top of page

Triptik përrallëzash – “Familja Rosmaku” nisi rrugëtimin drejt vogëlushëve 


 


 

“Rosmaku”, një përrallë e dashur për fëmijë të moshës 3 - 7 vjec, e autores Shpresa Fundo Gjergji, vjen në tri pjesë duke ngulitur në vetëdijen e vogëlushëve jetën e bukur familjare shpesh të munguar në komunitetet e sotme. Familja e bukur e me vlera socio-kulturore, aq e dëshiruar sot, marrëdhëniet e drejtpërdrejta plot sinqeritet e thjeshtësi mes pjesëtarëve të familjes, dashuria dhe mirësia që përshkon veprimtarinë e tyre të përditshme, është aktualizuar në jetën e një familje rosakësh, të cilët frymëzojnë dhe edukojnë në çdo gjest, fjalë e veprim. Që nga pellgu i artë rrëzë kodrinës së blertë, ku kanë zgjedhur të jetojnë, te përqafimet e herëpashershme që dhurojnë: 

“Me nënë Vikun të tre përqafuar

Prisnin baba Bikun tek vinte krenar.” 

...apo prania në mbështetje të njeri-tjetrit: 

“Të lumtur me Bikun, babain rosak

Familjen bashkuar e deshën”, 

…e deri tek veprimet miqësore që sjellin pranë tyre miq të mirë e të vërtetë. Përmend këtu vogëlushen Mia te pjesa e parë, e cila sheh dhe ndien me sytë e zemrën e çdo fëmije lexues të vëmendshëm tek përpiqet të ngrerë raporte të çiltra me miqtë e saj, apo zogun këngëtar te pjesa e dytë, i cili shpreh lumturinë e kënaqësinë që sheh familjen e rosakëve të bashkuar. “...me dashuri në zemër”, fjalë që i përcillen thellë, i brendësohen një fëmije që merr në dorë këtë përrallë e padyshim që e argëton në të njëjtën kohë.

 E strukturuar në tri pjesë, përralla lidhet në një fill të vetëm që i jep asaj unitet mendimi e veprimi. Në qendër vendoset veprimtaria ditore, ngjarjet e vogla por plot impakt në jetën e familjes Rosmaku, të cilët me thjeshtësi ruajnë të gjalla vlerat e familjes – mbështetjen, përpjekjen, dashurinë për njeri-tjetrin e për natyrën, kurajon, besimin në vetvete, miqësinë e tolerancën, çka na i dëshmojnë me veprime të thjeshta që bëjnë çdo ditë si dhe me komunikimin e zhdërvjellët plot empati e spontanitet. Të gjitha këto vlera shumëfishohen kur vihen përballë personazheve kalimtarë nga njera pjesë te tjetra.

 Gjithë përralla në koncept, dialog e raporte është një lirikë fantazi që kthjellon e paqëton shpirtin dhe botën e një fëmije. Ky lirizëm shfaqet ngado: në harmoninë me natyrën, me pellgun e artë, diellin, kodrinën, lulet, me miqtë që sillen rrotull, në gjuhën e rrjedhshme të përshtatur bukur për fëmijë me një ndërthurje dinamike të natyrshme të trajtave të prozës, me vargëzimin poetik të rimuar, si një mjet që i komunikohet më lehtë fëmijës duke ndihmuar të përvetësojë më shpejt këshillat e nënës, detyrat e gjithësecilit, etj.

 Figuracioni i pasur plot dritë që përshkon gjithë përrallën, të rrëmben në një univers ëndërrimesh, dëshirash për të arritur e përjetuar idealen, magjiken, perfekten, atë që është aq thelbësore për njeriun, atë çfarë jo rrallë mungon apo humbet, atë për të cilën njeriu lufton e përpiqet aq fort ta ketë, por që e gjen te këshilla e një nëne, te forca e një babai, te vështrimi i dashur i bijve, te përqafimi i sinqertë i motrës, vëllait a mikut, dhe jeta bëhet kaq e plotë. Figuracioni, padyshim i gërshetuar me elementët natyrorë, vjen me metaforat “një vello e blertë mbuloi kodrinat”, krahasimet “shndriste si i lyer në ar”, përsëritjet e përshkallëzuara “notonte, llastohej, nuk mbahej”, veçanërisht onomatopetë e krijuara qëllimisht, në emrat që i janë vendosur rosakëve - Biku e Viku, Daku, Maku, Tika, Riki e Biki Rosmak. Morfologjikisht foljet, të cilat shënojnë veprimet e tyre, përçojnë energjinë e brendshme që gjallon dukshëm në përrallë. Ato bëhen njësh me veprimin, argëtojnë e krijojnë situata të bukura e tërheqëse për botën fëminore.

 Mbi të gjitha, evidentohet një ndjeshmëri e hollë estetike e autores, e mëshuar kjo në dimensionalitetin human e kulturor që ajo mishëron më së miri në formimin e saj, duke vendosur disa standarde të nevojshme, sot shpesh të munguara në botimet e letërsisë për fëmijë. Prurja e fabulës së "Rosmakëve" sa origjinale, në gjuhë e në komunikim dhe e veçantë si triptik, e vendos këtë autore përballë fëmijëve dhe shkrimeve në këtë zhanër me dinjitet artistik, moral, letrar e kulturor.  Në këtë pikë, mendoj se duhet të inkurajohet në vazhdim letërsia për fëmijë me standardet e duhura, pasi ajo ndihmon në mirërritjen intelektuale dhe emocionale të fëmijëve larg ndikimeve të pakontrolluara të teknologjisë.  

Ndjeshmëria dhe imagjinata në këtë krijim nxiten me tej edhe nga ilustrimet e pasura, të harmonizuara e konkretizuara bukur, plot ngjyra e shije. Përrallën e kam lexuar me një frymë, e kam shijuar si një fëmijë dhe ndjesia e plotë që mora më frymëzoi të hedh në letër këto përshtypje. Në mendje më është ngulitur këshilla e nënës rosë, pas takimit të bijve të saj me bretkosën mburravece, kur u thotë: 

“Natyra ka vend për të gjithë,

 Të jeni rosakë të mbarë!” 

Sa frymëmarrje, sa tolerancë, sa empati ka në këto fjalë për të pranuar njeri-tjetrin e për të jetuar në paqe e harmoni me veten, gjithçka e gjithkënd, pa e fyer, pa e lënduar, pa pështjellim. 

 Për gjithë sa shkrova më sipër e rekomandoj këtë botim për lexuesit e vegjël, për prindërit e rinj dhe gjyshërit, pasi aty do të gjejnë një oaz paqeje, dashurie, por edhe një model për jetën.

Dr. OLSA PEMA

Universiteti "Fan S. Noli", Korçë 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page