuk më zhgënjeu. Treguesit e aparaturave të regjistrimit u lëkundën çuditshëm, sapo zëri brilant i Pirros ja mori këngës. Nuk kishte nevojë për prova, direkt regjistruan disa këngë të kënduara nga Pirro dhe grupi, me hedhës Fatjon Hysenaj dhe kthyes Petro Limaj. Këngët reflektonin një unitet kaq të madh sa gjithshka shkonte vaj. Në grupe të tilla është fare e qartë se ata që këndojnë nuk janë thjesht këngëtarë, por së pari janë pjesë e një bashkësie njerëzish, që ndajnë vlera e koncepte të përbashkëta mes tyre, e që pastaj ja marrin edhe këngës apo valles. Ky unitet ndjehej, tek qartësia e linjave të këngëtarëve solistë (marrësit, hedhësit dhe kthyesit), e sigurisht tek soliditeti i isos. “Kënga na shoqëroftë çdo ditë të jetës tonë”-thoshte Pirua. Në CD-në me numura të zgjedhura që e publikuam më pas me titullin “Polifonia labe”, përfshimë dy këngë të mrekullueshme të tyre: këngën lirike “M’u në baçen tënde dyzet rrënjë mollë” dhe atë humoristike “Vajta në Pazar i mjeri”.
Nga Piro mësova që këngën e kishte në gjak dhe kishte filluar prej fëmijërisë të këndonte këngët e popullit. Shumë shpejt u bë pjesë e grupeve të ndryshme duke marrë pjesë në koncerte e aktivitete në Kaninë e më pas në Vlorë, për të kulmuar me pjesëmarrjet në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës e pas viteve 1990 edhe në shumë media e vende të botës, ku prezantoi me dinjitet këngën e Labërisë.
Megjithëse profesionin nuk e kishte të lidhur me muzikën, gjithë qenia e tij përshfaqej artistikisht përmes këngës. Për të mund të thuhet që këndoi deri në fund të jetës. Më datën 8 tetor 2024, këndon këngën “Hajde të shkëmbejmë sytë”, bashkë me këngëtarin e madh të Tepelenës Golik Jaupin; në qershor të 2024 Pirro dhe grupi regjistroi këngën “Ju thërret Kanina”, një thirrje për kaniniotët që të kthehen në vendlindje për ta begatuar atë; më 14 nëntor 2024, megjithëse në spital, shkruante me preokupim për përgatitjet që duheshin bërë për përvjetorin e 112 të Pavarësisë që do të festohej pas pak ditësh, ndërkohë që përballej me sëmundjen dhe merrte mesazhe inkurajimi përmes këngës, nga shokët e grupit. Eshtë prekëse kur dëgjon vargjet e kënduara për të:
Mos u mërzit o vëlla!
Sëmundja kështu e ka!
Po ty të bën marshalla,
se je rrit në atë kala!
Pirro u largua fizikisht, por pas mbeti zëri, trashëgimia e tij muzikore dhe kujtimet për të. Përtej dhimbjes që la për familjen dhe për ne, miqtë e tij largimi i parakohshëm, duke u mësuar me këte fakt, na duhet të pohojmë se ishim me fat që patëm një familjar, mik, shok e këngëtar të rrallë si Pirro Bregaj, shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës dhe “Mirënjohje” e Vlorës, pas vdekjes. Zëri dhe këngët e tij e të grupit, janë pjesë e dosjes së polifonisë me iso që ruhet në UNESCO, krahas dhjetra emrave më të mëdhenj të interpretimit të polifonisë me iso nga Usta Laver Bariu, tek Demir Zyko, Xhevat Avdalli etj!
Po e mbyll me fjalët e Piros: “… jeta është e shtrenjtë, prandaj është e shkurtër, të falim buzëqeshje, të falim dashuri!”
I paharruar bilbili i Kaninës Piro Bregaj!
תגובות