top of page

Vasil Premçi: Udhëtimi i poezisë moderne mbi shtratin e poezisë lirike popullore



       Ese

 

Me sa duket,  në pranverë nuk ndodhin vetëm vërshimet e lumenjve, por edhe  vërshimet e poetëve.  Këtë pranverë poeti Fatmir Musaj vjen  para lexuesve me shtatë vëllime poetike:

Anonimi i artë, Barbiky, Ditë pas dite, E di një shteg, Haiku-Vlagë e mëndafshtë, Poetikë yjesh dhe Njeriu i pamundur. 

Tamtika e këtyre poezive ka ndriçimin e ngjyrave të një ylberi pranveror; refleksione të larmishme mbi fenomenet e jetës.

Sikundër cilësitë fizike që e dallojnë njeriun nga të të tjerët,  ashtu edhe çdo poet dallohet nga  cilësi dhe karakteristika të veçanta poetike. Fatmir Musain e shquan kjo mjeshtri e spikatur dhe e lëmuar si një pasqyrlinë.  Përgjithësisht ai ka shfrytëzuar format tradicionale të poezive lirike popullore. Kjo trashëgimi e vjetër stilistike i ka shërbyer si një lloj humusi bimës së re poetike që hedh shtat fuqishëm dhe që në sajë të figuracionit poetik dhe ideve që mbartin  i shndërrojnë ato në  poezi bashkëkohore.  Kjo teknikë poetike i jep lexuesit një kënaqësi të veçante estetike.

Poezitë e Fatmirit të kujtojnë një observator që  përthyen shumë anë e fusha të përditëshmërisë së jetës; edhe historinë, gjeogrfinë, trimërinë si fenomene jetësore.

 

F.Musai ka shfrytëzuar struktura  të njohura të poezive lirike popullore dhe ka ditur t’i shmanget fenomenit aq të rrezikshm të plagjiturës. Me këtw rast dshiroj të sjell në vemendjen e lexuesit konceptin e studiuesit të zëshëm argjentinas, Lui Jorgo Borgesit për plagjiaturën. Afërësiht ai thotë: Tjëtër gjë nga plagjatura është kur krijuesi ndërton mbi një ide apo vepër të njohur katin e dytë apo të tretë të asaj  vepre.

 

 

 

KU... KU...?!

 

"O postë më postë

Kartë të dërgoj..."

Nga folklori

 

Ç'hall i madh e kishte zënë

Për Jasminën tej në lëmë?

 

Tak me sy, tak me qepallë,

Veç i rritej mall i valë.

 

Deri sa ndodhi hataja,

U zhduk vasha si sermaja!...

 

Shkroi karta një vandak,

Postë më postë ia çoi varg.

 

Po veç era si zezonë

Seç i 'gjegjej me jehonë!

 

Ca habere fort të lashta

Ngriti lart si tym nga kashta.

 

Porsi ujku i pangrënë

Sokëllinte ndënë hënë.

 

Thirr Jasminë e Jasminë s'ka

As me këngën majëkrah!

 

As me zogj e as me kartë,

As me hënën nëpër natë.

 

Edhe plasi, s'di se ku,

Pëllumb poste - guguftu!

 

... Një Jasminë kërkon: Ku-kuuu?...

Postë më postë e dru më dru!

 

 Udhtimi i poezisë moderne në shtratin e poezisë lirike popullore, përbën një proces të thellë dhe të bukur të ndikimit dhe përshtatjes së poezisë moderne me elementët e poezisë lirike popullore, një lloj fuzioni mes të kaluarës dhe të tashmes, ku tradita dhe moderniteti ndërthuren për të krijuar një poezi të pasur dhe  shumëdimensionale.

Poezia popullore është një shprehje e thellë e kulturës, historisë dhe identitetit të një populli. Ajo është e mbushur me emocione, ndjenja të thella dhe një lidhje me natyrën, jetën e përditshme dhe problemet ekzistenciale të individëve. Poezia moderne, nga ana tjetër, është një zhvillim i mëtejshëm i këtyre elementeve, duke përdorur forma dhe stile të reja, shpesh me një thellësi filozofike më të madhe dhe një kërkim më të thellë të ndjenjave dhe ideve.

Poezia e Fatmir Musajt është një shembull i shkëlqyer i kësaj lidhjeje, ku ai shfrytëzon formën e vjetër poetike, por në të njëjtën kohë, e pasuron atë me elemente dhe teknika moderne që e bëjnë atë të rilexohet dhe të kuptohet në një kontekst bashkëkohor. Ai përdor simbolika, metafora dhe figura poetike të thella që janë karakteristike të poezisë moderne, por gjithashtu mbetet i lidhur me temat tradicionale të poezisë popullore, si dashuria, malli, humbja dhe vuajtja.

           Shkrimtari dhe poeti Fatmir Musai

Fatmir Musaj është një mjeshtër i përdorimit të strukturave tradicionale të poezisë popullore. Në poezin “Ngrirje e qelqtë”, ai përdor imagjinatën popullore, duke i referuar ngjarjeve historike dhe figurave të njohura të kulturës shqiptare, si dhe duke përshkruar një qëndrim të poetit për ndodhitë e së kaluarës, veçanërisht periudhën e sundimit osman. Poezia e tij sjell një pasqyrë të gjallë të asaj periudhe, duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, por me një ngarkesë të thellë emocionale, që i jep lexuesit mundësinë të ndiejë dhimbjen dhe vuajtjet e përjetuara nga ato ngjarje.

Poezitë: "Semafor i hershëm" dhe "Kënga e Dudisës" janë po ashtu një pasqyrë e pasur e traditës popullore, duke përdorur figura dhe motive që janë pjesë e kulturës shqiptare, por që janë të pasura me një kuptim më të thellë dhe më të nuancuar. Ajo që është interesante në këto poezi është se autori ruan autencitetin e gjuhës popullore, duke e pasuruar atë me një stil modern dhe duke e shprehur këtë në një mënyrë të thjeshtë dhe të prekshme.

 

SEMAFOR I HERSHËM

 

Kjo sevdaja jote

Më shtiu në dhe,

Halli përmbi hall,

Hanko Selime!

 

Ti kërkon fustan,

Unë s'kam me se!

 

...Urës së Qabesë

Nuk mbeta nizam,

Për një pendë qe

S'shitet një jaran!

 

Unë s'kam me se,

Ti kërkon fustan!

 

... Shpirtin ty ta dhashë,

Pa kapar, fajde,

Mos më ha si mola,

Si krimbi nën dhe!

 

Ti kërkon fustan

Të bësh hergjele*!

... Historinë tonë

Askush nuk e ble',

 

Livadhis pa frerë,

Murga Selime!

Që kërkon fustan,

Unë s'kam me se!

Lidhjet e poezisë popullore dhe asaj moderne Fatmir Musaj i krijon duke e transformuar poezinë tradicionale dhe duke i dhënë asaj forma të reja shprehjeje. Ky “Udhtim" i poezisë moderne mbi shtratin e poezisë lirike popullore” është një proces i vazhdueshëm transformimi dhe evolucioni, i cili dshmon artistikisht se edhe poezia moderne mund të rinohet më tej kur rrënjët e saj ushqehen te poezia popullore.

Në poezitë: “Durim Malli” dhe “Astrologji”, Musaj përdor një gjuhë dhe struktur tradicionale, por me një përqendrim më të madh në dëshirat dhe shqetësimet moderne, që pasqyrojnë më mirë realitetin bashkëkohor. Përmes këtij "udhëtimi", poeti i jep një zë të ri dhe një kuptim më të thellë poezisë popullore, duke e ruajtur identitetin e saj dhe duke e përdorur atë si një mjet për të shprehur edhe ndjenja dhe ide që janë të lidhura me përvojat njerwzore  në kohët moderne.

ASTROLOGJI

 

"Ka zbritur ndë Korçë

Një Dervish Ali,

I ulur mbi skamje

Shkruan hajmali,

Ca i bën për ethe,

Ca për dashuri."

Popullore, Korçare

 

Një Dervish Ali me mjekërr të gjatë,

Edhe pa skoli na i çmendi gratë!

 

Këmbëkryq mbi shilte, ulur mbi skamje,

Vizaton ca vemje marrë në Edrene.

 

I varin në qafë gratë me përdëllim,

Çupat në mes gjinjve i fshehin si krim.

 

Cave tartakuti ethe se ç’u kall,

Ca i zë skorbuti me dhëmbë e dhëmballë!

 

... Po dervishi ynë sot ka epilog,

Ka disa diploma dhe është astrolog!

 

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i poezisë së Musajt është tematika e dashurisë dhe e vuajtjes, që është gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme e poezisë popullore, por që Musaj e trajton në një mënyrë më filozofike dhe më të thellë. Në poezinë “Ndjesë, nana Nepit!”, ai thekson se vuajtja është një pjesë e pashmangshme e jetës, dhe se ndjenjat dhe emocione janë gjithashtu të përjetshme, siç janë poezitë popullore që kalojnë përmes brezave dhe vazhdojnë të ndikojnë dhe të formojnë identitetin e një kombi.

 

NDJESË, NANA NEPIT!

 

Kaloi një vit dhe dot s'ta bëra varrin,

S'më la "Buka e Përditshme" që duhej të haja sot!

... Më marrtë dreqi dhe mua hallemadhin,

Harrova se përditshmëria s'matet me lotë!

 

Ndjesë, Nana Nepi

Që më prite motmot!

 

Në shumë prej poezive të Musajt, mund të vërehet një kritikë e thellë ndaj shoqërisë dhe jetës moderne, ku ai përdor humorin dhe ironinë për të shprehur mendime filozofike mbi jetën, fatin apo edhe drejtësinë.

 

HUMOR I ZI

 

Më thotë gruaja:- More burrë,

Si mënjanë s'vure një lek?!

I them prerë:- Kam damkë një vulë

Që më thotë "S'mban qeni brekë!"

 

- Kur të iki nga kjo botë, mos u frik,

Se nga darovat* do të dalësh jek e jek*!

 

Poezia “Me kandar e me karar...” kritikon simbolin e drejtësisë dhe e paraqet atë si një institucion që mund të jetë njollosur nga korrupsioni dhe padrejtësia, një reflektim i mprehtë mbi ndjeshmërinë dhe moralitetin në shoqërinë bashkëkohore.

ME KANDAR E ME KARAR...!

 

Emblema e admirueshme e drejtësisë,

Ajo gruaja me peshore e shpatë në dorë,

A nuk do të ishte sombol i mirësisë

Të ishte pa sy të lidhur e të ikte qorr?!

 

Se me sy të lidhur ecet fare pak

E vërtetë mund të godasësh çdo korrupsion,

Po kështu bëhemi robotë pa psikologji

Ku të thatët djegin dhe një të njomë!

 

... Hiqe fashën e syve, Drejtësi,

Mos ki frikë të më shohësh edhe si Njeri!

 

Udhëtimi i poezisë moderne në shtratin e poezisë lirike popullore është një proces i pandërprerë dhe krijues që pasuron të dyja traditat. Poezia e Fatmir Musajt është një shembull i mrekullueshëm i mënyrës se si poezia moderne mund të përfitojë nga elementët e traditës, duke krijuar një harmoni mes të kaluarës dhe të tashmes. Ai e ruan thelbin e poezisë popullore, por gjithashtu i shton një dimension të ri dhe më të thellë, që i jep lexuesve mundësinë të përjetojnë një pasuri të dyfishtë – atë të kulturës popullore dhe të asaj moderne.

 

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page