top of page

Vasil  Premçi: SHKRIMTARI PA VARR



 

 

Hektor Hug Monro mund të quhet  edhe shkrimtari i brezit të humbur, si: Ernest Heminguei, Gertrud Shtajni, Francis Skot Ficxheraldi, Thomas Stearns Elioti, Teodor Draizeri, John Dos Passos, Eri Maria Remarku, etj, veprat e të cilëve përshkruajnë betejat e brendshme të “Brezit të humbur”.

Fillimisht ata u cilësuan nga kritika letrare e kohës me termin  të “humbur”, për shkak të prirjes së tyre për të jetuar dhe për të administruar jetën e tyre në mënyrë të shkujdesur, duke u përqendruar shpesh në  pasqyrimin hedonistik të saj. Por pjesëmarrja në një ngjarje me përmasa të mëdha botërore, siç ishte Lufta e Parë Botërore  dhe pasqyrimi i të vërtetave të hidhura të saj, i zhgënjimit dhe zhdaravitjes së ëndrrës për një “Paqe të përjetëshme” dhe një bote pa luftra, do t’i vinte vulën krijimtarisë së tyre letrare; poezive, tregimeve, romaneve dhe skenarëve të mjaft filmave që lanë mbresa të pashlyeshme te lexuesit.  Tani ata e merituan plotësisht shijimin e mjaltit të hidhur të varrëzave të shumta që u mbushën me kufomat e shokëve të tyre, djem në lulen e rinisë, këtu dhe atje në fushat e shkreta, pas çdo beteje që mbolli vetëm vdekje. Lufta fshiu nga faqja e dheut në mënyrë brutale, si në një ëndërr e llahtarshme jetën e më shumë se 18 milionë pjesëmarrësve, duke përfshirë edhe 6 milionë civilë  Të gjitha luftërat prodhojnë njerëz të mbijetuar “të humbur”. Një temë e tillë ende rezonon dhe fton edhe sot mjaft shkrimtarë  të cilët kanë në qendër të librave të tyre dramën dhe katakombet e saj të llahtarshme…

Kur Hektor Hug Monro doli vullnetar për të luftuar në Francë gjatë Luftës së Parë Botërore, nuk ishte një djalosh i ri, por plot dyzet e tre vjeç. Fare lehtë ai mund të mos paraqitej para komisionit ushtarak duke shmangur kështu mobilizimin dhe shërbeu si rreshter në rradhët e pushkatarëve  të Batalionit 22 Mbretëror. Nëse fati do ta kishte kursyer, me talentin e jashtëzakoshëm që ai zotëronte, me siguri do të na kishte dhënë kryevepra, ashtu si sivëllezërit e tij shkrimtarë, që morën pjesë në atë, Hemingueji, Elioti,  Draizeri, Remarku, të cilët dhanë kryevepra të letërsisë botërore, mjafton të   përmendim klithmën e romanit “Lamtumirë  Armë!”,  të  Hemingueit dhe  ironinë therëse e sarkastike të  romanit të  Remarkut “Asgjë  e re nga fronti i perëndimit”. I marrim fort lehtë me mend shpresat dhe iluzionet që nxitën dhe ushqyen shpirtin dhe idealet e Hektor Hug Monro-së për një botë të re, kur vendosi të marrë pjesë në atë luftë  makabre. Çuditërisht rruga që ai zgjodhi në  jetë   është fort e ngjashme me atë të Ernest Hemingueit.

dy shkrimtarët fillimet e karierës i kanë te  prefesioni i  gazetarit, duke bashkëpunuar në disa prej gazetave më me emër në vendet e tyre. Të dy morën pjesë në Luftën e Parë Botërore,  por më e veçanta që i bashkon  në lëmin e krijimtarisë letrare, është   zbatimi me rreptësi, si pak kush tjetër i kodit të “Përdorimit të  fjalëve të shkurtëra, të paragrafëve të shkurtër dhe të një anglishteje të fortë, etj, etj”.

Në pamundësi për  të sjell mbresat dhe përjetimet  e Hektor Hug Monro-së për Luftën e Parë Botërore,  po sjellim ato të Hemingueit kur u plagos për herë të parë, kur ishte vetëm 18 vjeç:

"Kur shkoni në luftë, si djalë, ju keni një iluzion të madh për pavdekësinë, njerëz të tjerë vriten, ndërsa jo ju ... Pastaj, kur plagoseni rëndë për herë të parë, e humbisni këtë iluzion dhe e kuptoni se mund t'ju ndodhë edhe kjo."

Për fat të keq këtë fat të  hidhur pati Hektor Hug Monro. Ndërsa qëndronte në një llogore të cekët në frontin e luftës, qëllohet në kokë nga një snajper mëngjesin e 14 nëntorit të vitit 1916. Fjalët e tij të fundit, ishin: "Fikeni atë cigare të mallkuar!"                

Hektor Hug Monro nuk ka varr të njohur në Angli. Emri i tij gjendet në një pllakë përkujtimore në memorialin e ngritur pranë fshatit Thiepval, në Francën veriore, për të nderuar ushtarët anglezë që ranë në Luftën e Parë Botërore.

 

                *

Saki është emri letrar i Hektor Hug Munro-së. Nuk dimë shumë  mbi përzgjedhjen e emrit “Saki”, një personazh ky i Rubairave të Omar Khajamit, kupëmbajtësit të verës, të cilin ai e fton  disa herë nëpërmjet  vargut:

-Saki, sill Verë!

Pakëz më shumë dritë mbi këtë të fshehtë hedh Ethel Mari, motra e Hektor Hug Munro-së e cila në  kujtimet e saj, dëshmon dashurinë e shkrimtarit anglez për poetin e madh pers, Omar Khajam-in.

Saki lindi në Burma, më 1870 dhe ishte më i vogli i tre fëmijëve. E ëma i vdes shpejt duke i lënë të tre fëmijët ende të mitur.

Në moshën njëzet e tre vjeçare Hektori hyri në policinë e Burmës për të ndjekur karrierën e të atit, por i rrezikuar disa herë nga sëmundja e malaries detyrohet të kthehet në Angli për t’u kuruar. Më vonë nisi të punojë në “Uestminster Gazette” për rubrikën politike. Përvojat e mëvonshme nga puna do t’i botonte nën titujt: “Alisa e Uestminsterit” dhe “Tregime jo si tregime”.

Në vitin 1900 boton librin: “Lindja e Perandorisë Ruse”, me karakter kryesisht historik. Në vitin 1902 Munro bëhet korespondent i “Tori Morning Post” për çështjet ballkanike dhe deri në vitin 1908 mbuloi edhe Rusinë, Poloninë dhe Parisin. “Rexhinaldi”, që u botua për herë të parë në “Uestminster Gazette”, doli si libër më vete në vitin 1904, i pasuar nga “Rexhinaldi në Rusi” (1910), “Kronikat e Klovisit” (1911) dhe “Kafshët e superkafshët” (1914). Tregimet e tjera iu botuan pas vdekjes. Ato shënjestruan dhe satirizuan shoqërinë angleze të epokës  eduardiane. Munro vlerësohet nga kritika si një nga mjeshtërit e tregimit të shkurtër dhe krahasohet me O Henrin (William Sidnei Porter).

Kur bëhet fjalë për veçoritë e Sakit, nuk mund të mos vëmë në dukje rolin që ka luajtur në krijimtarinë e tij letrare mjedisi dhe ambjenti i fëmijërisë, të cilat formësuan dhe farkëtuan te ai pasionet e jetës dhe i shërbyen  si shinat për trenin. Në rrethanat e një fëmijërie pa nënë, Saki, me vëllain dhe motrën, rriten nga gjyshja dhe dy teto, Sharlota dhe Augusta,– me temperamente dhe sjellje të rrepta e puritane, të cilat përdornin edhe thuprën për ndëshkimin e të vegjëlve, gjë që do t’i  shndërronte ato në  personazhe  tipike të femrave me sjellje të ashpra në mjaft tregime të shkrimtarit të ardhshëm.

Një veçori tjetër në tregimet e Sakit është prania  e kafshëve të egëra në mjedisin e mbytur dhe të ashtuquajtur të civilizuar të shtëpive elegante angleze. Në thelb në këtë mënyrë  ai iu kundërvu hipokrizive dhe sjelljes së shtirur  në Anglinë eduardiane. Për praninë e një dukurie të tillë nuk mund të mos vemë në dukje edhe ndikimin te ai të dashurisë dhe  veneracionit të banorëve të Indisë për kafshët.

Autori fokusohet tek shoqëria duke nxjerrë në pah hipokrizitë. arrogancën  dhe vetëmashtrimet e saj nëpërmjet një satire thumbuese. Për nga mënyra e të shkruarit ai krahasohet me Oscar Wildin. Vetë Munro shprehej  se tregimet e tij ishin "mjaft të vërteta për të qenë interesante dhe jo aq të vërteta sa të ishin të lodhshme". Saki dëshironte të paraqiste marrëzinë dhe arrogancën përmes një sërë situatash farsë.

Tregimet e tij janë të shkurtra, por nuk do të ishte e drejtë të thuhet se strukturat e tyre befasuese janë  edhe të ndërlikuara. Ato përshkohen nga  ide vezulluese të cilat paraqiten me qartësi dhe inteligjencë thumbuese.

Letërsia e  Sakit u krijua dhe jeton  brenda një tradite të pasur kombëtare që shtrihet nga figura e lartë e Jonathan Sëiftit, autorit të “Udhëtimet  e Gulivierit”  dhe  vijon në ditët e sotme, nëpërmjet autorëve të ndikuar edhe nga vetë letërsia e tij. Në gjashtë vëllimet me tregime  të botuara, në të cilat përfundimet befasuese dhe përmbysjet ironike janë të dukshme, Saki ka aftësinë të kombinojë freskinë e komedisë me satirën thumbuese e cila i bën ato tërheqëse, por herë-herë edhe të paqarta. Me gjithë humorin e tyre, në veprat e tij ka një nënrrymë serioze. Tregimet e Sakit i përkasin një klasi të lartë; tematika,  mesazhet që përcjellin dhe mjeshtëria e të shkruarit i drejtohen një lexuesi të zgjedhur.Teksti i autorit dhe dialogjet e personazhëve janë aq të lëmuara, sa mendimi dhe vështrimi i lexuesit udhëton turra-vrap në trasenë artistike të librit, për të  zbuluar sa më parë veprimet e heronjve të tyre sqimtarë.

Tregimet karakterizohen nga përmbysje dramatike dhe përfundime të zgjuara, të cilat nuk eksperimentojnë  teknika të reja letrare, por shijohen si modele tërheqëse stilistike. 

Portretet e personazheve të tregimeve të Sakit, përfaqësues të një klase sunduese të vetëkënaqur, nuk janë aspak lajkatare: por zbulojnë gjithë vogëlsinë, mediokritetin dhe interesin vetjak të njerëzve që synojnë të ngjiten në majë të jetës shoqërore ose të vegjetojnë atje. Heronjtë e tij - Reginaldi, Klovisi, Bertie dhe të ngjashmit e tjerë me ata, - janë aristokratë që ndajnë neverinë e krijuesit të tyre për “aktet e tmerrshme të vogla të përditshme me rëndësi të pretenduar” dhe kënaqen duke udhëtuar me budallenjtë dhe hipokritët që mendojnë se janë të jashtëzakonshëm, kur në të vërtetë nuk janë të tillë.

            Sikurse ngjyrat e ylberit, largësia midis trillimit artistik dhe një fakti, një ngjarjeje reale dhe të  besueshmes, nuk njohin kufij të dallueshëm. Çuditërisht kjo ndodh edhe midis  bisedave njerëzore ku mpleksen, marrin pjesë dhe flasin edhe kafshët. Ngjet kështu sepse përmbajtja dhe situatat e tregimeve mbartin deri në fund një farë misteri të cilat  i lenë vend ngjarjeve befasuese dhe tërheqin  si me magnet vemendjen dhe kureshtjen e lexuesit.

Ndoshta personalitetit të Sakit do t’i shkonin për shtat sikur të ishin shkruar enkas për atë, mendimet që  George Oruell  ka rënditur në përgjigje të pyetjes; “Përse shkruaj?

“…Gjithë shkrimtarët janë mendjemëdhenj dhe egositë e në thelbin e arsyeve të tyre gjithmonë ka një mister. Të shkruash një libër është torturë, si një periudhë sëmundjeje e rëndë. S’merret dot një aktivitet i tillë nëse nuk drejtohesh nga një demon i pakuptueshëm, të cilit s’i reziston dot. E sidoqoftë, është e vërtetë që s’mund të shkruash një diçka vërtet të lexueshme nëse nuk përpiqesh në mënyrë konstante të ruash mënjanë personalitetin tënd, duke qënë se proza e mirë është transparente si xhami i një dritareje.”

                       *                                          


Librat e Sakit janë përkthyer në më shumë se 36 gjuhë të botës, por në vendin tonë, Saki, Hektor Hug Munro, njihet fare pak, me përjashtim të ndonjë botimi modest të viteve të fundit. Në një farë mënyre kjo përmbledhje me tregime pasuron më tej letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, ndonëse përkthyesi i librit, Aleksandër Koli nuk pati fatin ta përjetonte botimin e tij.

Çuditërisht gjatë punës së tyre vetmitare njerëzve të artit u ndodh të provojnë shijen e helmët të  mendimit provokues e ogurzi: “Po sikur të më ndodhë ndonjë gjemë dhe të largohem papritur nga jeta, si do  t’u vejë halli punëve të papërfunduara që kam në duar?” Fatkeqësisht kjo i ndodhi përkthyesit të kësaj përmbledhje me tregime nga Saki, Aleksandër Kolit.

Gjatë muajve të fundit të jetës së tij kam patur rastin të bisedoj me atë mbi përkthimin e këtyre  tregimeve. Ndarja e tij e parakohëshme nga jeta e vështirësoi e botimin e kësaj përmbledhjeje me tregime.

Pas një pune këmbëngulëse për kapërcimin e vështirësive të ndryshme të natyrës letrare dhe falë bashkëpunimit me familjen e tij dhe botuesin, zotin Gëzim Tafa, ia dolëm të sjellim në duart e lexuesit pjesën më të madhe të përkthimeve të Aleksandër Kolit nga Saki, duke përmbushur kështu edhe një ëndërr-amanet të tij.

121 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page