top of page

Të kënduarit... ( të vësh pak në lojë vehten )


Suzana Kuqi

Suzana Kuqi

Sa herë dëgjoj ndonjë këngë a melodi të bukur, më zgjohet ajo dëshirë dhe ëndërr e vjetër fëminore, të këndoj edhe unë po aq bukur. Jo thjesht të këndoj për vete, por për gjithë botën, të bëj të rrahin e të mallëngjehen zemra, t'i mbush ato me ritëm e melodi, t'i bëj ditët e tyre më të bukura. Thonë, dhe e atij mendimi jam edhe unë, që muzika është zëri i Zotit. Kur dëgjoj ta zëmë Beethoven... melodi të tjera të bukura, zëra që duken se zbresin nga qielli, është Zoti që i flet shpirtit tim. E kam dëshirë edhe unë të flas gjuhën e tij. Por nuk është e thënë. Kur isha e vogël, isha e ndruajtur dhe më vinte turp të këndoja, por ama kurrë nuk i vija në dyshim aftësitë emia. Ndruajtja më bënte të mos merrja pjesë në grupe artistike. Por ama këndoja në shtëpi sa të më donte qejfi... kur nuk ishte mamaja. Se kur ishte ajo... "mbyll gojën e bëj punët"- më bërtiste. E mua, më ishte mbushur mendja, se mamasë sime shumë pak i rrihte nëse unë kisha talent apo dëshirë për të kënduar, asaj i rrihte vetëm të bëja punët e shtëpisë për t'i lehtësuar barrën. Asnjë fjalë në kisha apo jo vesh muzike, vetëm "mbyll gojën". E unë e mbyllja kur ishte ajo, ama, me të dalë ajo nga dera...

Dhe kështu u rrita. Kalova adoleshencën e bashkë me të edhe ndruajtjen. Në fakultet qëllonte të këndoja diçka ndën buzë. Shoqja ime e ngushtë gjente ndonjë shkak e largohej. Një herë pasi dola nga dera e provimit ku isha e sigutë se isha përgjigjur mirë, ndërsa shoqja ime priste t'i thërrisnin emrin, për t'i ngritur moralin, zura të këndoja një këngë të preferuar të saj. Këtu nuk kishte se ku të më ikte.

- Të lutem! - m'u lut ajo. - Mos ma shëmto këngën!

E pashë e çuditur dhe aq e madhe ishte çudia ime, sa e mbylla vërtet gojën, ama këngën e këndova në mendje.

Mbaroi dhe shkolla.Puna. Shoqja e zyrës qëlloi e mirë, e sjellëshme, e edukuar e mbi të gjitha me një barrë kulturë. Mendova se para saj nuk kisha pse të ndruhesha. Një ditë që shefi ishte me shërbim në ministri, mes një shakaje e tjetre, fillova të këndoja diçka me zë të ulët. Ajo doli nga zyra e nuk u duk një copë të mirë. Pas disa javësh, shefi mungonte sërish. Po përpunoja ca të dhëna të një evidence, eaty nga fundi padashje fillova të këndoj diçka me gjysëm zëri. Nuk kisha mbaruar ende strofën e parë kur ma pat shoqja e zyrës :

- Mbylle! Mjaft më gërrice!

Papritur u bëra sërish e ndruajtur dhe e mbylla

.

U fejova, isha e dashuruar, e lumtur. Buzët më këndonin ditë e natë. I dashuri im ishte gjithashtu i lumtur tek më shihte të këndoja. I pëlqeja ...? Kurrë nuk u ankua. Siç duket Zoti din ti kombinojë njerëzit, zërit tim i kombinoi veshet e tij. Shkurt ishim të dashuruar.

Kanë kaluar shumë vjet. Vitet, rrugës më kanë xhvatur shumë ëndrra e dëshira e bashkë me to edhe atë për të kënduar kohë e pa kohë. Por nganjëherë... nganjëherë seç më kap ashtu pa dashur... Fëmjët ja mbathin sejcili në dhomat e veta, kush guxon të ma prishë, burri nuk ndihet, bën sikur nuk më dëgjon. Por ama qeni? Sapo unë filloj, jam në rreshtin e parë... ai ka mbirë aty para meje, i ngritur mbi dy këmbët e pasme e fillon e më hungërin në fytyrë. Herën e parë kujtova se i pëlqente e kënduara ime ndaj ngrita volumin. Ai u skërmit e më tregoi dhëmbët. E mua m'u duk sikur donte të qeshte, vërtet si të mashtron vezullimi i dhëmbëve. Ndaj vazhdova të ngrija volumin kur ai ja dha një të lehure të fortë, po të fortë ama, e nuk pushoi derisa unë u kullova e mbylla gojën në kohë para se të provoja ndonjë nga ata dhëmbët e tij...


21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page