top of page

URIM MIKUT TIM SHPENDI TOPOLLAJ


Shpendi Topollaj


KADRI TARELLI





SHPENDI TOPOLLAJ FESTON DITËLINDJEN E TIJ ME LIBRA TË RINJ


Më 14 shkurt 1947 , pra në ditën e shën Valentinit u lind Shpendi Topollaj, i cili sot mbush 74 vjeç. Për të, si njeri, poet, tregimtar, novelist, romancier, dramaturg, publicist e kritik letrar, mund të flasësh gjatë, pasi ke se ç`të thuash si për veprën e tij shumëdimensionale, plot talent e kulturë të jashtëzakonshme, ashtu edhe për vlerat e spikatura njerëzore e atdhetare që si rrallëkush ka. Me karakterin e pathyer të ish oficerit, me sensin e drejtësisë si jurist, por dhe me shpirtin e bukur e të ndjeshëm poetik, ai gëzon dashurinë dhe respektin jo vetëm të të gjithë qytetarëve durrsakë, por edhe të kujtdo që e njohu apo lexoi nga krijimtaria e tij. Pas dy librave voluminozë “Liria e të shkruarit” dhe “Të shkruash në liti”, doli nga shtypi libri tjetër kushtuar atij dhe veprës së tij me titullin “Kur mendja bashkohet me zemrën”. Janë përfshirë në të opinione dhe gjykime nga penat e spikatura të letrave tona, të cilët kanë shprehur gjithë konsideratën e tyre për këtë autor të bi gjashtëdhjetë librave, disa të botuar edhe në vende të tjera dhe fitues të çmimit “Pushkin”. Po ashtu, sapo u botua edhe libri i tij me kritika letrare “Pranë jush” i cili çelet me një bisedë të gjatë e mjaft interesante me shokun e tij, gazetarin Luan Jaupi. Vetëm gjatë kësaj periudhe pandemie, Shpendi, me një vullnet titanik ka shkruar dhe botuar disa libra. Fill pas “Esse rreth shprehjeve mitologjike” që është pritur aq ngrohtë, ata janë “Dantja… e të tjerë”, ku në shkrime studimore ka përzgjedhur korifejtë e letrave ndër shekuj (Petrarka, Bokaçio, Shekspiri, Hygoi, Pushkini, Tolstoi, Esenini, Cvajgu, Shollohovi), përfshi shkrimtarët tanë Fishta, Lasgushi, Kadareja e Dritëro Agolli dhe që ka vazhduar me “Shenjtorët e letrave” (Virgjili, Servantesi, Volteri, Rusoi, Balzaku, Gëte, Gogoli, Lermontovi, Turgenievi, Anderseni, Bajroni, Mopasani, Dumai, Dostojevski, Tueni, Gorki, Londoni, Hasheku, Heminguej, Ahmatova, Pastenaku, Sollzhenjicini, Markezi, etj.). Janë libra seriozë, me gjykime të thella dhe plot kureshtje, të shkruar me aq kompetencë dhe dashuri, të cilët i bëjnë nder jo vetëm këtij autori, por edhe vetë letërsisë shqipe. Gjithashti, ai botoi librat me kritika letrare “Alternativa e kritikës” dhe “Pesha e dinjitetit” si dhe dy drama “E përdala” dhe “Ata ishin njerëz”, vënia në skenë e të cilave, do të ishte me shumë interes për problemet që shtron dhe mesazhet që jep, pa folur për cilësinë e lartë artistike. Aktualisht Shpendi është duke shkruar një roman, ku trajton mentalitetet dhe sjelljet e njerëzve në kushtet e shoqërisë së sotme, ku vihen në provë karakteret e tyre.

Po e uroj me gjithë shpirt këtë autor, përherë të pranishëm në faqet letrare të gazetës “Telegraf” që gjithmonë i feston ditëlindjet me një tufë librash të rinj, me një poezi timen, pavarësisht se për të si shkrimtar e si njeri janë shkruar volume të tëra.


URIM MIKUT TIM SHPENDI TOPOLLAJ

Linde ti në dit dashnie,

Porsi zog në koh` furtune,

Nuk lakmon kuror lavdie,

Veç aromë e djersë pune.

Ti o Shpend me shokë shumë,

Nuk e di kur bën pushim,

Se, dhe natën kur fle gjumë,

E braktis për një shkrim.

Fjala jote ndër kuvende,

Sa në Durrës e në Tiranë

Si skulptor portrete gdhende,

Hedhur librash anë e mbanë.

Tregimtar, me shpirt poeti,

Kritik arti, romancier,

Krahët ngjyer mbi valë deti,

Kripur fjalën, bukur nxjerr.

S`shan askënd, nuk mban inat,

Në çdo çast mbetesh njeri,

Shën Valentini pati fat;

Kur të dha kaq dashuri.

Mbi gjashëdhjetë libra në duar,

Gdhendur shpirtin aty ke,

Fjala jote, zjarr i pashuar,

Për shqiptari e mëmëdhe.

14 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page