MBAN AROMË VJESHTE
Nuk u përmbajtën me shegët
Shperthyen muret,
Të lirë, të gëzuar,
Me kokrrat e kuqe dashurie
Edhe ftonjtë e poqen aromën
Në mushtin e verdhë
Zili i kanë mollët
E skuqen faqet nga xhelozia
Rrushi bëri termet të fortë
E hapi burgun.
Buzët dashuroi
Dhe dehu shpirtin e përvuajtur
Hëna lahet në ujin e lumit tim
Të puthura dërgon...
Ç’na bëre moj vjeshtë
Tani, kur more rrugën për të ikur
Sytë e përmalluara të mirës sime
U bënë vjeshtë
Ranë në endërrime
Me aromë ftoi e shegë dashurie
S’MË LË TI...
Nuk e di si humba rrugën e monopatit
Në një luginë të panjohur, diku
Ajo kish fytyrë të rrudhur,plak
Me sy të mistershme
Me sy kukuvajkë
Zëri i bulkthit më shton drithërimat
Çakërrit sytë ankthi me frikë
Sikur sheh hijen e djallit
Më lë edhe ky diell
E fshihet pas malit
Me panik kërkoj lemshin e Arjanës
Mos më çon te shtëpia e Zanave
T’u tund foshnjën në djep.
Po kjo mjegullë e luginës
Nga xhepi ma kish vjedh
Kur terri zgjat krahët të më përqafojë
Një zë terë ëmbëlsi më therret
Më ndriçojnë shtegun dy sy
Dy duar më rrembejnë
E dashura ime, je ti?
U LA QYTETI NË SHI
Ja tani, pas shiut sikur u qetësua pakëz edhe deti
Me një peshqir bojëqielli fytyrën po fshin qyteti
Mori guxim edhe dielli dhe syrin nxori mes resh
Me ylbere piklash të shiut rruga me fosfor u vesh
Qyteti u la e aromë hodhi në gushën argjendlarë
I bukur si drita e syve të vajzës në puthjen e parë
ZGJIDH, MË TË BUKURËN PRANVERË
Sytë e medhenj të nxënëses sime Anisë
Kaltërojnë si ngjyra bukuroshe e qiellit
Me fantazinë e saj luan dhe bëhet fluturë
Përkundet tërë gaz ajo,në krahët e diellit
Më ngul sytë kur flas për dallendyshet
Ikën, fluturon dhe bëhet shoqe me erën
-Mësues ku janë tani? Pse vijnë në Mars?
-E mira ime Anisë:Të sjellin pranverën.
Nxënësja ime e urtë më shikon me habi
-Pse,nuse është ajo,qe në krah e mbajnë?
-Shihe Anisë,është magjistare me shkop
Çdo gjë që prek buit,dritë,fluturë e lulnajë
Pastaj ul kokën nxënësja ime e mirë Anisë
Pikturon një dallendyshe me krahë të gjerë
E kënaqur e sodit dhe i peshperit në vesh
‘Këtë herë zgjidh më të bukurën, pranverë’
KUR KTHEHEM NGA VENDLINDJA
Sa herë që kthehem nga vendlindja ime
Një lemsh i athët më mblidhet në grykë
Rrugicat ulin kokën e ofshajnë me merzi
Dhe mani i plakur dridhet e bëhet nevrik.
Sa herë që kthehem nga vendlindja ime
Nuk e di pse dita merr një tjetër ngjyrë
Oborri i thinjur para kohe, s’i ngre sytë
Më kthen shpinën dhe pjergulla ime e mirë
Sa herë që kthehem nga vendlindja ime
Hedh në krah trastën e dhirtë të gjyshit tim
Në të, pak borzilok e fotot e të shtrenjtëve
Mbeshtjellë me merak me një copë trishtim
Sa herë që kthehem nga vendlindja ime
Sa e dua përqafimin tend,o e dashura ime
Mos më shkrin gurin që rendon në shpirt
Mos më lehtëson dhëmbjen me ledhatime
Comments