top of page

Vangjush Saro: Angli-Shqipëri në një roman




Shënime për librin “Thesari i Holtës” të shkrimtarit dhe përkthyesit Besnik Rika


Një nga prozat e prezantuara në Panairin e Librit të këtij viti, ishte edhe romani “Thesari i Holtës” i Besnik Rikës, botim i “Botart”. Besnik Rika është një shkrimtar relativisht i ri, që njëherësh punon edhe si përkthyes; (ai ka sjellë në shqip disa botime interesante nga letërsia britanike: “Revolucioni grek 1821 dhe krijimi i Europës Moderne”, “A më shikoni mua?”, Biblioteka e mesnatës”, etj.) 

Kanioni i Holtës, me çfarë përkojnë ngjarjet e romanit, është një monument natyror, i quajtur kështu sipas emrit të Lumit të Holtës, (që ka çarë në mes malin dhe ka krijuar dukurinë). Kanioni është rreth 3 km i gjatë dhe ka një dendësi të larmishme formacionesh gjeologjike, ka guva e labirinthe të shumta dhe… ujëra termale që dalin nga nëntoka.

Por deri sa të shkojë te ai ‘thesar’, ai tej subjektit në fakt, autori bën kujdes të shtjellojë në një dimension bindës historitë e personazheve të librit të tij. Atje ‘vizatohet’ një tablo e gjerë e jetës së emigrantëve, përpjekjet për t’u integruar, dashuritë e tyre; kështu, mjaft bukur, si në një romancë, vjen ajo e Bertit me Karolinën. Por krahas atyre që mund të quhen normalitet dhe arritje, në roman shfaqen edhe histori dhe episode të botës së krimit. (Drama e trishtë e Agronit.)

Gjithsesi, është interesante përqasja e kulturave dhe përvojave të dy vendeve (Angli e Shqipëri) dhe që personazhi kryesor, Berti, i gjen së pari te legjendat, si ajo për Gurët e Mbretit dhe ajo për Osumin; ndërkohë jo më pak interesante vijnë këto përqasje në jetën reale. Veças, kjo realizohet gjatë vizitës së çiftit në Shqipëri. “Në këto momente, asaj ky vend po i dukej sa i çuditshëm, aq edhe misterioz.” Kështu thotë autori duke nënvizuar përshtypjet e Karolinës, teksa ata vizitojnë Kanionin e Holtës. Rrëfimi rreth operacioneve ushtarake në vitet ‘40, thesari dhe majori Hans, figura interesante e Tonit, dashuria e tij me Fatimen, ndryshimi i kahjes së jetës së tyre, udhëtimi tjetër në Shqipëri i personazhit kryesor, këto lexohen me interes dhe vijnë si njëlloj skenari, duke e afruar librin me filmin.

Lufta për jetën, e inspiruar nga e shkuara, por nën diktimet e së tashmes, skemat letrare që bashkojnë në një thesaret e Londrës dhe atë të Holtës - ku zhvendosen ngjarjet më pas - të gjitha këto i bëjnë intriguese dhe meditative episodet e romanit. Historia dhe e tashmja përplasen. Megjithatë, ajo që drejton dinamikën e tyre, është sfida ku personazhet përpiqen të ndërtojnë një jetë sa më të lumtur. Legjendat dhe thesari gjithashtu. Çuditë e lidhjeve familjare edhe më shumë. Gjithaq, udhëtimet e shumta të personazhit qendror në vendin e tij. Dhe kjo e gjitha e rrëmben autorin kaq fort, saqë pothuaj i jep njëlloj fryme aventurash romanit.

Një kujdes të veçantë bën shkrimtari për të ‘vizatuar’ mjediset ku veprojnë personazhet e tij. Londra dhe rrethinat e saj vijnë në roman me përshkrime që asnjëherë nuk lënë pas historinë, kulturën, emrat e shquar të atij vendi. Gjithaq interes paraqesin për penën e Rikës edhe parqet, bibliotekat, baret, monumentet; jo më pak, edhe peizazhet dhe përshkrimet nga vende të tjera, ku personazhet i çon interesi apo thjesht dëshira për pushime.

Personazhi kryesor i romanit, Berti, është një emigrant që vlerëson një jetë në paqe dhe punë të ndershme. “Aspiroj vetëm një jetë më të mirë se kjo që kam, si edhe një vajzë që ta dua dhe të më dojë!” mediton djaloshi. Por krahas kësaj, ai është kërkues në ndjesitë shpirtërore të tij, ka një vizion të vetin për të shkuarën dhe të tashmen; ai përpiqet të shpjegojë arritjet e njerëzimit, vlerëson pasurinë kulturore të Anglisë, gjithnjë duke mos hequr nga mendja dhe kujtesa edhe vlerat e vendit nga vjen. Në këtë botë hyn pak e nga pak edhe e dashura e tij, Karolina. “I dukej sikur po i lageshin këmbët nga uji i freskët e i kulluar i lumit që sapo kishte përshkruar.” Kështu thotë autori, duke treguar impresionet e saj nga Shqipëria dhe kanioni në fjalë.

Ndërkaq, tërësia e rrethanave nuk prodhon gjithnjë shpresë, hare apo thjesht vëmëndje ndaj dukurive më pozitive. Agroni, personazhi antipod, nëse mund ta quajmë kështu, vjen me një dramë tjetër; si shumë emigrantë që përzihen në trafiqe, vjedhje, dënime, burgosje dhe arratisje. Për më tepër, në kushtet kur shumë njerëz e fshehin aktivitetin e tyre, dramat marrin ngjyra më të errëta; kjo ndodh edhe me Agronin dhe Anën, vajzën e pafajshme, që për hir të të vëllait dhe, krejt pa e kuptuar, hyn në një botë të vështirë…

Romani procedon me retrospektiva që i shërbejnë tregimit; ndër të tjera, episodet nga zhvillimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, në prozën e Rikës përdoren dendur dialogë të ndërtuar mirë e gjithnjë në shërbim të vizatimit të personazheve dhe situatave. Në pikëpamje të kompozimit të veprës, të bëjnë përshtypje disa elemente. E cituar si lejtmotiv që në faqen e parë të librit, vjen kaq organike thënia e mendimtarit kinez Konfuci: “Jeta është e thjeshtë, por ne këmbëngulim ta bëjmë atë të ndërlikuar.” Më tej, një legjendë interesante, e cila shpalos që në fillim natyrën disi mistike të rrëfimit që do të pasojë. Gurët e Mbretit, Rollright Stones, Shoqata Historike dhe Kulturore e zonës Cotsëould, etj. gërshetimi i kulturave dhe pranëvënia e tyre, bën që trashëgimi historik, ai mitik dhe tablotë e prekshme jetësore të shkrihen në një.

Romani ka meritën që nuk e zbukuron pa sens jetën e emigrantëve, përfshi ata që, më shumë se të tillë, janë sfidues të jetës dhe të ligjit. Nga ana tjetër, me atë interes e pasqyrim në thellësi e në sipërfaqe të jetës britanike, si dhe atë të shqiptarëve të atjeshëm, librat, tablotë me kisha, monumente, bare, hotele, etj., e gjithë kjo shkon kundër çdo keqinformimi dhe mentaliteti të sforcuar rreth emigrantëve dhe, në veçanti, ndaj komunitetit shqiptar atje, duke ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe duke mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve. Në këtë sens, romani shërben jo vetëm nga pikëpamja letrare dhe estetike, por edhe si një format realist mirëkuptimi në marrëdhëniet mes vendeve e popujve.

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page