Keto ditë në plazhin e Durrësit shihja një poet teksa përpiqej me biçikletën e vet të shiste ndonjë libër nga arka e librave të krijuar vetë.
Respekt të madh krijova për këtë njeri, që edhe në kohë plazhi mundohej të përhapte dije, në një kohë kur celularët dhe iPad-ët dominojnë tek fëmijët dhe të rriturit.
E lumtur që njoha në person poetin Shahin Jaho Ibrahimi.
Poetit
Poetët gjenden kudo, në çdo kohë,
ndoshta nuk e dimë kush janë;
heshtur, mendueshëm, të respektuar,
cilësitë e tyre të shkruara në ballë.
Një mik fisnik takova, isha me fat,
poet, mendimet koduar në varg;
i respektuar, fisnik, fjalë pak,
thua ato të ishin margaritare.
Bicikleta e tij, mbi të një arkë,
librat shetisnin me të anembanë;
plazhit kryq e tërthor i binte,
shpresonte ai, ndonjë të shiste.
Iu afrova me shumë interes,
ndjeva për të shumë respekt;
për librat e tij, poezi a prozë,
lëvizte, pyeste në çdo shazllon.
Iu afrova, përshëndeta poetin,
i qetë, priste çfarë do zgjidhja;
për mirësjellje, dy nga librat
apo krijimet e tij dëshiroja të blija.
Vura re, arka e tij plot ishte,
ndonëse me shpresë pak
apo shumë, arrinte të shiste;
ndonëse në heshtje priste, priste…
Shihja njerëzit, ulur për qejf,
shijonin birrën, cigaren, kafenë;
rrallë afroheshin te ky njeri,
poet-shitës librash ambulant,
por ai vazhdonte intinerarin e tij.
Ray Bradbury, shkrimtar amerikan,
në ato çaste sec mu kujtua;
19 vjeç ishte, familja e tij e varfër,
nuk mund ta ndiqte në universitet.
Me dëshirë e interes për libra,
lexonte çdo ditë në bibliotekë;
dhe në moshën 27 vjeç, ai pothuajse
kishte lexuar gjithë këtë bibliotekë,
në vend që të diplomohej në universitet.
V.M, Durres, Albania,
Qershor 2024
Komentar