top of page

Trinomi njeri-natyrë-përditësi në poezi

Updated: Aug 8, 2022


Vanga Sterjova, Vangja (Vangha Mihanj-Steryu)


Prof Dr Fatmir Terziu


Vanga Sterjova, Vangja (Vangha Mihanj-Steryu) poetja me origjinë nga Voskopoja është ndoshta poetja që më shumë se kushdo tjetër ka gjetur trinomin njeri-natyrë-përditësi si një ushqim për vargun e saj. Njeriu është angazhimi poetik i ngjeshur i poezive të saj. Natyra është një binom bashkudhëtues me njeriun dhe përditësia një sublimitet filozofik me pështjellje elementare dhe shumë domethënëse. E përballur me një ushqesë të tillë ku trinomi poetik njeri-natyrë-përditësi dominon nuk mund të lësh pa vëzhguar në detaj tërë këtë strukturë tërheqëse poetike të krijuar në vite. Jo vetëm në vëllimet e shumta të saj, por edhe në fjalët për vlerësimet dhe çmimet e panumërta që ka marë poezia e saj bie në sy kjo veçori, kjo karakteristikë jetike dhe tepër domethënëse për një poezi të lirë.


Ushqesa poetike


Natyra, padyshim ndeshet si një simbol origjinal i lidhjes së imazhit njerëzor në poezinë e Vangjës. Kur dihet se shumë herë në poezi të krijuara nga poetë të shumtë, apo nga poete, idetë, vlerat, dhe përshkrimet poetike në lidhje me natyrën vijnë nga e përpunuara e bukurisë vargore dhe të gjitha këto nga poetja në këtë rast, janë përdorur për të simbolizuar një kuptim më të thellë, pra për të dhënë detajet e mprehta që ravijëzojnë vlerën e paraqitur, atë vlerë të gërshetuar në mendimet e poetes. Shpesh, simbolizimi poetik ndodh dhe mund të interpretohet si një pjesë e jetës së njeriut, prandaj këtu edhe ushqesa poetike e Vangjës, vjen nga vlera, qofshin ato vlera, që u ngjizen aspekteve fizike, apo vlera që vijnë nga vetë ëndrrat, pra frymëzimet poetike. Robert Frost, poet i mirënjohur amerikan dhe Emily Dickinson kanë shfrytëzuar këtë mënyrë të të shkruarit në një marrëveshje të madhe mes trinomit njeri-natyrë-përditësi në poezitë e tyre.

Kështu unë shoh një lidhje të krijimtarisë poetike të Vangjës me këto dy poetë me emër. Por, Emily Dickinson, sipas mendimit tim, është më shumë e qartë edhe në të shprehurit e simbolizmit në poezinë e saj, se sa ato simbole që ndeshim tek poezia e Robert Frost. Parë në këtë lidhje, poezia e Vangjës, anon natyrshëm në kahun e poetes Dickinson. Kështu ajo njësoj si poetja Dickinson shpreh forcat e natyrës, si detaje që lidhen me emocionet e njeriut në poezi.  Këto emocione ajo i përcjell edhe më tej. Dhe kjo poete ka lënë edhe frymëzimin e saj për brezat duke lënë së pari një gur të sinqertë dhe të shëndoshë prove tek e bija e saj.

Në një përkthim të një teksti nga Andon Kristo dhe të dërguar në adresën tonë thuhet: “Poetesha e fundit e antologjisë Çelësi i shpirtit është Anita Steryu nga Maqedonia. Ka prejardhje vllahe (arumune), është e bija e poeteshës Vanghea Steriu nga Shkupi, ka botuar disa libra me poezi, shkruan për flutrat, yjet dhe hënën, për kristalet dhe botën e pakuptuar të ëndrrave, për dhembjen tonë që fshihet në dritën e ëndrrës, për ndjenjat si do kodrina të larta, për murin e brendshëm që s’ka themele, dhe të fton kur dielli do të fshihet pas maleve/ kur terri do të më mbështjellë/ eja// dhe ma jep dorën/ ngase zemra ime të përket ty/ kur yjet do ta paralajmërojnë natën.”

Dashuria si diskurs


Kur Vangja flet për dashurinë për të Atin, të përqafuar nga subjekti i saj në poezi, si një domethënie lidhjes së njeriut me tërë strukturën ndërlidhëse të përditësisë ajo thekson se: “Dashuria ime për ty!.../Idil i trishtuar i vjeshtës/Me vjeshtën, në merakun e të egrave shira/Me mjegulla nën qiellin gri/Mbetur vetëm në valët e kohës/Mënjanuar në frikën e vetmisë/Ti, bashkë me violinën e vjetër/Duke kënduar nën tingujt e saj/Në mesnatë me hënën e plotë/Në idilin e pezmatuar të vjeshtës,/Arrite në rrugën e mallit të vjetër/Dhe e varrose jetën time. Poetja plotëson këtë lidhje treshe duke aluduar se mund të jetë “një merak nën potencialitetin e shirave të egër”, që duke u përpjekur për të lëvizur jetiken, ose për të nënkuptuar të fshehtën antagoniste, përveç dashurisë mes dy njerëzve të dhimbshëm të jetës dhe përditësisë, babë e bij, të krijojnë edhe forcën shprehëse dhe emocionuese që vjen ‘në mesnatë me hënën e plotë’, pra tamam nën këtë preambulë poetike të frymëzuar nga fuqia filozofike, duke dhënë kuptimin se asgjë nuk ka efekt mbi dashurinë në fjalë, mbi dashurinë që lartëson babanë. Andon Kristo më tej na përcjell edhe një lidhje tjetër në përkthimin e tij që fuqizon idenë tonë për poezinë e Vangjës: “Poezia është aq e bukur, siç është e bukur gruaja në „ballin e burrit”, apo „Floriri në ballin e gruas”… Kjo shihet në vargjet: “Dioni i ballit tim!/Dion! Burri i ballit tim,/Malli më selit shpirtin./Mbetet!/Mbetet në memorien e Kozmosit tim,/Mbetet në kështjellën e zemrës/Në pulsimin e gjakut ndër damarët e mi/ Në psherëtimën e mallit.


Rreth poetes


U lind në fshatin Doleanj të Maqedonisë, më 10 nëntor 1950. Është me origjinë arumune nga Voskopoja, nga fisi Sima. Shkollën fillore e ka mbaruar në Doleanj dhe më vonë në Shkup e në Serbi. Poezinë e parë e ka shkruar në vitin 1963, në klasën e gjashtë, një këngë për femijë me titullin “Retë”. Nga viti 1975 deri më 2007 ka publikuar librat në poezi: ”Lulet”, ”Dallëndyshka”, poezi&prozë, ”Dashuri pa kufi”, ”Kurora e dashurisë”, ”Qëndizma” pjesa e I+II, “Dhuratë për fëmijë” pjesa I+II, Vuajtja”, poezi & prozë , ”Pika më kapele”, ”Lulishtja e yjeve”, Ylli me fole”, ”Motra me zjarret” ,”Rrudha në shpirt”, “Syu i shpirtit”, ”Qiell pa yje”, “Pika te harruara”, ”Meraqe të qëndisura” roman për fëmijë, ”Të bukurat arumune”, roman Pjesa I+II , ”Shtëpi pa shkallë”, roman, ”Yje ruazash” roman për femijë, “Gjerdan me yje” (Antologji), “Horizonti i poetëve”, pjesa I+II, (Antologji), ”Meridianet e poetëve” (Antologji), “Panorama e poetëve”, (Antalogji) ”Antologji e vogël e grave krijuese arumune të Maqedonisë”, ”Gjurmë të fjalës”, (Antologji), ”Nga A deri te Z” poezi për fëmijë, ”Numërimi” poezi për femijë, ”Rruga drejt dritës” libër për Nëne Terezën, ”Jelenica Galenica” poezi për fëmijë, ”Mezi Ionce” poezi për fëmijë, ”Puthja e ofshamave”, “Himni i Dioneve”, “Tespiet e gjyshit” roman për fëmijë, ”Nëna” radiodramë, ”Dallëndyshka” pjesa e I+II, revista për femijë. ”Arumunë të Maqedonisë” revista prej 20 numrash, me vepra të krijuesve arumune. ”Arumunja e Maqedonisë” revistë prej 9 numrash me vepra të grave krijuese nga Maqedonia e Ballkani. E ka përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe Baki Ymeri. Ka perkthyer 15 vepra nga gjuha maqedone në gjuhën arumune etj.


Është nderuar me këta çmime : Çmimin “Horizonti i poeteve” në Galac të Rumnaisë, për esenë më të mirë. Çmimin për këngën më të mirë, Galac, Rumani. Çmimin në festivalin e poezisë Uzdin, Vojvodinë (në dy festivale). Në festvaslin Mihai Eminescu, Kishinjëu, Moldovë, në festivalin Mihai Eminescu, Tërgovishte, Rumani. Për romanin “Rrudha në shpirt” në Jash Rumani, nderohet me Çmimin “Ylli në fole”, në Manastir të Maqedonisë. Është laureate e Çmimit të parë në Festivalin e poezisë në Kluj-Napoka, Rumnai, e Çmimit “Lucian Blaga” në Sebesh të Rumanisë, e Çmimit për poezi në Festivalin e Tërgovishtes, Rumani, e Çmimit të parë për këgën fituese “Dasma Arumune” në festivalin “Burimi i artë”, Shkup, 1996. Fitoi Çmimin e parë për këngën fituese “Mirëmbrëma arumune” (Melodi e tekst) në festivalin “Burimi i artë ” 2004, Shkup. Nderohet me 2 këngë që këndohen vazhdimisht në Radiotelevizionin e Shkupit (kompozime të Vanghea Mihanj-Steryut), dhe 30 kënge të folk-muzikës janë poashtu të komponuara me tekste të saj.


#Vanga #Sterjova, Vangja (#Vangha #Mihanj-#Steryu) #terziu 

40 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page