Urim për 7 Marsin - i padërguar për shkak të adresave të munguara
Nga Fatmir Terziu
Sot 7 Marsi i parë i jetës sime, si mësues, „udhëtoi“ në kohë tjetër dhe pikëtakoi 7 Marsin e vitit 2024, dyzetë e dy vite më pas. Që nga 7 Marsi i vitit 1982 në fakt udha e tij ishte sa e prekshme, aq dhe imagjinare në një itinerar, shkollash, klasash, mësuesish e nxënësh në Atdhe, ndërsa në Britani të Madhe në një kahje të përafërt, mes librave, shkrimit dhe qasjeve ndryshe me arsimimin. Por koha ka pak rëndësi, ajo që thuhet në proverbin shqiptar, mali me malin nuk takohen, por njeriu me njeriun patjetër që takohen. Dhe ja në një ftesë për të pirë kafenë tonë të zakonshme, por sot të dedikuar për 7 Marsin, me Profesor Adham Priftin, njeriun për të cilin kam shkruar disa herë për lexuesit e mi në „Albanian Post“ dhe tek "Fjala e Lirë", proverbialja u bë realitet.
Në një nga tavolinat e „Imperial“ në Londër shoh mësuesen e parë, mësuesen model, dhe atë mësuese me të cilën ndava momentet e para të të qënit mësues në Shkollën e Mesme të Bashkuar, „Elez Koçi“ në Ostren të Madh, Rabie Duka. E ulur pranë bashkëshortit të saj, të mrekullueshmit Hakit Duka, që në atë kohë ishte drejtor i shkollës në Lejçan, ku qëndroi më pas edhe tetëmbëdhjetë vite në drejtim profesional të arsimit, natyrshëm ndjeva emocionet, thuajse të ngjashme me ato që natyrshëm i mirëkupton çdokush që ka nisur punën në arsim, kilometra larg banimit të tij, dhe aq më shumë kur ajo kohë kishte arsyet e veta ndryshe.
Dhe për të qenë më i saktë, udha që bashkon Kilburn High Road me „Imperial“ ishte një surprizë tjetër momentale, pasi aty ishte takimi pas shumë vitesh me një mësues, drejtues shkolle, dhe intelektual e drejtues i mjaft institucioneve të kohërave, që rrjedh nga një familje patriotike dhe mjaft fisnike, Mehmet Hasanin, së bashku me vajzën e tij të talentuar arkitekte në Londër, një intelektuale kjo mjaft e vlerësuar nga mjaft instanca të këtij vendi. E ndërsa shtrënguam duart, fiksuam dhe një fotografi memorje, pika ishte e përbashkët, pasi z Hasani kishte lënë takimin me z Duka. Ja që 7 Marsi i këtij viti, na gjeti në Londër, në një tryezë për të gritur një dolli me raki shqiptare, për punën e secilit në arsim, për momentet e bukura e të vështira të punës në arsimin e asaj kohe, dhe për shumë gjëra të tjera që kishin një kryefjalë, respektin dhe mirrënjohjen reciproke. Më tej disa telefonata nga Atdheu, natyrisht me urimet për 7 Marsin, shtuan harmoninë e bisedës, kafesë, rakisë dhe byrekut shqiptar, mjaft të shijshëm që gatuhet tek „Imperial“
- Ishte kohë tjetër. Ishte koha kur mësuesi ishte në një trysni ditaresh, drejtorësh, kryetarësh bashkie, sekretarësh byroje. Ishte dhe një kohë me displinë, por me një respekt kolegësh. Për mua pikënisja në arsim, aq më shumë aq larg nga Elbasani, më detyronte atë kohë më shumë vëmendje, më shumë pyetje… Pyetja modeste e bërë nga një nxënëse e shkëlqyer e klasës së tetë në atë shkollë të madhe të asaj kohe, më zhyt ende thellë në mendime. Pikërisht në vijën kritike që ndan naivitetin e fëmijërisë nga tallja skeptike e moshës madhore. Sepse sot, pavarësisht nga tonelatat e grimit të shpirtit që duhet të përdor për të ruajtur imazhin respektues të një prej mësueseve të shumta të shkëlqyera në atë kohë të largët, ndihem figurativisht larg, të rikujtoj se mësuese Rabia, ishte vërtet një model që fliste urtë, dhe sillej mjaft mirë me të gjithë. Edhe në atë rast ajo më dha kurajon të kuptoj thelbin e një mësuesi të devotshëm. Por kohët ikin shpejt dhe unë vetëm se shtrydh memorjen…
Nuk duhet të dorëzohem ndaj emocioneve të panevojshme, i thashë vetes. Ndaj po plotësoj vetëm një orë mësimore për mësuesen e munguar të kësaj klase brilante dhe më duhet të ndjek me disiplinë udhëzimet e saj, të shtypura në formularin e saktë, me numrin e saktë të shenjave të pikësimit: “Nxënësit duhet të shkruajnë një letër. Një letër, në të cilën ata duhet të deklarojnë në një sekuencë të rregullt të gjitha veprat e dobishme që kanë bërë gjatë vitit. Në këtë mënyrë ata do të motivojnë tezën e tyre, pse Njeriu i Mirë duhet t'u sjellë pritmëritë e dëshiruara dhe të zbresë sikurse një vepër madhore në sytë e tyre. Detyra për të mbuluar një orë mësimi. Për një notë të shkëlqyer, nxënësit e klasës së 8-të mund të shtonin gjithashtu një vizatim të përshtashëm, dhe, nëse dëshironin, një pamje reale të kohës.”
- Por këto janë djem dhe vajza trembëdhjetë dhe katërmbëdhjetë vjeçare! – Unë bërtas me habi përpara kolegut tim – Një ushtrim i tillë do të ishte poshtërues për ta!
- Të lutem? – Sytë e nxënëses më ndjekin me hutim të stërvitur. – Nuk e kuptova a lejohen lapsat me ngjyra apo jo? Udhëzimet nuk janë të qarta për këtë?
- Por sigurisht, bëj si të mendosh - me një trill në zërin tim u përgjigjem të dyve - Në fund të fundit, ju e dini më së miri!
Një shkundje e përmbajtur për kujtesën time të asaj kohe, më kthen në sigurinë moronike se thjesht po bëja punën time. Shndërrimi i prekjes ndryshe të Plan-Programit në udhëzim idiot për një "ide të kotë të Seksionit të Arsimit të asaj kohe" është thjesht të shahet sot, por në atë kohë duhej udhëzimi i mësuese Rabijes, që dinte më shumë se sa duhet se duhej të heshtje, të ndiqje udhëzimet, se ndryshe do të përfundoje më keq, sikurse mbahej aq kilometra larg i shoqi i saj, një mësues dhe një drejtues, sikurse e citova mbahej mend vetëm për mirë e për rezultate të shkëlqyera. Por kjo dihej, se procedurat ishin mbi gjithçka. Gjithçka që duhet të bëni, u thoja nxënësve, duhet të shtrydhni trurin tuaj në një paketë mendimesh dhe ta vendosni nën pemën e marrëzisë universale. E padukshme. Për të mos tejkaluar peshën e të tjerëve. Ose, fati na ruajtë, të identifikoheni me një kartë në të cilën shkruhet se ky jeni JU!
Afër meje në këtë tryezë ndodhet mësuesi i vlerësuar Mehmet Hasani, autori i disa librave dhe mbi të gjitha një prind i shkëlqyer që ka edukuar një familje të denjë. Ai flet gjithnjë duke qeshur, dhe me urtësinë e tij, më thotë se Haki Dukën e ka vëlla. Vëlla jo nga nëna e baba, por nga respekti e karakteri, nga pëkushtimi e vlerat që ia dhanë njëri-tjetrit që në kohën kur kishin punuar bashkë në arsim. Dhe kështu Mehmet Hasani rrëfen vitet e tij të shumta në arsim, në krye të Pushtetit Popullor të asaj kohe, por mbi të gjitha tërë arsenalin e shakave dhe kujtimeve të bukura të jetës dhe shërbimit në atë fushë delikate, por shumë të bukur.
Teksa fliste, hera-herës më dukej se afër meje ishte i ati i tij, mësues Zylfi Hasani, i cili sa herë që fliste nxirrte mjaltë nga goja, apo dhe nëna e tij që ishte një vlerë tjetër në këtë pikë që bëri udhën e jetës dhe veprës së Mehmetit dhe vëllezërve të tij të tjerë një dritë më vete.
Me pak fjalë ndërhyn mençuria e Adhamit. Ndërsa flet pak, njeriu që i ka dhënë dhe ai arsmit, ndërsa komunikon me ne Rabia dhe mbështet bisedën Hakit Duka, natyrisht dhe fjalët me peshë të Mehmet Hasanit, po rikthehem tek bota e sotme, tek kjo kohë me të cilën flasin me lirinë ndryshe. Dhe e rithem se sot me pak fjalë, bota është kthyer në një xhungël ku ne të gjithë po vrapojmë drejt diellit, të ngatërruar në tendinat e rregullave të padukshme. Me ne, nga rrënja deri në majë, si gjethet e zhytura në pluhur dhe kalbje, kulturat tona vendase rëndojnë dhe rrëzohen. Në betejën e madhe për mbijetesë dhe rritje, ikje dhe zvnitje gjeografike, kjo larmi e gjelbër e traditave dhe gjuhëve, besimeve dhe mentalitetit të brendshëm derdhet në mënyrë të pashmangshme në rrjedhën e rrëmbyer të zhdukjes globale. Përpjetë, drejt dritës së ndezur të suksesit, shpresat tona të pandërprera mbeten. Mbeten të paktën të rrëfehen, të tregohen, të rimodelohen në kohë, hapësirë dhe vend. Edhe të shakatohen në raste të domosdoshme. Ndryshe do të ndodh që të gjithë bëjnë të njëjtën zhurmë në thatësirën e besnikërisë së tyre ndaj depersonalizimit. Dhe pastaj do të ndodh që të gjithë, pikërisht zhurmëtarët, pra ata që kanë bërë zhurmë dhe bëjnë zhurmë, të shkërmoqen në pluhur, të dërrmuar në nxitimin e veprave të tjera arrogante, si arroganca e çdo kohe.
Fundja e kam thënë dhe e përsëris, të jesh vetvetja këto ditë është e barabartë me vetëvrasje sociale. Janë mijëra praktika të civilizuara të shpikura me qëllimin e vetëm për t'ju bërë të ndiheni rehat mes të tjerëve, dhe me kaq sukses, saqë përfundoni të pyesni veten nëse ai person i përsosur, me ndryshimin e shtrembër, është akoma ju, apo është ndonjë i huaj? Disa preferojnë të mbesin rrafsh. Rrafshi, siç e kuptoj unë, i jep perspektivë vetëm atyre që nuk kanë imagjinatë. Dhe imagjinata në këtë tryezë të 7 Marsit 2024 nuk ishte boshe. Ajo udhëtoi dhe zhbirroi kujtime dhe ditare. Shpalosi mjaft mund e lodhje, por një përkushtim që ende pikon gjak të thatë arrëmyshk. E kthen këtë bisedë në një letër kohore, të hollë dhe të zhurmshme si një kujtim letrash për shënimet e Mbledhjeve Pedagogjike. E papërfunduar, në mungesë të bojës, e lagur prej gjerbës së pandërprerë të shiut. E padërguar për shkak të adresave të munguara. Dhe e harruar, pas shpejtësisë gjithëpërfshirëse të jetës. Edhe në të drejtën e pafundme në memorje. Urim për 7 Marsin e mjaft viteve - i padërguar për shkak të adresave të munguara.
Comments