URTËSIA POPULLORE – BURIM I PASHTERSHËM I FRAZEOLOGJISË SË PASUR
04 Apr 2009 Arkiva
Nga Sazan Goliku
Intervistë me z. Naim Balla, autor i librit “Fjalor i madh frazeologjik italisht – shqip” (Dizionario dei modi di dire, italiano – albanese, maggiore)
- Zoti Naim, kanë kaluar tashmë më shumë se një vit që në libraritë tona është në shitje “Fjalori i madh frazeologjik italisht – shqip maggiore”, me autorë ju dhe dy kolegë tuaj.
Së pari, do të ishte interesante të na tregoni diçka sesi ju lindi ideja për hartimin e këtij fjalori me 1000 faqe dhe rreth 20 000 shprehje frazeologjike, botuar nga Shtëpia prestigjioze Botuese “EDFA” e Fatmir Xhaferrit?
- Ky fjalor është një botim jostandart i fjalorit të parë, minore, të botuar në vitin
1997 së bashku me kolegun tim, Eshref Ymerin. Përvoja e fituar gjatë hartimit të këtij fjalori na diktoi përsosjen, trajtimin jo vetëm idiomatik të shprehjeve frazeologjike, por edhe paraqitjen, prezantimin e tyre me nuanca kuptimore të karakterit filozofik.
Shumë gjuhëtarë, etimologë që kanë bërë studime të frytshme në fushën e leksikografisë, mendojnë se deri tani nuk kemi një përkufizim të prerë për termin gjuhësor shprehje frazeologjike, por, ama, nga ana tjetër, ata përmendin përbërësit e këtyre shprehjeve, të cilët, sipas tyre, mund të jenë: proverbat, fjalët e urta, thëniet e vlerësimet e spikatura të shkrimtarëve, poetëve, e njerëzve të famshëm, intelektualëve.
Në rrafshin leksikor çdo përbërës i shprehjeve frazeologjike është një njësi leksikore me ndërtim strukturor të veçantë realisht të pavarur. Në praktikën e gjuhës së folur e të shkruar, secila nga këto kategori zotëron veçori gjuhësore specifike ndërlidhore të saj me realitetin, falë të cilave, ajo e transmeton atë saktë, shpjegon drejt një koncept, një mendin a të vërtetë.
- Në këtë aspekt të sqarimit tuaj, a mund të veçoni ndonjë nga përbërësit e këtyre shprehjeve frazeologjike?
- Natyrisht, krahasueshmëria, përqasja e përbërësve të shprehjeve frazeologjike, sidomos e atyre idiomatike, pra e proverbave, e fjalëve të urta, është shumë e vlershme, sepse këto sendëzojnë, materializojnë urtësinë, fantazinë, mençurinë e mendësisë së trashëguar nga një popull ndër shekuj.
Unë e kam cilësuar këtë fjalor si zanafillor, mendësior, krahasimtar me disa gjuhë të huaja për disa nga përbërësit e lokucioneve frazeologjike, pra për ato idiomatike, kësisoj, edhe vlefshmëria e secilit përbërës brendapërbrenda tyre është e ndryshme.
Por jo vetëm kaq, duke mëtuar të godasin në shenjë të vërtetën, d.mth., t’i afrohen sa më shumë kësaj të vërtete, realitetit apo deduksionit, argumentimit të një përfundimi nga e përgjithshmja te e veçanta, ato jo gjithmonë mund të përdoren me sukses të plotë. Kjo dukuri e tyre karakteristike mundëson edhe përdorimin e varianteve të njëvlerësisë, të cilat janë pasqyruar në këtë fjalor me bollëk, të barasvlerësisë a konceptimit të mëtuar.
- A mund të na e shtjelloni këtë mendim ose më saktë si shprehet kjo njëvlerësi
në gjuhë të ndryshme?
- Atëbotë, pikërisht në këtë pikë kulmore të bukurisë së lokucioneve frazeologjike spikat, gurgullon edhe forca e përmasave të ndryshme në gjuhë të veçanta. Brenda këtij realiteti komunikues kruspullohen larushia, pasuria, bukurshprehësia e formave, e mënyrave dhe varianteve të shprehjeve frazeologjike të popujve të ndryshëm.
Ja pse me bindje mund të themi se origjinaliteti, në këtë rast i një etnie të caktuar, është aq jetëgjatë sa kohë jeton edhe vazhdimësia e përdorimit praktik të gjuhës, e natyrisht, edhe qytetaria që ajo përfaqëson.
Në këtë rrugë të gjatë zhvillimi të pandërprerë, qoftë edhe të rrafshit global, ajo i reziston çdo ndikimi, trysnie a arritjeje të kohës.
- Pra, ju aludoni te gjuha amtare, te rëndësia e njohjes së saj të thellë nga ana e
qytetarëve, të folësve të saj?
- Sigurisht. Gjuha amtare, kjo armë e pakrahasueshme e një kombi, pa ngurrim
mund të themi, se është bazamenti, guri themeltar i njërit prej dokumenteve historike, tashmë të pranuara, i trashëgimisë gojore të popullit, që ky i fundit e ka transmetuar atë me besëtari e dashuri të pakufi nga brezi në brez.
- A mund të na sqaroni pse ky fjalor është cilësuar maggiore?
- Pas daljes në dritë të fjalorit “Dizionario dei modi di dire italiano – albanese, minore”, të botuar nga shtëpia botuese “Afërdita” në maj të vitit 1997 në bashkëpunim me kolegun Eshref Ymeri, profesor Myzafer Xhaxhiu në qershor të vitit 2000, shkroi në Gazetën Shqiptare një artikull me titull: “Frazeologjia e pasur është poezia e gjuhës”. Pra, pasuria leksikografike e një gjuhe të caktuar e bën atë më poetike, më të fuqishme në mbrojtje të identitetit kombëtar të popullit që e flet. Sa më në nivele të ndritura të lartësohet kjo e vërtetë e pakontestueshme, aq më shumë kjo vlerë madhore kombëtare bëhet më e kuptueshme dhe e lehtë për t’u transmetuar nga breznitë, duke u kthyer në një mjet të pamposhtur mbrojtjeje të njënjësisë kombëtare.
Përmbylltazi, më qartë e bindshëm mund të demonstrojmë se si ta përdorim hapësin magjik të këtij thesari të së vërtetës për dokumentet historike, pra të asaj trashëgimie të vyer që na kanë lënë të parët tanë që nga kohët më të lashta. Themelia e kësaj pasurie të vëllimshme pa druajtje mund të themi se është gjuha amtare, eposi ynë kombëtar, etnogjeneza jonë, e cila në periudha të vështira historike është kërcënuar seriozisht për shkaqe të ngushta egoiste, grabitqare, shoviniste. Mjafton të përmendim këtu në formën e një përkujtese veprën e Xhejms Uiljamsit “Albanians”, ish – ambasadorit amerikan të SHBA për Greqinë dhe Malin e Zi në vitet ’30 të shekullit XX-të e të përkthyer nga Shaban Balla, së cilës i janë referuar shumë personalitete shqiptare, ndër të cilët edhe preshevari Ali Aliu dhe si epilog i së cilës kemi një fjalorth me 150 fjalë me origjinë pellazgo – iliro – shqiptare.
- Për të dritësuar kriteret e ndërtimit strukturoro-didaktik të këtij fjalori, a mund
të na tregoni si keni vepruar për prezantimin e tyre praktik në fjalor?
- Falë veçorive të shkëlqyera gramatikore e sintaksore, gjuha jonë asnjëherë nuk ka ngecur në vendnumëro, ajo ka evoluar dhe vazhdon të evoluojë e të përsoset. Forca jetëdhënëse e veprimtarisë praktike moderne është bërë sot leitmotivi, përkthesa shoqëruese e rrugës zhvillimore në të gjitha fushat e saj, nëpërmjet së cilës shpaloset edhe dashuria pakufi e shqiptarëve për kombin dhe gjuhën e tyre të shenjtëruar. Këtu duhet përmendur baza e bazave, puna e madhe e shkencëtarëve dhe punonjësve të Institutit të Gjuhës Shqipe, veprat e Jani Thomait, Jorgo Bulos, Ferdinand Lekës e Zef Simonit, Vedat Kokonës e Pavli Qeskut, Ali Dhrimës, Pavli Haxhillazit, Enver Hysit, Agron Duros, Hajri Hoxhës, Miço Samarës, Thanas Fekës, Çlirim Bidollarit e shumë pishtarëve të tjerë të diturisë e të gjuhës amtare për të kuptuar se sa pranë e të prekshme e kemi këtë pronë të vyer e të dashur për çdo shqiptar.
Tani, të dalim konkretisht te pyetja juaj. Zanafilltazi, kriteret e ndërtimit strukturor e metodik të këtij fjalori janë bazuar në ato ide e përhijim gjuhësor që linguisti italian dhe studiuesi i gjuhës sonë, Anxhelo Leoti, ka shpalosur në veprën e tij madhore “Dizionario albanese – italiano”, të botuar në vitin 1937 nga Instituti për Europën Lindore në Romë, me parathënie të albanalogut të famshëm Norbert Joklit. Për hartimin e këtij fjalori Leoti punoi plot 20 vjet të jetës së tij.
Pasi përmend punën e frytshme të gjuhëtarëve tanë e të huaj, si Kristoforidhi, Xhuvani, Dozoni, Hahni, Majeri, Pederseni, Rosi etj., ai parashtron në prologun e fjalorit polemikën konstruktive të gjuhëtarëve tanë dhe intelektualëve shqiptarë të përfaqësuar nga shkrimtari Shpend Bardhi, i cili për fjalorin e A.Xhuvanit vëren, se: “Kur të trajtojë ilustrimet përkatëse fjalortari duhet të ketë kujdes t’i marrë shembujt fill prej gojës së popullit, duke e pasuruar fjalorin edhe me proverba, frazeologji e shprehje nga shkrimtarët më të mirë, madje edhe kur t’i trajtojë vetë shembujt të ketë kujdes të zgjedhë fjalë të njësuara që kuptohen lehtë e fraza me mësime morale, historike e shoqërore në mënyrë që kënduesit tërthuer të nxënë diçka pos kuptimit të fjalës”.
Ky fjalor është realizuar duke i qëndruar besëtar këtij postulati gjuhësor duke u bazuar në fjalët-tituj, të cilat, nga ana e tyre, janë renditur me vijueshmëri alfabetore madje dhe vetë njësitë leksikore brendapërbrenda një fjale-zë janë rreshtuar gjithashtu alfabetikisht. Natyrisht, kjo formë ndërtimore ndihmon dhe lehtëson shumë gjetjen dhe shfrytëzimin e tyre praktik. Metodikisht është menduar që pajisja e tyre me një historik të shkurtër zanafillor, që në raste të veçanta zgjatet qëllimisht për erudicion ose kërshëri me pjesë nga autorë të ndryshëm, stimulon ngulitjen e tyre në kujtesë.
- Mund të ilustroni nga i keni marrë këto burime dhe si e interpretoni ato për
ilustrimet konkrete të fjalëve-zë?
- Këto pjesë letrare, artistike, poetike janë përzgjedhur nga autorë e personalitete të shquara të lashtësisë dhe të kohëve të reja, nga filozofë, shkrimtarë, poetë, fabulistë të mëdhenj, nga njerëz të famshëm, sidomos të qytetërimit greko – romak, cili për nga madhështia dhe interesi ka tërhequr dhe vazhdon sot e kësaj dite të tërheqë vëmendjen e admirimin e njërezve kudo në botë. Në këto konture, vlera e çdo përfaqësuesi të përmendur është trajtur, sipas meje, si produkt, si kontribut e pronë tërë njerëzore. Këtë mëtim katërcipërisht e vërteton përqasja në raste të shumta e varianteve të shprehjeve idiomatike në disa gjuhë të huaja. Prandaj duke e parë problemin në këtë këndvështrim, çdo njësi frazeologjike në gjuhë të ndryshme të huaja karakterizohet nga tipare e veçori dalluese në disa drejtime.
- A mund t’i renditni këto karakteristika të veçanta sipas një kriteri që ju mendoni se mund të kuptohen më lehtë nga lexuesi?
- Patjetër. Së pari, në planin vërtetësor shkalla e arritjes së qëllimit nuk është gjithnjë në të njëjtin nivel. Prandaj, sa më shumë të ngulmojmë në kërkim të së vërtetës, aq më shumë variante të së njëjtën shprehje frazeologjike që i afrohen së vërtetës do të kemi. Këto variante brendapërbrenda njëkuptimësisë së tyre dallohen për nga bukuria e shprehjes artistike, vlerësuese, humoristike, intonuese, ujdisëse etj.
- Si paraqiten format dhe mënyrat e shprehjes së lokucioneve idiomatike në gjuhë
të ndryshme po të nisemi nga njëvlerësia e përdorimit praktik të tyre?
- Po të nisemi nga njëvlerësia e përdorimit praktik në jetën specifike të popujve të ndryshëm, lokucionet frazeologjike paraqiten në forma, mënyra, nga fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore. Ato janë të larmishme, larushitëse, që reflektojnë hirësinë artistike, thellësinë e mendimit dhe shpirtin krijues të gjenisë popullore. Pra, urtësia popullore është burim i pashtershëm i frazeologjisë së pasur të një populli.
Njëherësh ato transmetojnë edhe simbolizojnë lashtësinë e krijimtarisë artistike popullore, zanafillësinë e një shprehjeje të caktuar idiomatike të bazuar në mënyrën e jetesës, kushtet gjeofizike specifike dhe natyrisht edhe stadin e zhvillimit të kohës.
- Duke ju falënderuar për shpjegimet tuaja jemi kureshtarë të dimë se me se po
merreni tani?
- Përveç punës për ribotimin e përmirësuar të këtij fjalori, po merrem me
parapërgatitjen e punës për një fjalor të vëllimshëm të posaçëm shprehjesh idiomatike në pesë gjuhë të huaja.
- Dhe së fundi, ç’përshtypje keni nga cilësia e botimit të fjalorit tuaj nga shtëpia
botuese prestigjioze EDFA?
- Pas 5 – 6 redaktimesh të njëpasnjëshme, një punë shumë të kujdesshme kryem në redaksinë e Shtëpisë Botuese EDFA 6 muajt e fundit para botimit dhe falë kujdesit e devotshmërisë së drejtuesit të saj Fatmir Xhaferri, grupi i korrektoreve letarere me Viola Grillon, Diana Istrefin dhe Xhevrije Muderrizin arriti të dorëzojë në kohë në shtyp këtë fjalor me 1 000 faqe dhe me mbi 20 000 shprehje frazeologjike, që kushton vetëm 1 500 lekë.
Së fundi, dua të theksoj se gjithçka u tha më sipër është një shëmbëllim i minimizuar i titullit të këtij shkrimi, një pikë uji në mes atij oqeani të pamatshëm të asaj përvoje shumëshekullore të një populli të hershëm, siç është populli ynë, ose ai italian, i urtësisë popullore, i thellësisë e pafundmësisë së mendimit, mençurisë, elegancës dhe efektshmërisë së saj në praktikën njerëzore.
- Edhe një herë urime dhe suksese në punën tuaj sa fisnike, aq edhe të dobishme.
Commentaires