VARRI I SHITUR
Tregim nga : Kujtim Agalliu
Tre vitet e para bëra si bëra, por i katërti ma nxiu shpirtin. Se si ikën ata tre vjet nuk e di se ishim njerëz të shkulur dhe kërkonim të sheshoheshim sadopak në shtetin e huaj, ku na çoi halli. Sa më shumë kalonte koha, aq më tepër na ngrihej mendja dhe atdheu na përqasej në bisedat tona të përditshme dhe në ëndrra. Malli dhe meraku për njerëzit që kishim lënë pas po na e përcëllonte shpirtin çdo ditë e më shumë.
Të gjitha ëndrrat më merrnin nëpër natë dhe më çonin në qytetin tim, në vendlindje dhe kudo ku kishte shkelur këmba ime. Edhe ata për të cilët nuk kisha pasur ndonjë konsideratë kushedi se çfarë, ishin të pranishëm në ëndrrat e mia. Kujtoja të gjallë e të vdekur, të njohur, miq e shokë dhe qetësia më prishej përherë e më shumë. Ajo që ma shtonte më tepër brengën dhe më bënte të mos prehesha i qetë ishte nëna ime. Sa herë që do të flisja në telefon po të njëjtën pyetje do të më bënte: “Hë, re nuk do të vish ti? Nuk do të të shohë edhe njëherë sa të jem gjallë?” E merrja me të mirë dhe i premtoja se shumë shpejt do të kthehesha, por kur mendonim se çfarë na priste në atdheun tonë të dashur na këputeshin këmbët dhe nuk vendosnim dot.
Pyetjes së nënës iu shtua edhe një peng që e mbaja në shpirt prej vitesh, pa ia thënë askujt: më duhej të shkoja te varri i tim biri e të vendosja një buqetë me lule. U bën shumë vjet që nuk kisha shkuar njëherë e të shihja vendin ku prehej ajo foshnje e mjerë, që u vyshk ende pa u rritur mirë. Pothuajse çdo natë më shfaqej në ëndërr dhe më thoshte ashtu, duke bërbëlitur: “O ba, si më harrove? Si më le këtu më mes të të panjohurve dhe ike s’dihet se ku? Eja, baba e më shih njëherë!” Këto ëndrra më llahtarisnin përherë e më shumë dhe një ditë, sapo u ngrita në mëngjes për të shkuar në punë i thashë time shoqeje:
- A ke menduar ndonjëherë për tët bir që s’e kemi parë prej vitesh qysh se u larguam nga qyteti ynë?
- Mos ma kujto, të lutem, se atje e kam mendjen natë e ditë, - ma ktheu dhe u përlot.
I tregova për ëndrrat që shihja çdo natë dhe më në fund i thashë:
- Përfundimisht, duhet të ngrehmë plaçkat dhe të ikim. Veç merakut për nënën e moshuar, kemi edhe ëndrrat që s’po na lënë rehat.
- Ti, e di, po ku do të vemi? Atje na pret papunësia dhe skamja.
- Mos e vra mendjen, një copë bukë do ta hamë si gjithë të tjerët.
Në darkë iu njoftova fëmijëve se në fund të marsit do të ngriheshim e do të iknim. Ata që nuk e ndjenin si ne dhimbjen sikur u stepën për pak çaste, por unë ua bëra të qartë arsyet e largimit tonë për në vendlindje. Iu thashë se një pjesë të shpirtit tim e kisha lënë atje, bashkë me tim bir që prehej në varrezat e qytetit. Veç kësaj iu shpjegova se kur të bëheshin vetë prindër do ta kuptonin dhimbjen e tyre për fëmijët.
Fundi i marsit na gjeti në shtëpinë tonë të sakatuar nga qiraxhiu, në E. Plaçkat e vjetërsirat që sollëm me vete na u deshën tri-katër ditë që t’i sistemonim. Sa ramë pak në qetësi i thashë time shoqeje s’e nuk po më rrihej rehat. Dy ishin preokupimet e mia më të rëndësishme: të takoja me nënën që t’i nxirja merakun dhe të shkoja të ndizja një qiri e të vendosja një buqetë me lule te varri i tim biri.
Ashtu bëmë. Pasi takova me time ëmë, e cila qau nga gëzimi, e mbajta frymën drejt e te varrezat e qytetit. Para se të kapërcenim portën e varrezave u ndalëm e morëm një buqetë të madhe me lule artificiale te një luleshitës nga të shumtët që ndodheshin disa metra para portës së varrezave. Përshëndetëm varrmihësin që rrinte te porta, përpara një kamareje ku vizitorët hidhnin ndonjë lek, futa dorën në xhep e hodha edhe unë ca të shkoqura për sevap. Me gruan përkrah e mbajta frymën atje ku mendoja se ishte varrosur engjëlli im prej shumë vitesh. Me thënë të drejtën u hutova ca se pamja e varrezave kishte ndryshuar krejtësisht. Kjo që kisha përpara syve shumë pak ngjante me atë të dikurshmen. Hodha sytë përreth për t’u orientuar: kudo buste e qivure të shtrenjtë të rrethuar me kangjella hekuri të lyera me bojëra të ndryshme. Dominonte e zeza. Me tahminë shkova te vendi që mbaja mend prej vitesh duke çarë përmes qivureve gjigantë dhe pasi numërova disa radhë me varre iu afrova njërit që kishte thjeshtë një emër në një pllakë betoni katrore. Nuk ishte emri i tim biri. Eca pak më tej, e njëjta gjë. U theva dhe hyra në radhën tjetër se kushedi mbase isha i gabuar dhe e kërkoja kotë aty. Shumë pak varre me të tilla pllaka betoni mund të zinte syri përreth. Edhe aty nuk gjeta asgjë. Ime shoqe kur e pa se s’po e gjenim dot u bë një dorë prej trishtimit. E qetësova duke i thënë se do të shkonim te varrmihësi dhe do ta gjenim shumë lehtë nëpërmjet regjistrit të të vdekurve.
- Do Zoti dhe e kanë një regjistër të tillë! – e qetësova gruan.
I futa një njëqind lekëshe varrmihësit dhe iu luta të kërkonte për emrin e tim biri në regjistrin e varrimeve.
- E more, vëlla, - ma ktheu ai, - këta regjistra që kam unë as gjysmat e fletëve nuk kanë. Megjithatë, do Zoti ke fat dhe e gjen. Si e kishte emrin djali?
Ia thashë dhe po shihja me ankth lëvizjet e gishtit të tij kur kalonte pa u ndalur nga faqja në faqe. Ai ndaloi. Mora frymë i lehtësuar: “Më në fund, mendova i lehtësuar!” Ime shoqe ishte bërë gati të skinjësh. Lotët po i shndrinin në cepat e syve. Varrmihësi ngriti kokën dhe tha:
- Rreshti trembëdhjetë, varri numër 176. Besoj se atje do ta gjeni.
Mezi i dalloja tabelat nëpër qoshet e secilit rresht. Isha i trullosur dhe më ishin veshur sytë nga meraku nëse do ta vija një buqetë me lule artificiale te varri i tim biri apo jo. Ëndrrat për të më kishin ngritur nga mijëra kilometra larg dhe më kishin sjell deri këtu.
Por zhgënjimi im nuk njihte kufi. Pikërisht në numrin dhe rreshtin që më dha portieri zemërmirë ngrihej madhështor një varr i rrethuar me kangjella të larta hekuri. Bash në krye të qivurit një skulpturë gjigante e një djaloshi rreth të njëzetë e pesave. Aty midis të tjerave shënohej: “Vrarë nga bandat e vitit 1997” dhe më pas se kush ia kishte përkushtuar këtë varr. M’u këputën këmbët dhe u mbështeta në krahun e time shoqeje. Ajo ishte për vete helm e pikë. Shtrëngonte në dorë buqetën me lule dhe nuk dinte s’e ç’të fliste. Për merakun tim hodha dhe një vështrim tek nja dy varre aty pranë se mos kushedi edhe mund të ishte ngatërruar pa dashje vendi i saktë. Por jo...askund nuk dukej shpirti i babit. Gjithandej heshtje e përmortshme. Vetëm ca bletë kalonin nga njëra gonxhe trëndafili në tjetrën pa e prishur terezinë për hallet e të gjallëve. Ç’të bëja? Ku ta gjeja varrin e birit tim në këtë mbretëri të pagojë, ku gëlonin vetën beton e hekura pa hesap dhe lule artificiale të shpërndara prej ditësh apo ndoshta muajsh nëpër rrugicat e ngushta midis varreve që mbulonin mermerët e ftohtë të tyre. Filloi të më mundojë një mendim ogurzi. Mos ndoshta...mos ndoshta..., nuk na nxinte goja ta shqiptoja. Megjithatë nuk u përmbajta më, por ia tregova time shoqeje shqetësimin tim:
- Mos na kanë bërë ndonjë dallavere, moj grua!-
- Qyqja, mos e dhëntë Zoti, - klithi ajo që m’u duk se ku e kisha kuptimin dhe nga sytë i vërshuan lotët. – Edhe këtë të na kenë bërë?
- Edhe mundet. U bën shtatëmbëdhjetë vjet që s’jemi bërë të gjallë. Sot çdo gjë mund të ndodh.
- Mos të ngutemi. Kthehemi edhe njëherë e pyesim varrmihësin. Mbase kanë ndryshuar radhën në regjistër, - tha ajo.
Me këmbë të kalamendura shkuam përsëri te porta. Varrmihësi ngriti supet pa ditur se ç’të na thoshte.
- Zotëri, bën vaki që të bëhet ndonjë dallavere këtu?
Ai në fillim nuk e kuptoi, prandaj më pyeti:
- Ma thoni më shkoqur, zotëri. Për çfarë dallavere e keni fjalën.
- Ja, për shembull, që të shitet ndonjë varr kur të afërmit kanë vite që nuk janë interesuar?
Ai u gjend i pa përgatitur, por si e mori veten ma ktheu.
- Ç‘farë nuk ndodh sot, more zotëri. Po pate lekë edhe varrin ta blejnë.
Përgjigja e mëdyshtë e tij më bindi plotësisht se varrin e tim biri e kishin blerë. Kjo ishte një dackë e fortë për mua. Mirë ma kishin bërë kur unë endesha nëpër udhët e kurbetit dhe lija njerëzit e mi më të shtrenjtë pa i parë për vite me radhë. I thashë gruas të bënte gajret dhe ta vendoste buqetën me lule diku në ndonjë varr tjetër. Ajo ashtu bëri. Nuk kishim se për çfarë të prisnim më. Eshtrat e djalit tonë kushedi se në ç’kosh plehrash kishin përfunduar. Ne edhe sikur të harxhonim tërë jetën tonë nuk mund t’i gjenim dot përsëri.
Hodha sytë përsëri nga qyteza e varreve. Bardhësi, hekura të zinj, skulptura, lule artificiale të hedhura gjithandej. Gjithkund ftohtësi, heshtje, një mbretëri e pagojë që kishte filluar të qeverisej nga tregtarët e varreve. E vetmja gjë e gjallë aty ishin trëndafilat, bletët që zukatnin nëpër petalet e tyre dhe portieri apo varrmihësi që të shumtën e kohës rrinte përpara kamares me lekë të prishura. Më bëhej se aty ishte edhe shpirti i tim biri, që më dukej se më thërriste me zë parajse nga gonxhet e trëndafilave. “Mos u mërzit, babi! Edhe ti mami! Unë jam këtu, midis trëndafilave dhe po luaj me bletët. Varrin ma blenë, por shpirti im është i lirë, atë s’e ble dot askush!”
Me thirrjet e tij mbas shpine, të dy, burrë e grua u larguam të zhgënjyer e më të hidhëruar se më parë, të mbështetur.
留言