top of page

Vangjush Saro: Shënime për romanin ‘Grimcat’ të shkrimtarit Përparim Kapllani 



“Grimcat” është një nga romanet e shkrimtarit Përparim Kapllani, i cili jeton në Kanada dhe në dekadën e fundit ka rënë në sy për prozën e tij realiste, me frymë jetësore dhe të zhveshur nga manierat, (aq në ‘modë’ sot). “Grimcat” është një faqe gri e së kaluarës së Shqipërisë nën diktaturë, një ‘dramë’ personazhet e së cilës heqin shumë, vuajnë pareshtur, sikurse edhe ropaten e shpresojnë për ndonjë ditë më të mirë. Libri është njëlloj ditari i një kohe të vrazhdë.

Megjithëse heraherës leximi nuk është aq i këndshëm - edhe për shkak të mjediseve e ngjarjeve të rënda - mendoj se lexuesi krijon një panoramë të rendit në fjalë, për të mos thënë që arrin t’i shohë ngjarjet e rrëfyera në libër sikur një ‘film’. Heroi i romanit, Çimi, një fëmijë i vuajtur, i ndjeshëm, zemërhapur, ndonjëherë na duket si një ‘ciceron’ i asaj kohe të vështirë; ai ‘vizaton’ skena e ngjarje që zbulojnë një jetë në tonet më të errëta, madje e brengosin lexuesin dhe kjo flet për anët më bindëse të prozës së autorit.

Në libër, janë sjellë me shumë sinqeritet: Historia e atit të djalit, si e shumë shqiptarëve që studjuan në ish-Bashkimin Sovjetik dhe u lidhën me vajza ruse, vuajtjet e tij në spital, përpjekjet për të mbijetuar, shpresa se do mund të takojë sërish fëmijët e tij dhe pastaj… humbjet raskapitëse: vdekja e tij dhe e Alketës, motrës së heroit (stepsister). Këto ngjarje e ndjesi i japin të kuptojë lexuesit se autori dhe heroi i librit të tij, i kanë ‘skanuar’ mirë ato dekada të vështira, të rënda.

Por lënda letrare nuk mbahet pezull e ndonjë fiksimi a maniere; pjesë integrale e rrëfimit, është përpëlitja e njerëzve për të jetuar, durimi dhe mundi i tyre për t’u kapur në ato pak shanse të jetës - bie fjala, Çimi përpiqet të hyjë në punë, më pas të shkojë në një shkollë ushtarake - duke treguar se personazheve u duhej të luftonin e të besonin se mund të kish një të nesërme disi më ndryshe. Më duket pozitive gjithashtu, pse jo edhe mjaft realiste, ajo që autori sjell në roman edhe personazhe të cilët i përkisnin anës së ‘pushtetit’ ose ishin afër tij - si zysha që e ndihmon djalin ose mjeku i ri, Arbeni - duke mos i lënë të gjitha episodet në errësirën dhe shtypjen e kohës.

Mendoj se nga pikëpamja e kompozimit, romani ndërtohet në dy pista kryesore: mbështetet në dinamikën e ngjarjeve të ditës, por ndihmohet edhe nga digresionet; (jeta e Isait në Rusi, problemet shëndetësore të tij dhe sjellja brutale me të shoqen, meditimet për Eseninin dhe poezitë e tij, etj.) Në të njëjtën kohë, si një ‘pistë’ e tretë shfaqet sfondi i ngjarjeve politike: më parë, teksa prishja e marrëdhënieve mes shteteve, BS dhe Shqipëria në këtë rast, merrte përpara fatet e njerëzve; dhe pastaj varfëria ekstreme në vendin e vogël nën diktaturë.

Në roman ka tablo realiste, të shkruara me frymëzim - edhe pse ndonjëherë zgjaten shumë - ka skena dhe episode që e sjellin të gjallë jetën e atyre dekadave. Ka një kompleks ndijimesh, kujtimesh dhe aktesh që tregojnë shumë. Një aso është episodi ku fëmijët luajnë luftash: Ilirët dhe Romakët. Vende-vende nuk mungojnë as skenat lirike, që fatalisht kanë të bëjnë me dy personazhet kryesore e në vuajtje: dashuria e Isait me Svjetllanën dhe pastaj miqësia aq e çiltër e heroit kryesor, Çimit, me shoqen e vet Amlën.

Të bën përshtypje kujdesi i autorit për të ndërtuar një karakter të mirë, të dhënë pas së bukurës, historisë, librave, sikundër është ky djalë i vogël, i rritur para kohe, që megjithë hallet e skajshme, është një meditues model, gjen hapësirë të mendojë për familjen, për të ardhmen apo edhe të admirojë pamjet më mbresëlënëse të qytetit të vet, Elbasanit: “E tërhiqnin më shumë rrugicat e ngushta dhe sidomos lagjia “Kala”, rrugët e vjetra me kalldrëm.” Mjafton kaq për të treguar shije të qendrueshme dhe dashuri për traditën, në çka qyteti dhe jeta nxiren për një moment nga përshkrimet ‘danteske’, siç edhe cilësohen; (shtëpia tejet modeste e personazheve, spitali si mos më keq, rëndomtësia e lagjes “Vullnetari” apo mjedise të tjera të pista e shumë larg një jete normale).

Romani ‘Grimcat’ është një arritje e rëndësishme për autorin dhe, njëherësh, kontribut në Letërsinë Shqipe të pas viteve ’90.

 

83 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page