top of page

VARRI I MIKUT


Vaid Hyzoti

VARRI I MIKUT

                    -tregim  nga  Vaid  Hyzoti


... u lodhëm së pastruari. Nuk ishte shumë, por gjyshi na rrinte mbi kokë dhe bërtiste që të kishim kujdes. (Lëndohet miku) thoshte ai. Punonim në fund të oborrit, ku kopshti ynë ndahej me bahçen e xha Myrtos. Mbase kishte tridhjete vjet që nuk ishte pastruar fundi i bahçes aty ku gjyshi thoshte se ishte Varri i Mikut. Habiteshim me gjyshin që ishte aq merakli dhe kurrë s’na vuri që të pastronim aty pjesë të bahçes. Gjyshi qëndronte i ulur në një shezlong të vjetër që ne e linim dimër dhe verë jashtë. - Mos e ngul shatin aq thellë! - i bërtiti vëllait që po shkulte disa barishte në atë sukë të vogël të ngritur, siç bëjmë zakonisht për varret.-Mos, se e rëndove. Kur e pastruam u duk forma e një varri, ndonëse koha, vitet e gjata kishin ngjeshur dheun dhe vetëm me një vështrim të kujdesshëm dallohej e ngritura si sukë...

  *

... ndjeva vajzën që qante.

- Ç’ke ti, që bën si kalama, i bërtiti gruaja.

- Oh, gjithë këto gjilpëra.

Infermierja po kërkonte venat e gjakut në krahun tim, që të frikësuara s’di ku i ishin fshehur. - Mos e shpo njëqind herë, në qoftë se nuk di, le të vijë ndonjë tjetër, - u nxeh këtë

radhë vajza.

- S’ke faj, ti o goc, është faji im që s’të lashë në shtëpi.

- Është babi im.

- Qepe të shkretën! E dimë që e do shumë. Po sa herë e ke bërë të nxehet me këmbënguljen tënde si mushka për të blerë gjëra që s’kishin ç’të duhen, për të dalë orë e pa orë...

- Pusho, se e di ku je? Moj, ti, a merr vesh? Je infermiere apo këpucare? - ju drejtua vajza sërish infermieres.

- Pa dilni përjashta se po më pengoni...

    *

... gjyshi vazhdonte të lëkundej me sy gjysmë të mbyllur në shezlong. Hija e pikëllimit i dukej që larg. Ishte njeri i mirë, foli me gjysmë zëri, më shumë për vete sa për të na treguar neve.

- O gjysh, ti kurrë s’na ke treguar. Kush është ky që qenka i varrosur në bahçen tonë? - E pyeta unë.

- Ishte çifut që e pata njohur në Austri kur bëja tregti. Merrej me floririn. Më tha vetë një ditë kur isha në Viene se kishte dëshirë ta njihte vendin tonë. Erdhi me mua. Ne kishim këto tre dyqane që na i kthyen tani, këtu në rrugën e portit. Atëhere quhej Rruga Tregtare. Nuk pat nisur ende Lufa e Dytë Botërore, por çifutet si duket ishin të parët që e parandjenë fillimin e saj. Më kërkoi ti lija njërin dyqan me qira dhe filloji të punonte këtu. Flinte në dyqan që derën e pasme e kishte nga bahçja jonë. E shihja shpesh që me një libër të vogël në dorë mbështetej me kokë në mur dhe përkundej dhe lutej. Lufta kishte filluar dhe kush e dinte se ajo do të zgjatej e të vinte edhe në qytetin tonë. Pak çifutë i kishin parë të shkonin drejt portit dhe të merrnin udhët të përhumbur për t’i shpëtuar gjermanit. Një ditë më tha se do të nisej dhe ai. Por u sëmur. Në mbrëmje e gjeta duke u dridhur.

Nuk e di çfarë kishte parandjerë. Ndoshta vdekjen e tij. Kishte përgatitur një qeskë të hollë lëkure, ku futi një letër para syve të mi të shkruar në hebraisht. Ruaje këtë se ndonjë ditë në u bëftë ndonjëherë shtet Izraeli do të na kërkojë. Edhe këtë -dhe më tregoi vendin ku kishte lënë floririn që e nxirrte çdo ditë në dyqan...

   *

-...nga ç’vend jeni?- dikush me një anglishte të holluar pyeti gruan. - Nga Shqipëria, ju përgjigj gruaja e bezdisur.

- Oh, Shqipëria! Gjithmonë ka qenë mikja jonë.

Gruaja, si duket, nuk donte të shtynte më tej muhabetin.

- Si e ka tensionin, ka përmirësim...

- Po, po, mjekimi me tetraciklinë do t’i japë pak dhimbje koke por për tensionin i bën shumë mirë.

- O Zot shpëtoje për këta fëmijë - u lut gruaja zë ulët.

  *

... kishte ditë që gjyshi ishte me dhimbje koke. Iu lut tim ati që ta çonte deri në Tiranë. Jo për t’u vizituar. Tani le të vdes, thoshte ai, tani që morën dyqanet tona në Rrugën Tregtare... T’i punoni dhe t’i gëzoni. S’kam nevojë të mjekohem më... - Po atëherë pse do të shkosh në Tiranë, - e pati pyetur babai.

- Më ço tek ambasada e Izraelit. Dua të takoj ambasadorin...

Babai e kishte parë me sy të çakërritur...

  *

... ndjeva një dhimbje, një goditje pas koke. Si duket kisha rënkuar fort, ose thirrur, se gruaja dha alarmin:

- Kush është mjeku, ku është doktori?

U ndjen disa hapa që u afruan.

- Desha mjekun, jo ty - vazhdoi gruaja e nervozuar...

  *

... në ambasadë e priti një djalë i ri i qeshur:

- Si mund t’ju ndihmoj?

- Desha ambasadorin, jo ty! U nxeh gjyshi.

 *

- Unë jam mjeku. ...

 *

- unë jam ambasadori, ia priti djaloshi - Tani për tani nuk ka ambasador të emëruar, unë bëj punën e atij. Gjyshi s’dinte ç’të bënte. Nxori nga gjoksi një çantë të hollë lëkure dhe prej andej një letër me format të zakonshëm të shkruar në hebraisht. I ngarkuari me punë i ambasadës i ftoi të uleshin në holl. Ngrysi vetullat dhe u dha i tëri pas letrës, pas leximit të saj. Pas pak ngriti kokën:

- Ju faleminderit A mund të më jepni adresën ku banoni?

  Babai i dha adresën dhe numrin e telefonit të shtëpisë.

- Mirë, do të njoftojmë autoritetet, familjen në Izrael nëse gjejmë ndonjë të afërm dhe do të vijmë...

 *

- ... nuk shërohet pse nxehesh ti moj zonjë. Mjeku më tha se duhet ta dërgojmë në Long Island, në spitalin qendror, për të bërë nuklear test. Vetëm atëherë do të përcaktojmë se përse nuk normalizohet tensioni dhe do të përcaktojmë mjekimin e saktë. Kemi lajmëruar ambulancën të vije.

  *

... një veturë me perde dhe një fugon policie frenuan para shtëpisë tonë. Zhurshëm dyert u përplasën dhe nga fugoni zbritën dy policë dhe dy civilë, ndërsa nga vetura me targa diplomatike, dy punonjës të ambasadës izraelite. Një fqinjë po i thoshte të shoqit: -Si nuk ju ndanë policët kësaj shtëpie si në kohë të komunizmit, si dhe tani. Një nga policët pyeti me zë të rreptë:

- Ku është varri?

Gjyshi ,gjithnjë me hije pikëllimi, i priu për nga bahçja. Ato filluan të gërmonin nën drejtimin e civilit që si duket ishte ekspert kriminalistë. Kazma hasi në metal dhe u dëgjua një tingull i florinjtë.

- Kujdes-tha gjyshi.

- Kujdes-tha eksperti.

  *

... ambulanca frenoji në drejtim të korridorit të katit të parë dhe hapi dyert e pasme. Dy veta më mbajtën për krahësh dhe më ngritën me gjithë karrocë lart në ambulance, duke bërë kujdes që të mos harronin shishen e serumit.

- Kujdes - tha gruaja.

- Oh, e njohim mirë këtë punë Transportojmë me dhjetëra të sëmurë në ditë...

  *

... në fillim u dukën eshtrat e gishtërinjve. Ata ishin të mbështetura në qeskën e lëkurës me florinj që gjyshi i kishte varrosur bashkë me trupin e çifutit. Punuan me kujdes derisa skeleti u zbulua i plotë. Dy civilët bën fotografime, vrojtuan me kujdes. Të tjerët rrinin dy metra larg varrit të sapo-hapur. Ekspertet seç shkruanin, fotografonin... -Nuk ka shenja të jetë vrarë ose dëmtime të kockës. Duhet të ketë qenë vdekje natyrale.  Vetëm atëherë mesa duket gjyshi e kuptoi se policët kishin dyshuar mos kishin të bënin me një vrasës. Ambasadori Izraelit hapi krahët dhe duke përqafuar gjyshin i tha: - Faleminderit, në emër të shtetit Izraelit dhe në emër të afërmve të këtij hebreu të pafajshëm që ende s'i kemi gjetur ndonjë të afërm. Hebrejtë nuk i harrojnë miqtë për gjthë jetën...

  *

... në sallën e urgjencës ku më çuan si duket nisën nga e para veprimet e infermierëve, si matja e tensionit dhe e temperaturës.

- Sa e ka tensionin tani?- pyeti gruaja.

- Ka goxha përmirësim.

- Sa ëshë tamam?- pyeta unë me atë fije zëri që s’di se si më erdhi.  E kisha marrë veten. Përballë krevatit tim, në fund të korridorit pashë një burrë, që hoqi kapën e çifutit, hapi dollapin dhe bashkë me xhaketën e la brenda. Mori stetoskopin, veshi një bluzë të bardhë dhe u ul përballë kompjuterit që ndodhej në një tavolinë aty pranë. Infermierja i mori formularët, që mesa duket kishte plotësuar gruaja, të dhënat për temperaturën dhe tensionin dhe ja vuri në tavolinë doktorit. Ai pa me vëmendje dhe, përreth pesë minuta seç bisedoi me infermieren.

-Doktori më tha se inshuranca juaj mjekësore është e Affinity Health Plan dhe nuk mund ta mbulojë nuklear test. Duhet të aplikoni për medikejt...- dhe i zgjati një numër telefoni gruas, - po morët këtë lloj inshurance mund të vini këtu. I’m sorry... M’u kujtua dita që aplikova për këtë ishurance. Agjentja kishte nxjerrë tavolinën afër stacionit të metrosë. Plotësova formularët me emër e adresë të saktë. Gjatë gjithë kohës që shkruaja dëgjoja pranë një lypës që kërkonte ndonjë lek. “Jam i uritur, Zoti ju ndihmoftë ”. Sa pak njerëz e ndihmonin. Të tjerët shpejtonin të zinin trenin duke u hequr se gjoja nuk e shihnin lypësin.

- Po tani ç’farë do të bëjmë?- pyeti gruaja.

-Mund të merrni burrin dhe të shkoni në shtëpi, - foli infermierja me një buzëqeshje pafajësie, si të thoshte se s’kam ç’ ti bëj rregullave, është në dorën e doktorit kjo punë...

  *

... eshtrat i futën në një kuti dhe ambasadori shkoi drejt veturës me ato në dorë. I la në sedilen e pasme dhe u kthye përsëri të përqafonte gjyshin: - Nuk do t’ju harrojmë Jeni një mik i madh i Izraelit Në memorialin e njerëzve nga mbarë bota që kanë ndihmuar çifutet në Jeruzalem do të jetë dhe emri juaj. Edhe një herë, ju faleminderit shumë ...

  *

... Me gruan dolëm jashtë spitalit, ku ishte stacioni i autobusit. Veten e ndjenja të dobët. Hyra dhe dola nga spitali i pashëruar. Nuk kisha inshurancë shëndetësore. Nervozizmi si duket ndikonte dhe në tension. Ambasadori i kishte thënë gjyshit që nuk ju harrojmë. Jeni mik i madh i popullit hebre. Ndërsa mua mjeku çifut nuk pranoi të më bënte një vizitë të thjeshtë se s’kisha inshurancë. Për dyzet vjetë gjyshi nuk i kishte treguar kërkujt për varrin e mikut, ndonëse gjermanët disa herë e kishin thirrur në kuesturë. S’u kishte treguar as komunistëve... Donte të ruante mikun, edhe të vdekur.

  *

...prapë dhe tani që nuk jam në ëndërr m’u kujtua gjyshi. E thirrën pas një viti në ambasadë dhe i dhanë një vizë për të shkuar në Izrael, ku do të shihte edhe emrin e tij në memorialin e përbotshëm të nderimit që bënin çifutët për këdo që i kishte ndihmuar të mbijetonin. Gjyshi u sëmurë rëndë dhe nuk mundi ta shohë kurrë Izraelin...

 *

-Ja po vjen autobusi. Shkojmë në shtëpi se kalamajtë i ka marrë malli për ty - më tha gruaja duke më zgjatur krahun për të më ndihmuar.


17 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page