top of page

Vangjel DIAMANTI: RA NJË YLL...



 

Ishte një brez mësuesish që hera-herës shkon përtej memorjes, jo vetëm si edukatorë, por dhe për pasionet dhe talentet e tyre. Respekte dhe mirënjohje për punën e palodhur të atyre viteve. Të nderuarit, Vasil Partali, Vangjel Diamanti, Androkli Naqellari, Vasil Polo nuk ishin thjesht ata që mbahen e përkujtohen nga brezat por ata që kanë mesazhe, punëra dhe talentin e tyre për brezat. Një prej tyre ishte dhe Vangjel Diamanti, që pasionin dhe talentin e tij, krahas edukimit e kishte dhe në poezi.  

Vangjel Diamanti lindi në Libohovë në vitin 1946. Studimet e larta i kreu në Fakultetin Histori – Filologji të Univeristetit Shtetëror të Tiranës. Punoi në sektorin e Arsimit Sarandë, ishte pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë Gjirokastër. Shkruante poezi lirike, të ndjeshme, me tematikë nga mjedisi i fshatit, i familjes, i shoqerisë dhe nga vitet e fundit të jetësj, poezi dhimbjeje dhe malli për ndarjen e madhe. Vëllimi i tij i vetëm poetik me titull Lulet e bardha u botua pas vdekjes nga shtëpia botuese “Milosao”, Sarandë me përkujdesjen e poetit të pavdekshëm, botuesit të apasionuar, Agim Mato „Mjeshtër i Madh“. Vangjel Diamanti ndërroi jetë në vitin 1997 në një spital të Athinës, ku kishte emigruar në vitet e fundit të jetës së tij.   Për lexuesit, për miqtë dhe për ata që e kanë njohur dhe lexuar, për kolegët dhe për familjarët e tij po sjellim në shenjë kujtimi disa poezi të tij në vite.

 

 

Ç’  I  DUA  LULET

 

Sot brodha vetmuar përmes shtigjesh pylli,

mes degësh u enda me vrap;

këputa me dhimbje një tufë lulesh prilli,

një tufë... që s’kam kujt t’ja jap.

 

Ç’i dua lulet!Nesër do të zbehen

dhe unë nga dritarja do t’i flak,

Do bien lulet mes lulesh që po dehen,

mbi gjemba trëndafilash të kuq gjak.

 

Sot brodha vetmuar përmes shtigjesh pylli,

ç’këndonin korijet ngadal’,

këputa me dhimbje një tufë lulesh prilli,

një tufë...që s’kam kujt t’ja jap.

 

Tiranë,1.4.1967

 

RA NJË YLL...

 

Ra një yll nga kaltërsitë në qetësi hyjnore netësh,

me vërtik mbi maja yjesh shkau shpejt....

E shpejt u shua,

qetësisht mbi faqe pellgjesh vij’e artë u pasqyrua

dhe u drodh si flak’rrufeje shum’e shum’

Mbi valë detesh.

 

Tirane,19.9.1967

 

IMITIM

 

Sergej,dhe sonte rishtaz të lexova,

Ç’më shkundi mbi qepall’ bejrozka fletët

Dhe trishtim tingëlloi “zilk’e kalit”

E si të çmendur prapë zhurmuan vjetët.

 

T’i përkedhela kaçurrelat- thekër,

Në vargun tënd të tjera dhimbje gjeta,

Tanjushka qan,mullisi sjell një letër,

Me shall të zi del rrugës nënë shkreta.

 

I doje ti korijet ngjyrë artë

Të dashurës i thurrje mijëra fjalë,

Qumësht bejroze hodhe në çdo varg

E çajhaneve pive çaj të valë.

 

Përse, Sergej, ti humbe kabareve,

Dhe s’gjete vend në sytë e asnjeriu,

Po në Rusi shkelqeu përmes reve

Një diell,një mendim i një gjeniu.

 

Sergej dhe rishtaz te lexova

Dhe gaz’ e breng’ ne vargje rishtaz gjeta,

Ne kopeshte keput lule Shaganeja,

E rrugeve zvarritet nene shkreta.

Libohovë   2/11/1969

 

***

Dolën mësueset në rrugë përsëri

Me një brengë të madhe mbi vete,

Sivjet do të kenë shumë vështirësi,

Ndaj dhe do t’u duhet

Që sandallet e sheshta

T’i këmbejnë me atlete.

 

Kur te mbrrijnë në shkollë,

Do të shohin shkreti;

Shqepur,shqyer e thyer gjithshka,

Ndaj atyre do t’u bjerë mbi sy

Një tronditje me përmasa të mëdha.

 

 

E kur të vijnë nxënësit;

Dhimbje përsëri.

’Do t’u zbehet prapë shpirti i tyre i butë,

E si te shkojnë klasë më klasë

E shtëpi më shtëpi,

Do të mblidhen prapë të hutuara

Plot brengë e mërzi:

Ku janë këta,nxënësit e mi?

 

Po ata janë larg,

Kanë marrë rrugë e dete,

Dhe sado të bëjnë mësuesët e mira,

Kurrë s’do t’i arrijnë,

Ndonëse i këmbyen sandallet e sheshta

Me atlete.

 

Në rrugë mesueset dolën përsëri,

Presin sinqerisht të shkojnë në shkollë,

“Ato të thjeshtat gjer në madhështi”

 

(Shkruar kur ishte shef i seksionit,  1992)

 

SHTËPIA IME E VJETËR

 

Qindra herë kam ardhur në shtëpinë

e vjetër

Dhe të gjitha herët

me kenaqësi.

Por sot s’gjeta asnjeri

Veç dorezën te vendi i vjetër!

Hyra brenda dhe piva një raki

Dhe fill e mbylla derën e shtëpisë së zbrazur

Duke u larguar me lotë të hidhur stuhi.

 

Libohovë - Sarandë 29.12.1994

 

***

 

Nga dhoma e spitalit ku jam shtrirë,

Tre-katër gjysma degësh bredhi shoh

Më tutje një copë qielli të pangjyrë

Dhe asnjë rreze shprese nuk më ngroh.

 

Sëmurë jam,trup e shpirt shkretuar,

Më dhemb gjithshka nga thonjtë gjer në

flokë,

Dhe qaj e qaj çdo ditë i pikëlluar,

Jo për ç’kaloi,po për ç’më vjen

mbi kokë.

 

Tiranë, Spitali nr 1 janar 1996

 

***

 

Në majën e një bredhi rri një harabel,

Dhe maja tundet vrullshëm se fryn erë,

Unë shikoj dhe zemra sa s’më ngel,

Mos bjerë nga dega harabeli i mjerë?!

 

-Po si do të bjerë zogu,them pastaj,

Kur ai aty lind,rritet e fle,

Një harabel po mund të bjerë nga maja,

Veç kur mbyll sytë dhe nuk nxjerr me zë.

 

Tirane, Spitali nr 1- janar 1996

 

 

***

 

Mbeta shumë  gjatë në spital,

Dhe tani kam mall për gjithshka,

Për një copë tokë nën këmbë,

Për një copë qiell mbi kokë,

Të ndjej një fllad ere mbi faqe,

të më lagë qepallat pak shi,

Të më marrë sytë një vetëtimë,

. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . ..

Që të më duket vetja prapë njeri.

 

Tiranë, spitali nr 1 - shkurt 1996

 

***

I mbusha më në fund 50 vjeç,

Po ky vit që tepër i vështirë,

Ma vrau shëndetin marrëzisht,

 

Dhe zgjati sa për 20 vjet

Dhe po aq vjet më plaku shpirtërisht.

 

Tani sa vjet mund të mbush?

Nuk e di,

“Po 60 a 70 vjetorin mund ta ze?”

Ashtu siç mund te ndodhe fare thjeshte

qe te mos mbush dot as 51.

 

Sarandë,12 gusht 1996

69 views1 comment

1 Comment


Guest
2 days ago

Timo Merkuri

Një përshëndetje dhe falnderime të veçantë për ju Fatmir Terziu për këtë prurje të veçantë pse te gjesti juaj spikat më tepër bota humane e njeriut dhe si vazhdim apo satelit i saj bota letrare e juaja. Ju falnderoj sidomos për prezantimin vëllazëror që i bëni. Respekte

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page