top of page

“USHTAR” YPI KORRIGJO SHËNJESTRËN PËR OFICERËT!


SHPENDI TOPOLLAJ

Nëkryetar i Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi” Nderi i Kombit

   

KORRIGJO SHËNJESTRËN PËR OFICERËT “USHTAR” YPI

Replikë miqësore

 

   Gjithmonë i kam lexuar me kurreshtje dhe admirim shkrimet e publicistit Edison Ypi. Dhe kjo jo vetëm se në to gjeja një autor të zgjuar e me kulturë, një analisto - fejtonist të talentuar dhe pse jo, mjaft të pavarur në opinionet e tij të guximshme, por ndofta edhe pse ishim të dy kolonjarë. Ai vinte nga një familje e nderuar atdhetare. Por më habiti shkrimi i tij “Mish dhe ndryshk”, botuar me datë 27 shkurt te gazeta “Panorama”, ku ai kishte derdhur një mllef dhe urrejtje të pashoqe për ushtrinë e kohës së diktaturës dhe sidomos për kuadrot e saj. Letrarisht, ky shkrim me mjetet e tij artistike si ironia, sarkazma e grotesku, ishte mjaft i goditur, çka më bëri edhe mua të mos e mbaj të qeshurën, ashtu sikurse qeshja dikur me Shvejkun e Jarosllav Hashekut. Por, dua të besoj se përgjithësimi i shembujve që ai ka zgjedhur për ilustrim, është i mbushur me teprime, banalitete, nihilizëm dhe fyerje, rreptësisht të pamerituara për mijra e mijra kuadro të ushtrisë që vunë gjithçka në interes të Atdheut të tyre. Kjo është fyerje edhe për ata që dhanë jetën duke shërbyer në radhët e saj. I respektuari Edison, në morinë e të këqiave të asaj kohe, ku sipas tij gjithçka ishte e neveritshme, e turpshme, e frikshme, vendos ushtrinë si më paradoksalen dhe e quan atë babylon i cilësive më të fëlliqura. Dhe e gjithë kjo, pasi katër ushtarë vranë veten në repartin e tij k/ajror, se nuk u përballën dot me frikën e oficerëve që tmerrin e kotësisë së jetës me të cilën s`dinin ç`të bënin, e shkarkonin me ftohtësi dhe egërsi të skajshme mbi inferiorët dhe ushtarët. Shumica e tyre, sipas tij, vinin nga kazma e balta si fshatarë që ishin e te shati e prashitja do shkonin. Për të, ushtria e budallallëkut mbante për të aftë budallenj surratshtrembër, që gjoja kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe që askush nuk e dinte për çfarë. Ushtar Edisoni i kishte fiksuar mirë edhe portretet e tyre që i kishin qafat e trasha, faqet e skuqura, sytë e zgurdulluar, sepse hanin makarona dhe pilaf nga menuja e ushtarëve në sasi të pakufizuara. Dhe e gjithë kjo mizanskenë zhvillohej kur vetë efektivat e uritura shpërndaheshin arave të fshatit për të vjedhur e ngrënë zarzavate, e sidomos lakra, edhe pse mund të rriheshin nga rojat e kooperativës. Lexuesit ndofta e kanë parë vetë vazhdimin e atij shkrimi ku thuhet se “Ushtira e pisllëkut kujdesej për higjienën e zhulsave”, gjë që nuk do t`ia lejonin vetes të shpreheshin as gazetarët më dashakeq të vendeve dhe ushtrive kundërshtare. Tani, me bindjen se njëri nga intelektualët tanë më të kompletuar, siç është zoti Edison Ypi, nuk do të më keqkuptojë mua kolonelin në rezervë, po shpreh mendimet e mia lidhur me ato që ai në shkrimin e tij parashtron. Në rrugëtimin për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë së asaj kohe, patjetër që krahas arritjeve shumë të rëndësishme, janë bërë edhe shumë gabime me pasoja mjaft të rënda. Të tilla janë: heqja e gradave, njësimi dhe thjeshtëzimi i uniformës, vendosja e udhëheqjes së ushtrisë nga komitetet e partisë, kontrolli punëtor - ushtar, dhënia llogari para masave, shpërndarja e ushtrisë nëpër Pika Hapje, teprimi me fortifikimin; si tunele dhe qendra zjarri, krijimi i SHLU - ve, marrja e familjeve të kuadrove pranë repartit, dhe sidomos goditja deri në eliminim fizik e drejtuesve të saj, qysh nga ministri i Mbrojtjes dhe shtatmadhorët, Heronj të Popullit e më tej, me shpikjen haluçinante të Enver Hoxhës “Tezat e Zeza” dhe “Fshesa e hekurt”. Nga ana e “vigjilentëve” besnikë të sigurimit, u krijua klima e dyshimeve të përhershme ndaj oficerëve. Por, të gjitha këto nuk kanë ndodhur për faj të tyre. Oficerëve, këto voluntarizma nga më absurdet, pse jo, edhe tragjiket, ua vështirësuan kryerjen e detyrave. Me repartet larg qendrave të banuara, shpesh edhe të izoluara, dhe shërbimet e pafund që kryenin, ata për ditë me radhë nuk takonin familjet e tyre. Jeta e tyre ishte mjaft e kufizuar, qoftë edhe për t`u argëtuar e ndjekur zhvillimet kulturore të qyteteve. E kotë të ndalem te ngarkesa e jashtëzakonshme që oficerët kishin me problemet e stërvitjes sipas llojeve të armëve, planifikimit, gatishmërisë luftarake, disiplinës, shërbimit të garnizonit, rregullit të brendshëm, kulturës masive, mësimeve treguese, marrëdhënieve me terrenin (rezervistët, forcat vullnetare, ROGL etj.), përpilimin e plankonspekteve, edukimin politik, marrshimet, kontrollet, punimet fortifikuese, rregullin nëpër magazina, mirëmbajtjen dhe pastrimin e armatimit, higjienën e efektivit, ekonominë ndihmëse, analizat e mërzitshme etj. etj. Dhe e gjithë kjo gamë veprimesh, me ushtarë të ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, me psikologji e arsim të ndryshëm, kërkonte aftësi të mëdha profesionale e pedagogjike, dhe sidomos përkushtim, ndërgjegje dhe shembull personal. Dhe e garantoj artikullshkruesin e nderuar, se këto cilësi nuk u kanë munguar asnjëherë oficerëve, pasi ata ishin nga bijtë më të lavdishëm të Atdheut. Nga ata të pas luftës, kishte plot që kishin studiuar nëpër shkollat ushtarake të Perëndimit. Pastaj, shumica e kuadrove të ushtrisë vinin nga bangat e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” që falë mësuesve nga më të zotët (siç ishte dhe shkolla “7 Nëntori” ku ai studioi), ka qenë në pararojë të të gjitha shkollave të vendit. Prej saj kanë dalë shumica e oficerëve të ushtrisë që studiuan më tej brenda dhe jashtë vendit në shkolla të larta Oficerësh, si gjitharmësh, artilierë, xhenierë, kimistë, tankistë, aviatorë, marinarë, mjekë etj. etj. Janë pafund oficerët dhe gjeneralët që kryen Akademitë “Frunxe”, “Voroshillov” e “Lenin” etj. dhe i përfunduan ato me medalje ari. Kur ata u kthyen në Atdhe, thuajse të gjithë sollën kolanën e plotë të Enciklopedisë ruse. Nga ana tjetë, shumica përfunduan në vend Akademinë Ushtarake, Shkollën e Partisë, Kursin e lartë të Filozofisë, atë të Shtabit të Përgjithshëm dhe Universitetin Shtetëror të Tiranës etj. Mjaft të kujtoj se vetëm nga shkolla “Skënderbej” (shoqata me të njëjtin emër është dekoruar me urdhërin “Nderi i Kombit”), veç kuadrove që mësuan dhe drejtuan ushtrinë me artin bashkëkohor, kanë dalë mbi 700 poetë, shumë shkrimtarë, dramaturgë, artistë, sportistë legjendarë që ja kanë rritur vendit krenarinë. Kishte atje djem të zgjedhur nga fshati, por kishte gjithashtu plot djem nga qyteti e kryeqyteti, bij kolonelësh e gjeneralësh të shquar. Por kjo nuk ka fare rëndësi; të gjithë ishin shqiptarë, ishin vëllezër mes tyre, ishin bij të këtij populli. Janë mbi 120 ish skënderbegas me titujt Prof. dr. dhe doktorë shkencash, dhe gati po aq Mjeshtra sporti dhe Mjeshtra të Mëdhenj sporti. Natyrisht që varfëria në vend do të prekte dhe ushtrinë, por ne me kujdes prindëror bënim të pamundurën që t`u krijonim efektivave kushte sa më njerëzore rregulli, pastërtie dhe estetike. Flinim e hanim si ata dhe me ata, nga një garuzhde fasule apo makarona kur futeshim në forcë. Dhe më shumë rrinim pa ngrënë, pasi largoheshim tepër vonë për në shtëpitë tona. I donim ushtarët dhe na donin, se e shihnin që ishim të drejtë dhe shumë të ndershëm. Kujdeseshim për shëndetin e tyre si për fëmijët tanë. Edhe sot e kësaj dite ushtarët e dikurshëm, kudo që të ndodhen, deri edhe në SHBA, na kujtojnë me dashuri e respekt. Oficerët, me gjithë këto ngarkesa e gjenin kohën jo vetëm që të lexonin letërsi artistike, por edhe t`u flisnin atyre për letërsinë, teatrin, filmin, muzikën etj. Se ne ishim edukuar qysh në shkollë që ta donim artin, librin, muzikën, gjuhët e huaja, se eprorët përherë na çonin në teatër, opera, kinema (sido që e kishim model kinemanë tonë) dhe na organizonin takime me personalitete të këtyre fushave. Ishin miq të skënderbegasve Avni Mula, Gaqo Çako, Ibrahim Tukiçi, Gjoni Athanas, Vaçe Zela, Gaqo Avrazi, Margarita Xhepa, Kadri Roshi, Llukë Kaçaj, Mentor Xhemali, Ramiz Kovaçi, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Kujtim Spahivogli, e sa të tjerë. Por ushtria, kuptohet që ka edhe rregullat e veta dhe kërkesa ka qenë serioze, por nëntoger Duba e toger Lukasha ka në çdo ushtri. Ne kuadrot kishim marrëdhënie nga më shoqëroret me njëri - tjetrin që bazoheshin mbi karakteret tona humane dhe përgjegjësitë e përbashkëta para Atdheut e popullit. Janë të shumta rastet kur ushtarë dhe oficerë kanë dhënë jetën për të shpëtuar shokun. Si mund të flitet për ndryshk në armatim e teknikë në ushtrinë e atëhershme? Kurrë, e theksoj kurrë, nuk i lamë ato që të kishin edhe shenjën më të vogël të ndryshkut. Për më tepër, udhëhiqeshim nga parimi “Ndryshku në teknikë, ndryshk në ndërgjegje”. Armatimi, teknika dhe municionet shkëlqenin gjithmonë. Vendi ynë, nuk u sulmua, pasi edhe armiqtë e dinin se nuk ishte aq e lehtë të mateshe me të. Strategu Sun Tzu shumë shekuj më parë mësonte se “Arti suprem i luftës është të mposhtësh armikun pa luftuar”. E provuan monarko - fashistët grekë në provokacionet e 2 Gushtit të vitit 1949 dhe efektivat tona shkruan fare lavdie. Edhe kur u prishëm me BS, nuk na mbeti ndonjë turp, pasi i mbajtëm katër nëndetëset dhe anijet e tjera që na garantonte marrëveshja me Traktatin e Varshavës. Dhe ishin oficerët tanë ata që i komanduan me sukses të plotë ato ndër vite. Asnjë ndryshim nuk kishin aviatorët tanë nga ata të ushtrive të tjera. Po kështu, u aftësuan artilierët tanë me kalibra të ndryshëm dhe nuk është e vërtetë, sikurse thuhet që nuk kishte specialistë radiolokatorë që të drejtonin ato 40 topat e atij repartit. I nderuari Edison, thotë se ne nuk arritëm t`u mësojmë zboristave as karabinën dhe si të përdornin kundragazin. I them; mos bëj shaka; në ushtri bëhej shkencë, por ai nuk ka faj, se aq mund ta njihte atë një ushtar. Duhet kujtuar se kur efektivi i raketave tona shkoi në garat e ushtrive “mike” në poligonin shtetëror të BS që ishte në Uvan Ude të Mongolisë, në vitin 1960, ata zunë vendin e parë. Vetë strategu më i shquar i Luftës së Dytë Botërore, mareshalli Georgi Kostandinoviç Zhukov, kur asistoi në një stërvitje me pjesëmarrje trupash me përmasa të mëdha, mbeti mjaft i entuziazmuar nga veprimet e përpikta të njësive tona luftarake dhe i mori si shembull për ushtritë e tjera. Nuk duhet harruar se kur falangat e Sllobodan Millosheviçit, njësoj si ato të Hitlerit, sulmuan vëllezërit tanë në Kosovë, të gjithë oficerët e liruar, shfaqën gatishmërinë e tyre që të shkonin e të luftonin edhe si ushtarë të thjeshtë në mbrojtje të tyre. Dhe pavarësisht kufizimeve nga politika ndërkombëtare, ishin të shumtë ata që u rreshtuan dhe luftuan me armë në dorë për lirinë e Kosovës martire, disa prej të cilëve si Indrit Cara, ranë dëshmorë. Rekomandoj leximin e Fjalorit Enciklopedik Ushtarak, botim i vitit 2020. Sot analistët dhe opinionistë tanë, më shumë se e djeshmja e ushtrisë, duhet t`i shqetësojë e sotmja e saj dhe sidomos vaniteti i emisioneve televizive që po e çorodisin rininë. Atë rini që nuk shkon më për të kryer shërbimin ushtarak dhe që nuk e di se dikur prindërit e tyre e quanin ushtrinë shkollë. Ne jemi në demokraci dhe kjo është e mrekullueshme, por kjo nuk do të thotë që thuajse të mos kemi fare ushtri. Të jesh anëtar i NATO - s është një realizim që duhet përshëndetur, por së pari na duhet të kemi të fortë ushtrinë tonë, se kështu i bëhet mirë edhe atij organizmi me prestigj. Dua të besoj se në këtë drejtim, jemi në një mendje me zotin Ypi të cilin me shaka e quajta “ushtar”. Dhe ai që gjithmonë ka goditur në shenjë, kësaj radhe duhet ta korrigjojë shënjestrën.   

21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page