top of page

TREGIME TË MOSHËS SË RINISË


Fuat Memelli

  TREGIME TË MOSHËS SË RINISË- Mbresa nga libri ” I tillë jam”, të prozatorit shqiptaro-amerikan, Shefqet Meko-


Nga Fuat Memelli

Boston-SHBA


Kisha lexuar plot shkrime të Shefqet Mekos, qysh kur ai hyri në rrugën e gazetarisë, në fillim të viteve ’80, të shekullit të kaluar e deri sot, por jo tregime të tij, ese dhe krijime të tjera letrare. Një pjesë e mirë e tregimeve, ishin botuar te gazeta “Studenti i bujqësisë”, organ i  rinisë studentore të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku Shefqeti ka qenë kryeredaktor për gati 10 vjet, te revista “Nëntori”, apo revista “Pioneri” dhe organe të tjera të kohës. Ndër gjërat e çmuara kur ai erdhi në Amerikë para 20 vjetësh, kishte marrë me vete edhe tregimet në fjalë. Ato “fjetën” për shumë vite në shtëpinë e tij në Minnesota ku edhe jeton. Unë kam pasur fatin 17 vjet më parë ta vizitoj autorin në Minneapolis. Bashkë kaluam ca ditë të bukura, ku unë edhe  realizova një intervistë rreth aventurës së tij në Amerikë, por si duket nuk pata aq sa duhet fuqinë shpërthyese për ta “zgjuar” në ëndrrat e tij letrare. Mbetëm më shumë debatues rreth gazetarisë në përgjithësi dhe asaj bujqësore në veçanti, ku Shefqet Meko ka kontribute e veta, jo vetëm si themelues dhe President i parë i Shoqatës së Gazetaëve Shqiptarë të Bujqësisë (SHGShB), shoqata e parë nga Ballkani që iu bashkua IFAJ (Federatës Ndërkombëtarë të Gazetarëve të Bujqësisë), por edhe si  kyreredaktor i parë i gazetës “Fermeri Shqiptar”, apo si drejtues i revistës “Biznesi Bujqësior”etj. Shefqet Meko ka një kontribut më vete në transformimet e medias bujësore në vitet e lirisë, por këtu mbetemi tek autori si një krijues dhe rrëfimtar. E vërteta është se u desh ardhja nga Shqipëria për vizitë te ai e mikut të rinisë, poetit Ahmet Prençi, që ta nxiste për t’i “zgjuar” nga “gjumi” për tregimet “në sirtare”e tij. Siç e shprej qartë edhe vetë autori, pa këtë “Ardhje nga Tirana”, ato tregime do të vijonin “përgjumjen e dekadave”. Por siç bashkohen miqtë e mirë, papritur vetëtijnë ide dhe mendime frymëzuese, sidomos për miqë kriues siç janë Meko dhe Prençi. Kështu  “faqet e pluhurosura” e krijimet e tjera, u mblodhën në një libër prej 500 faqesh dhe tani janë në dorë të lexuesve. Ky botim vjen pas dy librave të mëparshëm, përmbledhjes publicistike “Unë, ikanaku shqiptar” dhe  vëllimit me përkthime “Çuditë e Amerikës”.  


Shefqet Meko

Vëllimi “I tillë jam” është  si të thuash një “arkivë” shpirtërore e autori, bartur prej tij në dekada dhe  ka tre kapituj, që përbëjnë si të thuash “ngrehinën” e tij: tregime të shkruara në vitet 1980-86, ato pas viteve ’90 si dhe skica e shënime publicistike, që i përkasin dekadës së fundit.(Si publicist ai nuk mund t’i ndajë tregimet nga publicistika). Shumica e tregimeve janë shkruar kur autori ishte 25-30 vjet. Nisur nga mosha kur janë shkruar, ato mund të quhen “tregime të rinisë”, por nga bukuria e të shkruarit dhe mesazhet që përcjellin, mund të quhen edhe “tregime të moshës së pjekur”. Megjithëse në moshë të re, bie në sy arti i bukur i të shkruarit, skalitja e personazheve, menazhimi i fabulës, “latimi” letrar i dialogut e plot tipare pozitive të  stilit të të shkruarit të Shefqet Mekos. Kjo e ka burimin jo vetëm te talenti i lindur i autorit, por edhe e leximeve të shumtë të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj. Ai sikur ka pasur parasysh “gjashtë rregullat e arta të shkrimit”, sipas Ernest Gains:” Lexoni, lexoni, lexoni dhe shkruani, shkruani, shkruani”. Një nxitës vërtet i veçantë i tij në rrugën e publicistikës dhe letërsisë ka qënë edhe i vëllai, ish-mësues, Çelnik Meko që siç e thotë vetë autori ka qënë një “gardian” i rreptë dhe po aq këshillues i mirë i adoleshentit që ëndërronte të bëhej shkrimtar dhe me famë. Ndërkohë mësime të veçantat për jetën, karaktrin e njeriut i ka dhënë babai i tij, xha Feimi,  i cili në çdo sebep, kënga e parë që niste ishte ajo e flamurit që për koincidencë, edhe vdiq në ditën e Flamurit. 

Megjithëse kanë kaluar 30-40 vjet nga botimi i parë, tregimet mbeten të freskëta. Heronjtë janë studentë të atyre viteve mes të cilëve autori, pedagogë, fshatarë të vendlindjes së tij, Pretushës së Pogradecit. Personazhet e tregimeve janë njerëz që autori i ka njohur nga afër dhe vetëm i ka ndryshuar emrin e i ka futur në “laboratorin” e tij krijues. Në faqet e librit ndihet atmosfera studentore, dashuritë e sinqerta, të qeshurat që “xixëllonin në errësirë”, “njollat” në biografi, që shkatërruan ndonjë lidhje dashurore, marrëdhëniet student-pedagog, marrëdhëniet e brezave, konfliktet shoqërore, ambicjet pedagogjike e shkencore në shkollën e lartë, etj.

           

 Duke “udhëtuar” në faqet e librit, të mbeten në mëndje shumë tregime. Po ndalem  tek ndonjë prej tyre duke i sjellë si “meze” në këto shënime medituese. Një nga ata është ai me titull “Darkë në konvikt” ku bie në sy miqësia e sinqertë e studentëve. Është një “liqen” ndjenjash të sinqerta që autori i përshkron me “elektricitet letrar”. Ata festojnë së bashku natën e Vitit të Ri. Mes tyre një student i  malësisë së veriut i martuar herët, porse e kishte mbajtur për vete këtë “sekret”. Njëri nga shokët kishte marrë telegramin në postë ku ai njoftohej se i kishte lindur vajzë. Të gjithë urojnë dhe vihen në lëvizje për t’i gjetur një emër të bukur vajzës së porsalindur. Është një oaz ndjenja njerëzore të vërteta dhe të sinqerta,  që sot rrallë se mund ta imagjinosh kur shoqëria është kaq shumë digitalizuar. Një tregim shkruar në shekullin që jetojmë është “Vdekja përtej Atlantikut” ku autori si një histori të vetën, por edhe çdo të ikuri si emigrant e përshkruan tërë nota emocionale dhe mallëngjuese ardhjn e parë nga emigracioni i largët. Ata që ikin marrin me vete “një det me mall” që nuk ka “digë” ta shkarkojë, ndaj kur i rikthehen Shqipërisë janë të mbushur me mall, nostalgji dhe po aq dashuri, që shpesh vendalinjtë nuk e kuptojnë. Ndaj autori shpërthen në kujtime, mbresa, emocione që  fillojnë me ato përshëndejten e para të ditës “Mirëmëngjez, a e pive kafen” e deri tek ajo “ngarkesë eletrike” shokuese e miqve e shokëve që i ke humbur ose tretur nga kujtesa, që kanë vdekur ose janë harruar. Ndaj një vizitë tek varret e fshatit të vet e përhumb autorin në një kaos mendimesh, përsitajesh dhe alushulacionesh sa domethënëse aq edhe dhimbëse, që vetëm një i ikur nga vendlinda e kupton. Pastaj vdekja e babait, si një “tërmet” sa drithërues aq edhe dhimbës, por edhe si një “fjalë burrash” që baba e mbajti duke ikur vetëm tre ditë para kthimit në Amerikë të të birit, të shokojnë radhë pas radhe… Është rrëfimi i dhemsur i ushtrisë së ikanakëve shumë prej të cilëve  ka ndodhur të vijnë “me vrap” për varrime e vdekje të të dashurve. Është dhimbëse se si emigrantët i bashkon vdekja e dhimbëshme, apo sëmundja e rëndë, e ata shpejtojnë të vijnë me lot në sy e ankth në shpirt. Shembujt janë dramatikë, autori tregon vetëm një pjësëz së dramës së jetuar me një mesazh plot kurajo: jeta vijon!

 Ndër tregimet e shkruar vitet e fundit që nuk të hiqet nga mëndja, është ai me titull “Makthi i një burri”,  që duket se i është kushtuar Aleko Xoxes një ndër pedagogët elitarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ky pedagog i biokimisë ishte enciklopedi e gjallë.  Siç thotë autori ai jetonte midis dy universeve: pafundësisë qiellore dhe befasisë qelizore molekulare. Ishte i madh dhe i pashoq në interpretimet filozofike të shkencës, por i pafat dhe i pa zoti (sipas tij) si baba. Dy djemtë i përfunduan në vetëvrasje njëri pas tjetrit. Tani që ishte vonë, pedagogu e kupton ku kishte gabuar në jetë: kishte lënë pas dore familjen. Duke shkëputur një “copë” të dhimbshme nga shpirti i tij, pedagogu thotë: “Fati bëhet një rastësi, që ose të lumturon, ose të varros, siç ndodhi me mua”. Në faqet e librit ka edhe plot tregime të tjerë që të bëjnë “rob” të tyre, pasi kanë jetë, të papritura, sinqeritet dhe mesazhe aktuale. Të tillë janë tregimet “Shoku i babait”, “Rastësi”, “Dasma e motrës”,  “Zarfi i hapur”, etj. Një ndër vlerat e këtyre tregimeve është se ato nuk janë prekur, por kanë zënë vend në libër ashtu siç janë botuar 30-40 vjet më parë. 

            Ndër esetë e bukura “gatuar” vitet e fundit, është ajo me titull “Rënia e burrave”. Te kjo ese autori evokon burrat që në këto vite të tranzicionit, u bënë “kameleonë” duke ndërruar “lëkurën” sipas interesit. Ai i quan këta “burracë” që kanë dalë nga e njëjta “mitër e përgjakur”, që pështyjnë e lëpijnë, pastaj mbajnë fjalime në parlamentin e karavidheve shqiptare”. Si antitezë të “kameleonëve” përmend figura të shquara si Dritëro Agollin, Sterjo Spasen, Xhevat Lloshin që meritojnë respekt për burrërinë e tyre. Po ndalem  edhe te shkrimi i bukur publicistik “Unë nuk jam dakord”. Është një ngjarje personale e Shefqetit, kur ishte nxënës në shkollën 8 vjeçare dhe përfaqësonte organizatën e rinisë së shkollës në një konferencë rinie në Pogradec. Aty ndodheshin 300 pjesëmarrës e mes tyre sekretari i parë i rrethit. Djalit nga fshati që nuk e kishte kaluar Pogradecin e nuk kishte parë det me sy e që kujtonte se dielli “mbytej “ në det kur perëndonte, nuk iu dha fjala , megjithëse e kishte shkruar emrin. Kur u mbyllën diskutimet, ai ngrihet dhe me kurajë thotë :”Unë nuk jam dakord të mbyllen diskutimet”. I jepet fjala dhe e mban “fjalimin” e përgatitur, ku  “ do ishte habitur edhe Mali i Thatë” po ta dëgjonte. Kjo ngjarje e viteve të hershme, flet për kurajën e tij, që u shfaq më fort në rrugën e gazetarisë në shkrimet kritike që botoi te gazeta që drejtonte, apo në shkrimet e tjera në agimin e demokracisë e më vonë, pas ardhjes së saj. Më kujtohet një shkrim “bombë” me titull: “Hapuni, se po vjen ministri ” ku kritikonte ministrin autoritar, servilët e tij si dhe shkrime të tjerë problemorë.

Në çdo tregim, ese apo edhe shënimet publicistike, bie në sy një figuracion i pasur artistik, që është si të thuash “ëmbëlsia” e krijimeve. Siç thotë Truman Capole “kënaqësia më e madhe e shkrimit, nuk është shkrimi në vetvete, por muzika e brendshme e fjalëve”. Në gjuhën e personazheve dëgjojmë “tinguj” të kësaj “muzike”, si për shembull: “Në detin e syve të saj, dukeshin dallgë të trazuara” “të panjohurat, mbeteshin varur si re të zeza” “ ato bulëza vese, m’u dukën si lot të natyrës”, “ rakia është mbretëreshë e muhabetit “ “zhurma e motorëve të avionit, iu duk si një marsh funebër  për babin e vet “etj, etj… 

Në mbyllje të këtyre shënimeve lashë një mbresë të veçantë që më mbeti duke lexuar hyrjen e librit. Është fjala për rrëfimin e sinqertë për ndonjë ”mëkat” të tij, pasi ka punuar e shërbyer edhe në monizëm. Ja disa fraza :” Unë kam qenë pjesëz e makinës së propagandës: “Shqipëria-fanar ndriçues” dhe sot më vjen keq për veten time  dhe për ata që më lexonin”. Dhe vazhdon: ”ne nuk kundërshtuam se e dinim fundin. Kërkoj falje që nuk munda të kontribuoja që liria të kishte ardhur më herët”. Këto fjalë e të tjera të flasin për karakterin e tij, për pendesën të cilën kur e bën sinqerisht, të liron nga një barrë e panevojshme. Ato si të thuash konfirmojnë edhe titullin që mban libri ”I tillë jam”. Dhe i tillë, i sinqertë, pasionant dhe i vërtetë ka mbetur autori Shefqet Meko. Të paktë janë ata që në monizëm kanë punuar në media apo sektorë të tjerë delikatë dhe kanë shprehur pendesë.

Në planet e të ardhmes së Shefqet Mekos, ka zënë “radhë” një material tjetër që po “fle” prej vitesh në shtëpinë e tij. Është fjala për ditarin që ka mbajtur për shumë vite. Unë që kam lexuar vetëm ndonjë fragment, jam i bindur për vlerën e këtij botimi, jo vetëm si dëshmitar i thjeshtë i një kohe të shkuar, por edhe mesazhet që përcjellin. Por, sigurisht ai ka ende shumë “brumë” në “magjen” e tij, nga Shqipëria, por edhe nga Amerika, që pret për t’u “gatuar”. Siç ka thënë F. Scot Fitzgerland: “Ti shkruan se ke për të thënë diçka”. Dhe Shefqeti Meko për moshën  që ka, besoj ka shumë për të thënë…  

Janar, 2020 


134 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page