Xheladin MJEKU
Zejnepe Alili–Rexhepi (1973), sa është produktive në fushën e studimit të letërsisë, sidomos të rrjedhave dhe zhvillimit të krijimtarisë së brezave të rinjë, është poaq e thellë me mendimin e saj poetik, që me përkushtim i çaset krijimit të vargut që nuk pushon së gurgulluari, në çdonjërën nga librat e saj, tashmë të mirëpritura nga recepienti elitar. Në nisje të shpërfaqjes së mbresave pas leximit të akcilit libër poezish, konsideroj se poezia e Zejnepe Alili-Rexhepit ka afinitetin e pushtimit të shpirtit të lexuesit, duke ia “terratisur” vullnetin që të qëndroj gjatë dhe i ngulitur në vargun që përthekon ndiesinë e kënaqësisë së absorbimit të çdo vargu e fjale, që vijnë si tinguj melodish nga cicërimat e pranverës së hershme. Në ambientimin e këtillë të kësaj poezie mund të gjendesh sa herë të rizgjohet dëshira e përjetimit të kënaqësisë së saj, pavarësisht që asnjëherë nuk mund të “përthekohet” në kujtesë gjithë ajo ndiesi që shpërfaqet në poezinë e saj. Një përjetim i tillë krijohet edhe gjatë leximit të librit me titull simbolik dhe provokues “Ujëvarat e syrit”, vargjet e të cilit rrjedhin pandalshëm dhe të krijojnë ndjenjën se nuk do të shterrojnë asnjëherë.
Simfoni vargjesh plot mallëngjim
Vargjet poetike të Zejnepe Alili - Rexhepit edhe në përmbledhjen e tretë poetike “Ujëvara e syrit” vazhdojnë të rrjedhin vërtetë si një ujëvarë që buron pandalshëm nga shpirti poetik me ndiesi të fuqishme malli për dashurinë në përmasën e dyfishtë, për njeriun dhe atdheun, për lirinë dhe jetën, në kuptimin e plot të përcaktimit. Kështu, derisa u përcaktova ta rilexoj këtë përmbledhje poetike, e cila më kishte provokuar këndshëm që në takimin e parë me frymën poetike, në shpalosjen e faqes së parë takova signaturën e autores, që në shenjë respekti shkruan fjalët më të mira me rastin e dhurimit të librit, që daton këtu e pesë vite më parë. Tashmë, kur po e shfletoj edhe njëherë pas kaq vitesh, për ta rifreskuar kënaqësinë e leximit, me ndjenjën e përforcimit të mbresave të reja, ndoshta edhe të pahetuara në rastin e parë, për t’i ruajtur përfundimisht në formë kujtimi përmes këtyre pak fjalëve të shprehura këtu, përjetimi është po ai i takimit të parë me këtë materje poetike.
Pa mos iu çasur një leximi formal, gjithë strukturimin e librit mund ta zbërthejmë si një krijim zingjiror prej shtatë vargjesh, (që nënkuptojnë organizimin në cikle), duke i përmbyllur në një kuptim të ndërlidhur. Kjo në fakt pasqyron lidhshmërinë e gjithë materies poetike, gjithnjë në kuptimin e dyfishtë: dashuria për njeriun dhe atdheun, si dy komponente të ndërlidhura kushtimisht. “Ujvara e syrit” nuk pushon së rrjedhuri nëpër ciklet që e sajojnë tërësinë e librit, të shprehura në fuqinë e shtatë: “Antiteza e shpirtit”, “Petale trëndafilash lozonjar”, “Melodia e shiut gërvisht vrragët e amshimit”, “Mall i trishtë poetësh”, “Në fije motesh lidh kujtimet”, “Mirësevjen pranverë e vonuar” dhe “Janë yje apo pishtarë përjetësie”, të krijuara nga partitura e dorës mjeshtrore të Zejnepe Alili-Rexhepit, me përjetimin e tingujve të një simfonie poetike plot ndiesi e mallëngjim.
“Po një ditë, sërish do të jesh
jeta ime e jetuar me pasion,
një ditë pasi të treten pasditët,
të rikthehen mëngjeset e buzëqeshura,
ty, o jeta ime
do të jetoj me pasion!”
(“Mëngjeseve të jetës”, fq.8)
Me besimin se jetën do ta ketë në plotëni me rrjedhat e kohës, ajo, prapëseprap shfaq një dozë pasigurie, me qëllimin e vetëm, që të sigurohet edhe më bindshëm se “Kujt i përket e nesërmja”, që ka për fiksion ndriçimin e një rrugëtimi jetësor, siç e shpreh përmes vargut “përpëlitem në këtë botë të çoroditur,/aktroj për rolin kryesor,/ të një filmi pa skenar”, ndonëse “Ti nga larg më joshesh,/ ngujuar në elozhet mitike”, por ajo edhe më tutje është e pafuqishme ta zbërthej në tërësi enigmën se “Kujt i përket e nesërmja” (po aty, fq. 9). Pavarësisht kësaj, kjo poezi nuk rresht së kërkuari edhe çaste të bukura, duke mos e shkëputur zingjirin e tingujve të kësaj simfonie poetike, në krijimin e një ambienti të ngrohtë përmes vargjeve me ndjeshmëri të thellë shpirtërore, pa mos u kursyer prej sakrificave në të mirë të bashkëbiseduesit poetik. Kjo mirësi vjen në vetën e parë me gatishmërinë për ta mposhtur vajin e ngecur në buzë në çaste pikëllimi “kur grish shpirtin melodia”, që pastaj bëhet kitarë që ngjallë serenatat e pakënduara gjithandej rrugës kah shemben “ortek të shpenguar”, për të hapur “udhë malli i mbetur peng”. (“Të jesh peng”, fq. 13).
Edhe në poezitë që pasojnë: “Bardhë e zi”, “S’di në vjen a ikën”, “Dallgëzim ëndrrash”, “Ëndje e tjetërsuar”, “Lozonjarja”, etj. frymon po kjo ndërlidhje me synimin e arrijtjes së pikëpjekjes së përbashkët, se “Gjithmonë, Ti e Unë,/ Unë e Ti,/ Sa e çuditshme kjo dashuri!”, (“Antitezë ndjenjash”, fq. 22), për t’u dakorduar me vargun e saj për të bukurën dhe shpresat që diktojnë besimin e patjetërsuar për ardhmërinë që nuk ndalon.
Syri poetik shkreptinë edhe për një pikë loti
E veçanta e kësaj poezie reflekton vigjilencën e kapjes së imtësirave, ku syri del si pararojë e gjithçkaje që frekuenton në vargun e Zejnepe Alili- Rexhepit, e cila nuk rresht së trajtuari ngjarje e kujtime nga jeta, duke parafytyruar edhe të kaluarën, gjithmonë me mprehtësinë e vargut, duke shpërthyer rrethin prapanik të kohës, për të nisur një jetë tjetër. Ky veprim vjen natyrshëm, falë zgjuarësisë së autores, që përmes elementeve ndërtuese dhe figuracionit të shumtë të paraqes botën e saj të vrullshme drejt synimeve të reja. Kështu, syri poetik, si element fiksimi i ngjarjeve, por edhe si organ i ndjeshmërisë dhe vrojtimit të gjithëçkaje që e fikson në hapësirë, këtu identifikohet me togëfjalëshat: sypishë, syrin e shkruar, shkelje syri, loti i pagjumësisë, loti i dhembjes, ujëvara e syrit, sy gjeraqine, loti i nxehtë, lot të tharë, lotët dhe shiu, që në parim të gjitha pasqyrojnë imazhin e lotit në funksion të ndërtimit poetik.
Në shqyrtim të kësaj lënde poetike do të prekim disa nga specifikat e akcilës nga poezitë që veçohen për ndërtimin dhe mesazhin e qëndrueshëm. Kështu, poezia “Mbi petalet e kohës”, vjen si ngjizje e trëndafilit të gjakut, petalet e brishta të të cilit përkundër dëshirave që të shkëlqejnë, ato edhe më ndodhen në një situatë të brishtë, ku “Befas një lot të rrodhi,/ si kristal i moçëm/ e rigat e shiut mbi qelq,/ më ndollën mall për dhembje.” (po aty, fq. 27), që në fakt, kjo dhimbje nga çasti mund të thyhet si qelqi, që si trajtim poetik e hasim të pranishme tek shumë krijues, si dhimbje nga kohërat e largëta, “si kristal i moçëm”, që na rikujton vargun kadarean “Ca pika shiu ranë mbi qelq”, si përcaktim i ndjeshmërisë në kuptimin e mundësive të thyerjeve të pariparueshme shpirtërore. E një rëndësie të veçantë është edhe mënyra e detyrimit të vazhdueshëm që sa më dinjitetshëm të kultivohet dashuria për të bukurën dhe jetën. Këto emocione, mallëngjime, shpresa e virtyte njerëzore që herë vijnë të zbehta, e herë fuqizohen triumfalisht, i takojmë edhe në poezitë: “Poema e syrit”, “Breshërimë lotësh”, “Si në ëndërr”, “S’më shuan nata”, “Përndezje”, “Si siluetë”, “Atë çast”, “Imazhe të prera”, për të kurorëzuar me një “Prush i ndezur” dhe “Prush i shuar”, si indikacione të një reflektimi të shpërfaqur në forma përkatëse pothuajse në çdonjërën nga këto poezi.
Zejnepe Alili-Rexhepi, në përpjekjet e saja për ta trajtuar në mënyra të ndryshme dashurinë, nuk e anashkalon as “Filxhanin e fatit”, ku sjell të ndërlidhura fatet, qoftë edhe si bestytni, prej nga “Mes kafes dhe zheleve të fallxhores/ buzëqesh ëmbël dashuria/ pak e rebeluar si shpirti i saj,/ herë si romancë në karrocën shtegtuese”, vargje të ndërthurura me një muzikalitet që krijon kënaqësinë e leximit, gjithnjë në vartësi të plotë të kuptimit final të vargut ”ku me zjarr shkëmbehen shikime, / netëve nostalgjike me ca tinguj kënaqësie” (po aty, fq. 31).
Pothuajse në tërë ciklin poetik “Melodia e shiut gërvisht vrragët e amshimit” autorja rikthen kujtimet e ikura, sa të bukura, poaq edhe të dhimbshme. Ajo për asnjë çast nuk ngurron që të këndonte edhe “Vargje për shiun”, pastaj mpleks çaste vetmie “për një shpirt të fluturuar” që “troket në freskat e shpirtit tim” (“Gurëzimi i dhembjes”), duke vazhduar ta ruaj “Ritmin e shpirtit”, që “Sërish nëpër vargje” vjen “Si klithmë” dhe si “Çast i pa përcaktuar” me “Begati shpirtërore”, për të sjellur këtu, sa më bindshëm për lexuesin një çast rikujtimi, duke ngritur dolli me një urim: “Bekuar qoftë dashuria!”
Ndërlidhje motivesh
Çasje të vëmendshme meritojnë edhe ciklet “Malli i trishtë poetësh” dhe “Mirësevjen, pranverë e vonuar”, duke pasur parasysh dy përbërje poezish, që dallojnë për tematikat motivore. Pa u hamendur, që në nismë mund të ilustrojmë këtë vlerësim, me shkëputjen e disa nga vargjee e poezisë “Ndrydhje”, që ndërlidhet me emërtimin e ciklit, si shprehje poetike: ”Shkresurinave të poetit/ u shtrove frymëzim për varg,/ të ëndërroja...sa fort të desha,/ po kot më digjte ai zjarr”, si përzirje e dëshirave, mallit dhe zjarrit që djeg në vazhdimësi, të shpërfaqura përmes vargjeve, një kolorit poetiko-jetësor i komunitetit letrar, që këtu paraqiten mjeshtrisht, siç thotë një fjalë popullore, “si për vete”, plot ndjesi e shqetësime, njëkohësisht. Botën shpirtërore të shprehur me vargun e saj, Zejnepe Alili-Rexhepi e shpërfaq pothuajse në të gjitha poezitë e shtruara në këtë cikël, disa prej të cilave veçohen në kapjen e finesave jetike që e preokupojnë botën letrare-artistike, si: “Në përpëlitje”, “Ku tretën poetët”, “Shtigje të përgjakura”, “Lutje”, “Shfletim nëpër kohë”, etj. Në këto poezi nuk mungon as shtrirja tematike në rrafshin e gjërë hapsinor, prej nga prek skaje të shumta të hapësirave shqiptare me trajtim të ngjarjeve të veçanta, që veç optika vizuele e poetit mund t’i fiksoj, ashtu origjinale dhe plot ndiesi. Një pasqyrim të denjë në këtë rrafsh e gjejmë edhe në poezinë “Parajsë a ëndërr”, ku, siç do të shprehet autorja:
“Me luleborën e Pollogut,
aguliçen e Sharrit,
manxuranë Çame,
lulëkuqen e Kosovës...”
(po aty, fq. 69)
Me aq përkushtim ia del të krijon “Një kopsht i tërë luledashurish”, për të cilin nuk ndalon asnjëherë së pasqyruari imazhin e përgjithshëm të trevave shqiptare, me dashurinë e palëkundur nga shpirti i çiltër prej poeteje.
Poaq fuqishëm paraqiten edhe poezitë që sforcojnë dashurinë për kullat stërgjyshore dhe rrugëtimin historik të familjes shqiptare në një periudhë të hershme kohore, etj. Ky pasqyrim i jetës së përgjithshme të familjes shqiptare, pothuajse në çdo trevë, është një dëshmi e qëndrueshme, se Zejnepe Alili-Rexhepi, jo vetëm si poete, por edhe si njohëse e mirë e traditave kombëtare, nuk rresht së krijuari imazhin e atdheut, me traditën, kulturën dhe thesarin popullor që nuk shterron kurrë. Këto krijime poetike i gjejmë të grupëzuara kryesisht në ciklin poetik “Në fije motesh lidh kujtimet”, ku veçohen, sidomos poezitë: “Kulla arbërore”, “Për nder të Lokes”, “Shtigje malli”, etj. Poashtu, ajo portretizon gjyshen me kujtimet dhe dashurinë për te, që diametralisht, përmes kësaj figure zgjeron gamën e kujtimeve edhe për brezat e saj, si strumbullar i familjes, me përpjekjet e ndërlidhjes së tradicionales dhe të ardhmes që synohej në vazhdimësi. “Bukën e bardhë dhe verën e kuqe,/ kaherë i patëm shtruar në sofër/ edhe kur krushqit bënin jehonë dasme/ e trimat ngrinin flamuj lirie,” (“Gjurmë”, fq. 79). Një pasqyrim kaq i fuqishëm bën të kuptojmë se sa me kujdes e vrojton çdo finesë të jetës dhe veprimeve në çdo sferë të jetës dhe ngjarjeve të asaj kohe, për të shpalosur kujtimet nga më mbresëlënëset; pastaj kërkimin e vazhdueshëm të një drite të re për mërgimtarin, si pjesën më të dhimbshme të shoqërisë sonë, fati i të cilit ishte dhe vazhdon të ndihet i “gremisur rrugëve të amshimit,/ leckosur si në përrallë/ ku as dallëndyshet e bekuara/ si gjejnë shtigjet e lirisë.” (“Fanar për mërgimtarin”, fq. 87).
Për në ndërlidhje motivore veçohen edhe dy ciklet në vazhdim, “Mirësevjen, pranverë e vonuar” dhe “Janë yje apo pishtarë përjetësie”,që poashtu kanë një pikëpjekje të madhështisë heroike nëpër shekuj, ku takohen trimëria, heroizimi dhe liria, si tre bashkudhëtar të pandashëm deri në përjetësi, për të krijuar një arenë heroiko-atdhetare, me figurat dhe sakrificat e pambarim në vulosjen e lavdisë kombëtare. Këtij mendimi i qëndrojnë besnike, përveç tjerash poezitë: “Pranverë e shi”, “Në mars”, “11 Shtatori 2001”, “Kohët”, “Orteku i mallit”, “Grilat”, etj. që për ilustrim të këtij mendimi shkëpus vargjet: “Nisen trimat, hej!/ Foshnjave t’u këndohen ninulla,/ loket të dredhin shamitë e mallit!/ Vendlindja të jetësohet në trimëri,/ zëri i atdheut i fton!” (“Për liri”, fq.96), pa mos e mbyllur me kaq, meqë poezia e Zejnepe Alili-Rexhepit nuk di të ndalur gjithandej ku dhemb zemra, ku pikon loti e andej kah shkreptijnë shkëndija lirie.
Përveç ngjarjeve të shumta në atdhe, poetja nuk harron ta kujtoj edhe një moment të veçantë, derisa “Në Marmaranë e bukur jetike/ si vetë deti i pafund,/ M’u shpalos një sekret i kahmotshëm”, për ta shpërfaqur dhimbjen dhe kujtimet për shumë familje të shpërngulura gjatë viteve ’56, të shekullit të kaluar në Anadollin e premtuar. Portretizimi i “gruas së guximshme që afrohet,/ me sytë si liqenet e Sharrit,/ dorën e miqësisë më ofron”, për ta kujtuar vendndodhjen e saj, “Larg, atje larg.../ ku jetohet nën hijen e historisë,/ dhembja maskohet në lumturi. Atje tretemi ne!” (“Shkapërderdhje e fisit”, fq. 102).
Këtyre përballjeve historike, padyshim se duhet gjetur edhe kryepersonazhet, që i japin emër historisë. Të shumtë janë ata emra heronjësh, humanistë, personalitete politike e kulturore, që e ndërtojnë lapidarin e pavdekshëm të lirisë në poezinë e Zejnepe Alili - Rexhepit, Të skalitura përmes vargjeve edhe në disa nga poezitë: “Kurora lirie thurin vashat”, “Dashuria e njerëzimit”,“Me përkushtim”, “Një yll mbi Pogradec”, etj. për ta përmbyllur përkushtimin me “Kujtimet në çast përndizen/ për shpirtërat e burgosur në mote,/ mbi portat e mallkuara/ bien rrezet e mirësisë/ si spiranca shpëtimtare” (“Kur shpirti burgoset”, fq. 118).
Kupola e fjalës
Semantika e vargut, figuracioni i pasur, gjuha e çiltër dhe komunikative, metaforat dhe mesazhe të palëkundura e ndërtojnë veprën e Zejnepe Alili – Rexhepit, duke krijuar një ndërlidhje të qëndrueshme në gjithë lëndën poetike të këtij libri. Poeti është i madh, jo nga sasia, por nga cilësia e krijimtarisë së tij, është potencuar nga njohës dhe studiues të ndryshëm të letërsisë dhe poezisë, si e veçanta e kësaj veprimtarie krijuese. Ky mendim vlen edhe për këtë krijuese, që përveç poezisë, kontributi i saj nuk pushon as në fushën e studimeve të letërsisë dhe më gjerë.
Në mbyllje të këtij rrugëtimi mbresëlënës, nuk mund të anashkaloj pa i theksuar edhe disa karakteristika që i takojmë në këtë ekspoziturë lirikash. Do të veçoja ilustrimin e çdo cikli me një foto apo vizatim dhe poezitë nistore të çdo cikli, të përkthyera në gjuhën angleze, që ndikojnë dukshëm në ngritjen e nivelit artistic të librit dhe në azgjuarjen e kërshërisë së lexuesit.
Mbi bazën e këtij ndërtimi poetik që shquhet për laryshi tematike dhe organizim të qëndrueshëm, gjithnjë duke shtyrë tutje zgjërimin e gamës së veprimtarisë poetike, Zejnepe Alili-Rexhepi nuk rresht së krijuari vepra e vlera të reja, me synimin më të mirë që gjithnjë e më shumë ta kënaq shijen e lexuesit të pasionuar.
Kommentare