top of page

Udhëtimi poetik me “Perlat e dashurisë”, të Nita Belulit


Dr. Zejnepe Alili - Rexhepi

Dr. Zejnepe Alili - Rexhepi


Udhëtimi poetik me “Perlat e dashurisë”, të Nita Belulit


Vëllimi poetik “Perlat e dashurisë”, të përngjet në një poemë të një përjetimi plot pasione e shpresë të ngritur mbi ëndrrën jetike të Nita Belulit. Në të, ndihet fryma e një çiltërsie të thellë, e cila e përkufizon imazhin e ëndrrës së saj, përmes konceptesh metaforike të rigjetura brenda artit, të më shumë zhanreve, si: film, pikturë, letërsi, e here-herë në përjetime vetjake të autores, po që të gjitha të detajuara përmes shprehjesh e figuracionesh poetike. Ndjesia prej ëndrrash vashërore, sinkronizohet në një simbiozë me atë të qenies që i jep vetëbesim dhe shtytje për një hap në të ardhmen, duke e shtrirë vargun - poemë, realisht në një pathos ideo-emocional të idealit krijues të poetes.

Poezia e Nitës sjell një shportë përplot hone, ku zë vend lumturia gjer në pafundësi. Tek ajo nuk ka alternativë, pasi fati i ka “gatuar” imazhin e një lumturie hyjnore që plotësohet dukshëm nga mozaiqe figurash, teksa vargjet sajohen nga forma të ndryshme të transponimit të realitetit dhe dukshëm, e tërë poema motivohet nga rrjedha e realitetit jetësor, nga përjetimi dhe sfida për ta prekur lumturinë. Niveli i përshkrimit ndjesor, brenda një tërësie poetike, duke e ruajtur tërësinë tematike në veprën që kemi në dorë, të lë mbresën e një lloj ditari unik, ku përshkruhet një romancë e sapo nisur që nga vargu i parë, duke rrugëtuar e u përmbyllur në një poemë me përmasa të këndshme poetike e sensuale..., brishtësia e së cilës vjen e realizuar me një trajtë kuptimore: përmes kujtimesh, shenjash, përjetimesh.... pa e zvetënuar vitet as koha me ngjyrat fatale të saj, nganjëherë.

Kur, Nita, ma besoi dorëshkrimin e vargjeve (më zbuloi dhe fshehtësinë e shtypjes së vetëm 7 kopjeve, me titull: “Angelito - the Love of my Life”, dedikuar një dashurie të madhe, ndaj një personi - Erblirit, të fejuarit të saj, veçmas si dhuratë ditëlindjeje për të), s’e kishte menduar ndonjëherë që do d’i sugjeroja ta botonte këtë libër. Ngazëllimi në sytë e saj, pothuajse ishte premtues... Për më tepër, ia lamë kohës! Megjithëse, e ndjeja që Nita Beluli, e pajisur me botën e një psikologeje dhe ndjesinë e thellë, plot butësi e trazime, që në të njëjtën kohë e vinin në spikamë sensin poetik të saj..., ndërsa përkrahja dhe vetëbesimi i dha shtysë për t’i hyrë sfidës së botimit. Ca ditë më pas, kur veç më shfletoja dorëshkrimin, them se u befasova (shihja vlerat e një talenti të ri), jo për faktin se, poezia është e letrarëve e s’mund të jetë frymëzim i secilit që ka shpirt të ndijshëm dhe kuptim për botën e artit, por dhe njohja me të, qe e papritur dhe afria e vetëbesimi tejet të dukshme, që natyrisht e bënë vargun e saj pjesë të opinionit tim.

Që në vargjet e para, gjatë leximit..., ndjeva vrushkuj shkëndijash të një talenti që konfirmonte botën e begatshme të poetes, me prirjen për të zbuluar dhe shprehur risitë dhe perceptimin mbi to. Duke i konsideruar të pakta krijueset shqiptare të kësaj treve (Maqedoni), Nitën e mirëprita, meqë vargjet e saj kanë një motivacion të guximshëm, të sjellura me një stil ndryshe, të pa imituara..., vargje që në të vërtetë, vijnë si një përthyerje poetike e një akumulimi të gjatë ndiesor e kulturor. Jeta përuron poezi të të gjitha ngjyrimeve, por poezia e Nitës dëshmon për faktin që, ajo s’e jeton një nuancë të jetës siç është dashuria, pra të paktën, jo veç si ëndërr rinore që këndshëm zë vend në shpirt, por si një ekzaltim - pararojë e asaj që do të ndodhë domosdoshmërisht. Janë të shumta vargjet që e sjellin këtë frymë: Ndaj engjëlli im, më duaj gjithmonë, të lutem / Më dhuro botën zbukuruar me karnel / Dhe në filmin tënd biografik, më ler të futem / Fytyrën akoma pa mbuluar me vel.

Dhe krejt çka duket si një imazh ëndrre fillimisht, vjen vetëm si figuracion i gjetur me shije duke befasuar këndshëm për prurjen cilësore që do ta radhisë autoren në varganin e poeteve shqiptare. Vëllimi nuk ka cikle, as poezi të ndara..., por sajohet ngjeshur si një tërësi tematike, si një poemë e bukur, e ndishme, e sajuar me aq finesë, herë përmes katrenës e tercinës, duke krijuar tufëza sonetesh, e herë me distikun dhe vargun e lirë që gufon lirshëm nga shpirti, për të udhëtuar po me atë ndjenjë, se fundja vetëm dashuria mund ta zbusë botën e egër ku jetojmë shpeshherë me shijen e hidhur që na lë. ...Pra, ti je sfida e mëngjesit tim Që vjen me dritën e parë që agon, Natyrës së zbehur i fal më shumë grim Vijon nga sot, nesër-përgjithmonë.Vargjet vijnë, sipas perceptimit të poetes, mbi imazhet prej zebre, siç i quan dhe vetë e përmes tyre, ajo vjen sfiduese, sikur të pleksej nga forca feministe e shkrimtares Virxhinia Vulf, si në esenë “Një dhomë më vete”. E pathyeshme, në ecejaket bardh e zi të jetës dhe pa lejuar të venitet freskia e dhuntia prej Venere, ndonëse nganjëherë, qoftë edhe pa dashje, poetja shkel mbi shtigjet e egra që ia servon jeta.

Përballja e pozicioneve shpirtërore brenda poezisë portretizon transformime nga struktura e zakonshme, që në vepër i pikasim si një poemë e vargëzuar metaforash, që natyrshëm variojnë nga vargu në varg. Mjeshtëria e fjalës, që tani më është një armë e fuqishme e Nitës, sjell realitetin e jetuar, bashkë me thërrmijat e ekzistencës së qenies femërore, tek e cila çdonjëri gjen vezullime mahnitëse..., prej ku më pas mbetet gjatë, e veçanta e shijes që vjen nga një përjetim i bukur, nga një romancë, nga një shpresë jetike..., me dëshirën për t’u universalizuar e për t’u bërë një shfaqje e hapur, një teatër njerëzor. Vëllimi “Perlat e dashurisë” është një poemë, që të mbetet në kujtesë, e me copëzat vargëzore të saj dhe tërësinë tematike që ka, të lë imazhin e një romani, ku reflektimi i paqtë i ndjenjës, përmes kolorite perceptimesh, vjen si dell poetik. Poetes, i uroj nismë të mbarë në rrugën e pafund të suksesit..., dhe lexuesit të çmuar, që e ndien dhe e adhuron poezinë..., këto vargje t’i japin kënaqësinë e një poeme “perlë” në raftin e librave të tyre.

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page