top of page

“Të tjerët”, proverbi dhe “Fjala e Lirë”


“Të tjerët”, proverbi dhe “Fjala e Lirë”

Dr Fatmir Terziu


Ndërsa, që në ringritjen e kësaj “Godine” të Lirë nga Fjala, komunikimi me Faruk Myrtajn ka qenë zanafillës, ajo që ka ndihmuar ka qenë vërtet për një jetëgjatësi, stacionimi tek “Të tjerët”.

Të tjerët”, ka funksionuar jo në pak raste dhe si natyrë proverbi, dhe si ndonjë merak filozofik, me një garderobë të ndjeshme letrare, ku mbetej dhe për “Të tjerët” të strehonin dhe të mbanin pastër “kostumin” e tyre të shkrimit, apo dhe thjesht të mbanin qashtër atë veshje të cilën e kishin përzgjedhur vetazi. Vetazi, si e tillë, pra “Kjo Vetazi”, që nuk është thjesht një kanosje gramatikore, as dhe një futje e sforcuar mes thonjëzave, në thelb është dhe “sentenca” dhe vetë “pretenca” miqësore, shoqërore dhe ligjësore e të shkruarit, të lexuarit dhe të mirëkuptuarit.

Është vetë natyra e proverbit. Është vetë ajo që ne dimë dhe duhet ta respektojmë. Po si?

 

Përtej bisedës

“Duhen lexuar me qetësi “Të Tjerët”, se ne, si Njerëz, jemi në çdo moment të rrezikuar nga Sirenat, Fatmir! D.m.th.-në nga pushtetet e tepërta, lëvdatat, qoftë edhe dëshirëmira, kur edhe vetë e dimë se ...letërsia nuk është garë, nuk është krahasim me “Të Tjerët”, por relaksim i vetes, një lloj meditimi...”, shprehet në të drejtën e tij Faruku.

Dhe, kjo, thjesht kjo, a nuk është më shumë se një proverb? A nuk është vetë thelbi për të shkuar më tej? Ne, ndoshta, askush prej nesh, [ndoshta?!] nuk e di se sa ne përdorim proverba në fjalosjen tonë të përditshme, apo dhe në të shkruarën tonë. Por, ajo që është tek “Të tjerët” është po aq e sigurt se humbet vlerën, apo parësoren e saj, nëse proverbat nuk kuptohen, ose me ngut a qëllim janë tërhequr nga gjuha, me të cilën ne duhet të gjindemi të gatshëm për ti tërhequr deri në çdo hap, sepse ne mund të humbasim më shumë nga “Të tjerët”, pothuajse dhe vetë “Të tjerët” kur ndodh harresa dhe devijimi.

Më saktë ne me forcë duhet të themi se një gjuhë nuk është gjuhë deri sa ajo nuk ka proverba të ngulitura në të, derisa nuk i ka dhe i mungojnë “Të tjerët”, ata që në jo pak raste janë të munguarit e shpërfillur. Dhe ne jemi me fat. Këtë fat na e ka dhënë Ballkani i pasur kulturor. Na e ka dhënë kultura jonë shqiptare e trashëguar gojarisht e me format më të mira të urtisë së Fjalës. Ndaj, kësisoj, fjalët e urta krijojnë dhe mbajnë gjallë një marrëveshje të të menduarit. Ata shpesh hedhin dritë mbi një konfuzion, ndihmojnë për të zgjidhë një problem në moral, të shprehin një kritikë mbi çështjet aktuale, ose hedhin një rreze prej mendjeje të ndriçuar prej dijes a njohurisë, së Matos, Sulkuqit, apo prej humorit të Kullës, mbi ndonjë vend të errët, ku e Lira Fjalë, kërkon lirinë e saj të vazhdueshme.


“Të tjerët”, në këtë skutë


Kësisoj “Të tjerët”, në këtë skutë ku proverbat mund të konsiderohen si gurë brilantë të gjuhës, dhe kur dihet se shumë nga proverbat e vjetra mund të përballojnë me sukses një tekst për një ese të mirë me vlerë në shkrim dhe lexim, kanë padyshim sy e veshë, kanë atë që në shumë raste edhe duket sikur nuk e kanë, pasi vërtet ana proverbiale, ka dhe një funksion tërësisht kulturor të ndërvarur dhe nga gjeografia. “Ju nuk duhet ta shikoni një kalë dhuratë në gojë”, ka qenë një fjalë e urtë në kohën e Shën Jeronimit, por ka qenë dhe në gjuhën shqipe, tipologjikisht e pazëvendësueshme, “Kalit të falur mos ia shih dhëmbët”, që më duket se mjafton të kuptohet se “Të tjerët” dhe pse mundohen t’ia shohin gojën një kali dhuratë, përsëri nuk kanë ato mundësi t’i kontrodhojnë profesionalisht, apo dhe thjesht në mënyrë sipërfaqësore, dentare, dhëmbët e tij, të gjitha dhëmbët e tij. Një nga heronjtë, Ariosto në “Orlando E-arioso” hidhet nga tigani në zjarr. Dhe ne në tonën e urtë themi “Mos kërce me tiganin në zjarr!” Sa domethënëse duhet të kenë qenë incidentet lidhur me kuajt origjinalë, dhuratë, kur një pakujdesi njerëzore e Tjetrit mund të kritikohet, ose sa mund të jetë kuptuar pakujdesia fatale nga ata të pafatë që kanë kërcyer gjatë tiganisjes, dhe më pas kanë bërë leksion për “Të tjerët”, që kanë vulosur mësimet e tyre në mënyrë të pashlyeshme në të gjitha gjuhët e botës, dhe si krejtësisht të pandjeshëm për kërkime të tjera, ose për tu marrë vetë me ta, u kanë mjaftuar fjalët e gatshme. Dhe janë në kye të radhës, të proverbit. Janë si vetë proverbi me reputacion. E ku shkuan “Të tjerët”?

Në athjen e fjalës Agolliane


Në muajin Nëntor të vitit 1975, me rastin e 30 vjetorit të themelimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli, (Ndjesë pastë!) do të shprehej: “Në atë mot kur kishim gëzuar në vatrat tona vite të lira, kur ende njeriut dhe tokës i dhembnin plagët që kishte lënë lufta, kur tradhëtarët dilnin para gjyqit të madh të popullit, kur çifligarët linin arat dhe fabrikantët fabrikat, … Partia me interesimin e drejtëpërdrejtë të shokut Enver, gjeti kohë të mendonte dhe për një organizatë krijuesish, LSH, që …ishte e para e këtij lloji, që i këndonte revolucionit dhe socializmit me një zë të ri të fuqishëm. E ajo kishte 70 anëtarë, një pjesë e mirë ishin nga “Populli”…” (1975: 11-12). Sigurisht “Të tjerët”, nuk kishin lindur të gjithë atëherë, dhe ndoshta të tjerë si ata nuk mund të bëheshin pjesë e asaj organizate, por ama tek një emër tjetër, tek “Populli” ishin sikurse mund të ishin dhe mjaft të tjerë, sepse dhe ata 10 libra që u botuan në atë kohë, ato 10 libra mbetën si “kuriozitete arkivale” dhe më pas u dërguan në karton. (po aty). Por ndërsa këta 10 libra që u shkruan nga shkrimtarë të edukuar në Perëndim dhe me një emër për kohën, nuk shkuan për shtat të “parimit leninist të udhëheqjes ideologjike të letërsisë” (ibid) u bënë arkivale, mjaft nga tërësia e tyre u rihuazuan dhe u nënshkruan me “Populli”. Në këtë rast, kuptohet mjaft mirë se sa vlerë ka “Të tjerët”, kur ai lexohet qartë, bukur ashtu sikurse vetë proverba që prodhon “bollëk” në lidhje me reputacionin.


“Të tjerët” nga kultura angleze


“Kur të gjithë njerëzit të thonë, se ju jeni një gomar, ka ardhur koha të pëllisni.”, thonë anglezët. Dhe vazhdojnë të shkojnë më tej se “Ai që ka një emër të sëmurë është i varur gjysmë.” E këtë nuk e ka fatmirësisht as Faruku, as dhe autori i kësaj shkrese disi letrare, as dhe miqtë e mi, Mato, Sulkuqi, Kulla jo e jo, edhe pse na ka dhënë çelësin e një stigme të pavlerësuar aq sa duhet ende. Pikërisht të njëjtat qëndrime gjenden të shprehura nga forma shumë të ndryshme.

Kështu, ndërsa thuhet: “Ata që jetojnë në shtëpitë prej qelqi nuk duhet të hedhin gurë”, kuptohet se ku është qëllimi, ndërsa një tjetër formulim i ngjashëm me të njëjtin nocion në një mënyrë më të çuditshme, “Dhelprat që kanë bishtin prej kashte nuk duhet të luajnë me zjarrin”, natyrisht nuk delegon ndonjë zgjidhje tjetër, as tek ndonjë komentues, vlerësues letrar, apo as dhe tek ndonjë “dashamirës” me formën e tij të shprehisë letrare. Sidoqoftë unë po ua lë të tjerëve ose “Të tjerëve” atë gjysëm proverbe “Një zog në dorë…”, për ta kapur edhe gjysmën tjetër, si forma më primitive e vlerës për fluturakët.


22 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page