top of page

U largua pas kërcënimeve...


Agron Tufa

U largua pas kërcënimeve, Agron Tufa deklaratë të fortë për “DW”: U kërkova ndihmë ambasadave, por nuk m’u përgjigjën!


Prej disa muajsh ish-drejtori i ISKK Agron Tufa kanosej nga ithtarët e regjimit të vjetër. Ai ka kërkuar azil politik në Zvicër. Tufa i tha DW. e “I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç”.

Në fillim të dhjetorit u bë e ditur, fillimisht nëpërmjet mediave sociale, se Agron Tufa, deri para pak kohësh drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), së bashku me të shoqen dhe pesë fëmijët e tij të mitur, kishte kërkuar azil politik në Zvicër. Si shkak për këtë vendim Tufa, laureat i disa çmimeve kombëtare në letërsi, dha kërcënimet e shumta që kishte marrë nga njerëz të ndryshëm, kryesisht nëpërmjet telefonatave dhe mesazhesh të shkruara.

Heshtje e ambasadave

Agron Tufa i tha Deutsche Welle-s se ai në fillim të nëntorit i kishte raportuar kërcënimet edhe tek një sërë ambasadash perëndimore: “Unë u kam dërguar të gjitha ambasadave kryesore në Tiranë, përfshirë edhe asaj të OSBE-së dhe BE-së, një raport me 16 faqe me një kronologji të kërcënimeve të mia, ku ishin dokumentuar edhe mesazhet kërcënuese, në shqip dhe anglisht, por ato nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje”, i tha Tufa Deutsche Welle-s.

E pyetur nga Deutsche Welle, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë,u përgjigj: “Ambasada në Tiranë ka qenë në kontakt me personin në fjalë në funksionin e tij si drejtues i Institutit në fjalë. Deri tani nuk ka pasur kërkesë për ndihmë”.

Injorim nga prokuroria

Tufa vetë i tha Deutsche Welle-s se ka bërë disa kallëzime penale në lidhje me kërcënimet, por se prokuroria nuk ka reaguar. “Mua nuk mu pergjigjën asnjëherë. As kallëzimeve private, e as nuk morëm përgjigje për kallëzimin e Cajes te Prokuroria e Krimeve të Rënda, megjithëse u ankuam dy herë”, i tha Tufa DW.

Në qershor të këtij viti, Agron Tufa, në cilësinë e tij si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, paditi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë ish-komandantin e kamp-burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, për veprën penale “Krime kundër njerëzimit”.

Sipas burimeve të DW , edhe organet e drejtësisë në Gjermani aktualisht po shikojnë mundësinë e ngritjes së një akuze kundër të njëjtit person, i cili prej shumë vitesh ka marrë shtetësinë gjermane dhe jeton në Bavari.

Në luftë me kastën e vjetër

Kërcënimet e shumta që i vinin si mesazhe, #Agron #Tufa i ka publikuar gjatë tërë kohës në mediat sociale. Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, deri tani (10.12.19) nuk ka arritur t’i kthejë përgjigje Deutsche Welle-s, nëse Agron Tufa ka pasur nevojë për mbrojtje personale,

Siç i tha Tufa Deutche Welle-s, vala e kërcënimeve filloi në prill të këtij viti, kur një grup politikanësh dhe intelektualësh të lidhur me regjimin e vjetër komunist donin t’i merrnin Institutit të drejtën për të pasur si objekt studimi edhe krimet e bëra nga komunistët në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare (1939-1944).

Por Tufa i tha DW se ky ishte vetëm një pretekst që u gjet për të mbuluar shkakun e vërtetë të luftës kundër tij. Tufa tha se në të vërtetë, shkaku ka qenë një kërkesë që bëri ISKK në fund të vitit të kaluar, për të marrë informacione nga të gjitha institucionet shtetërore për numrin e ish-oficerëve të sigurimit në stafin e tyre. “Dy institucione iu përgjigjën pyetjes sonë dhe doli që aty ishin nja 12 oficerë të sigurimit. Ata janë ende në pozicione super të rëndësishme, dy syresh pikërisht në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar (DSIK), e cila aktualisht merret edhe me vettingun në Shqipëri”, i tha Tufa DW.

Sigurimi ende në administratë

Sipas Tufës, numri i ish-sigurimsave në administratën e Shqipërisë mendohet të jetë rreth 3000. A mendon se strukturat e vjetra të sigurimit kontrollojnë ende jetën politike në Shqipëri. I këtij mendimi është edhe Jordan Daci, profesor i së drejtës në Tiranë. Sipas tij regjimi i vjetër nuk është larguar asnjëherë nga Shqipëria. “Edhe një pjesë e mirë e të rinjve që janë sot me poste në administratë janë bij dhe bija të ish-nomenklaturës komuniste”, thotë Daci për DW.

Deputeti Spartak Braho, gjyqtar në kohën e komunizmit dhe ende deputet në Kuvendin e Shqipërisë, është një nga kundërshtarët më të zëshëm të Agron Tufës. Ai e komentoi kërkesën e Tufës për azil politik në Zvicër edhe para disa ditëve në një artikull botuar në gazetën “Dita”. Gjuha e përdorur të kujton retorikën e diktaturës komuniste: “Unë i pari, por edhe të tjerë mendoj, se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet dhe do ta denoncojmë zyrtarisht si një hajdut dhe me vese tejet të rrezikshme shoqërore”, shkruante Braho.

Gjergj Erebara, nga rrjeti investigativ BIRN, i tha Deutsche Welle-s, se beson që Agron Tufa dhe familja e tij ishin të rrezikuar në Shqipëri: “Sulmet e Spartak Brahos ndaj Tufës kanë vijuar prej muajsh dhe Braho ka qenë persekutues në kohën e komunizmit. Pra, Agron Tufa ka arsye të shëndosha të kërkojë azil politik. Ndër të tjera atë e kishin akuzuar edhe si spiun rus dhe donin ta përgjonin”, tha Erebara.

Keqardhje ndër intelektualë

Në rrethin e shkrimtarëve dhe shumë aktivistëve që merren me zbardhjen e së kaluarës komuniste në Shqipëri largimi i Agron Tufës është pritur me shumë trishtim dhe keqardhje.

Keqardhës është shprehur edhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS): “Agron Tufa ka qenë gjithmonë një partner i mirë dhe i besueshëm për ne dhe bashkëpunimi ka funksionuar shumë mirë”, i tha Deutsche Welle-s Florian Constantin Feyerabend, referent për Evropën Juglindore në selinë qendrore të KAS-it në Berlin. “Kjo ngjarje tregon se është ende tejet e rëndësishme që në Shqipëri të vijohet me zbardhjen e së shkuarës komuniste dhe përballjen me të”.

Agron Tufa megjithatë nuk e quan dorëzim largimin e tij nga Shqipëria: “Përkundrazi. I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç. Do jetë kalim ne një cilësi tjetër, ku përgjegjësitë i marr përsipër personalisht, pa u shkaktuar “faturë” të tjerëve”, i tha babai i pesë fëmijëve Deutsche Welle-s./DW

54 views4 comments

4 Komentar


Anka Cullaj Kotori Respekt per z. Tufa.

Suka

Artemisi Gjini Moj Shqipni e mjera Shqipni Respekte Z Agron Tufa

Suka

Ildije Xhemali E kush do ta mbrojē z,Tufa!

Suka

Fatmiroshe Xhemalaj NJERIUN e mbron NJERIU...Ketu eshte dallimi me TOKESORET...

Suka

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page