Lëkundjet e “tërmetit” që rrahin të përmbysin format dhe përmbajtjen e romanit tradicional nuk mund të mos prekin të gjitha katet dhe elemetët përbërës të godinës së letërsisë. Pra edhe tregimin; gjininë më të koncetruar të prozës, struktura e të cilit krijon mundësi për zhvillime te reja. Proza e ideologjizuar e pas Revolucionit të Tetorit ua solli në majë të hundës shkrimtarëve sovjetikë të cilët iu vunë kërkimeve për një prozë të re. Në vitet ’70 -’80, një grup shkrimtarësh moskovitë u shfaqën para lexuesve me një lloj letërsie që përfaqësonte në vetvete edhe një protestë ndaj letërsisë zyrtare.
Në shenjestrën e saj u vunë idealet patetike, entusiazmi fals, premtimet ideologjike e filozofike nëpërmjet parrullave të mumifikuara me përmbajtje joshëse, por njëherësh edhe absurde. Krijimtaria e njërit prej tyre, Andrej Sinjavskit (1925-1997) u botua në perëndim me emrin Abram Terc.
Vetë Andrej Sinjavski ishte shprehur: “Pas Shtëpisë së Matrionës ta përsëritësh po këtë variant në motërzime të pafundme të prozës ruse, kozake, kirkize është e pakuptimtë. Nuk shoh rrugëdalje as në shtjellimin e temave politike. As në shndërrimin e energjisë shoqërore në seksuale. E thënë më shkurt, të krijohet ndjenja e qorrsokakut.
...një ndjenjë të tillë të ngjashme provuan dhe futuristët në fillim të shek. XX. Por kjo ndjesi pa rrugëdalje shfaqej në sfondin e një rritjeje të paparë të poezisë ruse, të simbolizmit në rradhë të parë dhe të akmeizmit. Dhe kjo është një përparësi e madhe, krahasuar me kohën tonë“. (Mehr Licht! Nëntor 2013, faqe 165).
Për lexuesin po sjellim fillimin e tregimit Zinxhirka e Artë, i A. Sinjavskit, (botuar në revistën Mehr Licht! Nëntor 2013, faqe 165) i cili paraqitet si modeli i prozës së re ruse:
-Mos e ke këpucën time të famshme?
-Po e kam.
-Ti e ke shandanin tim të artë?
-Jo nuk e kam.
-Çfarë sheqeri ke?
-Kam sheqerin tënd të hatashëm.
-Çfarë çizme ke?
-Kam çizmen tënde prej lekure.
-Mos ma ke gjë mjellmën?
-Jo, unë kam timen.
-Mos e ke thikën time të vjetër?
-Unë kamë një thikë të bukur.
-Çfarë feneri ke?
-Kam fenerin tënd të vjetër.
-A keni vallë tryezë të re?
-Unë kam një tryezë të vjetër.
-Mos keni një shtëpi të madhe?
-Kam një shtëpi të madhe, të bukur.
-A mos ke ketrin tim të vogël?
-Po, e kam,
-Mos keni një thikë të artë?
-Po, e kam një thikë të artë.
-Mos keni vallë një shandan prej sermi?
-Kam shandan prej kallaji.
-Mos ma keni zinxhirkën e artë?
-Po, e kam.
Tregimi vijon t’u përgjigjet kërkesave dhe kalon në format e shprehjeve: “Por nga ana tjetër”, “Dhe ndërkohë” dhe “Megjithatë”. Etj., etj.
*
Meqenëse në fushën e artit përleshen epokat, çdo vepër letrare synon të shpërfaqë diçka të re, duke mohuar si nga struktura ashtu edhe nga forma, pjesë të së shkuarës nga edhe ka lindur. Por si shkrimtarët tradicionalistë, ashtu edhe ata që kërkojnë reformimin e tij, janë pjesë e kësaj ndeshjeje dialektike. Konflikti për një zhanër më të pëlqyer e harmonik, të kujton trajtimin e natyrës së konfliktit nga Kanti: “Njeriu e do harmoninë, por natyra e di më mirë se çfarë është më e mirë për gjininë e tij; ajo do mosmarrveshjen”. (Kant, Imanuel. Ese në Filozofinë Historike dhe Politike. Përk. Gaqo Karakashi. Tiranë: Sh.B. “Fan Noli”. 2004. F. 11)
Edhe në debatin mbi romanin, mund të shërbejë paralajmërimi i tij për “dredhinë e vjetër të natyrës” e cila e shtyn individin drejt arsyes, jo duke i shndërruar që në krye të herës në paqësore marrëdhëniet mes njerëzve, por duke nxitur antagonizmat mes tyre.
Mjaft teoricienë dhe përfaqësues të Romanit të Ri, të nxitur nga parimet dialektike, kanë paralajmëruar “vdekjen” e romanit. Teoritë e tyre, si lumenjtë që dalin nga shtrati pas vërshimeve të vjeshtës, i janë vërsulur me zemërim për të shkulur me gjithë rrënjë nga kopshti i krijimtarisë letrare romanit tradicional e klasik, të një moshe të kahershme. Për të mos ua ngrënë hakun, ata kanë përdorur të gjitha mjetet e mundshme që kanë në zotërim; intervistat, manifestet letrare, teori të ndryshme, kritika të mirëfillta letrare ndaj të metave të romanit klasik, deri edhe modele të Romanit të Ri.
Parimet e tyre teorike do të bënte t’u ngriheshin flokët përpjetë arkitektëve nëse në përngjasim me principet e tyre do t’u duhej të mohonin rregullat themelore të ndërtimit të një ndërtese të së ardhmes e cila duhet të jetë pa themele, pa dyer, pa dritare, pa trarë e dysheme. Shkurt, një ndërtesë e projektuar si me lapsin magjik për të qëndruar në ajër. Në të vërtetë, ide të tilla ëndërrimtare e kërkimtare, mbushur me lakmi e pakënaqësi, për gjendjen e romanit i gjejmë edhe tek dëshira e çuditshme e Floberit:
“Ajo që dua të shkruaj, është njëfarë libri që nuk flet për asgjë, libër që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do të qëndronte vetëm me fuqinë e brendshme të stilit, sikurse toka që qëndron pezull dhe s’e mban asgjë”. (Çështje të romanit, Botimi “Rilindja” Prishtinë, 1980, faqe 11)
*
Po lexoni një libër të rrymës së Romanit të Ri apo Antiroman dhe ndjeheni pakëz i turbulluar, i pasigurtë, njësoj si një njeri që nuk di ku të verë këmbën nga frika mos rrëshqasë? Askush nuk mund t’ju japë një këshillë më të mirë se sa kjo; kujdes! Po kaloni në një xhungël (letrare) ku gjatë ecjes kuturu, si në një korridor të errët, nuk do t’ju vijnë në ndihmë asnjë shenjë apo sinjal zanor, figurë apo shoqërim fizik. Diku, midis trungjeve dhe shkurreve, (rreshtave të Romanit të Ri), mund t’ju shfaqet herë pas herë ndonjë përemër; ai ose ajo, por mos kërkoni t’i shihni fytyrën atij ose asaj, t’i mësoni emrin, moshën, aq më pak temperamentin dhe karakterin. Kjo, sepse po lexoni një Roman të Ri. Shkurt, jeni në mesin e një xhungle (letrare) dhe në pushtetin e një lirie të pakufizuar të udhëtoni ku t’ju dojë e bardha zemër dhe fantazia e fantaksur. Por ndoshta edhe ta braktisni këtë lloj udhëtimi duke i mbyllur kapakët e Romanit të Ri…
Çdo brez shkrimtarësh ka dhënë kontributin e vet në zhvillimin e romanit, qysh nga Fransua Rable, (1490-1533) satirist dhe stilist i njohur, Miguel de Servantes Savedra, (1547-1616) -John Locke, (1632-1704) -Jonathan Swift, (1667-1745) etj.
Me romanin e tij antikonformist "Jeta dhe Opinionet e zotit Tristram Shandi"-botuar në vitin 1759 Laurenc Stern do të luante një rol të rëndësishëm në krijimtarinë e shkrimtarëve të mëvonshëm. Në studimin e tij “Tristram Shandi” i Sternit dhe teoria e romanit” (Çështje të romanit, Botimi “Rilindja” Prishtinë, 1980, faqe 90) Viktor Shkllovski e vlerëson Laurenc Sternin si një shkrimtar revulucionar që përdori forma të reja artistike në romanin e tij, si psh., zhvendosjen e kapitujve të romanit. Guximi i tij shkoi deri në atë cak saqë edhe parathënien, të cilën jemi mësuar ta shohim në fillim të veprës letrare, ai e vendosi pas kapitullit 64, në faqet 182-192. Po ashtu, në kombinim me përmbajtjen të cilës i jep një tërheqje intriguese, kapitujt 297 e 298 Sterni i vendosi pas kapitullit 304.
Rryma letrare e “Romanit të Ri”, njohu shkëlqimin e vet në Paris gjatë viteve 1942-1980 dhe u shoqërua me një numër kërkesash teorike.
Kështu, pikëpamjeve të vjetëra në favor të këtij zhanri klasik iu shtuan edhe të tjera, sikurse kritikave të kahershme, iu shtuan edhe ato të viteve 1950-1980. Tanimë zhanri i Romanit i përngjasonte më shumë se kurrë një anieje, të cilës i duhet të lundrojë përmes dallgëve të egra që rrezikojnë ta fundosin.
*
Pro romanit tradicional…
Kritikët dhe ithtarët e Romanit të Ri, gjithmonë e më të guximshëm në thellimin e kritikave të tyre, jo vetëm që nuk i bien më rrotull e rrotull, për ndonjë aspekt apo retushim të tij, por shpallin me guxim përfundimin e misionit të romanit tradicional. Gjatë këtij “dueli” letrar, nga më të mëdhenjtë në fushën e letërsisë, u përplasën me tërsëllimë në faqet e shtypit dhe të librave një numër argumentash, njëlloj si ushtritë dhe armatimet e dy ushtrive kundërshtare.
Mbështetësit e formës letrare të romanit balzako-dikensian, janë të mendimit se ai është ende vital, i përshtatshëm dhe në gjendje të shprehë realitetin e ndërlikuar dhe jetën komplese të njeriut në shoqërinë njerëzore.
Studiuesi i gjinisë së romanit, Mihail Bahtin, vë në dukje:
“Romani është një zhanër i vetëm në krijim e sipër, zhanër i pakryer” dhe se, “Skeleti i zhanrit të romanit është ende larg ngurtësimit të tij, ndaj ne nuk mund të parashohim të gjitha mundësitë e tij plastike”. (Çështje të romanit, Botimi “Rilindja” Prishtinë, 1980, faqe 19)
Ndërsa Henri Xhejms në shkrimin e tij “Arti i romanit”, nënvizon: “Arsyeja e vetme që justifikon ekzistencën e romanit është që romani përpiqet të paraqesë jetën. Kur romani të heqë dorë nga kjo përpjekje, gjë që e shohim në pëluhrat e pikturave, romani do të gjendet në një situatë shumë të çuditshme”. (Çështje të romanit, Botimi “Rilindja” Prishtinë, 1980, faqe 65)
“Magjia” që vazhdon ta mbajë romanin në këmbë mishërohet në kërkesën e Leon Tolstoit:
“Shkrimtari i vërtetë duhet të shkruaj gjithmonë për atë që ekziston në shoqëri, por që nuk është zbuluar akoma para saj. Pra, ai lot rolin e pararojës, ai zbulon. Dhe në këtë mënyrë shkrimtari nuk bie në nivelin e lexuesit të rëndomtë, por e heq atë pas vetes, e ngre lart. Zbulimi është frut i njohjes së përpiktë të realitetit dhe i botkuptimit të shëndoshë të shkrimtarit”. (Ali Abdihoxha, “Probleme të zhvillimit të letërsisë tonë”, Botim i NISH Shtypshkronjave “Mihal Duri”, Stabilimenti “8 nëntori, Tiranë, 1970, faqe 14)
*
…Kundër romanit tradicional
Krijimtaria letrare e Xhojsit, (Angli) Prustit (Francë) dhe Kafkës, (Pragë) do të shpinte në atë që studiuesit e letërsisë do t’i vlerësonin si “baballarët e romanit modern”. Veprat e tyre letrare shpërfaqin pikëpamjet se: “Bota nuk mund të njihet, e keqja është e plotfuqishme, ndërsa vetmia e njeriut është e pashërueshme dhe e pakapërcyeshme.” (Prust)
Pasuesi më i zëshëm i rrymës moderniste të romanit bëhet shkrimtaria Natali Sarrot (1900-1999) e vlerësuar si një nga shkrimtarët francezë më të rëndësishëm të shek. XX. Falë krijimtarisë intensive gjatë një periudhë të gjatë kohore, ajo botoi librat:
Tropizma, 1938, Portret i një të panjohuri, 1949, Epoka e dyshimit, 1956, Planetari, 1959, Frytat e arta, 1962, Heshtja, 1966. Gënjeshtra 1967, Mes jetës dhe vdekjes, 1969. Izma, 1970, A i dëgjoni, 1972. Është bukur, 1975. Thonë budallenjtë, 1976, Përdorimi i fjalës, 1980, Për një po a jo. 1982. Fëmijëria, 1983, Ti s’e do veten, 1989. Këtu, 1996.
Për formën që përdor, ajo do të shkruante:
“Është fjala të kapësh ato lëvizje të papërcaktuara që rrëshqasin shumë shpejt në kufijtë e ndërgjegjes sonë, ato, janë zanafillë të gjesteve, fjalëve, ndjenjave që shfaqim, që kujtojmë se provojmë dhe që është e pamundur t’i përcaktosh. Më dukej dikur, dhe kështu më duket edhe tani, se ato përbëjnë burimin e fshehtë të ekzistencës sonë”.
Në shkrimin e saj “Era e ndryshimit” bëhen përpjekje për shpërfaqen pikëpamjeve të kësaj rryme të re letrare mbi romanin. Ajo përcakton edhe mjetin që do të shërbejë si leva e arkimedit për përmbysjen apo lëvizjen e strukturës së romanit tradicional.
Sipas Natali Sarrot, “Realiteti i shekullit tonë nuk është më ai i shekullit të kaluar”.
“Për shkrimtarin, nënvizon ajo, - ekzistojnë dy lloj ralitetesh. Një realitet i dukshëm, ai në të cilin shkrimtari jeton, vepron, në të cilin jetojnë të gjithë njerëzit rreth tij, ai realitet që të bie në sy menjëherë dhe që mund ta shikojë cilido”. Por ky ralitet, sipas mendimit të Sarrot, nuk mund të përbëjë substancën e veprës letrare.
Argumenti dhe konstatimi i Sarrot-it në lidhje me kriterin e pasqyrimit të realitetit objektiv nga letërsia realiste, nuk mund të mos “shënojë” një dukuri tronditëse për botën letrare. A nuk është e vërtetë, po sipas dialektikës së jetës, se, nuk ka realitet të pandryshuar? A nuk shndërrohet “realiteti i djeshëm” në një realitet të vjetëruar dhe frenues ndaj kërkesave të reja të jetës? Sarrot-i vijon të vërë në dukje se ka gjithashtu edhe një realitet tjetër, që s’ka të bëjë me jetën reale, realitet i cili lind vetëm në përfytyrimin e shkrimtarit, dhe pikërisht është ky realitet që mund të krijojë pëlhurën e një vepre letrare. Por ky koncept tregon shkallën e subjektivizmit në pasqyrimin e botës reale.
Romani i Ri shtroi para vetes pretendimin të udhëhiqej nga ideja e kapërcimit të intrigës, përshkrimeve, madje dhe të vetë personazheve.
Sarrot-i nuk nguron t’i vërë në jetë rekomandimet e saj qysh në faqen e parë të romanit “Planetari”, modeli i një romani modern.
Dhe, në zbatim të principeve të reja, në këtë roman, nuk ka as përshkrim personazhesh dhe as peizazhesh. I vetmi përrua rrjedhës që i shtyn përpara faqet e tij janë dialogjet e zgjedhur, të cilët janë edhe ”bukë edhe gjellë” e Romanit të Ri.
Karakteristike është analiza psikologjike që zgjat me faqe të tëra, dhe rreh të zëvendësojë aksionin e veprimit. Tek “Planetari”, bie fjala, Sarrot-i vërtitet tek një pakënaqësi që lind gjatë mobilimit të një hyrjeje banimi dhe konkretisht për një dorezë dere e papëlqyeshme, që përshkruhet gati në më shumë se 7-8 faqe.
Gjatë leximit dhe përfundimit të një libri të kësaj natyre, sado këmbëngulës të jesh, lodhja është cfilitëse nga ky lloj ushtrimi, sepse është njësoj si të jesh duke vështruar për orë të tëra një sipërfaqe shkretëtire, pa drurë, pa gjethe e bimësi. Nuk ka digresion dhe as alternim midis natyrës dhe botës shprtërore të heroit; ato janë të vjetëruara dhe të tepërta për Romanin e Ri.
Po sjellim sa më shpejt një fragment nga romani “Planetari”, më saktë fillimin e tij:
”Jo vërtetë, thuaj ç’të duash, po s’gjen dot asnjë të metë, është e përsosur…tamam një e papritur, një fat…një harmoni e këndshme, perdja kadife, një kadife e trashë, kadife leshi e cilësisë së parë, e gjelbër e thellë, e përkorë, e përmbajtur…e me një ton të mprehtë e njëherësh të shkëlqyer…Do të duket një mrekulli pranë atij muri bezhë me reflekse të praruara. Po muri! Çfarë muri, çfarë arritjeje! Sikur është lëkurë…I butë si lëkurë deveje…(faqe 5)
Pasi njihesh me pretendimet e rrymës së Romanit të Ri dhe, ca më shumë pasi kalon nëpër duar libra të këtij lloji, të krijohet përshtypja sikur ke ngjitur me një frymë një numër shkallësh, pa shesh pushime dhe pa bazamakë mbrojtës. Apo sikur automjeti me të cilin udhëton uturin nga zhurma e motorit që rri ndezur gjithmonë dhe të nxjerr mendt e kokës, ndonëse nuk bën asnjë centimetër përpara. Asociasonet argumentuese kundër formave të trashëguara të romanit nuk njohin kufij. Shkrimtari grek Iliad Venezis, shkruan: “Koha jonë është koha e sputnikëve dhe e udhëtimeve të shpejta. Përshkrimet e shpejta. Përshkrimet e gjendjeve të brendshme, të ndjenjave, psikologjia, janë tani të rënduara. Poezia e kohës së sotme mund të jenë thjeshtë, mendime e jo njeriu.” (Ali Abdihoxha, “Probleme të zhvillimit të letërsisë tonë”, Botim i NISH Shtypshkronjave “Mihal Duri”, Stabilimenti “8 nëntori, Tiranë, 1970, faqe 186)
Një nga detyrat e artistit, sipas N. Sarrot, është: “Lëvizja nga e njohura tek e panjohura”. Ndonëse disa prej autorëve më në zë të rrymës së Romanit të Ri, shprehen se nuk kanë kurfarë parimesh (Allen Rob Grije), pretendimet e tyre mund të përmblidhen si më poshtë:
-Nuk bëhej më fjalë për ta sjellë realitetin në tekst. As për ta kopjuar këtë realitet, siç ndodhte tek realistët apo natyralistët. Përkundrazi, romancierët e rinj dëshirojnë të krijojnë një univers të ri.
-Personazhet e romanit duhet të fshihen pas dialogjeve. (Pra, formësimi i personazhit në dialogun e veprës).
-Nuk preferohen tipizimet e personazheve dhe vendosja e emrave të tyre. Këto forma novatore të strukturës, “mjete” apo “marifete” letrare, tipike për autorët e Romanit të Ri do ta detyronin lexuesin të vinte edhe më shumë në punë dhe “të mprehte” aftësitë meditative.
-Në romanin e Ri duhet të zenë vend “lëvizjet e nëndheshme” dhe kapja pas embrionit ose origjinës së frymëzimit apo nxitësit artistik; të cilat duhet të zhvishen nga dhjamërat e tepërta dhe klishetë e autorit që i imponohen lexuesit. Efektin e tyre duhet ta prodhojnë figurat letrare, hulumtimet e mendjes dhe gjendjet e brendshme, të cilat duhet të jepen me paragrafë e kapituj sa më të shkurtër.
*
Ka kaluar një kohë e gjatë qysh nga shfaqjet e para të teorive dhe veprave që përfaqësojnë rrymën e Romanit të Ri, ndaj paraqesin një interes të veçantë mendimet e një numëri studiuesish e shkrimtarësh francezë përballë dy pytjeve që revista letarare “Livie”, u drejtoi atyre në vitin 1997 (Botuar në revistën letrare “Aleph”, përkthyer dhe përgatitur nga Luan Canaj):
1-Cila është ngjarja letrare më e rëndësishme e shekullit XX?
2- Po ngjarja më e parëndësishme?
Amin Maalouf:
-Gjithçka është luhatur, tronditur, vështrimi i shkrimtarëve, që kamera e ka sajuar- a shtrëmbëruar; manitë dhe pritjet e lexuesve; lëvrimin e përfytyrimit dhe të prirjeve në një epokë të përmbysur nga imazhet, aq sa ka shpërfytyruar të kuptohemi, dhe vetë statutin e gjësë së shkruar. Madje deri aty sa shkrimtarë të shquar kanë arritur të predikojnë vdekjen e afërt të romanit. Mos vallë, kësisoj shekulli i XX-të, do të mund të quhej shekulli i mbramë i letërsisë?
Michel Dèon:
-Botimi për herë të parë në Francë i “Uliksit” të Xhejms Xhojs-it, ndërkohë që s’i lejohej botimi, në asnjë vend anglofolës, është ndoshta vetë ngjarja më e rëndësishme e shekullit të XX. Ky libër thyente pengesat dhe i hapte dyert shndërrimit të romanit të traditës. Pas “Uliksit” romani do të hynte në një fushë të plotë që do të mundësosnte qëmtimin e një sërë veprave të përkryera në të shkuarën tonë. Nuk është fjala këtu vetëm për Laclos apo Sadee-in. E adhurueshmja tek “Uliksi” qëndron në zbulimin e skutave më të fshehta të sjelljes sonë, rrëfimin e arrirë gjithë mjeshtëri befasuese, i ngërthyer në caqet e një harku aq të pakët kohor.
…Tingëllon paradoksale, mbase, por unë do të uroja që para se të ulej të shkruante romanin e parë, çdo shkrimtar i ri të lexonte, një herë Xhojs -in…
…Sa herë që sheh fjalën “e re” përbri një forme letrare të çfarëdoshme, e kuptoj sakaq se çdo pretendim është një marrëzi e kotë. Nuk ka asgjë të re në letërsi që nga Rableja dhe Xhojsi, qoftë në roman, filozofi a kritikë.
Filippe Labro:
Kjo ngjarje është: Proust+Celine+Faulkner. Kjo brezni e këtyre gjenive, që nëpër shekuj përbën bërthamën e letërsisë moderne perëndimore. Kjo është pra, ngjarja letrare më e spikatur: tek secili prej tyre, ndeshim shkrehjen e rrëfimit konvencional, blatimin e një shkrimi të ri, dëshpërimin dhe vetë çmontimin e kaoseve të shekullit.
Jean d’Ormesson:
-Botimi i “Në kërkim të kohës së humbur” i Proustit, që në gjuhën frenge ka barasvlershmërinë e veprës së Frojdit për gjuhën gjermane dhe atë të Xhejms Xhojs-it për gjuhën angleze.
Bianciotti:
-Për pyetjen: Po ngjarja më e parëndësishme: Nuk mund ta shquaj valëzën imcake në tallazin e oqeaneve.
Françoise Mallet-Joris:
-Ngjarja më e papërfillshme?
-Romani i ri, ndoshta?!
Dan Franck:
-Ngjarja më e rëndësishme e shek. të XX, them unë, është ajo e 2 shkurtit 1922. Atë ditë Xhejms Xhojs mbushi dyzet vjeç. Dhurata që i bëri vetes: botimi i “Uliksit”.
Raphael Confiant:
(Vlerëson letërsinë latino-amerikane; kolumbianin Garcia Markez, dhe Alvaro Mutis, peruvianët Varges Llosa dhe Alfredo Bryce Echenique, brazilianin Jorge Amarde, meksikanin Carlos Fuentes, kubanët Alejo Carpentier dhe Lezama Lime. Ai vijon: Si mund të zgjedhësh midis suksesit të Paulo Coelon dhe filozofisë së tij të makrotregut, çmimin Nobel dhënë për arsye “politically correctness”, një shkrimtari mesatar si zezakja amerikane Toni Merrison ndërkohë që shqiptari Ismail Kadare apo Martinikasi, Eduard Glissant e kanë hak më shumë se çdokush?!
Taher Ben Jelloun:
-Ngjarjet e papërfillshme?
-E papërfillshme është ajo që nga vetë përcaktimi, lihet në harresë. Nën vellon e letërsisë janë prodhuar tonelata letra ku vlera të rreme përpiqen të ngrejnë krye me zallamahi...Për fat të mirë, koha është lexues i pamëshirshëm.
*
Fati i romanit ka një ngjashmëri të çuditshme me legjendën e arkës së Noes; ai është i “dënuar” t’i përmbajë të gjitha llojet e gjinive letrare; tragjiken dhe komiken, epizmin dhe lirizmin. Ndaj përderisa do të ketë krijues letrarë kërkues që u ndrin “kandilja e vetëdijes” romani do të mbetet një bashkudhëtar i përjetshëm i artit dhe i shoqërisë njerëzore.
Comments