top of page

TË VËZHGOJ VOGËLAK KOMBI IM


Puntorie Muça Ziba me dy poezi nga vëllimi poetik KOHA E QERSHIVE

TË VËZHGOJ VOGËLAK KOMBI IM

(Je bërë kallkan në djep të vogëlth...)

Kë ta fyej sot

kë ta pështyj

me thonjë gaforresh

kë ta grith,

ca janë bërë lepuj

e ca na mbeten

arinj dinjitar

të palatuar

të babëzitur,

dyst i shikojnë

shpatijet malit

për një rrisk froni

për aromë bajamesh

të pjekura.

Pluskojnë

strehët dydirekëshe,

varfanjaku i grymosur

merr arrati

përvidhet dhe platitet

nën strehë të huaj.

Kë ta fyej sot

kë ta pështyj,

me thonjë gaforresh

kë do ta grith,

ca janë bërë lepuj

ca arinj cirku.

Tërbohen përrenjtë

plasariten malet

ngujohen lypësit

dhe filizat dydirekëshe

dynden mbi dallgë oqeanesh.


Eh, ti bëhesh vogëlak

kombi im,

pa ëndrra gjumi

pa rituale.


DO TË IKI NGA KY QYTET

(Bukuria dhe shëmtia e këtij qyteti m'i shkul qerpikët e syve.)


Do të iki nga ky qytet si nizam i ngratë,

pa zbardhur mirë do të lë shaminë

e do të iki,

do t'ia mbath nga sytë-këmbët

s'do lë vend pa kërkuar një derë të hapur

atje ku lind e perëndon

përtej tatëpjetëzave dhe teposhtëzave

kudo, por jo këtu

ah, s'më merr gjumi mes sherre totemësh.


Në këtë qytet

bukuria dhe shëmtia m'i shkul qerpikët e syve

kur fryjnë erëra të zeza.


S'më hyjnë në kokërdhok sysh këto rrugë,

në daç besoni e në daç jo

në daç mē shkelni në gjurmë

në daç jo

në daç qani e shkulni flokët e kresë

në daç jo,

ah do marr arratinë

pa një leckë në shpirt.


Këtu s'mund të prekin sytë gjelbërosh

as kulla të mykura

mbush me minj e totem hamshor,

as gojë çaraveshur

që hanë goca njome për darkë,

as mozaikun kiç.


Qysh sonte do ta lë këtë qytet gojë kuçedër

ku shkrehen armët e nervi mbetet lënduar

bashkë me trajtën e figurës sentimentale pa pushtet.


Do ta marr n'sy botën plagëndezur

që s'e mba gjallë arsyeja

por vetëm ca fijëza shprese.


Në valixhe s'do të fus

as bohçe punuar në vegjë

nga një dorë nëne,

as miq fytyrë lëvere

as peliçen e bardhë me dantella nusërie

as muhabete të tjerrura pasdarkeve të gjata,

vetëm një grusht gurë

as të vegjël, as të mëdhenj s

a t'i vë një barrë valixhes me rrota

e mua tek-tuk le të më pikon ndonjë kokërr djerse.


Prej sonte do ta lë këtë qytet,

po deshën le të më ndëshkojnë

për braktisje pa leje

për mallkimin që do t'ua lë peng

tullë më tullë

për rivalin, për fajin dhe pafajësinë

për përrallat dhe mitet

për pështymën e hedhur mbi skulpturat kiç

për nokturnot

për barokun e rokokonë

që do t'ua vë flakën kalimthi.


Ah, sonte në mesnatë do ta lë këtë qytet

do kërkoj përtejdielli një dhomë për vete

por, po s'e gjeta

ah, po s'e gjeta

do të mbetem gjunjëzuar me përgjërim

para ndonjë altari,

derisa të thith edhe një flluskë ajri

derisa të vdes, kapur për një fije drite.

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page