top of page

Udhëpërshkrim dhe gjurmë poetike


Zejnepe Alili - Rexhepi

Udhëpërshkrim dhe gjurmë poetike

“Trirema Poetike Joniane” - Sarandë, 2015

Udhëpërshkrimet janë një formë e ruajtjes së gjurmëve të veprave ehistorive njerëzore. Këtë e pohojnë me dhjetëra njerëz të mëdhenj se shkrimet që vijnë si frymëzim nga udhëtimet shndërrohen në arkiv kujtimesh, për t’i bërë të prekshme për këdo që do ta ndjente magjinë e udhëtimit.

Saranda është qytet, i cili ka bukuri të pafundme e histori të shumta që u kanë mbijetuar shekujve, po që edhe sot lehtësisht të magjepsin. Qytet, që vetëm me pak vëmendje të zgjon kërshërinë m’u si Bukuroshja e fjetur mbi dallgë deti.Është tejet domethënëse, që në Sarandë, të dish të vrojtosh vëmendshëm detin dhe thesaret përreth qytetit. Kjo nënkupton ta njohësh atë botë të tërë legjendash që të përcjellin dromca ëndrrash. Deti është hapësira e pafundme që i lag brigjet e këtij vendbanimi, në të cilin fortesat e gurta janë harku më i natyrshëm i ndërlidhjeve të qytetërimeve, pasi ato kanë të njëjtin “shtrat lindjeje” - Jonin. E për këtë, duhet ta kesh zili poetin Timo Mërkuri, kur shprehet: “Te zemra jonë fillon deti”, lajtmotiv ky, që e përcakton metaforën e papërsëritshme të Artit Jonian. Ky qytet, do më shumë se sa vetëm kureshtjen e zakonshme për ta kuptuar sadopak pleksjen e historisë së vjetër me të renë. “Trirema Poetike Joniane”, Sarandën e lartëson në një tempull poetik, ku çdo vit takohen poetë të të gjitha trevave shqiptare dhe poetë të disa vendeve të Evropës, brigjet e të cilave lagen nga Deti Jon.



***

Ishte fillim vjeshte..., e premtja e fundit e shtatorit, teksa me tim shoq, Zeqirja Rexhepin (historian), udhëtonim drejt Sarandës. Udhëtim ky, që erdhi pas ftesës për pjesëmarrje në takimin poetik, gjegjësisht Manifestimin tradicional “Trirema Poetike Joniane” (edicioni IX). Rruga, përgjithësisht të jep kënaqësi udhëtimi, meqë pamjet përreth të shfaqen me qindra kolorite vjeshtore. Pasi pimë kafenë në Restaurant “Gjahtari”, vazhdojmë udhëtimin, me dëshirën që të arrijmë në kohën e caktuar.

Mëngjesi premtonte një ditë të ngrohtë, mirëpo asgjë nuk dihej deri në fund të ditës. Pas ca orësh udhëtimi, diku në Delvinë, filloi të bjerë shi. Ndryshimet e motit ishin të shpeshta, nga një vend në tjetrin, sa të dukej se po jetoje disa stinë përnjëherësh. Ca pamje mahnitëse përbri rrugës, me shkëmbinj të thepisur, ku përthyheshin rrezet e diellit, të kujtonin “Kopshin Shkëmbor” të F. Konicës. Një gjetje e goditur, e pazëvendësueshme si shprehje!

E kishim lënë pas Gjirokastrën dhe makina vazhdonte të ngjitej ngadalë kthesave gjarpërore, kur befas si një oazë midis majash shkëmbore shfaqet një fushëgropë e vogël. Shiu sapo kishte pushuar pak dhe pikërisht në atë gjelbërim ishte përvijuar ylberi më i bukur që kisha parë ndonjëherë. Nuanca të pleksura ngjyrash pothuajse të mahnitnin. Nga të tillat pamje, seç ndjeva një ngazëllim fëmijëror. U ndalëm për të bërë ndonjë fotografi, pasi nuk i rezistonim dot asaj mrekullie. Dikur, një rrëshqitje e lehtë e makinës na bëri të analizonim mirë e mirë kurorat e luleve të vendosura në të djathtë të rrugës, prej nga të trembte lartësia dhe kthesat e shpeshta të rrugës së ngushtë.

Legjendë më vete është “Syri i Kaltër”, mirëpo shiu që kishte filluar sërish, tashmë nuk na lejoi që të ndaleshim, megjithëse gjatë kohë paskëtaj na ngacmuan kujtimet e dy viteve më parë, kur në kthim nga Saranda, bashkë me shkrimtarët: Ibrahim Kadriu, Agim Vinca, Sabit Rrustemi, Beatriçe Balliçi e Puntorie Muça - Ziba, ishim ndalur për të parë këtë vend, mbresa që ta pasuronin kujtesën.

Pak para se të arrinim në Sarandë, në një cep të rrugës, bie në sy pllakata me mbishkrimin - BUTRINT. Kaq të mjafton që kujtimet të trazohen. E kishim vizituar gjatë “Triremës Poetike Joniane, në 2013. Dhe ja, më kujtohet edhe vajza (ciceron) me emrin Dafina, e cila i deshifronte mbishkrimet, jepte shpjegime mbi harta e histori, me një ndërlidhje të vëmendshme faktesh. Butrinti, një vendbanim i veçantë, jo vetëm për lashtësinë që kishte, por edhe për interpretimin e tyre, mbetet i dëshirueshëm. Ashtu ndër kujtime vargëzohen: Tempulli i pagëzimit, Pusi i nimfave, Porta e luanit, mure, shtylla, mozaikë interesantë, bimë me gjethet në formë zemre, Dea - Apolloni, etj. Në të vërtetë, vetë Joni është mister shtegtimesh heroike, romancash homerike e virgjiliane, herë-herë edhe danteske si “fryt i një frymëzimi jonian, që na shpie tek legjendat”.

Në Butrint sheh objekte të rralla, të mistershme, që ashtu gjysmë të rrënuara krijojnë mozaikët e antikitetit, si djep i kulturës së lashtë. Kolonës së poetëve i prin Agim Mato, të cilin sapo e njeh, e kupton që tërë jetën poezinë e ka bartur si më të çmuarin thesar shpirti, ndonëse talenti i tij i ndrydhur prej poeti me liri të privuar, një ditë shpërthen me erudicionin e një krijuesi të admirueshëm. Butrinti mbetet dëshmi se kalatë e gurta të qyteteve fortesa janë lidhja më e mirë, më e natyrshme, e ndërlidhjeve kulturore dhe qytetërimeve. Ata kanë të njëjtin “shtrat lindjeje” - Jonin, megjithëse, të rastis kur një poet sarandit deklaron dhimbshëm: “Sa pak det paska në poezinë time”!

Më kujtohet që në një stendë në dalje nga qyteti antik, pata blerë një monografi, ku shënoheshin gjëra të bukura e të rëndësishme për Butrintin. Edhe sot, ajo monografi zë vend të veçantë në bibliotekën time.

***

Shtator... 25, 26, 27, data të nënvizuara në kalendarin e këtij viti (2015). Saranda fillonte një festë poetike. Nën kupolën e Klubit Jonian dhe mbështetjes nga Bashkia e Sarandës, me kryetare znj. Floriana Koka, në këtë qytet, mbrëmjen e së premtes arrijnë shumë poetë. E ftuar si poete nga Maqedonia, ndihesha e nderuar! Ia vlen gjithmonë që të bëhesh pjesë e “Triremës Poetike”, me ç’rast njeh poetë shqiptarë e të huaj, të cilët vijnë për të prekur nga afër shumë det dhe diellqë përshkohen më pas në vargjet e tyre poetike.

Pas pak minutash futemi në qytet. Nuk kisha si të mos ndjeja entuziazëm, për këtë manifestim, në të cilin dy vite më parë kisha takuar shumë poetë, që sikurse unë e gjetën të hapur portën e mikpritjes e bujarisë sarandite. Të dukej se qyteti ka vendosur raporte miqësore me krijuesit e këtij vendi, ndonëse me disa prej tyre fati kishte qenë i pamëshirshëm dhe ziliqar, si me Bilall Xhaferrin, bie fjala, porse ata që mbijetuan, janë përpjekur që brengën dhe dhimbjen ta kthejnë në art. Vepruan mirë, padyshim! Arti nuk i honeps pengesat, as të mundurit, por mbijetesën e vlerave.

Ndalojmë te Rrapi (një dru i vjetër nga i cili njihej vendi në hyrje të Sarandës) për të kërkuar ndihmë se si ta gjejmë Bougainville Bay, hotelin piktoresk rrethuar me bugonville (ato lule shumëngjyrëshe që në Sarandë i pati sjellë Naim Frashëri) që për tri ditë me radhë do të ishte vatra e poetëve. Nën ndjesi që të bëjnë ta harrosh lodhjen nga udhëtimi i gjatë disa orësh, vendosemi në hotelin e caktuar. Të parët që takojmë me të arritur, ishin poetët nga Gjilani: Sabit Rrustemi dhe Nexhat Rexha, dy miq të vërtetë.

Ndërkohë kishte filluar një shi i dendur, por na duhej të shpejtonim drejt Hotel Nertilis, aty pranë. Rastësia na takoi me poeten spanjolle, me të cilën në pamundësi njohjesh të gjuhës së njëra-tjetrës na bashkoi ombrella, që sadopak na mbronte nga shiu i dendur.

Ora afronte 19.00. Ishte koha kur filloi Ora poetike tradicionale, në njohje të poetëve që vinin nga vise më të largëta. Mjaft poetë u prezantuan që në mbrëmjen e parë, fillimisht poetët e huaj. Interpretimin e filloi Giuseppe Napolitano dhe Angela Giannelli nga Italia, pastaj Gema Bocardo nga Spanja dhe poetët grekë: Yannis Yfandi dhe Natalia Kapodistria, si dhe poetja maqedonase Olivera Docevska. Në vijim u prezantuan edhe poetë të trojeve të ndryshme shqiptare, si poetët vendas (Shqipëri), nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina. Interpretime patën poetët: Fatmir Terziu, Agim Vinca, Pandeli Koçi, Betriçe Balliçi, Ilirjan Zhupa, Zejnepe Alili Rexhepi, Flora Brovina, Petrit Ruka, Albina Idrizi, Riza Braholli, etj.

Këtë mbrëmje ishte kënaqësi t’i dëgjoje vargjet e interpretuara nga shumë poetë e në gjuhë të ndryshme, të përkthyera e të recituara në gjuhën shqipe nga Dashamir Malo. Shumëkush e krijon bindjen se Klubi Jonian shërben si urë miqësie e poetëve, pasi poezia reflekton një botë shpirtërore ku dallgëzon deti e trazon aromën e ullinjve dhe të mbush syrin me nuanca portokalli. Vargjet joniane të mbushin frymë me aromën e portokajve e pemëve të ullirit, kësaj peme të lashtësisë ilire. Në ato vargje ka pafundësisht jetë, buzëqeshje e diell.

***

Të nesërmen, pas mëngjesit ishte paraparë udhëtimi me autobus deri në qytetin antik të Butrintit dhe në Kalanë e Lëkursit. Por, shiu mund edhe të ndikonte në ndryshimin e itinerarit. Megjithëse, me ose pa shi, vizita në kalanë e lashtë do të ishte e veçantë.

Sipas shpjegimeve, Kalaja e Lëkursit është ndërtuar në vitin 1537 nga Sulltan Sulejmani, në pozicionin mbi fshatin Lëkurës të asaj kohe, fshat që u kthye në rrënoja në vitin 1878 në luftën e njohur të Lëkursit, banorët e të cilit emigruan në Itali dhe një pjesë u shpërnda brenda vendit.

Aty gjithashtu mbahet një Orë tjetër poetike, ku lexojnë të gjithë poetët, përpos atyre të mbrëmjes së parë ishin edhe: Agim Vinca, Zimo Krutaj, Agim Bajrami, Kolec Traboini, Izet Duraku, Sami Velçani, Alfred Molloholli, Xhelal Tosku, Ibrahim Kadriu, Sabit Rrustemi, Prend Buzhala, Agim Gjakova, Nehas Sopaj, Kalosh Çeliku, etj. Nexhat Rexha,

***

Mbrëmja e dytë ishte caktuar të mbahej në sallën e Hotel Butrintit, ku do të vijonte Akademia Letrare, risi e këtij edicioni të “Triremës Poetike Joniane”.

Akademinë letrare, me fjalën e tij përshëndetëse e hapi kryetari i Klubit Jonian, z. Agim Mato, dhe kryetarja e Bashkisë së Sarandës, znj. Floriana Koka, e cila me shumë respekt u drejtohet poetëve të pranishëm.

Në Akademi, sesionin letrar e hapi profesor Fatmir Terziu (Londër) me analizën e tij përkushtuese krijuesve jonianë, një studiues i zoti që e njeh thelbësisht poezinë joniane, duke dhënë po për këtë edhe ndihmesë të madhe me botimet në revistën “Fjala e lirë”. Kumtesa e profesor Sadik Bejkos “Sfidat e poezisë së sotme”(në mungesë të tij, u lexua nga Riza Braholli). Një kumtesë e veçantë u prezantua nga profesori e studiuesi Anton Nik Berisha, me temë “Zërat e sotëm poetik te Arbëreshët e Italisë”, pastaj studiuesja Zejnepe Alili Rexhepi nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, me kumtesën “Përvijime të letërsisë shqipe në Maqedoni”, po ashtu profesor Dhori #

Qiriazi, nga Universiteti i Selanikut, me temën ”Letërsia kufitare, poezia e minoritetit grek në Shqipëri”, si dhe poeti Petrit Ruka me temën “Çfarë mund të mësojë letërsia shqipe nga folklori brilant i Labërisë”.

Pas përfundimit të Akademisë, Klubi Jonian me kryetar Agim Maton dhe poetët: Timo Mërkuri, Andrea #Zarballa, Dashamir #Malo, Bardhyl Maliqi, ndanë çmimet Penda e artë, e argjendtë dhe e bronztë, si dhe disa çmime poetike.

Çmimet i ndajnë Agim Mato dhe Timo Mërkuri.

Penda e artë - Fatmir #Terziu (Londër);

Penda e argjendtë - Sadik #Bejko (Tiranë);

Penda e argjendtë - Albina Idrizi (Gjilan);

Penda e bronztë - Anton N. #Berisha (Kozencë);

Penda e bronztë - Sabit #Rrustemi (Gjilan);

Penda e bronztë - Zejnepe Alili #Rexhepi (Tetovë).

Të gjithë poetëve të pranishëm iu shpërndanë Mirënjohje

Gjithashtu poetëve: Giuseppe #Napolitano dhe #Angela Gianelli, Gema Bocardo, Yannis Yfandi, Olivera Docevska, Nehas #Sopaj, Pandeli Koçi, Petrit #Ruka, Rudina Çupi..., iu ndanë çmimet me logon Klubi i Krijuesve Jonian, me figurën e pulëbardhës dhe dorës që shkruan poezi dhe bën art. Vërtet, e çmoj këtë simbolikë, mbi të gjitha, për mesazhin që përçon, andaj do të thosha: …Dhe deti e pulëbardhat e Jonit, nuk e sjellin pranë vetëm ngrohtësinë e vargut poetik, por një pleksje të pafundësisë qiellore dhe kaltërsisë ujore, midis të cilave fluturon ky shpend, që sfidon hapësira e josh shpirtra poetësh, këtu e gjetiu në botë, për t’i lënë fillikat përpara legjendave e Perëndive. Edhe Timo Mërkuri paralajmërues, thotë: “Duhet patur kujdes në Sarandë, miqtë e mi! Po të lëvizësh një gur, nën të zgjohet një legjendë, po të mënjanosh një shkurre në breg, mund të sodisësh një nimfë, sirenë a ndoshta vetë Afërditën”.

E bukura e këtij manifestimi është takimi i poetëve shqiptarë me poetë të huaj, ku shkëmbehen ide e përvoja poetike, në avancim të fjalës së bukur dhe vlerave të artit poetik.

Pjesëmarrja në “Triremën poetike” - Sarandë, 2015 është kënaqësi dhe frymëzim, në të njëjtën kohë, sepse aty, jo vetëm që njihesh me vargun e shumë poetëve, por edhe e ndien kujtesën kulturore, si gërshetim i një arti shumëshekullor, që të magjeps me vlerat dhe identitetin që ka. E vlerësoj si jetike thënien: “Të kultivosh Artin #Jonian, duhet të jesh i madh sa bota joniane…”!

***

Të nesërmen (e diel, 27 shtator), gjatë kafjallit dhe kafesë së mëngjesit, poetët shkëmbejnë e dhurojnë libra, me urimet më të bukura, me dëshirën dhe mallin për t’u takuar sërish në Sarandën e mrekullive e legjendave. Ky qytet rrezaton magji arti edhe sot dhe ne shpresojmë që përmes vargjeve tona t’i kemi falur pak mirësi nga shpirti ynë e ca nuanca frymëzuese si ëndrrat tona, përderisa u larguam prej andej, me sytë plot kaltërsi qiellore e freski deti, të patjetërsueshme këto për mbijetesën tonë prej poetësh!

Faleminderit Klubi i Krijuesve Jonian!

Faleminderit #Saranda!



220 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page