-Meditim si prind dhe përtej-
Sot një nga djemtë, lëvizi nga shtëpia ku jetonte falas, (sepse i përkiste babait) tek një apartament luksoz në qendër të qytetit. Unë nuk e dëshiroja këtë lëvizje. Nuk e desha këtë... Unë e kundërshtova me taktin e një prindi shqiptar, që mendon dhe bën shumë për fëmijët e tij: “Rri këtu…E ke falas.Nuk dua dollarë…Rri këtu…”. Ai më pa drejt në sy.Më qeshi dhe ma preu: “Dua të paguaj dikë tjetër se ty nuk të jap dollarë…Edhe po të t’i jap, si shqiptar që je do mi kthesh…Do iki ku dua…”. U përpoqa ta diktoja, i thashë se do t’i jepja “bakshish” po të rrinte tek investimi im. Por iku. Sot bëri lëvizjen me një makinë të madhe. E ndihmova si baba. Ai ka nuhatje amerikane për tregun dhe biznesin. Me dhimbje e shoqërova tek shtëpia e re. Aty më dha një gotë birrë dhe më tha: “Bëju amerikan…Më lerë të lirë se unë prap do të të dua…”.
Sikur më “vrau me pambuk”. Qesha. Kur pashë vendin që kishte zgjedhur për të jetuar, u çudita. Nga dritaret e xhamta kishe në dorë qëndrën e qytetit me rrokaqiellet e larta dhe më erdhi mirë. Më erdhi keq që desha të diktoja. Mu duk vetja një diktator-baba, që nuk pranon ndryshimin, kohën, kontrastin e brezave. Desha të kontrolloja jetën e timbiri si një arkaik shqiptar që rasti dhe fati e solli në Amerikë. Më erdhi keq. E kisha nga dashuria, por isha i gabuar. Liria e njeriut është më e madhe se dashuria e prindit, shumë më e madhe edhe pse ne themi “nuk ka si dashuria jonë”. Jemi të gabuar… “Dua të krijoj eksperiencën time”-më tingëllojnë fjalët e timbiri.
Më erdhi në mendje im at.Më deshte edhe kur mendoja ndryshe nga ai. Nuk më diktoi. Më la të shkoja në shkollë, të ikja larg nga fshati dhe të kthehesha ndryshe. Ai më duket se ishte më liberal se unë, që dua të kontrolloj bijtë e mi, t’i kem afër, t’i shoh përditë, të bëj shaka shqiptare dhe të qesh shqip…Të qesh shqip? Po, po. Unë qesh shqiptarçe kur imbir më thërret “Sherbet…Ku je?...” Unë qesh, E qeshura më bën si imbir, më sjell rini, freski, shpresë… Djali tjetër ka tjetër humor me një lloj filozofie moderrne, që nuk më bën të qesh, por më fut në mendime. Të dy djemtë e mi janë kenaria dhe domethenia ime.
Bijtë tanë. Ata janë më të mirë se ne, më të mënçur se ne, më të ditur dhe me botën e tyre për jetën, dashurinë dhe misionin në jetë. Ne shpesh nuk i kuptojmë. Duam t’i kontrollojmë,t’i “mëkojmë”, t’i këshillojmë deri në mosdurim. Harrojmë se ata nuk janë si ne. Duan të na ngjajnë ne, por ata nuk mund të jenë ne, ata janë shumë më përpara se ne…Miku im i pashoq, Medi Koxhaj, kur flisnim për Ne dhe Ata, më thoshte: “Gjithë brezat e rritur ankohen për brezin e ri…por bota përherë ka ecur para, jo mbrapa…”. M’u kujtua Mediu i madh, ndërsa dua të jem “diktator” i krijesave të mia. Njeriu lind me instiktin për të qënë diktator. Vetë e qara e thekshme e sapolindjes sonë është “ego” dhe diktat për vëmendje. Ne qajmë që të gjithë t’i kthejnë sytë nga ne. Ne qajmë edhe pse nuk e dimë pse qajmë.Kush nga ju kujton këtë qarje të parë? Unë nuk e kam idenë, por nuk harroj të qarat e bebeve që kam sjellë në jetë. Ata qanin sepse deshën vëmendjen tonë, deshën kujdesin tonë. Tani nuk janë në nevojë. Tani ata duan lirinë e tyre, larg “vëzhgimit “ tonë të tepruar.
Ne, nuk jemi si bijtë tanë.Koha na bie si “shuk bore” mbi mendjen tona dhe nuk kuptojmë se kemi ngelur prapa.Bijtë tanë duan vetëm një gjë: Të jenë të lirë nga “përkujdesja” jonë idjote. Ata kanë ëndrra ndryshe, ata duan të jenë ata, pa “mbikqyrje” sikurse duam ne brezi i “shekullit tjetër”. Tirana dhe gjithë Shqipëria ka një brez të mrekullueshëm që ka ëndrra të bukura, që nuk kanë më nevojë për “mbikqyrje pleqsh”, sado kjo të duket si dashuri dhe përkujdesje.
Vjet isha në Tiranë me timbir. Nuk qëndroi me mua. Kishte porositur tjetër shtëpi. Si baba veseli ju qepa dhe mësova se ku do flinte. Ishte një apartament luksoz diku tek ish-profarma, që e kishin futur në treg një çift i ri që dukeshin të sapodashuruar e plot ëndrra investuese. Ata ishin një shembull i madh i lirisë që ka nevojë brezi i ri. Investimi i tyre edhe pse ishte në katin e sipërm të një pallati, ishte një “Copëz amerike” në cep të Tiranës. Imbir më tha: “I shikon shqiptarët e rinj?!...Brezi juaj mbeti me politikë dhe llafe koti…”.
Sot imbir më solli përsëri në bisedë investimin e çiftit të ri në Tiranë. Ata nuk janë të vetëm. Ata janë të shumtë. Brezi i ri i Shqipërisë ka ëndrra, ka fantazi, ka vision, por nuk i lenë “pleqtë e lajthitur” që duan të diktojnë, duan të kontrollojnë, duan të thonë se “Pa pleq, nuk ka Shqipëri”. Është një lajthitje që kërkon pakëz guxim të manaxhohet. Edhe mua mu duk vetja si një “plak grindavec” kur dua të diktoj tim bir. Më erdhi turp nga vetja. Edhe pse diktati im është dashuri, imbir e neverit. Dhe ka të drejtë. Edhe unë kam neveri kur kujtoj gabimet e mia. Kam neveri kur kujtoj se si dikur krijova një shoqatë të gazetarëve të bujqësisë dhe vetja mu duk “pronar”. Për mua votuan të gjithë në mbledhjen e parë, por më pas, unë u bëra një “zevzek”. Kur ika në Amerikë, vulën dhe “dosjen” e shoqatës ja lashë një idjoti që e desha si lolo pas vetes. Kur u kthjellova dërgova një letër dhe kërkova falje. Fuat Memelli ringriti shoqatën ngapërgjumja që e lashë unë. Isha i lajthitur pas vulës , emrit dhe ashtuthënës lavdi. Në Amerikë mësova se çdo gjë ka kohën e vet. Amerika vetëm kohën nuk ja fal kujt. Ne në Shqipëri e japim falas, dhe për më keq kohën tonë ua falim “të shtrydhurve”… Po a mendon kështu brezi i ri? Të rinjtë duan “Liri nga pleqtë” sepse ata e dinë se do bëhen si ata, ndaj nuk kanë nevojë për “huqet e moshës” që do vijnë një ditë edhe për ta. Ndaj të rinjtë qeshin me ne, sepse nuk njohin “tekat e viteve”.
Më erdhi turp nga vetja kur edhe unë isha bërë i tillë ndaj ëndrrave të tim biri. Po si ja bëjnë ata, që nuk janë as fis, as gjak, as familje, por thjesht “familje politike” dhe duhet të dëgjojnë “Plakun”?…A ka një forcë t’i shpëtojë? Unë ika dhe e lashë vetë tim bir, tek apartamenti luksoz, duke i kërkuar falje për “diktaturën” time . Po ata që kanë ëndrra politike si mund të dalin mbi “brezin e shekullit që iku” dhe vërtet të sjellin freski në politikën kundërmuese të Tiranës?...
Bijtë tanë janë të mrekullueshëm. Ata meritjojë me shumë liri, më shumë besim sepse dinjiteti i botës së tyre është ndryshe nga jona…
Im bir iku të jetojë aty ku do vetë. Unë hesht dhe mendoj. Ai ka të drejtë…
Minneapolis, 31 Mars 2022
Përshëndetje z. Meko.
Shkrimi juaj na perfaqëson të gjithëve.
Kjo luftë brezash është fituar gjithmonë nga bijtë. Por në një kuptim tjetër, edhe prindi që e ka përgatitur djalin për të marrë përgjegjësitë që i takojnë, e ka fituar luftën e tij.
Djalit tënd, timit dhe gjithë djemve të tjerë, urimet më të mira për zgjedhjet dhe zgjidhjet e tyre të guximshme! Me shumë respekt,
Sefulla Kata
Ka një të ngjarë të pakandshme-në veçanti për prindërit: sapo të rriten e marrin veten fëmijët, ecin me një hap që ua përcakton nevoja, jeta. Dhe, prindërit tashmë në moshë, nuk mund të ndjekin hapin e tyre, e ata nuk mund t,i presin që prindërit t,i arrijnë. Dhe, mbetet një distancë e tyre e përjetëshme. Prindërit në mall e ata në hap të shpejtuar. Ka dhe një metaforë domëthënëse /pa të keqkuptuar/ popullore: pa vrarë babain, nuk mund të përparosh! Pikërisht ky rrëfim i autorit, tërthorazi flet për këte, për lirinë, për lirimin nga babai. E kjo, po të shihen gjërat thellë, është e pamundur se biri edhe kur vendoset në apartamentin më luksoz, gjithnjë është vazhdimsi edhe biologjike edhe…
Meditimet e gazetarit dhe të publicistit të njohur Shefqet Meko janë një ese mjaft e bukur dhe mjaft mbresëlënëse, janë një leksion bukur i goditur për brezin e dytë dhe brezin e tretë shqiptar se si duhet t’i kuptojnë fëmijët e vet, se si duhet të dinë të hyjnë mjeshtërisht në botën e tyre. Kjo ese dëshmon se edhe vetë Shefqeti, në bashkëpunim të ngushtë me shoqen e shtrenjtë të jetës, Almën e dashur, e ka përjetuar dhe përballuar me shumë sukses “limën” e jetës amerikane, ka hyrë fare mirë në indin e saj, prandaj edhe dy djemtë e vet i kupton mjaft mirë, e kupton për bukuri instinktin e vetëveprimit të tyre. Kjo është Amerika, të m…