top of page

Vasil  Premçi: Magjistari i dashurisë



Vetëm letërsia është në gjendje të kryejë  mrekullinë e “kthimit në jetë” të një poeti si Lirim Deda, që u largua nga kjo botë si një shtërg, në vjeshtën e vitit 2016 dhe që del para lexuesit me librin e  tij të fundit, vëllimin poetik, “Shiu i lirikave”. Poezitë e këtij vëllimi thyejnë heshtjen e gjatë dhe mundësojnë fillimin e një bisede të re me lexuesin...

Lirimi nuk bën dallim nga  poetët që kanë vuajtur gjithë jetën, por ndoshta ky është edhe thelbi antagonist i njeriut që  lind sëbashku me kundërtitë; me pohimet,  ardhjen e tij  në jetë dhe në rastin tonë vijon me shpërfaqjen poetike dhe me mohimet e tij; me vdekjen, që  pret orë e  çast ta rrëmbejë në gjirin e vet, kështu dhe përfundimisht...

Lirim Deda ishte një burrë elegant e sy kaltër, si pak kush nga moshatarët e tij, që të vështronte me kujdes e dashuri drejt e në sy. I pëlqente të bisedonte me njerëzit, veçanërisht me poetët dhe shkrimtarët, ndaj nuk di pse e përfytyroj atë  si Diogjenin me kandilin e ndezur që kërkonte njeriun në mes të ditës me diell, në  “diellin”  që  “s’po e nxhehte më”.

Në pesë vitet e fundit të jetës së tij, Lirimin do ta gjeje në orën 10 ulur mbi një tryezë, në kafenenë pas ish Ekspozitës “Shqipëria sot”, qarkuar nga dhjetëra njerëz, të njohur apo të panjohur, që  bisedonin me poetin e halleve njerëzore. Ndoshta nga ky fakt  them me vete, se ndoshta një ditë, në mos brezi ynë, të tjerë poetë që do t’i këndojnë dashurisë, sikurse Lirim Deda, do të vendosin aty në shenjë kujtimi,  me dashuri e dhëmbshuri, një pllakë përkujtimore e cila do të na kujtojë se, 

“Në njërën prej  tryezave të kësaj kafeneje të thjeshtë dhe të paemër,

thurte poezi apo bisedonte me shokë e miq poeti Lirim Deda”.  

Sa herë fryjnë erërat e vjeshtës, të mbarsura me shi, që morën në krahët e tyre  dhe Lirim Dedën, meditoj se vetëm ato dinë ta  vajtojnë dënjësisht e dhëmbshurisht poetin lirik... Se tani e tutje, ditët dhe netët rrjedhin të mbushura plot me mungesën e tij...

Pjesa më e madhe e poezive të  vëllimit “Shiu i lirikave”, janë shkruar kur poeti i kishte kaluar të pesëdhjetat.  Në se gjatë leximit të këtyre vargjeve  ndesh aty-këtu ndonjë  poezi, paksa rrebele apo  “çamarroke”, vetëkuptohet,  të duket sikur befas zgjohesh nga ajo farë gjendje letargjike dhe zbulon se vetë dashuria ruan deri në fund të jetës së bartësit të saj, freskinë dhe rininë vezulluese e cila  nuk pranon kurrë të mbajë zinxhirë e pranga, t’i bindet një morali të vjetër anakronik apo  më keq, të burgoset e syrgjynoset.  Bash  kjo e bën edhe më orgjinal poetin dhe poezinë e tij, sepse dashuria është një ushqim shpirtëror pa të cilin nuk mund të jetojë asnjë qenie njerëzore, një ushqim që të shtyn në një ngasje trullosëse. Vetëm ajo ka forcë ta sjellë përpara këmbëve apo ta ulë mbi gjunjët e tu edhe ëndërrën më të çmendur e më të  largët, të dashurën e zemrës, për  ta kundruar e admiruar pa mbarim, për të  biseduar  me atë  pa  u ngopur  dot kurrë!

Poezia e Lirim Dedës lundron  mbi  dy lloj  rrymash; njëra që pasqyron angazhimi e tij qytetar për lirinë dhe tjetra, mbi lirikat e dashurisë.  Ndaj mund të themi se poezia e tij është endur  me këto dy lloj ”fije të mëndafshi”.  Në ndonjë  rast, për inerci,  sikurse mbin bari i egjër në një arë të mbjellë me grurë, ndesh edhe në poezi me një tematikë të theksuar politike, por shpejt, vëren se   intuita dhe fymëzimi poetik i poetit, si  ujrat e një lumi  të zemëruar që, pasi kanë dalë nga shtrati, kthehen sërish në brigjet e veta duke iu bindur veriut manjetik, dashurisë, kupidit dhe erosit  me të cilat kërkojnë të joshin dhe  lexuesin. Ato përçojnë tek lexuesi energji dhe njëherësh u transmetojnë atyre edhe ngrohtësi e jetë.

Lirim Deda është një poet i krijuar nga vuajtjet dhe mundimet e jetës. Këtë mund ta dëshmojnë si lexuesit që e njohin prej vitesh, ashtu edhe ata  që i kanë  dëgjuar atij vetëm emrin.

Me sa duket çdo gjë e bukur ushqehet nga humusi i dhimbjeve  dhe i vuajtjeve. Edhe vargu i bukur është produkt i kësaj alkimie. Por më parë, kësaj bukurie  i duhet të kalojë nga labaratori i zemrës së ndjeshme dhe të plagosur të poetit.

Në jetë dhe në poezi Lirim Deda  mbeti  një zog i lirë, ndonëse pushtetarët e kohës i ofruan  pranë kafazin me hekura, që të këndonte  brënda tij si një gardelinë pushverdhë.

 Lirim Deda zotëron një vështrim të pafund  ndaj dashurisë dhe për dashurinë nga e cila rrjedh dhe  i përket. Vargjet e tij formojnë një det  të pafund  vezullues sensualiteti. 

Lirim Deda i këndoi  dashurisë në mënyrën e vet. Ai nuk merr poza dhe as nuk bën  deklamacione prej  shpikësi, (çfarë duhet të shpikë, përderisa dashuria është ngjarja  më mahnitëse në jetën e  njerëzimit  që nuk vyshket dhe as plaket kurrë?!) sepse vetë dashuria nuk është një gjë e re, ose më mirë të themi, ajo është njëherësh edhe e vjetër edhe e re; vetë tharmi të  cilit i përket.

Krijimtaria e tij në vargje është një qasje poetike instinktive drejt dashurisë, sikurse një djalosh i dashuruar që ia ka mbërthyer vështrimin  një trandafili  në shpërthim ose një tufe mimoze që ka çelur nën rrezet e  diellit të marsit pranverror.

Nga faqja në faqe vargjet dhe  figurat letrare të këtyre poezive e shtyjnë fantazinë dhe vështrimin  e lxeuesit në kufinj të parrokshëm nga syri.  Kësisoj edhe  napa që mbulon trupin e bukurosheve të këtyre poezive nuk është  endur me fije të pambukta, por prej një lënde të mistershme.

Me vargjet e shkruara, pra, të dukshme, Lirim Deda luan si një magjistar i dashurisë, por ca më shumë  lexuesi shijon  edhe  vargjet  e  padukshme,  të cilat i qëndrojnë pranë të tjerave, të dukshmeve, siç i qëndron mendërisht e fizikisht  djaloshi i dashuruar, të dashurës së tij, edhe pse ajo mund të jetë mijëra km. larg.

Kupidi dhe Erosi janë armët e poetit, me të cilat  ia ka dalë të fitojë duelin për dashurinë, që të lodh e të këput gjunjët, të lë pa frymë apo  të shtyn si një i lajthitur  të hidhesh edhe nga dritarja e shtëpisë. 

Muzikaliteti i vargjeve na paralajmëron për stacionet e udhëtimit tonë poetik, njësoj siç paralajmërohen udhëtarët nëpërmjet tabelave të rrugëve apo qyteteve përpara të cilave sapo kemi mbërritur, shkurt, universin në të cilin jetojnë.

Poezia e Lirim Dedës, të krijon imazhin e  një burimi plot ngrohtësi e frymëzim dhe  të nxit të vijosh më tej kalërimin mbi  muzën e frymëzimit; të përfytyrosh  në pamjet vegimtare që të shfaqen, ndoshta njerën  prej bukurive më të rralla të botës tonë  plot  jetë dhe dritë!

Poezitë e vëllimit ta impostojnë  vëmëndjen tek virtuoziteti i Paganinit që mposhti keqdashësit duke i rënë violinës me një tel.  Mendojmë se kjo është arritur falë ngjyresave të lbyrshme me të cilat ai ka ditur të mëkojë  idilet poetike.

Disa nga poezitë e Lirimit, ndonëse i drejtohen dashurisë, përcjellin tek lexuesi  melankolinë dhe dëshpërimin e poetit.  Kjo është mëse e kuptueshme kur mëson se Lirim Deda, si pak krijues të tjerë letrarë, mbeti armik i të gjitha pushteteve; i atij që i fali rininë, por edhe i kësaj demokracie që mbërriti, por   që e zhgënjeu atë aq shumë... Fati dhe koha luajtën keqas me poetin që përjetoi ndjesitë e njeriut që bie nga shiu në breshër!

Ndaj dhe nuk janë të pakta rastet kur Lirimi iu drejtua gotës së rakisë për të “humbur sadopak mendjen nga realiteti i ashpër dhe armiqësor” që nuk e kurseu asnjëherë, por e goditi atë pa mëshirë.

Lirim Deda nuk shpërfaqet si një   poet me  një varg  të  sforcuar apo të  “hekurosur”,  që ndjek verbërisht rregullat arkaike të vargjeve me rima. Një meritë të  veçantë për këtë ka përmbajtja dhe lënda jetësore të cilën ai e ka përtypur dhe shpërfaqur me një figuracion të larmishëm poetik.

Vargjet janë të dashura, por aty-këtu, lexuesi përjeton ndjesinë sikur  ndaj tyre duhet të bëjë një farë kujdesi, veçanërisht, ndaj zemërimit apo  flakës që ato përcjellin...

Ndonjëherë në shtypin e kohës Lirimi është kritikuar me gjongël për heshtjen ndaj krahinës të cilën ai e kishte në zemër; Labërisë.

Bëhet fjalë për arealin poetik të kësaj krahine, në të cilin është prodhuar edhe fraza e përdorur nga  një djalosh  i cili ia shpreh  dashurinë përvëlonjëse vajzës së tij  me frazën: “Të dua moj qëne!”

Ky qëndrim, në dukje i ashpër si bruca e çobanit të bravareve, i sajuar mrekullisht  nga gjenialiteti i poetëve të çartur anonimë,  përbën një  thesar  me vlera të rralla artistike.  Ndryshe, si mund të shpjegohet “urimi’ plot dashuri, deri në përgjërim, kur nëna apo gjyshja i  drejtohen vajzës që gëlon  në  djep dhe  buzëqesh  me  engjëjt: “Vdeksh, moj korbë sa e bukur je?!” A nuk përbën  ky element estetik  një  mahnitje  të  vërtetë?!

 Bash  këtë  lloj  lirizmi,  mbushur plot aromë labërie  e gjejmë edhe te poezia e Lirim Dedës! Kjo do të thotë se ai vetë në rradhë të parë u mëkua nga poezia e bukur  labe njësoj si me qumështin e nënës dhe se, e ushqeu më  tej atë me këtë lloj lirizmi...

Dil çobankë brinjë më brinjë

dhe më qaj me ulërimë.

Që nga varri do t’ndjej zënë

dhe do ngrihem, hop në këmbë!

Tabutin do hedh mbi supe,

siç hidhja delen llajushe...

 

…Dil çobankë brinjë më brinjë

më gjen tek çdo blegërimë.

Më ke brënda në dyjare,

ti më vdiqe, ti më ngjalle!

Në poezinë e Lirim Dedës mbizotëron  vargu lirik për dashurinë. Për poetin ajo është e vetmja gjë e rëndësishme. Një dukuri e tillë të kujton vlerësimin e kritikës botërore ndaj romanit “Doni i qetë” të Shollohovit. Duke njohur dhjetëra romane epike, kritika botërore e veçoi këtë roman që ndikoi në dhënien e  çmimit Nobel në fushën e letërsisë nga akademia Suedeze, për faktin se në faqet e tij të shumtë “vetëm një gjë është e vërtetë (lexo: pasqyruar me vërtetësi) dashuria e Grigor Melehovit ndaj Aksinjës.

Studiuesi  amerikan, Ernest Simons, nënvizon: "… Doni i qetë", nuk është një traktat politik. Ky roman nuk është  politikë, edhe pse i ngopur me politikë, por pasqyron edhe dashuri. "Doni i qetë " është një histori e madhe e një  dashurie prekëse, ndoshta, e vetmja e  vërtetë në letërsinë sovjetike…".

Kjo është edhe arsyeja përse për vëllimin “Shiu i Lirikave” zgjodha shumicën e poezive lirike nga krijimtaria e Lirim Dedës.  Duke qenë se lirikat janë pegasi mbi  të cilat udhëtojnë në përjetësi poetët, nuk më mbetet gjë tjetër përveç urimit: Udhëtim të mbarë, miku im, drejt zemrës së lexuesve! 

 

RRETH POETIT DHE PUBLICISTIT LIRIM DEDA:

 

Lirim Deda ka lindur në Nivicë të Kurveleshit, Tepelenë, më 16 shkurt 1936. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shtatëvjeçaren dhe gjimnazin në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Mbaroi studimet për oficer në Shkollën e Bashkuar, si dhe studimet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në vitet 1961-1965 ka punuar si gazetar i kulturës në shtypin ushtarak dhe pastaj deri në vitin 1969 u dërgua në Shkodër, Kukës, Tropojë, si sekretar i rinisë i Korpusit të Veriut. Rikthehet në shtypin ushtarak, Kryeredaktor i Revistës “10 Korriku” në vitin 1973. Punoi në detyrë deri në vitin 1975. Lirimi ka qenë anëtar i kolegjiumit të gazetës “Drita”, si dhe anëtar i Komiteti Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Ka punuar në Sopot të Librazhdit në brigadat e punës deri në vitin 1990. Në vitet 1990 punon redaktor në gazetën “Fjala e lirë” dhe në gazetat “Ku vemi”. Më tej punoi si redaktor në Shtëpitë botueseOnufri”, “Egnatia” e “Xhuvani”. Zgjidhet dhe kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të rrethit të Elbasanit. Në vitet 2000-2012 punoi si kryeredaktor i gazetës “Labëria”. Ka qenë bashkëpunëtor i gazetës “Ndryshe”. Është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ishte redaktor në Shtëpinë Botuese “Alsa”.

 

Libra të botuara

 

Librin e parë me poezi dhe poema “Këngët e marshimeve” e botoi në vitin 1966 dhe pastaj me radhë: “Miqve dhe armiqve” 1968, “Në vijën e patrullimit” 1969, “E dua këtë tokë 1970, “Kolana e poezisë së zgjedhur shqipe” 1970, “Tregimet e Veriut” 1971, ‘Zambakë nga Hanoi” 1972, ‘Kënga e fitimtarëve” 1973, “Shënime për shokët letrarë” (shënime kritike, 1974), “Në Kinën e madhe” (reportazhe, 1974), “Balladë vietnameze” (reportazhe, 1979), “Zëri i tokës” 1980, “Gjurmë të arta” 1995, “Eja të blesh zemrën time” 1996, “Rrufe pikëllimi” 1997, “Trëndafili i zi” 1998, “Bukuria të verboka” 1999, “Djepvarri im, trimja Labëri” 2002, “Kush e vrau dashurinë” (shënime kritike-2006). Romanet: “Foleja e vetëtimave”, 2009 dhe “Valle në shtëpinë e vdekjes”, 2011 dhe së fundi “Shiu i lirikave”.

 

Vlerësuar me çmime të parë

 

Në festivalet mbarëkombëtare të Radio Televizionit Shqiptar, si dhe në festivale të ndryshme të folkut e muzikës nëpër rrethe  si në Gjirokastër, Shkodër e Elbasan, Lirim Deda si autor i teksteve ka fituar këto çmime të para: “Gjurmë të arta”, Kujtim Laro, L. Deda në Festivalin e 12-të të Këngës në RTSH; “Lulëkuqja”, Limos Dizdari, L. Deda, në Festivalin e 13-të të Këngës në RTSH; “Për ty Tiranë”, Avni Mula. L. Deda; “Sa 100 shqiponja”, R. Zdrava, L. Deda; “Kënga e zëmrave”, Alfons Balliçi, L. Deda; “E dua këtë tokë”, Prenk Jakova, L. Deda; “Dy milionë ushtarë”, Çesk Zadeja. L. Deda. ”. Dy këngët e tij në Festivalin e 12 dhe të 13 në RTSH, mbetën ndër këngët më të bukura të artistes së madhe Vaçe Zela.

 

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page