Pamflet
Së pari, librat tuaj quajini “Përralla”. Dihet që përmbajtja e një libri ka gjasa të vjetërohet pas një a dy stinësh. Nëse ju i quani librat “Përralla” ato do të kenë lexues edhe pas shumë dekadash. Shkrimtari Enver Hoxha ka shkruar mbi dyzet volume dhe pak lexues ka ai sot. Por krejt ndryshe do të ishte po të kishim librin “Rreziku anglo-amerikan”, përralla nga Enver Hoxha. Po kështu do të ndodhte edhe me “Kurban” përralla nga Edi Rama, “Misioni im” përralla nga Lul Basha, “Letër një Socialisti” përralla nga Ben Blushi etj, etj. Përrallat kanë lexues të përjetshëm.
Së dyti, jini specifik në titujt e librave, mos vini tituj universal, të përgjithshëm që s’thonë asgjë . Titulli “Kurban” nuk thotë asgjë, por nëse do të kishte një emër konkret politikani apo qoftë edhe shteti për shembull “Kurban - Kosova”, lexuesi do të ishte i garantuar edhe në ditët e sotme. E njëjta gjë vlen edhe për titullin “Misioni im”. Cili është Misioni yt, lind vetvetiu pyetja tek unë si lexues kur lexoj një titull të tillë. “Mision im për të qëruar patate” është një titull specifik, konkret, gjithmonë, nëse ky është synimi i autorit. “Misioni im: të shkruaj një libër” është titull më orientues. Kurse për titullin “Letër një Socialisti” është më e thjeshtë, vihet në ballinë emri i Socialistit, libri shtypet një kopje dhe i dorëzohet personit përkatës.
Së treti, mos shkruani libra. Dihet që politika është shumë e ngjashme me zanatin më të vjetër në botë, dhe prandaj politikanët nuk shkruajnë libra sidomos kur janë në mes të karrierës politike. Kjo ndodh sepse për t’i shërbyer nevojave politike të momentit në libra shkruhen gjithçfarë gënjeshtrash të paturpshme, dhe dokrra të cilat një ose dy vite më pas, e diskretitojnë shkruesin e tyre, dhe vetë libri i ngjan një kufome e cila ka nisur të lëshojë erë. Nëse do të kishte politikanë që pritet dhe kanë arsye të shkruajnë libra, këta janë politikanët e Kosovës, sidomos ata që morën pjesë në një LUFTË të vërtetë dhe njerëzit e tyre të dashur kanë humbur jetën. Por ju, politikanët e Shqipërisë, i mbushni librat tuaj me “më tha, i thashë, i kishte thënë, s’i kishte thënë, se po t’i thoshte..” pra me thashetheme plakash të moçme anës Lanës, ku i thoni Skënderbeut dil të të dal. Unë personalisht, si shkrimtar, si qytetar etj etj jam KUNDËR DËNIMIT ME VDEKJE, ama, kur lexoj librat tuaj, them se duhet të ketë një përjashtim.
Së fundi, me pak fjalë, librat tuaj quajini “Përralla”, jini specifik në titujt e tyre dhe mos shkruani libra, janë tri këshillat e mia si shkrimtar. Ju faleminderit.
Kommentare