U poq ulliri i avllisë time
( Poemth)
Tri shtëpitë e mëdha të fisit tim lopsiot ,
në Çamërinë pellazgjike,
ende në këmbë qëndrojnë ,
si tri kala të lashta ,
që në vetminë pikëlluese të tyre,
vajtojnë dhimbjen e pashoqe të braktisjes,
dhe presin kthimin tonë shpresëmadh ...
Më poshtë shtëpisë, përkarshi detit,
një ulli i madh , i madh hata,
i vjetër , sa të gjitha kohërat bashkë,
i madh, sa dyzetë ullinj bashkë,
ulliri që priti Odisenë kur kthehej nga Troja,
dhe e përcolli tek Penelopa,
me bekimin e tij dodonian,
ulliri që përditë e përditë krahët zgjat ,
ç'ka është e tij, e jona dhe e vjedhin,
në gjirin e hijen e tij don ta ruaj, ta mbajë...
U poq ulliri i avllisë time lopsiote,
mbi të hipur katër grrabiqar “pronarë”,
pamëshirshëm me shufra atij i bien ,
pa pyetur për plagët që ai ka marrë,
dhe çdo këkërr ulliri që në shesh bie,
nxjerr lotë e jo vaj...
Në degën e madhe që zgjatet nga veriu,
hipur një vllah nomad,
(me qera i jipnim kullotat që na tepronin,
të jetonte me të tijët evlatë),
i bie ullirit tim me sa fuqi ka,
aq, sa ullirit e shpirtit tim nga dhimbja,
lëkura i është nxirë dhe i ka plasë....
Në degën tjetër , atë nga jugu,
një grek ardhur nga Izmiri hipur,
me inat greku, më fort se vllahu ,
ullirit tim pellazgjik i bie,
(sikur padrejtësitë bërë atij nga kohërat,
kur nga viset e tij e dëbuan,
ulliri im lopsiot i Halilajve e ka)...
Degës së ullirit tim nga lindja,
ka hipur evgjiti,
më i pamëshirshmi “pronar”,
evgjitin që kishim hyzmeqar ,
( di evgjiti çdo të thotë vatan,
çdo të thotë shtëpi,
çdo të thotë dhëmbje ulliri..?!)
Në degën nga perëndimi,
Mihali sajadhiot ullirin tim vret e vjel,
vllam e kishte bërë babai im,
vllam e kishin bërë e vëllezërit e tij,
por ai, dinak gjenetik që nga Troja,
sa i erdhi ora, i vrau , i grrabiti,
tani europian i "nderuar" i thotë bota...
Poshtë ullirit katër refugjat shqiptar,
mblidhnin kokrrat e shkundura,
nga këta katër “pronarë”,
që rrahin pa mëshirë ullirin tim,
secili për hesap të "efendikoit "të tij,
dhe vinë e më thonë mua krekosur,
se kanë "efendikonj" të “mirë” në Greqi,
siç më thotë edhe presidenti ,
edhe kryeministri,
edhe parlamenti,
edhe politikani i vendit tim,
mbetur pa zot e qeverim,
(siç ulliri im pellazgo-elim) ,
që u lodhën duke thënë,
se udha e jona për në Europë,
duhet të "bekohet"në Athinë ...
U poq ulliri i avllisë time lopsiote,
por i mjeri ulli e di ç’heq,
nga katër grrabiqarë “pronarë”,
që e rrahin pa mëshirë me purteka...
Në heshtje qan e rënkon i miri im,
por duron e s’vdes,
deri sa plagët e tijë e të miat,
të na i shërojë e drejta, e vërteta...!
Lops- Çamëri 2023
Comentarios